“ME PUNË DHE VEPRIMTARI TË PANDËRPRERË, JETA BËHET MË E BUKUR”



       ( Bisedë e publicistit Albert Zholi, me Prof. Murat Gecaj )
Nga e djathta: A.Zholi e M.Gecaj

 1) Përse e zgjodhët degën e gjuhë-letersisë   për të studiuar në shkollën e lartë apo ishin prirjet tuaja, në moshën e adoleshencës?

-Kisha nisur të shkruaja ngapak, në shtyp, që në shkollën  7-vjeçare dhe e vijova këtë gjë në të mesmen. Pra, pas mbarimit të maturës në Tiranë,  kërkesa për të studiuar në këtë degë ishte e natyrshme. Në fakt, kisha dëshirë të studioja edhe për mjekësi e  drejtësi, gjë që  mbetën edhe ato interesa të mijat të mëvonshme.
Kështu, meqenëse kishim bërë dy vjet latinisht, gjatë jetës jam interesuar t’i njoh sadopak ilaçet e sëmundjet. Ndoshta, kjo ishte arsyeja edhe se përse e kam mbajtur për  disa vjet rubrikën “Shëndeti në fokus”, kur shërbeva redaktor në gazetën “Mësuesi”. Ndërsa në një legjislaturë, para viteve ’90-të të shekullit të kaluar, siç ishte praktikë e kohës, isha i zgjedhur ndihmësgjyqtar i rrethit Tropojë dhe i qarkut Shkodër.
Por, megjithëse studiova për gjuhë-letërsi, pas mbarimit të Universitetit të Tiranës, më caktuan me punë në shtyp, ku shërbeva mbi 32 vjet.

2) Si ka qenë niveli i mësimdhënies në këtë degë,  në fillimet e Universitetit të Tiranës?

-Në atë periudhë, në degën gjuhë-letërsi, por dhe histori, mësimdhenia ka qenë e një niveli mjaft të mirë. Kjo vinte se pedagogë kishim figura të njohura të gjuhësisë, letërsisë, historisë etj., të cilët kishin studiuar jashtë shtetit, disa prej tyre në Perëndim. Të tillë mund të përmendi këtu, Akademikët Eqrem  Çabej, Aleks Buda, Bedri Dedja, Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo e të tjerë.
Pastaj, shumica e pedagogëve tanë merreshin direkt me punë kërkimore shkencore e botuese. Edhe zyrat ata i kishin pranë Fakultetit tonë Histori-Filologji. Mendoj se kjo ishte aryeja, se përse edhe ne, studentët e tyre, morëm tema kursi e diplome. Ndërsa, pastaj në jetë, iu përkushtuam jo vetëm mësimdhënies në shkolla, por edhe kërkimeve, studimeve dhe botimeve, në fushat e gjuhësisë, letërsisë, folklorit,  historisë, arkeologjisë etj.

3)Ju keni  qenë për dialektologji, në ish-Bashkimin Sovjetik. Mund të na thoni të veçantat e studimit, në atë vend?

-Mbasi mbaruam dy vjet në Fakultetin Histori-Filologji, na përzgjodhën 7 veta, nga studentët e degëve gjuhë-letërsi e histori. Me sa më kujtohet, të gjithë ne na dërguan në Universitetin “Zhdanov” të ish-Leningradit (sot: Petërburg). Meqenëse isha nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), pra verilindja e Shqipërisë dhe nga ajo krahinë nuk kishte studiues për fushën e gjuhësisë, më caktuan ta ndiqja atje specializimin, për degën e dialektologjisë.  Ishte viti 1960 dhe, siç e dini, pas një viti ne na kthyen në Tiranë, si shkak i ndërprerjes së marrëdhënieve ndërmjet dy  shteteve komuniste të atëhershme.
Megjithatë, për atë vit akademik, pata mundësi ta njihja sadopak punën,  që bëhej atje me studentët. Krahas pedagogëve tjerë, që ishin të njohur në fushat përkatëse, unë  e  tre kolegë shqiptarë, që studionim për gjuhësi, kishim kujdesin e veçantë të albanologes së madhe ruse, Agnia Vasilievnja Disnickaja-Akademike. Krahas leksioneve, që i ndiqnim rregullisht,  kishim edhe tekste të përgatitura me aftësi pedagogjike e shkencore, disa nga vetë ata pedagogë, që na i jepnin leksionet. Pra, ishte praktikë që nuk studionim të gjithë me një tekst të vetëm, por ata zgjidheshin. Nuk e kam tani të saktë, nga që kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, por nuk vëreja që tekstet të ishin shumë  “të politizuara”, siç ndodhi tek ne, në vitet e mëvonshme, pra gjatë regjimit të kaluar monist.

