Dije se s’ka kuptim të qash!


Prozë poetike nga Ilir Belliu, poeti që la gjurmë të forta në ndërtimin e strukturës estetike të poezisë shqipe, duke u vendosur në vetëdijen filozofike jo thjesht në termin poetik. Fati, dashuria, jeta, shpirti, lumturia… janë rrafshe që nuk u kapërdinë aq lehtë në kujtesën e poetit, duke na lënë një krijimtari letrare të skajshme për njeriun dhe jetën


Kurrë s’kam dashur krahë të fluturoj

Ilir Belliu (1971 – 2001)

Eh, ç’botë!
I.
Të sfilit e zakonshmja e gjërave. Pulit sytë e lëshon lot të hekurt. Kujdes! Majtas të përbuzin, djathtas të mëshirojnë…
Lëshohu në vetvete e kujtohu se dita po ikën. S’kanë të mbaruar rastet, kridhu në ferr me flokë të lyer në ngjyrë parajse. Jeto!

II.
Njerëzit u mërzitën me vetveten. Duken të plakur e të lumtur.
Lumturia të helmon, po s’e pive. Ke kohë të dish. Bëj çmos të shfarosësh mundësitë që të afrohen.

III.
Ç’natyrë mortore ka shekulli! Ej, njerëz, zhvishuni nga tabutë! Bini erë toke! Keni frikë nga malli e lëngoni për para!

Eh, ç’botë!

IV.
Dje vdiqën shumë gjëra. Dje humbën fitoret. Dje u çmallën të pathënat! Sot është ditë tjetër. Sot bëri vetëvrasje e zakonshmja. Sot u përbuz madhështia. Nesër lavdia do të bëhet NËNË! Nesër Kozmosi do të rritet edhe pak. Nesër bota do të jetë ndryshe.

V.
Ke merak mos vyshkesh? E po, mendo si të të vijë. Dije se s’ka kuptim të qash. Është e egër kjo botë e të fundos sapo të ngrihesh. S’je fluturak, s’ke fat. Budalla qiell! Mban retë me bukë e s’di të notojë. Kush e pa të ri? Kush e pa të plakur?! Qëndron lart i përulur!

VI.
Ja,edhe pak e shpëtove. Po ti s’kërkon shërim. Ty s’të arrijnë dot. Ti i ke muskujt prej shkëmbi. Ti varros imitime. Ti plaçkit kafshime. Ti përçmon lavdinë. Ti…je…Bota!

VII.
Mos përkëdhel njeri! Ti je kështjellë me bisht egërsire. Ti s’ke të sosur. Nuk vdes as për sport,as për dert. Të do Perëndia se nuk i bie në qafë. S’të do njerëzia e s’të fal një krah. Ç’e do të të ndihin!Më pengo, njeri, se më ndihmon shumë!


VIII.
Ti ndjen se je përsosur e këtu merr fund gjithçka. S’ka prozë më rozë se sa të të braktisin. Gjej një shok në zbrazëtirë e ndihu mirë! Merre me mend, hiç s’ka të sosur. Lumturia vlen po aq sa hidhërimi. Hidhërohu në do të jesh i lumtur!

IX.
Disa vrapojnë. Të tjerë qëndrojnë në vend. Fluturimi i tepërt të le ulok. Sa më gjatë të mbetesh në vend, aq më tepër do asgjësohesh. Kë të dish më të afërt, aq më larg e ke. Nuk ke se ç’të kuptohesh. Shtrëngo grushtin e NISU, NISU NË PARAJSË!

X.
U lodhe së kërkuari. Ruaj formën e ndrysho frymën. Ke kohë për çikërrimat. Mos e përbuz materien se s’ke as ideale…Të lenë fukara, po qe se s’ëndërron shpejt. Se të gjithë luftojnë, ti mbete duarkryq. Kaq zog qënke o Zot!

XI
Të panë fukara e të gjithë të shkelën. Të shkelën ,po s’të prekën. S’të prekën,se ti s’kapesh. T’u afruan,po s’të njohën. Të njohën, po u tmerruan. Është e fikur jeta e atij që s’duket. Thirr se s’të afrojnë. Qaj, se të lënë të etur…

XII.

Ja, sot ty të iku njeriu më i dashur. Dhe je i tmerrshëm, gjen prapë ngrohtësi. Nuk fikesh ti kollaj, si një perëndi prej derti. S’i thonë kot jeto, se s’është gjë të vdesësh. Nuk vdiset më për shokun. Nuk vdiset as për idealin. Shihu një herë në qiell e puth fytyrën tënde!


XIII.
O bobo, ç’milet!S’di se ç’do t’i ndodhë! Mos u merrni me të çmendurit si Nostra Damusi. Nuk përmbyset bota nga një ëndërr! Bota vetëm gjykon dhe drejtësi kërkon. Po drejtësisë nuk i shkon asnjë kostum.

