Nuk kam asgjë për të cilën duhet fajësuar pleqëria


Lexime filozofike/ Nga libri i Ciceronit “Arti i të pleqëruarit”


Ciceroni

III.
7. Katoni. Do të bëj ç’të mundem, Lel i shtrenjtë. Shpesh, kam qenë i pranishëm kur bashkëmoshatarët e mi janë ankuar (sepse, siç tregon një thënie e lashtë, të ngjashmit bashkohen lehtë me shembëlltyrat e tyre), ankesa, që Gaj Salinatori dhe Spur Albini, ish konsuj, thuajse moshatarët tanë, i kishin zakon, herë-herë, sepse kishin mbetur të zhveshur nga ato epshe, pa të cilat e quanin të kotë jetën, herë-herë, sepse ishin përçmuar nga ata që më parë i nderonin.
Mua më duket se ata nuk fajësonin atë që duhej fajësuar në të vërtetë. Nëse për këto do të ishte faji i pleqërisë, e njëjta gjë do të më ndodhte edhe mua, si dhe gjithë të moshuarve, shumicën e të cilëve i kam parë ta pranonin pleqërinë pa ankesa dhe të duronin me qetësi çlirimin nga vargonjtë e pasionit, si dhe të mos përçmoheshin aspak nga miqtë dhe të afërmit e tyre.
Por, për të gjitha këto ankesa, arsyeja është karakteri, jo mosha. Dhe vërtet, pleqtë e përkorë, me karakter të butë dhe jogërnjatë, jetojnë një pleqëri që kapërdihet. Ndërsa nopranëria dhe ashpërsia e karakterit është e bezdisshme në çdo moshë.

8. Leli. Katon, është ashtu siç thua ti; por ndoshta dikush mund ta hedhë fjalën se pleqëria ty të duket më e pranueshme falë pozitës tënde shoqërore, mirëqënies tënde ekonomike dhe prejardhjes tënd; por e gjitha kjo nuk mund t’i bjerë për hise shumicës!
Katoni. Sigurisht, kjo ësht ënjë arsye me vend, Lel, por jo gjithçka mbaron këtu. Thuhet se Themistokliu gjatë një debati, dikujt nga Serifo, që ia kishte përplasur në fytyrë se e kishte arritur famën jo për lavdinë e vet, por për atë të atdheut, iu përgjigj kështu:”Për Herkulin, as unë nuk do të isha bërë i famshëm nëse do të isha nga Serifo, as ti nuk do të ishe bërë kurrë i famshëm, edhe sikur të ishe nga Athina”. E njëjta gjë mund të thuhet për pleqërinë. Nuk mund të thuhet se në mjerimin e skajshëm pleqëria është një peshë e lehtë, qoftë edhe për një njeri të urtë, as për një të marrë nuk është e lehtë, edhe sikur të ketë pasurinë më të madhe!

9. Pra, armët më të mira të mbrojtjes kundër pleqërisë, të dashur Shipion dhe Lei, janë artet e ushtrimit të virtytit, të cilat, nëse ushtrohen në çdo moshë, kur jeton gjatë dhe me force, japin fryte të mrekullueshme, jo vetëm sepse nuk na braktisin kurrë, as në caqet e ekzistencës, megjithëse kjo në të vërtetë është gjëja më e rëndësishme, por edhe sepse vetdija e një jetë të kaluar mirë dhe kujtimi i shumë veprimeve të mira sjellin një lumturi të madhe.

IV.
10. Kur isha adoleshent, kam patur miqësi, si të ishte një moshatari im, me Kuint Fabio Masimo, atë që fitoi rishtas Taranton, sepse tek ai njeri kishte një aspekt të rreptë, të bashkuar me një shoqërueshmëri të madhe, dhe as pleqëria nuk ia ndryshoi karakterin. Në të vërtetë, unë u lidha me të kur nuk isha ende plak, por isha i shtyrë në moshë. Ai ka qenë konsull për herë të parë një vit pas lindjes sime, dhe bashkë me të, kur u bë konsull për herë të katërt, unë u nisa si ushtar, shumë i ri, për në Kapua dhe pesë vjet më pas për në Taranto. U bëra kuestor duke e ushtruar detyrën në kohën e konsullatës së Tutidanos dhe Çetegos, ndërsa ai, tanimë tepër plak, ishte relator i Ligjit Çinçia lidhur me dhuratat dhe rryshfetet. Ai zhvillonte luftën si një djalosh, edhe pse ishte tepër plak, dhe me durimin e tij e mpaku Hanibalin e ri dhe guximtar. Për të, miku ynë Enio shkroi me ngazëllim:

