POEZIA E STATUSIT GRI: MUNGESA E KUDOPRANISHME Rudolf Marku

Nga prof. Ali Aliu*

Rudolf Marku

Në librin më të ri të Rudolf Markut, ajo që vjen e veçantë është titulli “Një ballkanas në Londër” dhe distanca shtatëmbëdhjetë vjeçare nga libri i parafundit i këtij autori “Vdekja lexon gazetën” (1995). Në takim të parë me titullin, lexuesi mbase edhe mund të nxitet për të bredhur në kërkim të veçantive mes dy hapësirave, mund të niset në kërkim të karakteristikave të njeriut, të botës së ballkanasit dhe londinezit, të ambientit e rrethanave dalluese mes tyre,- le të themi edhe mes qendrës dhe provincës, e kështu me radhë... në këtë ecje, lexuesi, ende pa e hapur librin, do të prirej të gjejë përparësitë, përkatësisht mungesat e njërës përballë tjetrës: pasurinë shpirtërore, të pankosumuar të ballkanasit dhe asaj të qendrës së harxhuar, të shterur, përkatësisht përparësitë e vlerave, resurseve shpirtërore, konvencat e shtresuara ndër mote dhe të kundërtën, tjetërsimin e tyre, në frymën edhe të përplasjeve globale. Pas leximit të librit, natyrshëm lihen anash këto ngasje, por që, në mbështetje mbase edhe të reflekseve të tilla, të paktën mes vargjesh, mund të shfaqen nxitje për përsiatje edhe nga perspektivat e sferave dhe fushave të zëna ngoje më sipër... 
Në krye të regjistrit, pas leximit të parë të librit me poezi “Një ballkanas në Londër”, gjithsesi zë vend përshtypja mbi përditshmërinë e zërit lirik nën ngarkesën e vetmisë, mbi vetminë e shtrirë dhe të pranishme në të gjitha lëvizjet dhe perspektivat e tij. Ndjenja e vetmisë u jep shijen dhe ngjyrën mëngjeseve dhe mbrëmjeve, ecejakeve dhe takimeve të kërkuara apo të rastit, miqësive dhe dashurive, bredhjeve sidomos nëpër Evropë... Vetmia u jep kuptim e pakuptimësi kujtimeve, - tërë çështë e shkuar dhe shpresave që radhiten si ditë të nesërme, përditshmërinë e mbërthyer mes tyre. Tërë ky disponim gri, ndërkaq, në poezinë e Rudolf Markut nuk vjen lament dramatik i papërballueshëm, por një prani konstante, etablim frymëmarrjeje, përditshmërie, vjen përcaktim, pakt i prerë rrethanash, mbase fatesh...Vjen mall dhe mërzi e kullandrisur, e kultivuar estetikisht, por që pakti i nënkuptuar së jashtmi, në sipërfaqe, arrin ta përcjellë dhembjen e tulatur, e pashërueshme në brendësinë e zërit lirik...
Malli ngasës dhe dëshpërues, është vatra e parë e tensionit dëshpërues e ekspresionit të përmbajtur gjatë bredhjeve nëpër vetmi. Çdo gjë përreth në këtë bredhje vjen jehonë e kohës së shkuar bashkë me tretjen dhe asgjësimin e bukurisë dhe e gëzimit, vërshim dhe shfrim i kudopranishëm nga i cili nuk ka si të mbrohet, si të rigjendet zëri lirik. Nga thellësitë qoftë a nga pritjet kohore, nuk arrin asgjë lumturuese, pos boshit shurdh dhe tjetërsimit përreth. Çdo gjë vjen nga një largësi pa kthim.
Vatra kryesore e kësaj ndjenje, e vetmisë, duket të jetë boshi i një braktisjeje dhe një mosgjetje. E thënë kështu tingëllon si një përgjithësim që sthotë gjë. Poezia, arti, mbështetet mbi këtë ngasje,-mungesën, mungesë besimi, shprese, ëndrre, dashurie... Te poezia e Rudolf Markut, mungon trualli, shtëpia e ngjizjes, ambienti që e ka lindur, formuar, brumosur, mungon thelbi - me tërë kohën dhe hapësirën tani të largët, të ikur, të tretur në pakthim: tani të shndërruar në art poetik, i vetmi ngushëllim, përkatësisht kënaqësi sipërore e artistit, e zërit lirik...
