Çmimi britanik dhe shkrimtari Kadare

SADIK BEJKO


Sipas shtypit, emri i shkrimtarit Ismail Kadare vazhdon të jetë në listën e gjashtë autorëve të zgjedhur nga e gjithë bota për çmimin ”Foreign fiction prize 2013″, çmim vjetor i shpallur nga gazeta britanike “The Independent” për letërsinë e huaj, botuar në anglisht. Ismail Kadareja konkurron me romanin “Darka e gabuar”,  përkthyer nga John Hodgson.
Anëtarët e jurisë kanë thënë se në garë janë një larmi magjepsëse stilesh, zhanresh dhe gjuhësh nga e gjithë bota.
Rëndësia e një përfaqësimi të tillë është e jashtëzakonshme për kulturën shqiptare. Të jesh pjesëmarrës në një garë të tillë dhe të hysh në gjashtëshen finale në konkurrencën me mijëra botime në gjuhën angleze është nder i madh për autorin Ismail Kadare, për gjuhën shqipe, për kulturën e këtij kombi.
1.
Këtu na jepet rasti për reflektim në lidhje me mendimet refraktare ndaj këtij autori dhe të letërsisë së prodhuar prej tij në këto vitet e fundit. Është fjala kryesisht për një grup autorësh shqiptarë që për çdo gjë ngrihen dhe e kritikojnë në vazhdimësi këtë shkrimtar. Kjo në vetvete nuk është as e papritur, as e dënueshme dhe as skandal. Madje do të thoshim se është e natyrshme për shkrimtarët e shquar kudo dhe kurdoherë. Nuk pëlqehen të gjitha veprat që shkruan, as qëndrimet e tij. Ka xhelozi, dashakeqësi. Shkrimtari i madh paguan taksën e famës së tij. Kjo si duket ndodh edhe me shkrimtarin Ismail Kadare.
Mirëpo në çdo kulturë me kalimin e kohës gjërat sqarohen. Pse e kritikojnë? Çfarë kërkohet? Kërkohet të mos mitizohet, të mos çmohet më shumë sesa i takon. Për këto do të ishim dakord. Po vallë mos kërkohet diçka tjetër? Me sa duket, është tjetër gjë ajo që kërkohet. Deri edhe dalja e tij nga letërsia shqipe kërkohet nga disa. Është thënë nga Lubonja se Ismail Kadareja është nacionalist, pastaj shtohet akuza racist, nacionalsocialist, me fjalë të tjera, gati-gati shkrimtar nazist.
Kadareja zakonisht nuk përgjigjet, por ka ndërhyrë për një shpifje, për akuzën se ka racizëm në vlerësimet e tij për gjuhën serbe. Sipas Lubonjës, I. Kadareja e krahason  gjuhën shqipe me një zonjë të rëndë, kurse serbishten me një jevgë që i rri përballë. Kadareja ka sqaruar se akuza të tilla janë veçanërisht të ndjeshme në teatrin ballkanik dhe sidomos europian. Ai e quan këtë akuzë si një shpifje të pastër, të dëmshme për një autor, një shpifje nga ato që janë afër krimit.
2.
Të vijmë te romani “Darka e gabuar”, me të cilin ai po konkurron për çmimin vjetor të gazetës britanike “The Independent”. E fiton a nuk e fiton këtë çmim vjetor Ismail Kadareja, nuk ka shumë rëndësi. Siç e thamë, mjafton që romani i tij i ka qëndruar seleksionimit dhe ka hyrë ndër gjashtë romanet botërore në garë. Ky roman është pritur normalisht në Shqipëri. Për të është shkruar pak. Shtypi atëherë shkroi më shumë për personazhin real mbi të cilin është ngritur subjekti i romanit, sesa për veprën si letërsi.
Në vazhdim të reflektimit, pas këtij vlerësimi botëror që po i bëhet romanit, le të kthehemi te kritiku Ardian Vehbiu, që ka thënë e bardhë mbi të zezë: Nuk më ka pëlqyer ky roman. Ai pa shfaqjen e dramës së ngritur mbi motivet e këtij romani dhe nuk e pëlqeu. Pastaj lexoi romanin dhe shkroi se edhe romani nuk i pëlqeu. Është e drejta e tij mos t’i pëlqejë as shfaqja, as romani. Por, pavarësisht nga kjo, ka një gjë të thellë që nuk shkon. Romani që doli ndër gjashtë më të mirët në botë, në Shqipëri me një të rënë të lapsit, pa ndonjë analizë, është skualifikuar si një gjë gati pa vlerë. Ky nihilizëm i kritikut shqiptar e kapërcen argumentin letrar. Është një dashakeqësi e hapur, e thellë. Ne që e duam letërsinë shqiptare na vjen të thellohemi, ta dimë: përse? Është shqetësues ky ekstremizëm joproduktiv, kjo mospërputhje me mendimin botëror. Nga ç’planet vjen një qëndrim i tillë? Si është e mundur? Adrian Vehbiu është një nga kritikët e njohur shqiptarë.
3.
Dr. Minella Aleksi botoi një artikull tepër kritik kundër A. Vehbiut lidhur me Ismail Kadarenë. Dr. Aleksi i ka bërë akuza të rënda Vehbiut, akuza që tingëllojnë tepër të ashpra. Çështja është kur Vehbiu bën një krahasim midis dy shkrimtarëve, midis kroato-serbit Ivo Andriç dhe I. Kadaresë. Trajtohet problemi se këta janë dy shkrimtarë të shquar, ndaj duhet mos t’ua vëmë re defektet që kanë në biografi. A. Vehbiu pranon defektin e Ivo Andriçit që ka propozuar shkatërrimin e kombit shqiptar dhe defektin e I. Kadaresë si i afërt me diktaturën. Gjoja me zemërgjerësi, A. Vehbiu propozon që të jemi tolerantë ndaj të dyve, pavarësisht defekteve që kanë. Vërtet A. Vehbiu beson që Andriçi, i cili ka propozuar shkatërrimin e kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe Kadareja mund të jenë të barabartë në këtë pikë? Kjo e revolton dr. Minella Aleksin. Andriçi për A. Vehbiun është shkrimtar detyrimisht i lexueshëm për lexuesin shqiptar, gjë që nuk e thotë për Kadarenë. Mos ka propozuar gjë Kadareja shpërbërjen e kombit serb? Vërtet ne shqiptarët duhet të rrimë kaq të paanshëm para “dy kolosëve”, ndonëse njëri prej tyre ka propozuar zhdukjen tonë?
Dr. M. Aleksi i kujton Vehbiut një arsye të fundit për të qenë më i përmbajtur kundër Kadaresë. A. Vehbiu në moshën mbi 50-vjeçare paska hyrë në letrat shqipe me një libër me tregime. Me një fjalë, është bërë koleg i I. Kadaresë në letërsinë shqipe. Për çudi, kjo në vend që ta fisnikërojë, e ka bërë edhe më të egër ndaj kolegut Kadare. Pa dashur ta fyejmë, po i kujtojmë Vehbiut se libri i tij me tregime është fare i rëndomtë. S’ka nevojë të zgjatemi për të kuptuar se ç’motiv e shtyn një shkrimtar të rëndomtë të hedhë baltë mbi një shkrimtar të madh.

Google+ Followers