M.Gecaj, në vitet e studimeve universitare


4) Cilat ishin arritjet kryesore në fushën e letërsisë, të Universitetit të Tiranës, në vitet e shtetit monist?

-Sigurisht, me një përgjigje të shkurtër, nuk mund të t’i shpjegoj të gjitha plotësisht, por edhe sepse nuk jam marrë gjatë jetës me studime të tilla. Megjithatë, mendoj se në atë periudhë janë bërë përpjekje serioze për ta studiuar udhën nëpër të cilën kishte kaluar letërsia shqipe. Është e kuptueshme se studimet e kryera, si dhe tekstet e shkollave e të Fakultetit tonë, kishin edhe politizime e “ujë të tepërt”.
Megjithatë, sidomos pedagogët tanë, bënë studime me vlera  për autorë të ndryshëm, që nga më te hershmit dhe deri në kohët e fundit. Kështu, ne kemi marrë njohuri të mira për  autorët e vjetër, për letërsinë e Rilindjes e të Pavarësisë, të viteve ’30-të të shekuillit të kaluar etj. Në këtë mes, është e pafalshme që, nën ndikimin e ideologjisë së kohës, ishin lënë pa u studiuar dhe pa na njohur ne me ta, me veprat e disa autorëve të shquar të letërsisë shqipe. Pa bërë ndonjë “listë” për ata këtu, sjell ndërmend Gjergj Fishtën, Martin Camajn etj.

5) Keni qenë redaktor në dy organe shtypi,  mjaft të njohura për kohën, “Bashkimi” e “Mësuesi? Cili ka qenë niveli i publistikës dhe si punohej në ato dy gazeta?

-Si  çdo fushë e krijimtarisë, pra edhe publicistika, në atë periudhë ishin mjaft të politizuara. Nga udhëzimet, që merrnim, kërkohej që ta pasqyronim “sa më mirë realitetin” dhe, bile, të bënim kritika të forta?! Mirëpo, në fakt, me gjithë “përkushtimin” tonë në këtë drejtim, nuk kishim guxim ta tregonim gjendjen reale të njerëzve ose të flisnim me forcë për ato dukuri, që na dukeshin më shqetësuese.
Po përmendi një shembull. Shkova me shërbim në vendlindje dhe pashë që kunata ime u jepte 7-8 fëmijëve të saj vetëm bukë e një copë marmalatë. Meqenëse ishin në koperativën bujqësore dhe nuk u lejohej të mbanin bagëti në shtëpi, merrnin vetëm një herë qumësht në  muaj?! Pra, a mund ta ngrija unë zërin në shtyp e të protestoja për varfërinë ekstreme të njerëzve në Malësi? Sigurisht që jo!
Këtë gjë e them edhe për kohën e lidhjeve e punës me arsimin e shkollat. Megjithëse vëreja që tekstet kishin shumë politikë e pak shkencë të mirëfilltë dhe se liheshin pa u studiuar dukuri, ngjarje e figura historike reale dhe që e meritonin, nuk mund të shkruaja në gazetën “Mësuesi” për tema të tilla. Pra, “liria e shtypit”, megjithëse parimisht thuhej se ekzistonte, ishte e cunguar ose edhe ajo, “e burgosur”.

6) Cilat kanë qenë ditët tuaja më të vështira, gjatë punës në shtyp?

-Në një farë mënyre, kjo pyetje lidhet me të mëparshmen. Po përmendi vetëm dy raste. Së pari, kur publikova një shkrim nga Kruja dhe kryetari i një organizate Fronti mbeti i pakënaqur e u ankua në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, se nuk e kisha shkruar të vertetën?! Po, mire, që u gjet një person me pozitë në atë rreth, i cili e “pajtoi” atë, sepse kërcënonte që, për mua do t’i shkruante “letër shokut Enver”?! Së dyti, kur punoja në redaksinë e gazetës “Mësuesi” dhe kishin “gjurmuar” në jetëshkrimin tim, sigurisht pas ndonjë letre anonime ose të ndonjë “sigurimsi”. Për arsye të “biografisë së keqe”, nga vjehrri im, disa zyrtarë të lartë kishin vendosur që të më largonin nga shtypi dhe të me dërgonin mësues në një fshat të Tiranës!?  Mirëpo, përsëri për fatin tim të mirë, u gjet një “rrugëzgjidhje” dhe këto plane mbetën vetëm në letër.
Besoj, këto ishin dy tronditje jo  të vogla apo jo, gjatë viteve të punës sime në shtyp?! Nuk di ta bëj mirë llogarinë, por “tërmetet” kishin qenë për mua deri në 7-8 ballë! Pastaj, a kishte faj tensioni i lartë i gjakut, që m’u shfaq në organizëm dhe vijon deri  më sot, që këtu e 30-40 vjet më parë?

