Dialog janari në det


Poezi/ Ferik Ferra



Duke pritur të dhënat e medias

Mamë,
Shpirt i mamit
Pse me zor ta dëgjoj zërin?
Janë valët e detit që ushtojnë, bijë e mamit
Ç’është kjo zhurmë kaq e madhe, kush po qan?
Jo bir, nuk qan kush, po qajnë valët e detit
Valët, si qajnë valët, dikush po thërret!
Jo bir, valët ulen e ngrihen e duket sikur qajnë e thërrasin
Ku po të çojnë valët e detit, mamë?
Atje tek ti, bijë e mamit, po vij shpirt, hë, zgjatmi krahët,
zgjatmi,
Po s’t’i arrij dot mamë, ku i ke ti krahët tuaj?
Ja, këtu, midis valëve, bijë e mamit
Ku je mamë, s’të arrij dot, uf
Po mundohem të prek krahët tuaj, bijë e mamit, që m’i
Largojnë valët, të ndjej mami, si merr frymë, të përqafoj
Mami, kështu shpirt fort, fort, for… … forrr
Valë valë uf këto valët, s’po ia dëgjoj më zërin mamit, babi mos
ia morën valët?
Ndoshta, bijë e babit, ndoshta.
Tiranë, 9-10 janar 2004


Pas syzeve

Ivo

Pas syzeve nata,
Në thellësinë e gjakut e të lotit.
vdekjen e një kombi
balli ta ndan nga dredhat,
ku thuren qefinët.
Poshtë murit të ballit
maska me vargje,
ku ndihen duke rrjedhur
rrëketë e heshtura të Sanmarinos.
Kuri i kokës
mbi shtatin e fisit tënd
e varret e Shqiptarëve.
Kokën që e solle prej Uralit
s’ta ngrohën dot flladet e Ballkanit,
po sytë t’i ngulën
gardheve të vdekjes.
Akulli i syzeve tua
nuk i thau dot
lulet e Shqiptarëve, Ivo.
Tiranë, 18.1.2004


Ngujim

Gjaku i Shqiptarit
në pellgun e kanunit ngujuar,
flutura katërstinë rubat e zeza
rrëkajë e lotit lidh,
këngën e qyqes së ndërprerë në mes.

Lind Shqiptari
midis tokës e qiellit
bardhësi qumështi kanuni në djep,
nëna tremb metalet e shpejta
mbi kokë lahuta
nuk dëgjon të marrë hak
për tingujt e munguar.


Lëmshi ka shtuar vrullin
disko e pape në kupë të qiellit,
mos e shkel he të shitoftë zana
kokrra e grurit
larg brinjëve të ngujimit.

Në kunjin e ngujimit
vocrraku ka varur dijen
për të mos e prekur kurrë
pa arritur të përdredhë lulen e nuses,
lulet e vdekjes pak më tutje rrinë,
nata bën çudi si nuk vjen dita,
që krahët t’i shtriqë,
se në ngujimet e kohërave të reja
luan kukaçeftas ligji.

Tiranë, 28 janar 2004


Standard

Google+ Followers