Kur Mustafa Kruja i shkruante Koliqit: “…nuk ka kurrë siguri me gjinden tonë”



Botohet vëllimi i dytë “Kuvend letrash me miqtë”, me letërkëmbimet e Mustafa Krujës dhe gjashtë personaliteteve më të spikatura të jetës kulturore e politike shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit. Ky libër është nismë e trashëgimtarëve të Krujës për të publikuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si E. Koliqi apo K. Gurakuqi kanë shprehur për to

 Prof. Ardian Ndreca

Prej yjësisë së rrallueme të njerzve me të vërtetë të shquem që ka nxjerrë Shqipnia na kanë mbetë fort pak letra kuptimplote që na lejojne me kuptue sot ma mirë jo vetëm personalitetin e tyne por edhe shumë ngjarje historike, pjesë e të cilave ata kanë qenë. Shkaqet e vorfnisë se letërshkëmbimeve të njerzve të shquem tek ne janë të ndryshme. Disa, me sa dimë, nuk e kishin aspak zakon me shkëmbye letra, do tjerë, orëpremë, jeta i shkapeti sa andej këtej e arkivat së bashku me letrat e tyne humbën përgjithmonë. Dikujt tjetër kushedi se në cilat dosje arkivash u flejnë letrat e presin ditën e lume me u “zbulue”.
Nji prej ma fatlumve në ketë drejtim, tue pasë parasysh edhe krajatat që kaloi gjatë jetës, asht Mustafa Kruja, gjuhëtar, politikan, përkthyes e shkrimtar skofiar.
Këto vite kanë pa dritën e botimit, falë përkujdesjes së të birit Dr. Bashkimit dhe të nipit, shkrimtarit e publicistit Eugjen Merlika, nji seri veprash origjinale e përkthimesh të këtij personaliteti kruetan që spikatë në historinë e të Njizetit qindvjetë.
Ky botim përfshin shkëmbimet e tija epistolare në harkun kohor 1945-1958, dhe asht zhvillue ndërmjet tij dhe disa personaliteteve në zâ të kulturës sonë: Át Zef Valentini, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Namik Ressuli dhe Stavri Skëndo. Kemi pra nji pasqyrë mjaft të plotësueme të kohës së mërgimit të këtyne personaliteteve të kulturës sonë e sidomos të Mustafës, të cilin rrjedha e jetës e çoi deri në Niagara Falls, ku edhe vdiq.
Përposë letrave që ua drejton figurave të masipërme Mustafa Kruja, kemi edhe letrat që ata vetë i drejtonin atij, ma së shumti tue e trajtue si nji mentor në lamijen e gjuhësisë, historisë, politikës, kulturës, e madje edhe të vetë jetës. Hija e randë që Mustafa Kruja lëshonte mbi bashkëkohësit e vet ndihet e fortë në ketë epistolarë, por vërehet edhe gjurma që kanë lanë tek ai njerëz të veçantë që pat dashtë e nderue posaçe si Át Gjergj Fishta apo Luigj Gurakuqi.
Në pikëpamjen politike Mustafa Kruja mbas vitit 1948 ndihet afër shpirtnisht me Bllokun Kombtar, i cili mblidhej rreth Kapidanit të Mirditës, I. Verlacit dhe kishte si ideolog të vetin Ernest Koliqin. Në krahun tjetër gjejmë Legalitetin, Ballistat, misët e Lidhjes II të Prizrenit, Partinë e Bujqve dhe Katundarëve, Partinë Agrare. Vetë Mustafa asht i veçuem prej politiket e kufizohet tue dhanë ndonji ide sesi Blloku të bashkëpunojë kryesisht me ndjekësat e Mbretit Zog. Nji anmiqsi e madhe ndihet mes ballistave dhe grupimeve të naltpërmenduna. Fillimisht Ali Këlcyra, i cili do të përjashtohet mandej prej Ballit, e ma vonë sidomos Abaz Ermenji, tregojnë urrejtje ma të madhe ndaj bllokistave sesa kundër vetë regjimit të Enver Hoxhës. Shkrimet e Ermenjit janë mbresëlanëse për me ndriçue ketë gja, madje ato spjegojnë sesi emigracioni antikomunist mbeti i përçamë, pak për shkak të protagonizmit e pak për ndërhymjen e drejtpërdrejtë të Sigurimit të Shtetit komunist.