7) Në profesionin gazetar a keni pasur rastin të takoni ish-udhëheqës të Partisë e të shtetit të diktaturës dhe në çfarë rrethanash?

-Po, kam takuar disa udhëheqës të asaj kohe. Ndër ta, kanë qenë E.Hoxha, R.Alia, H.Kapo, M.Asllani, L.Çuko e ndonjë tjetër. Po, jo për të bërë biseda ose për të marrë të dhëna për ndonjë shkrim në gazetë.  Me Enverin e Ramizin  jam takuar, kur bënë një vizitë në Tropojë, në maj 1970, për shkak të detyrës sime kryeinspektor i kulturës. Me Hysniun  jam takuar në një kongres rinie, me Muhon, kur kam qenë me shërbim në Shkodër dhe me Lenkën, në një Konferencë të Bashkimeve Profesionale, në Lushnjë etj. Ndërsa T.Camin e kam patur bashkëstudente dhe më pas ishte ministre e Arsimit e Kulturës, kur donin të më hiqnin nga shtypi, siç e tregova më lart.
Në atë periudhë, funksionarët e lartë të partisë dhe shtetit i shihnim “nga poshtë-lart”, aq më tepër unë, që e kisha “mizën nën kësulë”, pra kisha një “kleçkë” në biografi. Pra, nuk kisha ndonjë “adhurim” të veçantë për  asnjërin. Por, ama, as rezervat e mia nuk i shfaqja dot, pavarësisht se e kuptoja që ata “fryheshin” pak si tepër dhe ishin karriga e ideologjia komuniste, që i mbronin.

8)Mund të na bëni një krahasim ndërmjet gazetarëve të regjimit të kaluar dhe atyre sot; të veçantat dhe të përbashkëtat?

-Përsëri po më bëni një pyetje, që kërkon përgjigje të gjërë. Megjithatë, ashtu siç e tregova dhe më lart, gazetari dje ishte “nën tutelën” e ideologjisë moniste dhe duhej t’i shërbente asaj me besnikëri. Ndryshe…?! Ndërsa, për gazetarët e sotëm, që janë me qindra e mijëra, kam mendimin se duhet të jenë më të kualifikuar dhe të shkruajnë më mirë, si në gjini të ndryshme gazetareske, por me gjuhën letrare të njësuar etj.
Shpesh dëgjoj të flitet tani edhe për “lirinë e shtypit”. Mendoj se ajo, jo vetëm që  është, por dhe shpërdorohet deri në shkallën më të lartë. Në mjaft raste, kemi lexuar në shtyp ose kemi dëgjuar në stacione të ndryshme TV-je, se përgojohen pa të drejtë, fyhen ose përdoren të dhëna të pasakta, për këtë ose atë person, të thjeshtë ose deri zyrtar të lartë dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato, që shkruan ose thotë?! Bile, para kësaj dukurie negative të shtypit edhe organet e drejtësisë nuk tregohen të rrepta ose heshtin fare!?

9)Me cilën temë e mbrojtët titullin “doktor i shkencave”  dhe ndonjë e veçantë e saj?

