Mid’hat Frashëri, një gjeni ende i panjohur


URAN BUTKA

URAN BUTKA

Mid’hat Frashëri, ky ndërtues dhe bashkudhëtar i Pavarësisë, ishte një nga të parët që e nisi këtë rrugëtim historik. “Jemi në fillim të udhës. Duhen përpjekje për t’u bërë komb i lirë, i bashkuar, i qytetëruar”, – shkruante ai në vitin 1897. Mid’hati kërkonte bashkimin dhe autonominë e katër vilajeteve, si hap i parë i mëvetësisë, i ruajtjes së integritetit tokësor dhe kufijve etnikë të Shqipërisë.
Por që të arrihej njësimi i trojeve dhe i kombit, duhej bërë bashkimi shpirtëror…i shqiptarëve, mendonte ai.     “A mund të quhemi vërtet një komb?” – pyet ai dhe përgjigjet: “Një komb, për të thënë që rron, duhet të ketë bashkimin shpirtëror, duhet të ketë gjuhën, të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsirë dhe pa qytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë”.  Si filozof e përcakton kombin si një konstitucion gjaku, gjuhe, kulture dhe territori. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta për liri e pavarësi vijnë pas ndërgjegjësimit, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli, thotë ai. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.
Në fillimet e shekullit të njëzetë, Mid’hati, që i kuptoi ndryshimet e kohëve, u paraprin atyre. Ai bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore qysh në kohën e Rilindjes dhe që u përvijua edhe gjatë Pavarësisë. Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej ende kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithë shqiptarëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune gjigante, sidomos kur u krijuan kushtet legale, menjëherë pas shpalljes së Konstitucionit të korrikut 1908.
Mid’hati zgjodhi udhën e emancipimit kombëtar e kulturor si një hap i parë drejt independencës morale dhe shtetërore.
L. Skendo u drejtohet shqiptarëve që ta shfrytëzojnë këtë moment oportun për të përfituar nga liritë e të drejtat e shpallura nga Hyrieti, të çelin shkolla e klube shqiptare, të shtypin lirisht libra e gazeta, të bëjnë propagandë kombëtare për t’u afirmuar si komb… “Dyfekët, thikat, jataganët – thyejini. Ato armë bëjini plore, bëjini çekanë se tani do rrojtur me djersë të ballit, si njerëz të lirë që na ka bërë Zoti”.
Themelin e diturisë dhe të qytetarisë e përbën gjuha shqipe, sipas M. Frashërit. Lufta për gjuhën, thotë ai, është një formë tjetër e luftës për të rrojtur. “Gjuha jonë është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë”, shkruan ai. Për këtë arsye ekzistenciale, ai kryesoi Kongresin e Manastirit të vitit 1908 për një alfabet të përbashkët tërësisht latin, si edhe thirri Kongresin Arsimor të Elbasanit në vitin 1909, përcaktoi programin e këtij kongresi arsimor, që vendosi për mirëdrejtimin e shkollave shqipe, botimet për shkollat, mbështetjen financiare, si edhe çeljen e Shkollës Normale.
Sipas M. Frashërit, shqiptarët pas një errësire të plotë dhe një shtypjeje mizore shekullore kishin nevojë për një frymëmarrje paqeje, se jeta e tyre kish shkuar vazhdimisht në luftë, kishin nevojë për një grimë qetësimi të brendshëm, ndriçimi e afirmimi si komb i kulturuar. Shqipërinë, ajo që e ka lënë pas është të mospasurit e paqes, shkruante ai më 1909-n.  “Qëkur mbahet mënd dheu ynë i gjorë gjithnjë në luftë. Këto turbullime të gjorit mëmëdhe i kanë ardhur së brendshmi dhe së jashtmi… Pyetni një mijë njerëz dhe do të mësoni se nga gjyshërit dhe etërit nëntëqind prej tyre janë vrarë. Të pakë janë ata që vdesin në shtrat…”.
Shqiptarëve, më tepër se kujtdo, u duhet paqja. Veprat e mëdha e të qëndrueshme mbruhen në paqe. Babai i përparimit është paqja, – përfundon ai.
