Gazetari italian dhe “MENDONJESI” i Rodenit


Nga Vangjel KOÇA



Një gazetar italian i radhës së parë, Arnaldo Fraccaroli, një ditë dëgjoi nga Ford-i në Amerikë:

- Në jetë njeriu duhet të ketë kurdoherë një ide.

- Po të ish e mundur!!

- Gjithnjë është e mundur. Është kollaj të kesh një ide, por është zor që ta realizosh.

Fraccaroli dë-gjoi edhe një tjetër amerikan të madh, Rokfelerin, i cili i tha: – Të gjitha idetë janë të mira, duke përjashtuar natyrisht idetë e këqia. Po vini re: idetë bëhen me të vërtetë të këqia vetëm kur nuk realizohen dot.

Dhe gazetari italian e mbaron me këto fjalë artikullin e tij të bukur që ka shkruar mbi këtë temë këtu e ca kohë më parë në “Corriere della Sera”: – Në jetë është e nevojshme kjo gjë: të kesh ide të prera të asaj që do të bësh. Po të jetë e mundur edhe ndonjë ide të re. Dhe të ngjitesh pas saj me besë e me këmbëngulje. Nga ndonjë herë mundet që ideja të mos realizohet.

Ahere, durim dhe ndërro ide…

Fraccaroli më sjell ndërmend një kujtim të Korfuzit. Këtu e nja dhjetë vjet më parë, në kohën e pushimeve të beharit, po bridhja me disa shokë të mi në sokaqet e ngushta të Korfuzit, që përbën një sintezë të çuditshme të Lindjes e Perëndimit në mes të së cilave gjendet. Në vitrinën e një kartolerie të vogël pamë disa riprodhime të mëdha kryeveprash të artit dhe hymë që të blejmë. Në mes të tabllove zotëronte një, e cila tregonte një njeri me të dy bërrylet të mbështetura mbi gjunjë dhe me mjekrën të mbështetur mbi një dorë; ky njeri duket i përmbledhur krejt në veten e tij dhe duket sikur do që të kafshojë grushtin në një të ndezur dëshpërimi.

Është “MENDONJESI” i Rodenit, të cilin më duket se ka dashur ta ndjekë edhe Odhise Paskali ynë me “NJERIU” -n e tij të goditur.

Edouard Schure ka kallzuar një anekdotë të çuditshme mbi këtë vepër të Rodenit. Këtu e shumë vjet më parë shkrimtari francez vizitoi studion e artistit të madh dhe la mendjen kur pa “Portën e Skëterrës”, që Rodeni s’deshi a s’mundi ta mbarojë kurrë. Ishte skica e parë e një vepre të madhe të skulpturës, me të cilën artisti donte të paraqiste me një sintezë plastike “Skëterrën” e Dante- s. Vërejtjen e vizitorit e tërhoqi më tepër fytyra qëndrore e veprës: “Mendonjësi”,

- Kini dashur, pyeti Schure-ja, të paraqitni me këtë fytyrë një njeri

dantesk apo ta bëni simbolin e një mëkati?

- Jo, u përgjigj Rodeni. Në mendjen time ky njeri duhet të jetë “më i çmenduri i fajtorëvet dhe më i mjeruari i të dënuarve”, -

Ahere, tha Schure-ja, kjo fytyrë më bën përshtypjen e “Skëterrës së Mendimit.” Artisti u duk i goditur nga këto fjalë, nxori molivon dhe i shënoi në mëngën e këmishës së tij. Kur ndonjë vit më pas “Mendonjësi” u stis përpara “Pantheon”- it, Schure-ja njohu me një herë fytyrën e njeriut të dënuar, që Rodeni e kish

vënë në “Portën e Skëterrës”. Këtë fytyrë të pavdekur mund ta shohë njeriu dhe në ndonjë shtëpi të Gjirokastrës në ndonjë tablo artistike, të blerë këtu e nja dhjetë vjet më parë në kartolerinë e vogël të Korfuzit. “Mendonjësi” vazhdon akoma të kafshojë grushtin e tij dhe do të vazhdojë gjer sa të ketë mendim në botë. Njësia plastike në mes të “Mendonjësit” dhe të “njeriut më të mjerë nga të dënuarit”, nuk është kapriço e një artisti, po përfundimi i menduar i një filozofi. Një poet i madh e ka quajtur “mendje fajtore, që grin mishrat dhe zemrën” sëmundjen e pashëruar të njeriut që thuhet “mendim”. Dhe ka qënë një njeri që ka dashur që në porositë e fesë së krishterë të shtohet edhe kjo: “Lum ata që s’mendojnë!”

Është një lumturi që do të kërkohet tërë jetën, sepse mundimi i madh i mendimit lind nga një grindje që s’mund të zgjidhet e s’mund të palcohet kurrë në mes të Njeriut e të Natyrës. Njeriu është i armatosur me një merak për të mësuar çdo gjë dhe që nuk do të mbetet kurrë i kënaqur plotësisht. Natyra e ka dorën të mbajtur, është ziliqare dhe përpiqet të ruajë të fshehtat e panumërta që fsheh në gjirin e saj. Mundet që këtë mundim të mos e njihnin njerëzit e parë, sepse ahere Misteri mbështillte edhe Njeriun edhe Natyrën. Po që kur Njeriu ndjeu se ka një shpirt dhe deshi të mbretërojë mbi gjërat pa shpirt, Natyra s’deshi më ta falë: lufta u egërsua në mes tyre dhe prej saj lindi qytetërimi. Mirëpo gjendemi përpara një ngjarjeje të çuditshme: njeriu më i mjerë që përfytyron “Mendonjësi” i Rodenit, është vetë njeriu që përmbledh në mendjen e tij të gjitha energjitë e jetës.

Mirëpo këtë “mendim- mjerim- jetë” nuk e mundon vetëm Natyra, po edhe njeriu vetë, i cili nuk kënaqet me të robëruar Natyrën, po kërkon që të bëjë zuzar edhe vëllanë e tij, ta bëjë gjë pa shpirt e pa mendim. Këtej lind ndjekja e tërbuar e mendimit që vëmë re në botën pas luftës.

Atëhere? Njeriu që s’ka të drejtë të mendojë le të ndjekë këshillën e gazetarit italian: të ndrrojë ide! Në vend që të mendojë se mendimi duhet të jetë i lirë, le të mendojë, bie fjala, se është më mirë të lakmojë të bëjë para. Atëherë, jo vetëm që do të mundë të ndrrojë brekët e tij të grisura, po do të mundë të ngrejë dhe ndonjë pallat, të blejë ndonjë “Fiat” model i fundit, të lëshojë para me uzurë, t’i heqin kapelen dhe t’i bëjnë temenara të mëdha. Është e vetmja ide e mirë në këtë botë pas-luftarake!

Botuar në vitin 1934

Google+ Followers