Por ikje ska, gjetje ska, kthim ska! Dhe në këtë çast më vjen ndër mend një poezi antologjike e Kavafit me titull “Qyteti”, të cilën dëshiroj ta sjell të plotë me këtë rast:
The: “do shkoj në tjetër tokë, do shkoj në tjetër det.
Një tjetër do të gjendet se ky qytet më i mbarë,
Ku çdo përpjekje më qenka një dënim fatal;
Dhe është zemra ime si një i vdekur e varrosur aty.
Gjer kur mendja do më mbetet në këtë ligështi?
Ngado që të vështroj, ngado që syrin kthej
Rrënime të zeza të jetës sime këtu gjej
Ku kaq vite shkova dhe prisha e bëra shkretë”.
Vende të reja sdo të gjesh, sdo gjesh dete të tjerë.
Qyteti do të të ndjekë. Të njëjtat rrugë do të kthesh.
Dhe në të njëjtat lagje do të gjesh strehë;
E në po ato shtëpi do bëhesh flokëbardhë.
Gjithnjë në këtë qytet do të mbërrish. Se gjetkë-shpresë
mos mbaj-
anije nuk paska për ty, as rrugë nuk do të ketë.
Kështu siç e bëre jetën tënde shkretë
Në këtë fole të vogël, në tërë botën e prishe përngaherë.
Te Kavafi pra, ikje-kthimi përbën një rreth dëshpërimisht të mbyllur. Fat-dënim në qytetin e lindjes, nga i cili provon të ikësh e smundesh, të cilin e braktis dhe e bart me vete vulë, vragë të brendshme. Në rropatje për ti gjetur shtigjet e kthimit nëpër botë, në kërkim të qetësisë, prehjes, drejtpeshimit të brendshëm, e derdh, e konsumon kot, e shprish edhe atë bartje të folesë së dikurshme, thelbin... Dyfish humbës, sipas poezisë, vizionit poetik dhe filozofik të Kavafit... Por le të na lejohet të kthehemi, - sa brenda parabolës ikje kthim, ku ngjizet dhe artikulohet majë artistike vetë poezia e Kavafit “Qyteti”, tek disa nga poezitë gjithashtu antologjike të vëllimit “Një ballkanas në Londër”, që janë dëshmi se “ jeta e shkretë nga foleja e vogël” nuk është “prishë përngaherë nëpër botë” ! Le të shohim si duket, si artikulohet çarja e pakalueshme mes dy brigjeve, në njërën nga poezitë më të realizuara, te ketij libri “Balada e njeriut që nuk dua ta njoh”: “Një njeri vjen mëngjeseve në dhomën time”, “Nuk thotë asnjë fjalë”, “Asgjë nuk thotë”, “vendoset në një kënd të dhomës Sendet nga shikimi i tij kanë të ftohtë”. (...) “Ai kurrë se ka parë bukurinë e hënës”, “Vetëm kur ngrihet nga gjumi vonë”, “Kujtohet se netëve”, “ ka pasur hënë”... “Ai nuk beson tek gjërat”, “Si mund ti besojnë gjërat atij?”... “Unë them se ai nuk duhet të flerë”, “Kur hëna është e bukur në prill”. “Ai është njeriu që nuk dua ta njoh” “Dhe e njoh aq mirë”... Si mund të bëhen bashkë pra këto dy palë të unit lirik, duke përjashtuar njëra-tjetrën përfundimisht?!
“Era” është një tjetër kryevepër e këtij vëllimi, është një tjetër variant metaforik i po asaj mungese gërryese, i atij malli dhe asaj vetmie pa ngushëllim. Është era që fryn tërbuar kudo dhe nga kudo, ortek që shemb dhe rrënon pengesa, furi që përplaset mureve të veta dhe kthehet sërishmi dhe sërishmi prapë. Çështë, çkërkon ajo? Të hapë dritare, dyer të mbyllura hermetikisht, botën, zemrat, të kaptojë male, dete, qiej dhe të mbërrijë-ku? Të fshijë nga faqja e dheut mallin, dhembjen, kohën, hapësirën? Shpërthen ajo tejetej, ska fuqi që i vë pritën, që e pengon, ska mbrojtje prej saj... fryn e fryn ajo nëpër pafundësi shkretëtire, pa pengesa, e këndej çdo gjë mbyllur, kyçur, dyer, dritare, zemra...