Nga ana tjetër, lëvizja kryengritëse e papjekur mirë, kaotike, aventureske, pa një ndërgjegjësim e pa një qëllim të qartë për të gjithë shqiptarët, pa një bashkim e organizim të mirë të tyre, mund të sillte rezultate të dëmshme, – mendonte Mid’hati.
Gjithsesi, Mid’hati i gjen të parakohshme e të dështuara kryengritjet e motit 1910-1911. Turbullimet, sipas tij, ishin të pamenduara mirë, lokale dhe të paorganizuara si duhet. Fakti që ato u shtypën nga ushtria turke dhe për pasojë u mbyllën edhe shkollat shqipe, u ndalua mësimi shqip, klubet shqiptare, botimet etj., “na bënë të themi se na prunë një dëm të madh. Kjo është një e vërtetë e hidhur”.
Nga ana tjetër, këto kryengritje nxitën fqinjët, sidomos ata veriorë, që të përgatiten për luftë kundër Turqisë, e cila do të ishte njëherësh edhe luftë për pushtimin dhe copëtimin e Shqipërisë.
Për të realizuar aspiratën kombëtare dhe shtetin kombëtar, Mid’hati artikulonte domosdoshmërinë e një lidershipi udhëheqës për lëvizjen kombëtare brenda në Shqipëri, sepse asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm. Shqipëria ishte si një anije në det të trazuar, pa timon e timonier – siç shprehet ai.
Prandaj ai kërkon themelimin e një partie kombëtare apo të një forumi të shpëtimit kombëtar, që të mund ta shpëtojë Shqipërinë.
Dhe që të bëjmë një parti të tillë dhe që t’i bëjmë punët mirë, duhet, në radhë të parë, të ndreqim veten, – mendonte Mit’hati, – duhet të shohim e të kuptojmë ku jemi, nga vjen e liga, ku duhet të shkojmë dhe ç’rrugë duhet të zëmë. Ai shtron tezën se Shqipërisë shpëtimi do t’i vijë nga vetë shqiptarët. “Shpëtimin tonë ta presim nga vetëheja jonë, si një pemë të përmirësimit dhe të naltësimit tonë, si një punë që të vjen vetiu, me djersën, me përpjekjet dhe dëshirat tona. Kjo është për ne politika më e drejtë, udha më e sigurt, shpëtimi më i ndershëm. Kjo e bën edhe faktorin e jashtëm të të respektojë dhe ndihmojë”, – thotë ai.
Mid’hati gjykonte se zgjidhja e vetme politike ishte, siç thoshte Mid’hat Frashëri – shpëtimi në independencë, për ta bërë fakt të kryer përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike mëvehtësinë e Shqipërisë, ekzistencën e saj kombëtare dhe shtetërore. Mbështetja e Austrisë ishte një inkurajimi madh. Nuk ishte e rastit pjesëmarrja e M. Frashërit në Kuvendin e Shkupit, 14 tetor 1912, që vendosi për mbledhjen e Kuvendit të përgjithshëm mbarëshqiptar për shpalljen e pavarësisë. Gjithashtu, nuk ishte e rastit pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës si delegat i Pejës e Gjakovës, por edhe i Elbasanit.
Ishin pjekur kushtet e brendshme e të jashtme. Vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte, sipas tij,  rezultat i rrethanave dhe i diplomacisë, jo i luftës.
Mid’hat Frashëri mendon se qeveria shqiptare, e zgjedhur nga Kuvendi i Vlorës, që në fillesë u gjend përpara dy problemeve kryesore. Së pari, ai diplomatik, për të sensibilizuar e ndikuar faktorin ndërkombëtar në favor të njohjes së shtetit kombëtar shqiptar. Problemi i dytë, sipas M. Frashërit, ishte ai politik dhe strategjik: administrimi dhe mbrojtja e territorit, që ishte nën juridiksionin e qeverisë së Vlorës dhe lirimi i gjithë trojeve shqiptare të pushtuara nga ushtritë e huaja.
“Kjo situatë, – shkruan Mid’hat Frashëri, – zgjoi edhe pyetjen: a duhej ndihmuar ushtria turke në Janinë dhe a duhej t’i bëhej ballë Greqisë me çdo mënyrë që të ishte, apo duke besuar fatin e saj në duart e Fuqive të Mëdha, Shqipëria duhej të ruante një neutralitet strikt?”.
