Libri i princeshës ruse, në Tiranë

Historia brenda një libri/ Më 1979, profesori i njohur i sllavishtes, suedezi Gunnar Jacobsson, i dhuroi kolegut të tij shqiptar, profesor Ferdinand Lekës, librin e poetit rus Aleksei Tolstoi, i cili mban vulën e bibliotekës personale të Princeshës Marina Petrovna të Rusisë

Princesha Marina Petrovna e Rusisë (11 mars 1892-15 maj 1981) i adhuronte librat. Vajza me një buzëqeshje të ëmbël në portret kalonte orë të tëra në bibliotekë, ndërsa mbrëmjeve lexonte poezi me miqtë e saj. Ajo ishte vajza e dukës së madh Piter Nikolaeviç të Rusisë dhe gruas së tij dukeshës së madhe, Militza Nikolaevna, princeshë e lindur në Malin e Zi. Mbesë e Carit Nikolas I të Rusisë, ajo lindi në Nicë, në Francë, dhe u rrit në periudhën e fundit të Perandorisë ruse, kryesisht në Znamenka, pallati veror i babait të saj, afër Pitërhof. Ajo ishte një artiste e lindur. Përveç pasionit për të lexuar ajo tregoi talent për pikturë. Fillimisht studioi pikturë me një mësues nga shkolla e lartë e Jalta dhe më pas në Shën Peterburg me profesor Kordovsky. Dukesha e madhe, Maria Pavlovna, e rekomandoi princeshë Marinën si një nuse të mundshme për dukën e Montpensier, djali i kontit të Parisit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Marina shërbeu si infermiere me trupat kaukaze afër Trabzonit. Ajo i shpëtoi Revolucionit Rus me pjesën tjetër të familjes së saj në bordin e anijes britanike HMS Marlborou, në vitin 1919. U martua me princ Aleksandër Galitzin në vitin 1927. Ajo vdiq më 15 maj 1981 në Francë në moshën 89-vjeçare. Gjatë largimit nga Rusia, Marina u mundua të shpëtonte disa nga gjërat e saj më të vyera siç ishin librat. Librat e familjes së Carit kishin dhe stemën mbretërore të familjes. Një libër i poetit rus Aleksei Tolstoi, një vepër e botuar më 1905-n, pjesë e bibliotekës private të princeshës prej më shumë se 30 vitesh ndodhet në bibliotekën personale të përkthyesit dhe studiuesit të albanologjisë Ferdinand Leka. Një libër me kapak të trashë të kohës, botuar me kujdes, në faqen e parë të së cilës shohim vulën e bibliotekës së Carit. Profesor Leka e ruan si një gjë të vyer prej vitesh librin, në morinë e librave të një jete të tërë akademike. Por si erdhi libri i princeshës Petrovna të Rusisë, deri në Tiranë? Profesor Leka tregon se librin e ka marrë dhuratë nga profesori i njohur suedez i sllavishtes Gunnar Jacobsson. Nuk dihet sesi sllavisti i njohur e ka marrë këtë libër të rrallë të princeshës, por duke lexuar jetën e tij, plot udhëtime, kryesisht të interesuar për gjuhën ruse, mund të jetë takuar dhe me princeshën… Duke parë me kujdes jetën e profesor Jacobsson-it, shohim se ai ka kaluar një periudhë në Francë, ku ka qenë i lidhur me komunitetin rus të emigruar aty. Ndoshta në një vizitë në vilën ku jetonte princesha, ajo i ka dhuruar librin e poetit Tolstoi… “Profesor Jacobsson ka ardhur në Shqipëri dy herë, i ftuar nga Akademia e Shkencave për të sjellë përvojën e tij si sllavist, një herë në vitin 1979 dhe në vitin 1983”, thotë Leka. Duke kujtuar takimet tepër profesionale me të, ku bisedat ishin të vlefshme jo vetëm për të përftuar mbi kulturën e gjuhëve sllave, por dhe mbi atë çfarë ndodhte jashtë hapësirës së Shqipërisë, Leka kujton dhe momentin kur ai i dhuroi librin, pa e ditur se ai libër kishte dalë nga një bibliotekë mbretërore. Libri është një vëllim me poezi, i një poeti të ri rus të kohës, ku shihet dhe interesi i princeshës për artin e poezisë. Profesor Gunnar Jacobsson i Universitetit të Gothenburgut u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, më 1 prill 2001. Ai lindi më 22 dhjetor 1918 në Lysekil, Suedi, në familjen e një specialisti birrash. Dhe pse familja ishte e madhe, ai dhe katër vëllezërit e tij u shkolluan. Interesi i tij për gjuhët sllave lindi që në moshë të re. Babai i tij, në vitet e rinisë, ishte një udhëtar në Europë ku mësoi dhe profesionin e birrarisë dhe kishte punuar një herë dhe në Shën Peterburg. Në bibliotekën e tij në shtëpi, gjendeshin disa libra në rusisht. Një influencë tjetër ishte dhe fakti që një nga të afërmit nga ana e mamasë së tij kishte publikuar një libër në rusisht për Finlandën. Gunnar studioi gjuhët sllave në Lund dhe në Uppsala.
Kjo e çoi të krijonte lidhje me gjeneratën e vjetër të sllavistëve suedezë si Sigurd Agrell, Richard Ekblom, CarlGöran Regnell, Gunnar Gunnarsson dhe Knut-Olof Falk. Edhe para Luftës së Dytë Botërore, ai arriti të vizitonte një nga komunitetet sllave, Poloninë, por lufta i prishi planet për udhëtimet e tjera. Ushtria suedeze i përdori njohuritë e tij të gjuhës sllave për detyra të ndryshme, ndër të cilat dhe ajo si person kontakti në një kamp të arratisurish nga Rusia. Në të njëjtën kohë ai vazhdoi dhe karrierën e tij akademike. Pas doktoraturës për sllavisht më 1947 ai kaloi një kohë në Paris, ku krijoi shoqëri me sllavistët francezë dhe qarqet e emigrantëve rusë. Pas luftës ai filloi udhëtimet e tij në Europën Lindore, Poloni dhe Çekosllovaki, Bashkimin Sovjetik, Bullgari dhe Jugosllavi. Këto udhëtime ishin pasioni i jetës së tij, një pasion të cilën e ndante me gruan e tij Hillevi. Ai u mundua të vizitonte të gjitha vendet sllave. Ai ishte një nga sllavistët e vërtetë gjë e cila vërtetohet dhe nga bibliografia e tij, e cila përfshin një fushë të madhe nga letërsia polake në letërsinë ruse si dhe përkthime nga rusishtja, polonishtja dhe kroatishtja. Në vitet 1944-1948 ai punoi si profesor i rusishtes në Universitetin e Gothenburgut. Për 40 vjet ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet e gjuhëve sllave. Profesor Jacobsson konsiderohet si një shkollë më vete e sllavistesh, një njeri i rrallë i mbushur plot pasion për gjuhët.




Google+ Followers