-Pasi dhashë provimet pasuniversitare, por edhe disa të nivelit universitar, pasi tema do të ishte nga fusha e padagogjisë, kur isha në moshën afër 45-vjeçare, Instituti i Studimeve Pedagogjike e pranoi kërkesën time, që ta shkruaja disertacionin për ndihmesën e Normales dhe të Gjimnazit të Shkupit, në përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe. Jorrallë, kam dëgjuar se “janë marrë gradat e titujt shkencorë, me lehtësi ose pa e merituar”!? Unë nuk e di për të tjetët, por mua më është dashur të punoj shumë për t’i fituar. Kështu, para se të ulem ta shkruaj disertacionin, kam shfrytëzuar shumë dosje në AQSH; kam shfletuar mjaft revista e gazeta në Bibliotekën Kombëtare; kam biseduar me sa e sa persona;  që mund të më ndihmonin në këtë drejtim; kam botuar disa studime në revista shkencore  etj. Në fund, Komisioni i Lartë i Atestimit ma dha gradën “Kandidat i Shkencave”(më pas në “Doktor i Shkencave”). Por edhe në vazhdimësi punova e studiova në fushën e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Për këtë arsye, m’u dha titulli “Mjeshtër Kërkimesh” ose “Prof.as.”. Lidhur me këtë fushë, edhe më pas, kam botuar disa libra e studime, në revista  shkencore etj.

M.Gecaj, duke lexuar temën e tij, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe  (Tiranë, nëntor 1972)


10)A keni patur miqësi me Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë dhe mendimi juaj për ta?

-Të dy, ka vite që i kam njohur dhe, në periudhën e fundit, më shumë Dritëroin. Me bashkëshorten e  Ismailit, Elenën, kam punuar afër tri vjet në ish-gazetën “Pionieri”. Kam lexuar disa vepra të tij, sidomos të fillimeve të krijimtarisë. Është pak “i vështirë” për lexuesin e zakonshëm. Pa hyrë në imtësira, meqenëse e njoh  pak edhe Rexhep Qosjen, nuk më kanë pëlqyer polemikat ndërmjet tyre, pasi, siç thotë populli, më duken “pa bereqet” dhe nuk u shërbejnë vetë si persona e shkrimtarë të njohur, por as krijimtarisë së tyre. Aq më pak, mund të flisnim, në këtë rast, për interesin e përgjithshëm.
Ndërsa me Dritëroin kam miqësi qëkur ishte redaktor gazete. Jemi takuar edhe kur ai ka ardhur me shërbim në Tropojë, ku shërbeva afër 7 vjet, si “vullnetar”. Pastaj, prapë në Tiranë, kemi marrë pjesë në veprimtari të përbashkëta, si përurime librash a përvjetorë kolegësh. Gjatë jetës, kam bërë  vizita në shtëpinë e Dritëroit, ku kam gjetur ngrohtësi e dashamirësi dhe kemi biseduar e, bile, kemi pirë ndonjë gotë raki bashkë (ha,ha). Siç e dini, bashkëshortja e tij, Sadija ka qenë redaktore në gazetën  “Mësuesi”, ku unë shërbeva, pas asaj, afër 22 vjet etj. Krijimtaria letrare e Dritëroit  më pëlqen, se është e thjeshtë, njerëzore, “me këmbët në tokë”. Prandaj do të mbetet ndër thesaret e çmuara të letërsisë sonë kombëtare. Gjej rastin këtu që t’i uroj atij nga zemra: shëndet, mbarësi dhe lumturi familjare!

11-Ka vite që po diskutohet për ristandardizimin e gjuhës shqipe. A jeni  i mendimit ju, me këtë ide?