XIV.
Të bëjnë shumë moral, po burrërorë s’janë. Nuk është e lehtë të jesh burrë. Sa shumë liliputë! Sa pak burra janë këta burra!S’kini zemër, jo dhe s’dini të çmoni. Më mirë një botë bosh, se sa një univers ters!

XV.
Kjo natyrë mort s’më pëlqen. Nuk trishtohem unë, pse bota s’ka sy. Ti e ke zakon. Gjoksin para nxjerr, frymë për vete merr e të le në errësirë kur të duash…

XVI.
Ka shumë kalamaj që sillen si djaj. Ka shumë djaj të plakur, me zemër të vakur. E ngjarjet janë si yjet, kurrë nuk mbarohen. Po ti zgjedh më të pabesën. S’ke asnjë dozë ligësie e sërish më përbetohesh. Afrohesh,hiçin tënd të firmosësh. Bota nuk fle. Po fjete ti, s’të fal, ti shkon drejt vdekjes e ajo s’të ndal…


Dhembshuri shterpe
E ulërin një nga meshkujt mbi këtë gjethe lëngate. Vejushat e plagosin e gëlliti sytë që mos t’i kqyrë. Drithërohet nga epshi dhe u bën bisht përvujtnisht pëllumbave të padukshëm të të qeshurave të rrugës. Mrekulli… Mashkulli mbetet i freskët e ndërton në tym iluzione tallëse. Nuk i zë besë fugirnës së tij prej të dënuari. Vetëm më këndell kotësia e tij rrëshqitëse si një pishtar i dëshpëruar energjie. S’ka bimë më të çuditshme se hapat e tij të humnershëm. Janë të panevojshëm e vetëvriten nën një dritë qaravitëse. Sakaq mashkulli tertet sikur i rëndet dheut. Fshihet për të ngrënë i babëzitur praninë e vet të braktisur. S’e shoh. Kam në tru vetëm bredhjet e tij të neveritura nga dhembshuritë shterpe të rrugës…
1998

Kurrë s’kam dashur krahë të fluturoj…
Koha qan me lotë krokodili. Thonë se të përpin e më s’kotem… Përballë meje një laureshë e varur. Si një grindje e ngrirë shpërhapet qyteti. Si një grindje gri që s’përshkohet. Ç’hapësirë e pështirë! Kurrë s’kam dashur krahë të fluturoj, andaj shtrihem përtokë me përtesë e s’bëzaj… Hesht si një njollë blu që lë me barrë një mur. S’bëzaj… Zero legjendare që s’bëhet një kur prek me finesë të tjerët i eshtërt e i gënjeshtërt… Më vjen për të qarë e ka kohë që s’i shkel me këmbë varrezat… S’më zë gjumi. E lehtë më trishton ky gëzim i vogël shëndetlig që lind nga pamundësia…
1998

Histori e fshirë
Nëna jote qe e verbër kur ty të lindi. Kërthi je akoma i plakur sikur don të lindësh për të dytën herë. Në një gropëz i varrose tinëz historitë imcake të qenies. S’më ndjen?! Ja, tani dalin xhindet nga kopshtet e thinjura e shpërhapin saktësisht një fisnikëri false. Habi! Më prek fisnikëria e tyre e sharruar. Sa keq! Xhindeve u vjen fundi, por ah, shpresën s’e humbin. E di. Ëmbël ua shpif shpresa mes torturash të zeshkëta. E megjithatë s’mbarojnë. Gjithsekush rreh më lart, më lart… Gjithkush mes zambakësh dertesh e tërmetesh. Shkurt, fjala – një histori e fshirë…
1998

Butësi kafshe
Kjo kafshëz ty të ngjan e mos tento t’i afrohesh… Ka një butësi arratisëse e egërsia e saj mu në zhdukje e sipër. Butësi e qielltë që injekton në dhembshuri të lëmuar. S’është se i trembem, por kafshëza ndihet ngushtë kur tinëz i afrohem. Bie nata e kjo kafshëz e dashur papritur e bjerr butësinë antike. Zbardh… Kafshëza duket së largu si qershizë. Rri ngadhënjimisht palëvizur e kurrë nuk më afrohet…
1998

Bisha e shtëpisë
Ç’dhëmbë të ndyrë ka kjo bishë e shtëpisë!… Dhëmbë që duhen mbyllur në kafaz. Bisha ikën djathtas e dhëmbët shikojnë majtas. Gatitet për në kishë e përherë po ajo – Durim. Tani ka uri e grin të vetën pjellë mbi pjatë. Ha bisha me një oreks epik. Ha për shaka mish njerëzish e mish yjesh, mish lepuri e mish hekuri… Vetëm ha. Së mbrami, bie në qetësi e tundohet ligsht me lëkurën e vet.

Marrë nga “Fjala review”

Google+ Followers