Kazanxaqis, ose përballja e vështirë mes njeriut dhe Zotit


Romeo Çollaku


Për një shkrimtar si Kazanxaqis, të cilin, sidomos gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, lexuesi shqiptar, në një masë krahasimisht të madhe, madje pa ndërmjetësinë e shqyrtimeve të natyrës kritike, por përmes rrugës më të frytshme, asaj të drejtpërdrejtës, e ka njohur dhe çmuar se tepërmi, nuk është, ma ha mendja, nevoja të themi shumë gjëra. Mbetet një prej prozatorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, romancieri, pa dyshim, më i lexuar grek përtej kufijve të gjuhës së vet dhe, me sa është vëne re, ndër me të dashurit për lexuesit tanë.
Qysh nga fillimet e veta e deri vonë, i pat lëvruar të gjitha llojet e mundshëm të shkrimit letrar; me poezi, me prozë, me dramë, me ese, me shënime udhëtimi, me përkthim; por është fat – jo edhe aq për atë, sesa për zejen, të cilës i shërbeu – që, andej nga të perënduarit e jetës, vendosi t’i përkushtohej, pothuajse tërësisht, prozës së gjatë. Me aq sa mund të dëshmoje ky fakt, le të kemi parasysh se, kur ishte, për herë të parë, ndër kandidatet kryesore të çmimit “Nobel”, ai, ende, nuk i kishte shkruar ata pesë a gjashtë romanet, për të cilët, në të ardhmen, do t’i nderohej, më së shumti, emri. Dhe, kur, mbas të shtatëdhjetave, i kishte përfunduar edhe pesë a gjashtë monumentet në fjalë e po lëngonte, ndërkohë, prej një sëmundjeje të pashërueshme, i lutej, në ato grahma të fundit, Perëndisë t’i jepte edhe dhjetë vjet jetë, që të mund të përmbushte veprën e tij! Dhuntia, shqetësimi i thellë dhe i sinqertë për fatin e njeriut, përvoja e jashtme dhe ajo e brendshme, llava shpirtërore, delli rrëfimtar i Kazanxaqisit, nuk përbënin tjetër, me sa duket, veçse degë të një lumi që nuk kishte të shteruar.
Edhe faqet, që i jepen, nëpërmjet këtij botimi, lexuesit shqiptar, ky stërnip i denjë i El Grekos i shkroi pak muaj para se vdekja t’i ngrinte frymës së tij vërshimtare më të pakapërcyeshmen e digave. I shkroi duke u mbështetur në ditarin që kishte mbajtur, aty e dyzet e ca vjet më parë, gjatë një udhëtimi në Malin e Shenjtë, së bashku me mikun e tij më të ngushtë, poetin e jashtëzakonshëm, Angjelos Siqelianos.
Pelegrinazhin në Malin e Shenjte e kryen në fund të vitit 1914. Ishin te dy tridhjetevjeçare, të munduar prej të njëjtave pikëpyetje të mëdha. Përgjigjja: kjo ishte arsyeja, që i shtyu te ndërmerrnin atë udhëtim. Gjatë dyzet ditëve të qëndrimit atje, edhe Siqelianosi mbajti ditar. Kazanxaqis e rishkroi, sikundër thamë, ditarin e vet, që u botua ne vitin 1961, katër pas vdekjes së autorit dhe dhjetë vjet pas vdekjes së Siqelianosit. Kurse ditari i këtij të fundit, ishte mbajtur nëpër qelat e manastireve, i paripunuar, e pa dritën e botimit në vitin 1984, plot shtatë vjet pas pelegrinazhit.
Siqelianosi pat shkruar e do te shkruante plot të tjera, shumë më të rëndësishme se ai ditar. Ndërsa në rastin e Kazanxaqisit, kemi të bëjmë, për mendimin tim, me disa nga faqet më të shkëlqyera, që la pena e tij. Gjë që shpresoj ta verejë vetë lexuesi ynë, i cili ka për te gjetur, edhe këtu, Kazanxaqisin që ka njohur dhe temën më të rrahur prej tij: përballjen e vështirë dhe marrëdhënien e ndërlikuar mes njeriut dhe Zotit.

Google+ Followers