Sipas M. Frashërit, edhe për këtë problem kishte dy teza. E para, mbrojtja me çdo kusht e Janinës jo vetëm për momentin historik, që presupozonte mbrojtjen e një qyteti shqiptar dhe e një treve shqiptare nga pushtimi grek, madje të krejt Çamërisë, por edhe për të mbjellë shpresë e përpjekje për të ardhmen.
Teza e dytë pretendonte se Shqipëria, e sapolindur dhe pa mjete mbrojtëse, duhet të ruante neutralitetin. Kjo ishte edhe pikëpamja e Ismail Qemalit.
Mid’hati ishte për tezën e parë dhe u nis nga Vlora për në Janinë më 13 janar 1913 për të nxitur atje mbrojtjen e Janinës.
Ndërkohë, Qeveria e Vlorës i kërkoi Esat Toptanit, komandant i redifëve në Shkodër, të luftonte për mbrojtjen e Shkodrës me flamurin shqiptar dhe në emër të Shqipërisë së pavarur. Telegrami që iu dërgua atij kishte edhe nënshkrimin e Mid’hat Frashërit. Madje Mid’hati shkoi edhe në Shkodër për të ndihmuar në qëndresën shqiptare.
Por problemin më të madh, apo vetë problemin shqiptar, e shkaktoi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila e mori në shqyrtim çështjen shqiptare më tepër si një pjesëz e Turqisë së mundur në luftë dhe në pajtim me orekset e fqinjëve apo të disa Fuqive të Mëdha për ta copëtuar Shqipërinë, duke e katandisur atë në një provincë apo principatë dhe duke lënë padrejtësisht jashtë kufijve Kosovën e viset e tjera të Shqipërisë verilindore si edhe Çamërinë, madje duke vënë në diskutim Korçën e Gjirokastrën.
Mid’hat Frashëri ishte i mendimit që qeveria e Vlorës nuk duhet të njihte vendimet absurde të Konferencës së Ambasadorëve dhe të nxiste reagimin e popullit shqiptar. Ai ishte për një kundërshtim të përgjithshëm dhe të fortë nga ana e faktorit shqiptar. Po ky reagim ishte fare i dobët. Mid’hati e konsideronte fatkeqësi për një popull dhe për një politikë që ta linte tërë fatin në një dorë të tretë.
Vetëm një reagim kombëtar dhe një kundërshtim me armë kundër copëtimit, si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mund t’i detyronte Fuqitë e Mëdha dhe ato ballkanike të rishikonin politikat e tyre dhe të korrigjonin gabimet apo padrejtësitë.
Gandi shqiptar arrin në përfundime të tilla kryengritëse, kur e sheh se ishin konsumuar mjetet e tjera dhe s’mbetej asnjë rrugë përveçse luftës kundrejt të huajve, pushtuesve dhe dhunuesve të Shqipërisë, për të mos lejuar, me çdo therori qoftë, copëtimin e shitjen e Shqipërisë si plaçkë tregu apo si mëlçitë në kandarin e kasapit. Për fat të keq, as në Kosovë, as në Çamëri, nuk u manifestua ndonjë protestë apo kryengritje popullore, vetëm diçka spontane në Dibër,  edhe pse kishte një motiv shumë më madhor: ndarja e më shumë se gjysma e territorit dhe e popullsisë nga trungu i mëmëdheut.
Për këto arsye, por edhe për afrimin e qeverisë me Esat Toptanin, më 30 mars 1913 Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga Qeveria e Vlorës. Ai inauguroi institucionin e vetëdorëheqjes në shtetin shqiptar qysh në fillimet e këtij shekulli.
Gjithsesi, gjykatorja e Europës vendosi arbitrarisht për copëtimin e Shqipërisë, pa përfillur as parimin historik e as atë  etno-kulturor, as interesat kombëtare të shqiptarëve, as stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit, por plotësoi pretendimet absurde e shoviniste të agresorëve ballkanikë dhe kënaqi ekuilibrat e përkohshëm ndërmjet Fuqive të Mëdha.