Prej letërshkëmbimit mes Mustafës dhe miqve të tij mësojmë shumë gjana rreth atmosferës politike të emigracionit, nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës.
Në këto letra ndihet gjithnji e ma tepër me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafës ndaj figurës së sovranit, të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut.
Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirsia me bashkërendue veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet me përballue nji grushti të vogël idealistash atdhetarë që jeta i ka hjedhë e shpërnda pa plang e pa shtëpi.
Pështjellimit të paskaj i shtohet rreziku i shumë sharlatanëve që nisin me u shfaqë në skenën e emigracionit, ndërkaq prej atdheut vijnë gjithnji e ma shpesh lajme të këqija e shumica e familjarëve të t’ikunve gjinden në kampe përqendrimit e në burgje. Në letrat e Krujës, Koliqit, Gurakuqit ndihet nji notë pesimizmi: “nuk ka kurrë siguri me gjinden tonë” – i shkruen Mustafa Koliqit me 18/12/1954. Vuejtjet e atij emigracioni të dytë (i pari kishte qenë në periudhën 1924-1939), randoheshin tashma edhe prej moshës që kishte ba të veten.
Shkruen E. Koliqi: “Jemi nji ndër brezní mâ fatmjera qi njofti historija njerzore. Kurr qëllime mâ bujare dhe forca mendore e morale mâ të kullueta nuk u shkrînë për dobí të nji kombit tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje” (3/11/1957), dhe vijon në letrën mbasardhëse: “Fatkeqsit e mëdhajá nuk më kanë përulë: jam ai qi ishem. Mund të kemi gabue, por qëllimi i ushqyem ishte i kulluet. E sa të kemi frymë, nuk due të heshti. Anmiqt (shumicës së cilvet u kemi bâ nderë) na marrshin të keqen. Shum prej tyne janë të tillë qi asht mâ mirë me i pasun anmiq se miq” (15/12/1957).
Mendja e shpirti i këtyne intelektualve vijonte me lëviz për të mirën e çështjes shqiptare. Në ketë kuadër hyjnë edhe rrahjet e mendimeve në lamijen e gjuhësisë e të historisë, zelli i botimeve, projektet për krijimin e qendrave të studimeve shqiptare në mërgim, botimi i të përkohshmeve me karakter shkencor. Edhe pse asht tashma tek të shtatëdhjetat, Mustafa paraqitet si nji lum i frymë kur bahet fjalë me qortue e me argumentue mendime që kanë të bajnë me gjuhën shqipe. Nji pasion i veçantë e dallon për ortografinë, tek e cila ai preferon kryesisht parimin etimologjik, mandej vjen kujdesi për leksikun, cena jo e teprueme për sintaksen, talenti për me qitë në dritë fjalë të reja, e mandej prap qukrrime e shfrime mes miqsh.