-Në muajin nëntor 2012, u mbushën  40 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Me këtë rast, janë zhvilluar dy veprimtari, njëra në Korçë e tjetra në Prishtinë. Meqenëse kam qenë pjesëmarrës, më ftuan të lexoja atje një temë, tëcilën e publikova, në Internet e në shtyp. Ajo e kishte titullin “Cili është problemi më aktual, për gjuhën shqipe sot?” Përmbledhurazi në atë shkrim, por edhe po e përsëris mendimin tim këtu, se pranimi i gjuhës letrare të njësuar, si në Shqipëri e Kosovë, në trojet shqiptare e në diasporë, është një arritje e shënuar në jetën e Kombit  tonë. Kjo gjë i ka shërbyer e do t’i shërbejë në vitet vazhduese edhe afrimit e bashkimit të mëtejshëm shpirtëror të bashkëkombësve tanë.
Siç dihet, gjuha e çdo populli ndryshon e zhvillohet pandërprerje, sipas ligjeve të brendshme të saj. Pra, norma e rregulla të pandryshueshme, nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Padyshim, rishikimi i udhës, nëpër të cilën ke ecur dhe studimi e parashikimi, se ku do të arrish, janë më se të domosdoshëm.
Ndërsa, si shkak  i kushteve të reja, në të cilat jetojnë shqiparët sot, i hapjes dhe i lidhjeve me botën, mbetet shqetësim dite ndërhyrja e  gjuhëve të huaja mbi gjuhën shqipe, si me fjalët e tyre dhe dukuri të tjera. Ndër të tjera, vërejmë se, po të kalosh nëpër Tiranë, nuk e merr vesh se në qytetin e cilit vend ndodhesh, pasi pothuajse të gjitha mbishkrimet në dyqane, njësi tregtare e shërbimi etj., janë shkruar në gjuhët e huaja?! Disa zyrtarë e intelektualë te fushave të ndryshme, kur flasin në TV ose shkruajnë në gazeta e revista, mendojnë se bëhen “bashkëkohorë”, kur përdorin vend e pavend fjalë të huja, kur I kemi shumë të bukura nga burimi i shqipes sonë. Prandaj,  mendoj se në këtë drejtim kërkohen vëmëndja dhe përgjegjësia e të gjithëve, që nga organet shtetërore përgjegjëse, shkolla me tekstet, media e shkruar dhe ajo elektronike, letërsia e të gjitha llojeve, kultura e artet  etj. Pra, lipset ta ruajmë gjuhën tonë të përbashkët  sa më të pastër dhe ta pasurojmë me fjalë të burimit të saj. Ndërsa, e  theksoj që, e vlerësoj një arritje shumë të madhe tonën, që ne tani e kemi dhe përgjithësisht e përdorim, shqipen standarde. Uroj që ajo ta luajë edhe më mirë, në të ardhmen, rolin e saj atdhetar e kulturor!

12. Jeni në pension e, megjithatë, me sa kam venë re, kohën e keni mjaft të zënë…Me çfarë merreni, gjatë ditës?

-Po, keni të drejtë. Ne jemi takuar shpesh, sidomos në përurime librash. Këto veprimtari janë të vazhdueshme  në kryeqytet, si dhe në qytete tjerë. Dhe jo vetëm nga autorë të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Shkupi, Presheva e Mali i Zi, si dhe nga diaspora. Kujtoj këtu, psh, se kam marrë pjesë në përurime librash të autorëve nga Gjakova e Prishtina, Athina, Londra e Italia, por dhe nga Amerika. Për disa nga ata, kam ndihmuar e bashkëpunuar  sadopak, sidomos për sigurimin e pjesëmarrjes, por dhe kam folur e kam shfaqur mendime për librat e përuruar. Po kështu, marr pjesë në festimet e ditëlindjeve të kolegëve, në mjedise publike të Tiranës.
Nuk di për të tjerët, po megjithëse u mbushën mbi 10 vjet nga koha e daljes sime në pension, ende  mbaj lidhje të rregullta me ish-kolegët e punës, si në revistën e sotme “Mësuesi” dhe në Ministrinë e Arsimit e Shkencës. Ndiej kënaqësi, kur shkoj atje e i takoj kolegët e miqtë e mi dhe më ngjan se ende vazhdoj të jem në marrëdhënie pune. Ata më duan e më respektojnë dhe, për këtë gjë, i falënderoj të gjithë nga zemra, pa përmendur emra këtu.
Një “kapitull” i veçantë për mua është puna në kompjuter. Aty  përgatis materiale për ndonjë libër timin; sipas kërkesës së ndonjë miku, redaktoj ndonjë libër të tij ose bëj recensione për ta; lidhem e shkëmbej mesazhe me kolegë e miq, me banim në shumë shtete të botës. Me kënaqësi dërgoj e publikoj shkrime në disa gazeta të ndryshme, si brenda vendit e jashtë tij. Më të pëlqyerat për mua, në Tiranë,  janë gazetat “Republika” e “Telegraf”. Por edhe bashkëpunoj me disa qendra Interneti e, nga këto, janë: “Fjala e Lirë”-Londër, me drejtor Fatmir Terziun; “Prishtina Press” (Nju Jork-Londër-Prishtinë), me drejtuese  Edmira Babamustën; “Tribuna Shqiptare” (Montreal-Kanada), me drejtues Ajet Nuron); “Dituria (Suedi), me drejtues Sokol Demakun;  “Kosova Lindore”(Presheva),  “Shkupi Press” e tjerë.
Një kohë  të mirë ma zenë edhe punët e veprimtaritë, në detyrat shoqërore. Kështu, tash dhjetë vjet jam sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe, në këto  vitet e fundit, jam aktivizuar përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Përveç të tjerave, kam bërë edhe udhëtime të ndryshme, në trojet shqiptare të Ballkanit, si dhe në disa shtete të Europës e deri në Nju Jork…Nuk po përmendi këtu punët e detyrat familjare, vizitat dhe pjesëmarrjen në raste gëzimesh e hidhërimesh, te të afërm dhe të njohur, si në Tiranë e jashtë saj etj. Pra, “a doni më për Belulin?” (ha,ha) Përfundimi, që nxjerr nga të gjitha këto që tregova, është: Me punë e veprimtari të pandërprerë, kohë ecën pa u ndjerë dhe jeta bëhet më e bukur.