Një njeri i vetëm, duke ngurruar, na ktheu
Republikën
Sepse para shpëtimit të Shtetit nuk vinte
Gumëzhimat popullore
Ndaj shkëlqen dhe do të shkëlqejë gjithmonë
e më tepër lavdia e këtij njeriu

11. Me çfarë maturie, me çfarë largpamësie e rifitoi ai Taranton! Me këta veshë e kam dëgjuar t’i përgjigjej Salinatorit, i cili, pasi kishte humbur qytetin, kishte mbetur i bllokuar në fortesë dhe thoshte: “Përmes meje, Kuint Fabio, rifitove Taranton!”. Ai iu përgjigj duke qeshur:”Sigurisht, nëse ti nuk do ta kishe humbur, unë nuk do ta kisha fituar kurrë”.
Dhe në të vërtetë, ai nuk ishte më pak i hijshëm me armët se sa me togën; kur ishte konsull për herën e tretë, ndërsa kolegu Spur Karvili qëndronte duarkryq, ai u përball deri në pikën e fundit me Gaj Flaminion, tribunin e plebejve, i cili, kundër autoritetit të Senatit kërkonte t’u shpërndante qytetarëve privatë Agro Piçenon dhe Galikun, që ishin prona të Shtetit. Dhe kur ishte augur, guxoi të pohonte që të ndërmerreshin me këmbë të mbarë ato sipërmarrje që bëheshin për shpëtimin e Republikës, ndërsa ato që bëheshin kundër Republikës ishin gjithmonë ogurzeza për të.

12. Tek ai njeri i madh kam hasur shumë dhunti, por asnjë nuk është më e admirueshme se sa mënyra me të cilën përballoi vdekjen e të birit që kishte qenë konsull, një njeri tepër i shquar. Fjalimi i tij i përmortshëm ende njihet nga njerëzit: pasi e lexojmë, cili filozof mund t’ia dalë përballë? Dhe nuk ishte i madh vetëm në dritën e diellit, përpara syve të bashkëqytetarëve, por ishte edhe më i admirueshëm në jetën private, në shtëpinë e tij. Çfarë bisedash! Çfarë mësimesh! Çfarë njohjeje e historisë dhe e së drejtës së augurëve! Kishte edhe një bagazh të pasur letrar, për një romak. Ai ruante gjithçka në kujtesë, jo vetëm historinë e mëmëdheut, por edhe atë të popujve të tjerë. Unë lumturohesha, kaq i etur nga biseda e tij, sikur ta parandieja atë çka ndodhi më pas, se pas vdekjes së tij nuk do të mund të mësoja nga kush tjetër.

V.
13. Pse fola kaq gjatë për Masimon? Që ju të kuptoni se do të ishte një paudhësi të pohohej se një pleqëri e tillë ishte e palumtur. Por sigrihst, jo të gjithë mund të jenë si Shipioni apo si Masimo, sa të mund të mbajnë mend qytetet e pushtuara, betejat tokësore dhe detare, luftërat e zhvilluara prej tyre, dhe triumfet. Por ka edhe një pleqëri të qetë e të përkorë pas një jete te kaluar mes andrrallave, me pastërti zemre dhe ekuilibër, siç e dimë se ishte jeta e Platonit, i cili vdiq në moshën 81 vjeçare ndërsa shkruante një libër, apo siç ishte ajo e Izokratit, për të cilin thuhet se shkro në moshën 94 vjeçare një libër që titullohej “Panatenaiko” e më pas jetoi edhe pesë vjet të tjera! Mësuesi i tij, Gorxhia dhe Lentini, jetoi madje 107 vjet dhe nuk e braktisi kurrë studimin dhe punën e vet. Kur dikush e pyeti përse dëshironte të jetonte aq gjatë, ai tha: “Nuk kam asgjë për të cilën duhet fajësuar pleqëria”. Një përgjigje e jashtëzakonshme, e denjë për një njeri të urtë.

Standard

Google+ Followers