Jo rrallë stili i Mustafa Krujës paraqitet i vrazhdë, fjalët ndonjiherë bahen plumb të randa, por mbas tyne rrin nji njeri i drejtë me nji zemër të kulluet që urren rrenën e laselyesinë (dyfytyrësinë) dhe don vetëm të vërtetën. Në këto letra shihen xixat e jetës së mërgimtarit, por edhe hijet e vështirsive ekonomike. Mbi të gjitha mërgimtarëve politikë u mungon atdheu. Kajherë pamundësia me u kthye në atdhe ua kthen ekzistencën në nji burg të zymtë. Gadi në çdo letër preket vetmia e tyne, prandaj Mustafa, që asht ma i madhi në moshë e ma i veçuemi, s’prânë tue u kërkue bashkëbiseduesve me i shkrue, e prandaj i ngucë pa prâ, hera herës edhe tue i qortue për vonesat në përgjegje.
Për gjuhëtarë si Mustafa Kruja e si Karl Gurakuqi, për albanologë si Valentini, për shkrimtarë si Ernest Koliqi e Martin Camaj largimi prej tokës amë duhet të ishte nji mallkim. Larg atdheut u mungonte landa e parë: u mungonin njerëzit, gjuha e tyne. Ishin larg prej nji genius loci që i kishte rritë e mësue gjana të pathanshme. Koliqi, Camaj, Valentini, Gurakuqi ketë mungesë do të mundoheshin me e plotsue në dy mënyra: tue shkue mes arbëreshëve dhe tue ndejt me të ikun shqiptarë, sidomos prej maleve tona. Ata që e kanë njohtë prej afër tregojnë sesi Ernesti kalonte orë e orë në shoqni të malcorve të thjeshtë, tue vjelë prej gojës së tyne thanje e fjalë të rralla, që mbasi filtroheshin në laboratorin e shkrimtarit hynin me të drejta të plota në mbretninë e letrave shqipe. Në këtë letërshkëmbim ndihet se sa e madhe asht mungesa e literaturës shkencore dhe e letërsisë shqipe. Njeni e tjetri i thërrasin kujtesës tue nxjerrë prej thellësinave të saja vargje, data, emna, skaje, përçansime. E mandej vërehet bujarija e gatishmënia e atyne që munden me daktiloshkruen tue kopjue vepra që s’gjinden, apo tue ble në antikuariate do të tjera që i nevojiten shoqit.
Mbi Mustafën peshonte gjykimi i nji pjesë të mërgatës që s’ia ka harrue faktin se kishte qenë për 13 muej kryeministër. S’u binte në mend se kishte qenë ndër firmatarët e shpalljes së Pamvarsinë në Vlonë, se kishte luftue me të gjitha forcat q’prej atëherë e deri n’ato çasa për Shqipninë, dhe mundoheshin me e prozhmue me çdo kusht, tue shpifë e tue e randue pa të drejtë.
Si Mustafa ashtu edhe Ernesti, të cilët ishin marrë me politikë aktive gjatë luftës, shihet se shprehin keqardhje për si shkuene punët gjatë luftës, ndihet diku diku edhe dëshira për me kuptue ma thellë se ku kanë gabue, por secili asht i bindun se n’ato çasa historike s’ka pasë as mundësi dhe as dije për me veprue ma mirë. Tue e pa Shqipninë të nënshtrueme e për ma tepër nën thundrën e “Harushës së veriut”, siç e quejnë ata Bashkimin Sovjetik, ndiejnë se kanë pasë të drejtë që e kanë luftue komunizmin, ndryshe prej ndonji force tjetër politike që u pat mundue me flirtue pa sukses me Frontin komunist.
Në nji letër Karl Gurakuqi i shkruen Mustafa Krujës:
“Ti u mundove, ti u përpoqe, ti u rropate, ti u shkrîne, edhe me rrezik të jetës, për t’i gatue Shqipnís rrugën e mirëqënjes e të përparimit, por dolën disa bastardha qi deshën e duen edhe sot, pa fije turpi, me shkatrrue shka ti me shokët e tú t’idealit me aq flijime ndërtuet. Por s’kanë me i a dalë kurr të shlyejnë nga faqet e historís s’onë ęmnin e ndritëshëm të Mustafë Merlikë Krujës, pse themele dhe rrâjë të forta ka shtî në rinín shqiptare. Ka pasë thânë Pater Gjergji se Shqipnija u bâ për inád të dreqit e t’anmiqvet; ashtu edhe ęmni i yt, për inát të kundrështarvet mendjeshkurtë, të vagabondavet, të trathtarvet të vendit e t’ęmnit shqiptar, të krymbavet të ndësinavet, do të qindrojë nalt, gjithmonë nalt; do të vîjë dita qi do të shkruhet në librin e Atdheut, qi do të ruhet me zilí nga brezat qi do të vîjnë” (12/3/1957).
“Mue m’intereson atdheu i im” – i shkruen Mustafa Gurakuqit në nji letër të 15 korrikut 1953 Karl Gurakuqit. Kjo asht nji deklaratë dashunie “alla Mustafë”, pa fjalë të mëdhaja e përbetime, por me vepra të zâshme, i gatshëm me pranue për hatër të veprimit të tij politik shortin që e dënoi me nda për së gjallit prej familjes së vet. Në këto letra nuk shihet pothuejse asnji kumbim harejet, por vetëm pezm për Shqipninë e për të afërmit që vuejnë e trishtim për gjendjen e mjerueshme të emigracionit.
Siç dihet, në fund të jetës së vet Mustafa mbërrijti me emigrue në Shtetet e Bashkueme të Amerikës së bashku me të motrën Angjelën. Atje zbuloi nji botë të re, krejt të panjohtun, nji “Eden” siç e quen ai në nji letër. Edhe pse tue qenë në moshë të shtyme, ai iu fut me vrull mësimin të anglishtes, e në nji letër të 9 tetorit 1956 i shkruen Gurakuqit:
“Sido qoftë, për bisedime gjuhsore kujtoj se kam me të lânë të qetë këndej e mbrapa. N’Amerikë s’merren bota me dokrra e duhet pra edhe un t’u përshtatem zakoneve të vęndit”, e vijon: “Un tash nji herë due me nxânë me kënduem e kuptuem mirë anglishten. Mbrapa, në mos paça kurrfarë pune tjetër me bâmë mâ mbas 70 vjetsh, tash po merrem prap me tërfulet e vjetra, qi s’i don kurrkush!”.
Në këto fjalë shihet nji farë zhgënjimi, por këto dy rreshta nuk duhet të na çojnë në përfundime të gabueme, Mustafa vijoi deri në çasat e mbrame të jetës me punue për kulturën e sidomos për gjuhën tonë.
Nji figurë plot hir shpirtnor e virtyte, që del dendun në këto letra, asht edhe ajo e së motrës, Haxhires, ma vonë e pagëzueme Angjela. Nji grue punëtore e palodhun, e përvujtë, inteligjente dhe e dashtun, e ambël dhe e gatshme me përballue çdo sakrificë për me sigurue nji jetë të denjë. Pranë saj del edhe nji Mustafë i panjohun ma parë, nji babë i dhembshun që merret edhe me punët e shtëpisë, tue e ndihmue vajzën që punonte me orë të tana për me fitue bukën.
Këto letra përbajnë nji visar e ndriçojnë nji hark kohor të randësishëm të historisë sonë, prandaj leximi i tyne padyshim do ta pasunojë historianin dhe do t’i shërbejë edhe lexuesit të thjeshtë, nemos tjetër për me kuptue se sa të lidhun ishin ata njerëz me atdheun, me kulturën dhe me gjuhën e tyne amtare.
*Titulli është redaksional, artikulli i mësipërm shoqëron parathënien e vëllimit të dytë “Kuvend letrash me miqtë”, botimet OMSCA-1