13.-Më lart, ju na folët për librat, që keni shkruar…A mund të na thoni diçka, më gjerësisht?

-Më pëlqen kjo pyetje e juaja, pasi ka të bëjë edhe me një pasion e kënaqësi, që po e përjetoj, sidomos në këto vitet e fundit. Këtë ma sjellin shkrimet e ndryshme, në shtyp e në Internet, por sidomos librat. Nuk kam shkruar aq shumë libra, sa të “mburrem” për gjë. Por, megjithatë, e veçanta e tyre është se, secili prej tyre, pothuajse, nuk e ka temën ose përmbajtjen e njëjtë, me ndonjë libër të botuar te ne.
Librin e parë e shkrova pas luftës e fitores përfundimtare mbi serbët, me titullin “Si e pashë unë Kosovën”(Tiranë, 2000). Në vazhdimësi, publikova “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001), ku flitet për shkollat e para, sipas krahinave të Shqipërisë, por dhe në Kosovë, Dibër, Çamëri etj. Ky libër është ribotuar në vitin 2008. Bazuar në punimin e disertacionit tim, më 2002, botova në Kumanovë librin, “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”. Nderimin dhe respektin ndaj pedagogëve tanë të Universitetit, e shpreha me librin “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002). Ndërsa një libër të veçantë, me përmbledhje kujtimesh, e publikova  kushtuar një pedagogu e miku tim të paharruar, “Bedri Dedja, në kujtesësn tonë” (Tiranë, 2010). E kisha njohur nga afër, prandaj shkrova e publikova, më 2005, edhe një libër për mësuesin veteran, Salih Myftar Kolgeci (i cili nuk ka lidhje gjaku me mua). Tashmë, janë në “modë” librat jetëshkrimorë. Prandaj nuk shpëtova dot  nga kjo “sëmundje” as unë ?! Kështu, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, botova librin “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010). Vitin e kaluar, bashkë me një grup kolegësh, nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, isha në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin. Mbresat e pashlyera nga ai udhëtim i  bukur, i mblodha në librin “Rrahin zemrat arbërore”.
Ndërsa më tej, pranvera e vitit 2012 do të jetë e paharruar për mua. Me rastin e “Ditës së Mësuesit”, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të Tiranës, përuruam librin publicistik-letrar për fëmijë, “Dorela”. Atë e kam shkruar me rastin e 9-vjetorit të lindjes së mbesës sime ta dashur, e cila e ka atë emër, me tri nota muzikore. Me sa kam dijeni, jam gjyshi i parë në Shqipëri, që e bëj këtë gjë. Po pati të dhënë tjetër, le të më tregojnë (ha,ha). Në prill të këtij viti, bashkë me tre kolegë, ndër ta edhe shkrimtari e miku im, Viron Kona, bëmë një vizitë në Suedi. Pas kthimit në Tiranë, shkrova e botova disa shkrime, në shtyp e  në Internet. Mbresat nga ai udhëtim i kam mbledhur në librin, “Me zemër, në vendlindje”, i cili është në proces botimi.
Nuk po tregoj këtu titujt e disa librave, ku jam bashkautor, po kështu edhe se, për secilin nga librat e mësipërm, është shkruar në shtyp e Internet dhe është folur në radio e televizion. Vetëm për librin “Dorela” janë shkruar artikuj nga autorë me banim në Tiranë, Prishtinë, Lezhë, Francë, Tropojë, Elbasan etj. Sigurisht, kjo gjë më ka sjellë kënaqësi të veçantë, se flitet për “mjaltin e mjaltit”, siç i quajnë mbesat e nipat tanë.

-Urime për librat e botuar, suksese në të tjerë të rinj dhe faleminderit për përgjigjet e sakta e korrekte, shprehur me kaq sinqeritet!

Tiranë, 21 mars 2012



Google+ Followers