Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me Faik Mustafën, shkrimtar dhe publicist



Faik Mustafa u  lind më 19 maj 1945. shkollën fillore dhe të mesme, Gjimnazin, i kreu në Tetovë më 1964.Studioi në Beograd në Fakultetin Filologjik- grupii Albanologjisë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, detyrohet që një vit të studiojë, një vit të punojë. Kështu, punoi si mësues (1964/65) në fshatin Grupçin të Tetovës, më 1966/67 në fshatin Shipkovicë të Tetovës dhe 1968/69 në fshatin Sellcë të Tetovës, ku pas tre muajsh, si organizator i Demonstratave do të burgoset dhe do të dënohet me pesë vjet e gjysmë heqje lirie.Pas lirimit nga burgu (3 vite të mbajtura), do të vazhdojë studimet në Prishtinë, ku dhe do të diplomojë më 1975. Gjatë kësaj kohe, punoi një vit si mësimdhënës në Gjimnazin e Vitisë, prej nga pa e përfunduar vitin, do ta largojnë në emër të Letrës së Famshme të shokut Tito.Si student në Prishtinë, iu mundësua të punojë si gazetar në “Botën e Re”, prej nga do të largohet me tërë stafin e redaksisë pas tri vitesh. Pas, kësaj, do të punësohet në të përditshmen “Rilindja” (sipas konkursit) prej nga, si ish i dënuar, pra, në mungesë të cilësive morale-politike, s’do ta lejojnë të vazhdojë punën. Me ndihmën e shokëve, punësohet në gazetën KXEMK “Kosova” të Obiliqit të atëhershëm (1975-1979), për të kaluar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, redaktor i gazetës “Gazeta e Delegatëve”. Më 1990, ndër të parët do të largohet nga puna si nacionalist,shovinist, irredentist... Gjatë viteve 1994-1998 punoi si korrespondent i Zërit të Amerikës nga Maqedonia, viteve 1998-2002 ishte kryeredaktori gazetës së përditshme “Flaka e Vëllazërimit”, të cilës shumë shpejt do t’ia heq bishtin ideologjik komunist (Vëllazërimit) për të mbetur vetëm“Flaka”. Në fund kreu detyrën drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë (2006-2008), kur edhe u pensionua.Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i Gjimnazit, për të vazhduar tërë jetën me shumicën e gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar vjersha për fëmijë, për të rritur, pjesë teatrale, komedi, TV dhe radio komedi, drama, skeçe, ku disa herë ka fituar edhe shpërblime.Deri më tash ka botuar librat “Bacaloku”(humoreska), “Vargje të serta” (epigrame dhe vjersha satirike), “Britma të buta” (epigrame),“Pëshpërima të ëmbla”.“Burrat e dheut”-tregime dhe skica satirike,”100 –epigrame” është libri më ri që i kushtohet 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Zhurnal Plus”: Kur keni filluar të merreni me shkrime?

Faik Mustafa: Kam filluar të merrem me shkrime që në bangat e gjimnazit.Në fillim kam shkruar poezi për fëmijë e pastaj edhe për të rritur.Kam pasur fatin ta kem profesor të gjuhës dhe letërsisë shkrimtarin e njohur Murat Isaku, ligjëratat e të cilit edhe tani jam në gjendje t`i risjellë të plota. Jetën e kam kaluar gjithmonë në gazetari dhe nuk e kam ndërprerë deri në pensionim.

“Zhurnal Plus”: Thoni se gjatë gjithë jetës jeni marrë me shkrime,por më herët keni botuar vetëm një libër,kurse tani kohët e fundit përnjëherësh keni botuar disa libra?

Faik Mustafa: Sa i përket botimit të librave ka qenë shumë e vështirë, sepse  që në moshë të re më është dashur të vuaj një dënim me burg për organizimin e demostratave të vitit 1968. Pas daljes nga burgu kam vazhduar studimet, martesa, fëmijët, nëpër shtëpi të huaja.Pra, kam qenë i preokupuar dhe i detyruar të mendoj për sigurimin e ekzistencës sime dhe të familjes  dhe jo të mendoj për publikimin e librave.