Mungesë-vetmi sjell si ikja (qyteti i braktisur apo që të braktis), si gjakimi për kthim. Shndërruar në rrëfim poetik, në art që ndriçon mungesën gërryese, mallin sfilitës, vetminë ulëritëse, në botën e zërit lirik vazhdon të mbetet e hapur varra dhe ta ushqejë atë, poezinë, njësoi si kraharori në gjoksin e nositit të Lasgush Poradecit. Është përftim i stuhishëm vizioni i mungesës, si prani e asgjësë, e hiçit që fanitet rrënues çastesh gëzimi, lumturimi, shembje urash kthimi, shtyllash mbështetëse. Edhe më keq, vjen iluzion, në çaste se mund të ringjallet gjë nga ai fluid eterik i memories. Sado që zëri lirik përpëlitet në mëtim për një mbështetje, jo rrallë duke kërkuar strehë në çaste intime...Nuk ka asgjë më të pranishme në poezinë e Rudolf Markut tek libri “Një ballkanas në Londër” se mungesa. Mungesë është çdo gjë përreth, e tëra çfarë ka, mungesë vatre, mungesë hëne dhe muaji prill, mali e deti, mungesë shtëpie dhe sokaku me kalldrëm, e dashura e parë, zëri, hija e babait, mungesa në këtë lirikë të përsosur është një fuqi që lëviz male e shkëmbej, lumenj dhe erëra, që lëviz universin e zërit lirik...
Një atribut i mundshëm që gjithashtu do tu qëndronte vargjeve të këtij vëllimi poetik, mund të jetë: mall për një botë, për një kohë që nuk ekziston më, përkatësisht mall për një botë të munguar shpirtërore, mungesë e një vatre të njëhershme, të ngrohtë dhe të dashur, mall për shtëpinë e lindjes dhe njerëzit përreth, - artikuluar në art poetik të përsosur. Bota, rruga e kaluar, sa më përcëlluese që vjen dhe ngacmon si kujtim, siç ndodh në poezinë e Rudolf Markut, aq më gërryes artikulohet malli, përkatësisht aq tokë e shpirt i thatë shtrihet bota e tanishme përreth. Këtyre përmasave bredh dhe vuan vetmia në librin poetik “Një ballkanas në Londër”. Në lirikën e tij, bota e brendshme është refleksion i botës përjashta që vjen valëzim ezoterik. Refleksioni autopoetik vjen fizionomi dalluese, e veçantë, nuk i ngjan kujt, pos rrahjes së zemrës së vet, e shpirtit të aftë dhe të pasur ta përballojë sfidën dhe ta ruajë qenien e vet, ta ushqejë vibrimin e pashtershëm të thesarit shpirtëror. E etshme kjo botë shpirtërore e Rudolf Markut për miqësi, për dashuri, prandaj vargjet poetikë në këtë vepër hapin shtigje, gjejnë lehtësisht rrugë hapjeje.
Pra përkundrazi: duke na dhuruar art poetik, vlerë, zëri lirik vazhdon ta thellojë, ta acarojë deri në dramatizim vetminë, përkatësisht mëton dhe arrin njëkohësisht çlirim nga mbërthimi i brendshëm i saj, mëton dhe arrin pastrim nga ngarkesa e mëkateve, e pleksjes së vetes në thurjen e rrugës së ikje-kthimit, e rrethit të mbyllur. Natyrisht kolovitja mes kujtim ëndërrimit dhe realitetit konkret, e sjell buzë papërballueshmërisë ankthin vetmi. Ndërgjegjësimi i tij se një gëzim i gjetur apo i rigjetur në shtëpinë globale është përfundimisht i pamundur, ndjesi që shtrihet në shpirt si gjallërim estetik i mallit dhe melankolisë gjatë tërë rrëfimit lirik përbën thelbin e vetmisë së ankthshme. Është fjala për botë lirike që në rropatje për ta kthyer të pakthyeshmen, mëton edhe drejt një pakti me realitetin çfarë është. Në momente, diskretshëm, jo vetëm e kaluara, por çdo gjë në ecje e sipër tretet për të mos u kthyer, duke lënë pas vetëm jehonën e rrjedhës flurore të lumit, fishkëllimën rrëqethëse të erë-stuhisë si përftime mbi kokat tona, mbi majat e maleve...
