Ndryshimet, me pasoja të rrezikshme


Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, kundër ndërhyrjes në standard. Në përbërje të këtij institucioni të krijuar dy vjet më parë, është dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, si dhe gjuhëtarë e personalitete të njohura nga bota akademike ndërkombëtare


Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është shprehur dje, përmes një kumtese kundër ndërhyrjes në standardin e shqipes, dhe i sheh përpjekjet e fundit për të ndryshuar drejtshkrimin, si të pabaza shkencërisht dhe me pasoja të rrezikshme për gjuhën shqipe. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është një institucion i krijuar më 17 dhjetor 2011, dhe president nderi është shkrimtari i madh Ismail Kadare, e në përbërje të së cilës janë emra të njohur të kulturës shqipe, si: Xhevat Lloshi, Inva Mula, Sali Shijaku, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Elena Kadare etj. Sipas prof. 
Fatos Tarifës, kjo kumtesë ka dalë pas një mbledhjeje që Akademia pati dy ditë më parë dhe është shprehje e qëndrimit unanim të anëtarëve të saj. “Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave e vlerëson gjuhën e sotme letrare kombëtare, ose shqipen standarde, si një ndër arritjet madhore të qytetërimit modern shqiptar. Kjo vlerë e lartë kulturore dhe mjet zhvillimi, përparimi e përbashkimi i kombit tonë në të gjithë hapësirën e tij etnike e në diasporë, kërkon mbrojtje e përkujdesje shoqërore e shtetërore të pandërprerë, ashtu siç përcaktohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vëren me shqetësim se në përpjekjet e sinqerta të shumicës së lëvruesve e studiuesve të gjuhës për ta përsosur më tej normën letrare, ndërthuren kërkesa e teza pa bazë shkencore, që eventualisht mund të jenë të rrezikshme dhe me pasoja”, thuhet në kumtesën e bërë publike. Kjo Akademi e quan shqetësuese mënyrën jotransparente të punës së Këshillit Ndërakademik, si dhe mungesën e informacionit të drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, duke qenë se vetë ky këshill është krijuar nga një bashkëpunim mes dy akademive të sipërpërmendura, statusi i njërës prej të cilave ka ndryshuar që nga koha e krijimit të tij, duke i bërë të diskutueshme si legjitimitetin, ashtu edhe kompetencën e vetë këtij Këshilli.
Logo e Akademise
“Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vlerëson se shqipja standarde i ka qëndruar më së miri provës së kohës, po ashtu dhe veprat themelore normative të saj, të cilat kanë, sigurisht, nevojë për plotësime e përmirësime të mëtejshme mbi bazë kriteresh shkencore, me pjesëmarrje të gjerë të botës akademike shqiptare dhe nga institucione të specializuara për atë qëllim, përfshirë sidomos departamentet e Gjuhësisë e të Letërsisë shqipe në të gjitha universitetet shqiptare”, thuhet në kumtesë. Më tej, kjo Akademi shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar institucionalisht me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Tiranës, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup për të dhënë kontributin e saj në këtë proces.

Gjuhëtari

Rami Memushaj: Ndryshimet në gjuhë, me prapavijë politike

RamiMemushaj-2-2Prof. dr. Rami Memushaj, ish-anëtar i Këshillit Ndërakademik, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë, pasi ishte kundër propozimeve për ndryshimet në drejtshkrim, e quan kumtesën e bërë publike nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave si një shqetësim që e kanë shumë studiues të gjuhës shqipe. “Në të vërtetë është bërë një përpjekje për një ndërhyrje të thellë në drejtshkrimin aktual të shqipes, një përpjekje e frymëzuar jo nga parime shkencore, por nga arsye të tjera, shpesh edhe të sajuara. P.sh., justifikimi se shqiptimi ka ndryshuar, kështu që edhe shkrimi duhet t’i përshtatet shqiptimit. Në mbledhjen e dytë, që u mbajt disa ditë më parë, në krahasim me mbledhjen e qershorit të vitit të kaluar, falë trysnisë së medias dhe opinionit, apo gjuhëtarëve jashtë Këshillit Ndërakademik, por edhe të një pjese brenda këshillit, ndryshimet kanë qenë më të pakta, referuar dokumentit të ndryshimeve”, thotë prof. Memushaj për gazetën “Shqip”. Sipas tij, arsyet e këtyre ndryshimeve nuk janë shkencore, por me prapavijë politike. “Arsyet nuk janë shkencore. Përpjekjet për të ndërhyrë në standard kanë filluar prej 20 vitesh, por tashmë kanë ndryshuar trajtë. Ka disa të interesuar për këtë, dhe me shtyrje nga faktorë politikë që qëndrojnë prapa akademikëve dhe gjuhëtarëve. Për mendimin tim, goditja kryesore e drejtshkrimit i është dhënë vitin e kaluar, pasi është goditur zanorja ë. Është i paktë dëmtimi kësaj here, pasi goditja kryesore i është dhënë drejtshkrimit një vit më parë”, tha prof. Memushaj. Sipas tij, këto ndryshime do të sjellin reagime, duke u nisur nga përvojat e vendeve që i kanë jetuar më parë ato. “Duke u nisur nga përvoja e vendeve të tjera, ku ka pasur ndërhyrje, momente të tilla kanë sjellë reagime, duke u nisur nga shtëpitë botuese, të cilat duhet të hedhin poshtë botime të tëra që kanë në treg. Universitetet mund të mos i votojnë këto ndryshime, ne gjuhëtarët nuk do t’i zbatojmë këto rregulla, duke sjellë kështu reagime. Po të vësh re propozimet e bëra nga Këshilli Ndërakademik, ka shumë kundërthënie në to. Nuk janë zgjedhje sistemore, e nuk synojnë të përmirësojnë sistemin e rregullave, por ka kthime prapa”, thotë prof. Memushaj.

Rexhep Qosja: Të mos preket standardi

Akademiku dhe shkrimtari i njohur kosovar, Rexhep Qosja, u shpreh dy ditë më parë, kundër çdo ndërhyrjeje në standardin e shqipes. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvillimin e qytetërimit tonë. Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijes së popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij. Gjuha i bashkon, por gjuha edhe mund t’i ndajë njerëzit. Shteti është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Dhe, gjuha letrare standarde është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Nuk ka gjuhë letrare atje ku nuk ka shtet, më saktësisht, atje ku nuk ka vetëdije për shtetin, për të përbashkëtën institucionale”, është shprehur Qosja. Sipas tij, këto përpjekje janë të frymëzuara nga qarqe politike. “Ata janë të frymëzuar, ma merr mendja, njëkohësisht edhe prej qarqesh të huaja politike që tradicionalisht janë përpjekur t’i ngatërrojnë punët e shqiptarëve. Të gjitha, thotë Gëte, janë të vdekshme, vetëm marrëzirat janë të pavdekshme. Përpjekjet për rrënimin e gjuhës letrare mund të bëhen edhe ndonjë ditë, por janë të dështuara, sepse janë prapakthime kundërhistorike që do të kishin pasoja shumë të mëdha”, është shprehur Qose.

Google+ Followers