Në kushtet që po kalonte Shqipëria, kur ajo ishte shpallur e pavarur, por nuk njihej ndërkombëtarisht, në kushtet kur Qeveria e Vlorës nuk e ushtronte dot autoritetin e vet, Mid’hati kërkonte një princ të krishterë europian, që të mund ta legalizonte ndërkombëtarisht e ta stabilizonte shtetin shqiptar, ta shkëpuste nga orienti për t’u bërë pjesë e Europës, siç shprehet ai.
“S’kishim gjë të përbashkët me Orientin. Ishte e papranueshme për shtetin e ri, i cili shkëpuste çdo marrëdhënie me Orientin dhe sundimin e një mbretërije orientale, të pranonte kandidaturën e një princi mysliman dhe oriental; do të ishte mohimi i vullnetit të përparimit, i dëshirës që të bëhemi një faktor ndërmjet kombeve dhe shteteve të Ballkanit, të asaj pjese të Europës”.
Shqipëria u bë në gjysmën e saj dhe jo siç dëshironin shqiptarët. Megjithatë, detyra e shqiptarëve, sipas mendimit të tij, ishte ta bënin siç duhet shtetin shqiptar dhe të përpiqeshin për ta bashkuar me gjysmën tjetër.
Ai mendon se tanimë s’i shpëtojmë asnjë justifikimi. “Paskëtaj çdo e keqe, çdo e metë që të bëhet, fajin do ta kemi ne vetë: unë, ti, shokët tanë, gjithë shqiptarët”.
Mid’hati ishte dhe mbeti ithtar e luftëtar i përmirësimit të vazhdueshëm të shtetit, shoqërisë, njeriut. Ai ishte kundër lëvizjeve rebeluese, luftës së brendshme destabilizuese, luftës politike konfliktuale për interesa pushteti, karriere apo përfitimesh personale. Ai dënon lëvizjet rebele kundër shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, më pas ajo e Marka Gjonit, Elez Isufit, Halit Lleshit etj. Tipike ishte lëvizja e Haxhi Qamilit. Në krye të kësaj lëvizjeje ishin krerë antikombëtarë, të cilët donin ta kthenin Shqipërinë mbrapa. Në këtë lëvizje regresive, ku plekseshin mendësitë otomane, injoranca, varfëria e skajshme e turmave dhe interesat e krerëve rebelë me interesat e intrigat e të huajve për destabilizimin e shtetit shqiptar, po shfaqej hapur loja e Esat Toptanit në shërbim të tyre.
“Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esat Toptani, myfti Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin; fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë; marrëzinë brutale – jo në figurë letrare, por reale… Po një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje e rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi”. “Edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet, e jo të shembet; edhe kur qeveria e zgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme”. Këtë pikëpamje pati ai dhe në vitin 1924.
Mid’hati mendonte se Shqipëria e brishtë kishte nevojë për një ndihmë mirëdashëse dhe pa interes, me qëllim që të mbështetet në fillimin e jetës së saj politike. Por ai nuk e kërkon këtë ndihmë nga vendet që kanë interesa në Shqipëri apo nga fuqitë që fshihen pas tyre. Ai zbulon Amerikën kur konkludon: “Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disavjeçare (për shembull 5 vjet) dhe ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision. Ndaj ai i dërgon Presidentit Uilson një promemorie për Shqipërinë, i rekomandon historianë seriozë të çështjes shqiptare dhe gjashtë harta etnografike. Ndërhyrja e Presidentit amerikan pranë Konferencës së Paqes më 10 shkurt dhe 26 shkurt 1920, ishte një mbrojtje e fuqishme e SHBA për Shqipërinë dhe një goditje për planet e mbrapshta të copëtimit të saj. Mid’hati i sheh qysh në atë kohë SHBA si të vetmen fuqi liberale e demokratike që mund ta ndihmonte Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Si një mendimtar dhe demokrat i përmasave europiane, Mid’hati u drejtohet më 30 tetor 1919 atyre që mbanin në duart e tyre fatet e popujve të vegjël dhe që kanë zënë vend në Konferencën e Paqes, me mesazhin: “Shqiptarët mund të bëhen një faktor rregulli dhe ekuilibri në pjesën juglindore të Europës falë inteligjencës dhe cilësive të tyre të punës dhe të durimit. Ata që mbajnë në duart e tyre fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden se kurrë paqja dhe qetësia nuk mund të vendoset në Ballkan në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve. Fuqitë e Mëdha, me mendje të kthjellët e frymë të re, duhet ta ushqejnë këtë eveniment të kësaj periudhe të re duke i ndihmuar popujt e Ballkanit në veprën e tyre të mirëkuptimit e të paqes, duke i shtyrë drejt përparimit dhe integrimit në Europën e re”.