“Zhurnal Plus”: Megjithatë, ju keni pasur shumë shkrime në shtypin e kohës.

Faik Mustafa: Edhe pse çështja e dënimit tim më ka përcjellë gjatë gjithë jetës, deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, megjithatë kam hasur në përkrahjen e  vëllezërve kosovarë, të cilët ma kanë mundësuar, me gjithë kërkesat e politikës që të mos punoj si gazetar(në gazeta punonin njerëzit e besuar të shtetit), pra, ma kanë mundësuar të botoj nëpër gazeta e revista, kam marrë shumë shpërblime për tregime për të rritur, për poezi humoristike, parodi etj.Por, e vërteta është se për të botuar një vepër ka qenë pak më vështirë se i janë nënshtruar një site të fuqishme, duke filluar nga Komiteti Komunal e deri te ai Krahinor, po ka mbërri edhe në vendlindjen time në Tetovë.Ka qenë e vështirë që t`i fus ata në telashe dhe fundja nuk ka qenë synimi im kryesor i asaj kohe që të botoj, por mos ta ndal veprimtarinë.Përndryshe asnjëherë nuk kam rreshtur së shkruari, kam qenë aktiv gjithnjë dhe kjo në një farë mënyre më ka mbajtur gjallë, sepse të jetosh gjithnjë si i ndjekur prej ish-sistemit nuk ka qenë gjë e lehtë.

“Zhurnal Plus”: Si rrodhi jeta Juaj pas mbarimit të gjimnazit?

Faik Mustafa: Me mbarimin e gjimnazit në Tetovë, me qëllim që të mbledh mjete për të vazhduar studimet, e kam nisur karrierën si mësues në F. Grupçin.Pastaj, bashkë me vëllain shkuam në Beograd, ku unë u regjistrova në grupin e Albanologjisë në Fakultetin Filologjik.Kur e mbarova vitin e parë më është dashur që të vij përsëri në vendlindje dhe të punoj si mësues në Shipkovicë.Ishte mënyra e vetme për të vazhduar studimet, pra një vit punë e një vit studime.

“Zhurnal Plus”: Si ishte të jesh student i albanologjisë në Beograd?

Faik Mustafa: Unë për herë të parë kam mësuar për veten se kush jam dhe kujt i përkas.Këtë e them se në Fakultetin Filologjik, në Bibliotekën e Albanologjisë kishte shumë libra në gjuhën shqipe, nga botimet më të hershme e deri tek më të rejat.Aty, duke lexuar, jo vetëm që jam frymëzuar për vete, por kam njohur veten më mirë se kush jam, nga vij dhe ç`duhet të bëj.Kishte literaturë që nuk e gjeje tjetërkund, që ishte e ndaluar në Prishtinë dhe Tiranë, si p.sh. librat e Fishtës.Për ne ka qenë vendimtar në jetë të marshojmë pak më të formuar.

“Zhurnal Plus”: Çka ndodhi më tej?

Faik Mustafa: Në vitin 1968 ne shënonim 500 vjetorin e Skënderbeut dhe kemi organizuar manifestim të jashtëzakonshëm.Beogradi ka qenë qyteti ku u formuam ne shqiptarët e Maqedonisë që studionim atje.Pas rënies së Rankoviqit atje mbretëronte një klimë shumë e mirë dhe një liri më e madhe veprimi. Në kontakt dhe bashkëveprim me vëllezërit nga Kosova, të cilët në aspektin e ngritjes kombëtare ishin shumë përpara nesh, filluan xixat e para për të bërë diçka.Ishte viti i demostratave në gjithë Evropën dhe botën.Pasi u morëm vesh që të organizojmë demostrata në të gjitha qytetet e populluara me shqiptarë, mua mu caktua detyra që të kthehem në Tetovë. Ndërsa në demostratat e Beogradit kërkoheshin kushte më të mira për studime, demokraci etj, në viset tona kërkesat ishin edhe me ngjyrime kombëtare.
Në Tetovë u kërkua përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, punësimi dhe universitet në gjuhën shqipe, atëherë mendonim për universitet në Prishtinë, e cila kërkesë edhe u realizua më vonë. Kërkesat tona ishin të shëndosha, por u keqkuptuan dhe i shpallën armiqësore.