Drithërimë poetike dhe mall gërryes për të munguarën në pakthim është gjuha e kësaj poezie me burim ngasës nga universi i mistikut dhe dashnorit, i ikësit dhe kthyesit, i gjetësit dhe humbësit, gjithë për të mbajtur gjallë varrën. Vjen drithërimë e lehtë e megjithatë ngulçitëse përballë tjetërsimit dhe shkretërimit të shpirtit dhe që, prekur thellësitë, lëshon, herë-herë përshkëndijime metafizike. Pas përplasjeve mureve të padepërtueshëm, rebelimi tërhiqet në prehje, dhe atëherë shtrihet, si një vello e lehtë, konstante, mërzia, për të cilën Leopardi thotë se është “ më sublimja e ndjenjave njerëzore”. Kjo ndjenjë sipas tij vjen nga të kuptuarit se “gjithçka është shumë pak”, është vetëm “një vogëlsirë përballë aftësisë së vetë shpirtit”, thjesht mërzia është “ të vuajturit për ndjenjën e pakënaqësisë për boshësinë që të ofron realiteti”.
Valë vetëtimash, dridhje dhe regëtimë e brendshme vjen shtysa poetike e Rudolf Markut, bota e shpirtit dhe e mendjes së zërit lirik, vjen trajtë sublime e qenies së tij. Në momente vjen tërmet i brendshëm, shpërthim dhe shfrim çasti që rishtazi, me delikatesë subtile, ekuilibruese, pa lënë rrënoja gërmadhash dhe humnera të pakalueshme mbrapa. Nuk vijnë lëvizje tektonike apo qiellore si të rastit, incidente të shkëputur: vinë valë që i japin kuptim-pakuptimësi çdo gjëje në botën dhe jetën e zërit lirik. Në këtë kontekst, poetika e kësaj lirike, e shquan, e vë në dukje individualizimin e zërit, e kthjelltëson diskursin poetik së brendshmi. Pa as më të voglin hezitim për ta fshehur ankthin vetmi, shtrirjen gri mbi çdo gjë që lidhet me përditshmërinë e tij; të theksuara qartësisht edhe bredhjet kryqetërthor, nëpër Evropë dhe mediteran sidomos, kërkimin e ethshëm të rrugëve drejt Itakës, përkatësisht rrugët për të ikur sërishmi dhe sërishmi nga Itaka... Diskrecioni i zërit lirik te poezia e Rudolf Markut as së largëti nuk priret drejt përvojave të fshehjes, të hermetizmit trend kalimtar i çdo epoke poetike, por ai është vetëm dhe vetëm në funksion estetik, përmasash dhe mjetesh që nuk shkojnë përtej këtij objektivi të zërit lirik.