Por, kur faktori i jashtëm ishte shurdh ndaj kërkesave të drejta të shqiptarëve, apo më keq, thurte plane të reja për copëtimin e Shqipërisë, Mid’hati mbështet me të gjitha forcat faktorin e brendshëm, që në rrezik mblidhet e vepron. Ai mendon se Kongresi i Lushnjës kishte vlerë dhe efekt të thellë, sepse vuri mbi bazën e shtetit – idenë e independencës absolute dhe të integritetit të plotë të vendit. Mund të thuhet se që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit Kongresi i Lushnjës ishte “manifestimi i parë me rëndësi krejt të veçantë për këtë popull, bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij”. Dhe Mid’hati i bëri mbrojtjen më të mirë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Themelimi i një Parlamenti pluralist dhe demokratik ishte i një rëndësie të veçantë për fillimin e një jete politike demokratike dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Mid’hati, që e njihte jetën parlamentare të vendeve perëndimore, u këshillon qeveritarëve e parlamentarëve shqiptarë një politikë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben në çdo kohë Shqipërisë, pa ekstremizma të verbra, që i kanë shkaktuar dëm në çdo kohë Shqipërisë.
Mid’hat Frashëri është për një regjim republikan, ku forma e shtetit të ishte republikë parlamentare e vendosur me votim të përgjithshëm, si dhe për një pushtet institucional demokratik të zgjedhur me vota të lira, ku të përfaqësohen gjithë shqiptarët, edhe ata të diasporës. Ai luftoi për një shtet kombëtar shqiptar apo për një Shqipëri etnike, dhe tregoi rrugët që të çonin te Shqipëria etnike. “Ne nuk jemi as për Shqipërinë e Madhe, as për Shqipërinë e Vogël, por për Shqipërinë etnike të banuar nga shqiptarët ose shumicë shqiptare dhe të realizuar me vullnetin e lirë të popullit shqiptar, bazuar mbi parimin universal të vetëvendosjes së kombeve”.
Zhvillimet në Shqipëri Mid’hat Frashëri i lidh me rendin demokratik, i cili të ketë “pamje shoqënore”, siç shprehet ai, ku drejtimi, mirëkuptimi dhe rregulli të vijnë nga zbatimi i ligjit, përkundër nihilizmit, anarkisë dhe arbitrarizmit.
Duke i paralajmëruar shqiptarët e viteve ’30 për rrezikun e bolshevizmit dhe duke i siguruar ata që ajo është një ideologji e papajtueshme me terrenin, psikologjinë dhe të ardhmen e shqiptarit, nisur dhe nga frytet e hidhura që kishte dhënë në Rusi, Mid’hat Frashëri shprehet për një rend e zhvillim kapitalist të natyrshëm e social në Shqipëri, me evolucion (reforma) dhe në mënyrë demokratike, me përmirësime e përsosje të vazhdueshme. Ai është kundër revolucionit, kundër përmbysjeve me dhunë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive, kundër centralizmit burokratik. Ringjalljen ekonomike, Mid’hat Frashëri e sheh te ekonomia e tregut, ndërsa ringjalljen politike e morale e gjen te parimet e rendit demokratik. “Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike Europiane”. Ndërsa përparimin ai e sheh te puna, dituria dhe qytetaria.
Mid’hat Frashëri dha shembullin e vet të ndritur, duke e zhvilluar këtë mision nëpërmjet librit dhe diturisë. Kështu u shndërrua në një institucion kulture. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kultura dhe shkolla kombëtare do të ishin faktorët kryesorë të mbijetesës, të ripërtëritjes dhe të qytetarisë së munguar. Vetëm me qytetari mund të përballohen problemet e independencës, të lirisë dhe të demokracisë, shkruante ai. Vetëm kështu koha e ardhme do të punonte për shqiptarët.
Mid’hat Frashëri është një gjeni, një figurë e madhe me dimensione europiane, por ende i pazbuluar, i pakuptuar dhe i pavlerësuar plotësisht.

Google+ Followers