“Zhurnal Plus”: Si ishte demostrata e vitit 1968 në Tetovë?Na jepni më shumë detaje!

Faik Mustafa: Nuk mund të organizohen demostrata kur të të teket.Paraprakisht duhet të piqen kushtet, të matet pulsi dhe kur e sheh se pakënaqësia ka arritur në masë. Demostrata në Tetovë ishte masovike.Shqiptarët u liruan nga ajo frikë që regjimi kishte mbjellë që nga 45-ta e këndej përmes burgosjeve, torturave, shpërnguljes për në Turqi, mbledhjes së armëve etj. Ata bënë të vetën e ne bëmë tonën.Mund të them se fryt i demostratave të vitit `68 ishte vazhdimësi e gjeneratave para nesh, sepse gjithnjë ishte punuar për çështjen kombëtare, për përparimin e arsimit, gjuhës, artit, kulturës dhe ne do të jemi vazhdimsia e atyre. Kur filloi gjykimi e shtronin pyetjen:Kush jeni ju të mendoni për arsimin shqip.Na akuzuan për armiq. Kemi pasur mungesë përvoje.Kërkesat që i kishim shkruar nëpër pankarta nuk arritëm t`i paraqesim si duhet se nga çdo anë vinin grupe të ndryshme krye më vete dhe secili grup e shprehte pakënaqësinë dhe revoltën në mënyrën e vet. Edhe niveli arsimor i grupeve ishte laraman nga aspekti arsimor.Megjithatë për mua do mbetet moment i paharrueshëm kur në sheshin e Tetovës, ku siç shprehet populli, as gjylpana nuk kishte ku të binte nga pjesëmarrësit e shumtë, në shtizën mes qytetit, një djalosh hypi dhe e vuri flamurin kombëtar.. I shikoja pleqtë të cilët me lot në sy përqafoheshin mes veti.Ishin momente të paharrueshme që nuk zgjatën shumë, sepse pas 2-3 orësh filloi ora policore, dhuna e ashpër, jo vetëm ndaj organizatorëve, por edhe kundër masës popullore që kishte marrë pjesë në këtë demostratë.

“Zhurnal Plus”: Çfarë jehone pati kjo demostratë?

Faik Mustafa: Jehona e demostratës ishte shumë e madhe, sepse nuk kërkonim asgjë të jashtëzakonshme.Të kërkosh të arsimohesh në gjuhën tënde, barabarësi të gjuhës tënde etj..Kjo në perëndim hasi më shumë në përkrahje sesa në keqkuptim.Kjo do të bëj që edhe dënimet mos të jenë ashtu siç i  kishin paraparë autoritetet si dënime të përjetshme, ose me 10, 15 vjet.Dënimi më i lartë do të jetë 7 vjet për Memetriza Gegën, mua më dënuan 5 vjet e gjysmë, nga të cilat i vuajta 3 vjet burg etj.Familjarët tanë me shkuarje të njëpasnjëshme në Beograd arritën të zbardhin të vërtëtën e demostratës dhje pasoi lirimi ynë i parakohshëm.

“Zhurnal Plus”: Çfarë kahje mori jeta juaj pas daljes nga burgu?