Zëri lirik në poezinë e Rudolf Markut, duke bredhur në kohë dhe hapësirë, duke depërtuar përtej shndërrimeve dhe shumësive , krahëve të iluzionit dhe deziluzionit, krahëve të pranisë dhe mospranisë së objektivit, veprimeve dhe mosveprimeve, krahëve të qenies dhe mosqenies, përkatësisht duke relativizuar kufijtë e duke i ngritur rishtazi ata, vendos më shumë qendra dhe perspektiva perceptimi kreativ dhe emocional mbi botën, mbi kohën dhe hapësirën, kujtimin dhe mallin, vetminë dhe vuajtjen, mërzinë dhe brengën, si poet dhe filozof... Perspektiva nga majat e lashta historike e mitologjike, vjen me funksion e gjakim përngjasimesh që i sjellin të kthjellta qartësisht përmasat, raportet mes universit shpirtëror të zërit lirik dhe atij total. Përmasat përqasëse të absurdit dhe pamundësisë, të mungesës së pariparueshme në botën e zërit, përkatësisht sa më i qartë vetëdijesimi i tij për këtë status të pandryshueshëm tani më, ndjellin, sjellin në memorie bëma e personazhe nga thellësi të tilla, sa për të ndriçuar, por edhe për të marrë pjesë në dhembjen e poetit... Po me këtë lehtësi shndërrimi zëri lirik lëviz në kohë dhe hapësirë, kodifikon shumësinë e botëve, kalueshmërinë si njëkohshmëri dhe shumëkohshmëri; sinkroninë, pluralitetin e gjithësisë, rrjedhën e bëmave në shiritin kohë që janë një dhe të pandara me hapësirën dhe kohën; sikur asnjë nga rrjedhat , bredhjet dhe pleksjet e të veçantave, nuk i veshin dot petkat e gëzimit. Është ndërgjegjësim definitiv i zërit lirik për statusin gri e që në çaste, pikërisht për këtë, ai, zëri lirik, jo rrallë, me buzagaz të hidhur, ironizon diskretshëm statusin e tij të vulosur... Do të vazhdojë ndërsa të vijë nga pas jehona e tërë atij universi të tretur në pakthim, si Njeriu që “nuk dua ta njoh”, si njeri i ftohtë që përhap ftohtë me sy, që sbeson dhe se besojnë, si Lumenj që në gjashtë hove të përsosur vijnë si Drin me valë floçkash përrallore dhe gishtërinj të varur, kapur pas valëve, si bukuri hëne në prill, do të vijë: “Ashtu si uji që rrjedh nga shkëmbinjtë”, “Pikë-pikë mes gurëve të bardhë”. Si “Një përrua që rrjedh”, “Mundimshëm”, “Në Saharë”. Do vazhdojë të trokasë e fryjë ngado e kudo, do rebelohen në vuajtje e dhembje dhe në art të përsosur...
Kemi përpara arritje poetike, gjuhë me qartësi dhe kthjelltësi të mprehtë që përkundet valëve të vetmisë, bredhjeve në kërkim të mungesës, imagjinatës që sajon iluzion se mund të kthehet, të ngjallet, të preket e humbura në pakthim dhe që, në rastet më të shpeshta të poentojë duke ateruar në truallin e fortë, të ashpër, të pandryshueshëm. Në tërë këtë ecejake dramatike deri të ethshme në momente, poezia e radhës, vargjet e radhës në këtë vëllim të shënuar të poezisë shqipe, sërishmi çdo gjë nis nga fillimi, secili objektiv i mëtuar dhe i arritur shndërrohet sërishmi në nisje, në ikje-kthim të sjellë në rreth të pashpërthyer. Kështu, Rudolf Marku poet, që çapitet edhe brenda përvojave dhe trendeve poetike të kohës, i vetëdijshëm se nuk mund të mbështetet vetëm në krahët e një përvoje, as te postmodernizmi që, si drejtim, në fillimet e veta pandehu se e gjeti çelësin e vetëm për hapjen e pahapshme në kërkim të së vërtetës së qenies dhe ekzistencës, mbështetet sigurt në shtigjet më të qëndrueshme të poezisë shqipe dhe poezisë përgjithësisht. Prandaj edhe insistimi i zërit lirik për ta personalizuar perspektivën e vuajtjes së vetmisë, të fokusuar brenda universit të pafund, të paprekshëm për përmasat depërtuese të njeriut, në këtë poezi vjen dhe shtrihet natyrshëm. Përngjasimet individ- gjithësi, duke u shfaqur edhe si përvojë e gatshme, e vetvetishme, pa ndërhyrje modelesh, sidomos larg prirjeve për “poezi të pastër”, në poezinë e Rudolf Markut vijnë ura lidhëse mes fenomeneve të bartura krahëve të fantazisë qoftë nga thellësitë kohore, qoftë nga lartësitë qiellore të hapësirës dhe, realitetit mbërthyes, gozhdues...
Malli është shija kryesore pas kontaktit të parë me poezinë e librit “Një ballkanas në Londër” e poetit Rudolf Marku. Malli ndërsa është konstantë e rëndë që nuk mund të shuhet. Tek poezia, tek poetët, tek Rudolf Marku është thesar. Në botën e tij shpirtërore para së gjithash, në fatin e tij të zgjedhur a të prerë, me këtë rast ai, malli, vjen metaformozuar në poezi të përkryer....

*Kritik letrar

Google+ Followers