Të bisedosh me Lefter Çipën


Lefter Çipa, poeti i njohur popullor, është nderuar nga Bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi” i këtij qyteti. Titulli do t’i dorëzohet sot në mbrëmje, në një ceremoni që do të zhvillohet në qytetin e gurtë.

Të takohesh me Lefter Çipën në Himarë, është një privilegj i veçantë. “Ja, jetoj këtu në Himarë, pranë flamurit tim”, thotë teksa përshëndetemi si dy miq të vjetër. Në fakt, metafora do të na ndjekë gjatë gjithë bisedës që zhvillojmë në një nga lokalet e qytetit bregdetar. Për të, “polifonia shqiptare, por në veçanti polifonia bregase himarjote, është kënga e perëndive”. Ai jeton për të. Nuk mund të flasësh për polifoninë himarjote pa folur për Lefter Çipën. Ai i ka dhënë asaj jetë, bukuri, i ka dhënë shpirtin që lundron në valët e detit. Të takosh Lefter Çipën, do të thotë të takosh këngën himarjote, të prekësh magjinë e bregdetit himarjot. “Nocioni bregas është shumë më i madh se nocioni himarjot”, thekson poeti i njohur popullor, teksa shton se, “bregasit himarjotë këndojnë më bukur se bilbili”. Kjo këngë, thotë ai, i takon të 13 fshatrave të Bregut, madje deri në Nivicë. Sipas Çipës, të kënduarit greqisht në tri fshatra të Bregut, i është nënshtruar të kënduarit shqip të polifonisë. “Kënga nuk ka nevojë të quhet shqiptare, italiane, greke. Kënga e bukur këndohet në 1000 gjuhë”, thotë Çipa teksa të sheh drejt në sy, si për të kuptuar e perceptuar thellësinë e filozofisë së këtyre fjalëve, që di t’i thotë vetëm Lefter Çipa. Askush më bukur se ai, nuk i shpreh me aq ndjenjë, me aq natyrshmëri, mesazhet që përcjell kënga himarjote. Ai hyn në thelbin e saj, e shtjellon atë, e bën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme për bashkëbiseduesin, hyn në origjinën e saj, në shpirtin artistik të popullit, që vjen në vargje brez pas brezi. Për Lefter Çipën, të flasësh për këngën bregase himarjote do të thotë që ta trajtosh atë qysh në origjinë, “ta përkthesh” në fabulën e saj. “Atje, në djep, qesh dhe qan fëmija/ në natën e bukaniqes, ose natën e tretë të lindjes fëmija fillon e qesh/por, ndërsa dëgjojmë fjalën e dëgjuar, por, jo shtatin e shikuar/kur u çua dhe kur do të flerë gjumë”. Çipa të bën për vete, të tërheq në magjinë e fjalëve të tij, që ai i thotë bukur. Teksa mban cigaren në dorë dhe flet e flet, ai ngjason me burrat himarjotë që rrinë në breg të detit, që nuk tremben nga furtunat, që, si bukuri të shpirtit të tyre, kanë këngën, kanë polifoninë. Polifonia shqiptare e perëndive bregase himarjote, është kënga e perëndive. Kur nis kjo këngë, perënditë zbresin në tokë, si në Greqinë e lashtë kur perënditë jetonin në tokë. Polifonia ka zjarr dhe shpirt në gjuhë, në muzikalitetin harmonik. Valët e detit janë të trazuara e përplasen me njëra-tjetrën. Kur mali lëshon borën poshtë, kënga lëshon vellon e shpirtit. Përse quhen malet e Vettimës, të Akrokeraunit? “Sepse kur Zeusi, fjalosej me Perënditë/nga inati shkrepte vetëtimë! Tempullin e Zotit, e ke Himarën, vargmalet e Vetëtimës, që qëndrojnë si kurorë mbi breg të detit”. Bota e pasur e Lefter Çipës “lexohet” në këto fjalë të tij, aty në breg të detit në Himarë. Ato të fusin në një botë