Faik Mustafa: Me daljen nga burgu unë më nuk shkova në Beograd që t`i vazhdoj studimet, por u ndala në Prishtinë.Atje hasa në përkrahje të madhe të vëllezërve nga Kosova.Jo vetëm që ma mundësuan konviktin,ma mundësuan që ta udhëheq një klub vetëm e vetëm të më ndihmojnë materialisht t`i mbuloj shpenzimet e mia, sepse tani për shkak të biografisë nuk më lejohej as bursë e as kredi.Falë përkrahjes së miqve që udhëhiqnin Botën e Re, si Daut Demaku e Sylejman Aliu, kam filluar të bashkëpunoj me këtë gazetë, ku fillova të publikoj shkrime të ndryshme, herë me emër e mbiemër e herë me pseudonime. Vitet `70 në Kosovë ishte një periudhë shumë e mirë.Njerëzit filluan të marrin frymë lirshëm.Kishte një liberalizim të madh dhe një lloj rilindjeje e vërtetë.

“Zhurnal Plus”: Si erdhi deri te botimi i librit tuaj të parë “Bacaloku”?

Faik Mustafa: Për botimin e librit të parë i falënderohem shumë mikut tim Daut Demaku, i cili nga shtypi i kohës i mblodhi shumë shkrime të mia dhe i çoi për botim.Si recenzent e kam pasur shkrimtarin e mirënjohur Rifat Kukaj.Botimi i librit më dha krah dhe më nxiti të punoj edhe më shumë.

“Zhurnal Plus”: Kohët e fundit keni publikuar disa libra.Cila është e veçanta e tyre?

Faik Mustafa: Karakteristikë e librave të fundit është se unë i kam hyrë kultivimit të një lloj poezie që te ne mungon fare.Nuk kemi asnjë vepër të botuar me epigrame.Disa i quajnë rubai, disa të tjerë aforizma, por janë të përafërta.Çdo epigram e ka kuptimin e vetë edukativ, përbuzës, fshikullues.Ka shumë elemente në një epigram.Kanë dalë katër libra me epigrame, të pestin e kam të gatshëm për botim dhe i kam bërë kërkesë për mbështetje Komunës së Prishtinës.Është e pamundur t`i publikoj me vetëfinancim.Edhe katër librat e tjerë e panë dritën e botimit në saje të mbështetjes.

“Zhurnal Plus”: Autori i parathënies së librit tuaj të fundit, për epigramet tuaja thotë:”Ato bartin në vete mesazhet e një të ardhmeje më të bukur, e cila do të vijë pashmangshëm, nëse arrijmë ta tejkalojmë sindromin vetasgjësues dhe nuk kthehemi idiotshëm kundër saj, si heronjtë e epigrameve në fjalë: miopët, interesaxhinjtë, kurthaxhinjtë,maçorrët, mushkat, bastardët, lakmitarët,dinakët, xhuxhimaxhuxhët politikë, butakët,tenderokratët, kapsomunat, maskarenjtë,pakurrizorët, matrapazët, zgjebarakët, të tjetërsuarit, vazalët, spektakularët, spekulantët,horrat e horrave, mediokrët, megafonët dhe galeria e pafund e sfrutuesve që thëthinjë pamëshirshëm ardhmërinë e kombit”.Të merresh me satirë, të stigmatizosh fenomene të ndryshme negative, përveç satisfaksionit që ju sjellë, a nuk është edhe punë me zarar?

Faik Mustafa: Pa dyshim se ka.Sikur të mos kishte zarar, atëherë nuk do të më krijonte kënaqësi.Kur i vë në bisht të lahutës dukuritë e ndryshme që na rrethojnë, kur i skalit në mënyrë satirike figurat pas të cilëve lidhet populli, dhe ata keqpërdorin besimin e tij, kur kurkushët bëhen dikushi, çkado që të thuash mund të keqkuptohesh, të të ngjesin një varg bishtash që shpeshherë edhe paguhen shtrenjtë.Kam shumë poezi satirike, parodi, por edhe epigrame të cilat më kanë sjellë kokëçarje të shpeshta, kërcënime, kanosje, por ato nuk më kanë frikësuar, përkundrazi më kanë frymëzuar të vazhdoj edhe më tej të nguc plagën aty ku duhet ngucur.
  
Intervistoi: E. Neziri

Google+ Followers