Koliqi, letër Krujës: Jemi nji ndër brezni ma fatmjera

Shkruen E. Koliqi: “Jemi nji ndër brezní mâ fatmjera qi njofti historija njerzore. Kurr qëllime mâ bujare dhe forca mendore e morale mâ të kullueta nuk u shkrînë për dobí të nji kombit tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje” (3/11/1957), dhe vijon në letrën mbasardhëse: “Fatkeqsit e mëdhajá nuk më kanë përulë: jam ai qi ishem. Mund të kemi gabue, por qëllimi i ushqyem ishte i kulluet. E sa të kemi frymë, nuk due të heshti. Anmiqt (shumicës së cilvet u kemi bâ nderë) na marrshin të keqen. Shum prej tyne janë të tillë qi asht mâ mirë me i pasun anmiq se miq” (15/12/1957).

Karl Gurakuqi letër Krujës: emni yt për inat të krymbavet do qindrojë nalt

“Ti u mundove, ti u përpoqe, ti u rropate, ti u shkrîne, edhe me rrezik të jetës, për t’i gatue Shqipnís rrugën e mirëqënjes e të përparimit, por dolën disa bastardha qi deshën e duen edhe sot, pa fije turpi, me shkatrrue shka ti me shokët e tú t’idealit me aq flijime ndërtuet…Ka pasë thânë Pater Gjergji se Shqipnija u bâ për inád të dreqit e t’anmiqvet; ashtu edhe ęmni i yt, për inát të kundrështarvet mendjeshkurtë, të vagabondavet, të trathtarvet të vendit e t’ęmnit shqiptar, të krymbavet të ndësinavet, do të qindrojë nalt, gjithmonë nalt; do të vîjë dita qi do të shkruhet në librin e Atdheut, qi do të ruhet me zilí nga brezat qi do të vîjnë” (12/3/1957).



Mërlika: Pse u nxita për botimin e letërkëmbimeve të babait

“Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si E. Koliqi apo K. Gurakuqi kanë shprehur për to. “ Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata qi paten fatin me pasë letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes. î shprehet prof. Koliqi në Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së M. Krujës. Ndërsa K. Gurakuqi shkon edhe më tej. Në një letër ngushu-llimi që i dërgon familjes në rastin e vdekjes së Tij shprehet kështu : “Unë nuk do t’a harroj kurr e deri sá të jemë gjallë do t’i ruej me kujdes e me nderim letrat e Tija plot dashuní për mue personalisht, e për gjuhën shqipe veçanisht. Ndoshta do të vîjë koha, e për këtë i lutem me afsh Perendís, qi të më jepet rasa të mbledhi e të përmbledhi krejt korrespondencën e Tij me miqt e shumtë qi ká pasë, e t’a botoj në vëllim të posaçëm”.
Në vazhdën e këtyre gjykimeve e, madje, të dëshirës së prof. Gurakuqit, po vazhdoj punën për botimin e letërkëmbimeve. I kërkoj falje lexuesit për mungesën e mjaft letrave, që nuk kam patur mundësi t’i rrjeshtoj në këto vëllime, mbasi nuk i kam në dorë. Kjo ndodh sepse familja ka pak letra të shkruara nga i pari i saj, ka vetëm ato për të cilat Ai ka ruajtur kopjet, por kjo nuk ka qënë një praktikë e përherëshme. Për të paraqitur një vepër të plotë, do të ishte dashur edhe bashkëpunimi i familjeve të bashkëshkruajtësve që, për arsye të ndryshme, nuk ka qënë në masën e duhur.
Lexuesi do të gjejë në mes të rrjeshtave të këtij libri ndërprerje të tilla (….). Duke mbajtur parasysh faktin se letrat janë shkruar jo për përdorim publik, në to ka edhe fjalë, gjykime e shprehje që bëjnë pjesë në privatësinë e bashkëbiseduesve, e cila duhet respektuar në tërësinë e saj. Është një rregull e shoqërive të qytetëruara, e vlefshme për të gjitha kohërat e për të gjithë individët e popujt. Jam munduar t’a mbaj parasysh në punën time me këtë libër”, shkruan ndër të tjera, Eugjen Merlika, në vëllimin e II, të botimit të letërkëmbimeve të babait të tij, Mustafa Krujës



Google+ Followers