tjetër, të kthejnë prapa në kohë, të zhysin në mitologjinë e shekujve më parë. Sepse e tillë, është historia dhe kënga himarjote, të tilla janë ngjyrat e saj, që kanë ardhur nga njeri brez në tjetrin. Por, Lefter Çipa thotë se, Himara është edhe një figurë mitologjike. Çipa të flet me sigurinë e një historiani të mirëfilltë, sepse i tillë është gatuar ai. Në vitin 1989, bashkë me ansamblin “Labëria” të Vlorës, si poet i këtij ansambli, ai mori pjesë në Festivalin e 17-të Folklorik Botëror, që u zhvillua në Francë, në kuadrin e përvjetorit të ndërtimit të Kullës Eifel dhe Revolucionit Borgjez Francez. Përmes miqve të tij në Ambasadën Shqiptare në Paris, ai mësoi se, në Enciklopedinë Franceze, përfshihej edhe figura mitologjike e Himarës. Kjo figurë, sipas Çipës, paraqitet me një kokë luani, me gjoksin e dragoit, me barkun e dhisë dhe me bishtin e ujkut(!). Poeti popullor e shtjellon qartësisht domethënien e kësaj figure mitologjike, që përfaqëson trimërinë e pahumbur të luanit, pathyeshmërinë e dragoit, pangopësinë e dhisë dhe dinakërinë dhe egërsinë e ujkut. Sipas Çipës, polifonia bregase himarjote, është më e lashtë se Greqia e lashtë, se Roma, se Bizanti. Ajo është krijuar që kur u krijua Zoti. “Polifonia është shpirti i ditës dhe zëri i natës”, thotë ai, duke shtuar se, ditën vuan njeriu, ndërsa natën sheh ëndrra të bukura. Pikërisht vuajtja dhe bukuria e ëndrrave, përbëjnë edhe thelbin e polifonisë. “Polifonia është me kurorë qiellore, sepse ajo ka sakallëk”, shprehet Çipa. Ai shpjegon ndryshimin thelbësor të polifonisë bregase himarjote, krahasuar me atë të trevave të tjera. “Në Himarë ka një fenomen real; nuk i këndohet atij që merr hak, nuk i këndohet hakmarrjes, i këndohet faljes së gjakut”, sqaron poeti popullor. Çipa e kujton me nostalgji fillimin e krijimtarisë së vet. Ishte 16 vjeç, në vitin 1958, kur, Themistokli Mone, artisti i njohur vlonjat i këngës qytetare, e angazhoi në këtë grup. “Ishte një rastësi, por, siç ndodh shpesh, rastësia mund të vulosë të ardhmen e një njeriu”, thotë Çipa. Ai tregon se, kënga e parë e tij, “Një flutur e vogël je/16 pranvera ke/moj trëndafile sa e bukur je”, zuri vend menjëherë në repertorin e Trios së famshme të këngës popullore qytetare vlonjate. Prej asaj kohe, ai punoi mjaft për vite me radhë për këtë grup të njohur në të gjithë vendin. Madje, tregon edhe një sekret; 80 për qind e teksteve të Trios Vlonjate, kanë autorësinë e tij. Këngë të tilla, si “Vlora jonë qytet i bukur”, janë shndërruar në “hit”-e, për këtë grup. “Trioja është brumi i Neço Mukës”, sqaron Çipa, duke u shprehur se, në themel të saj, është kënga e Neço Mukës së famshëm të Himarës. Lefter Çipa është autor i 16 librave. Në vitet e krijimtarisë së tij, për polifoninë, përfshihen “Bejke e Bardhë” (1973); “Shqipëri moj ballëhapur” (1976); “Bilbilat e vendit tim” (1981), “Dheun tim përsipër marr” (1989); “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë” (1994); “Bilbili që këndon vetëm” (1999); “Për Kosovën prapë do ngrihem”(1999); Tre vëllime në vitet 1993-94-95 “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akrokeraunit” dhe “Këngët e Ruzharës” etj.

Harilla Koçi

Google+ Followers