Duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane

Kujtesa dhe liria, rikthim te virtytet

Nga Visar ZHITI



…Ndërsa po nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, ish-presidentit Uillson, që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti aq sa ç’është sot prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.
Vështrimi m’u fiksua te cilindri amerikan mbi kryet e shtatores. S’e di pse. Diktatori ynë krahas borsalinës kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. “Absurditet dhe marrëzi vrastare”, – thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Uillsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita. Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mendësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na capërlonin të huajt, po ia bënim vetes.
Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhembjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “Albanian-American Freedom House”, me president z. Muç Xhepa (bashkërisht falënderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndenjjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim, z. Esat Çoku, znj. Engjëllushe e Jadigjar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta ngaqë kam qenë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka pasur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shembur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të “njeriut të ri”, pa virtytet vetjake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.
Si nëpër nënkatet qerthullore të Ferrit, hidheshin rregullisht kundërshtarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash, dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, Homeri i fundit në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do t’ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.
Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvendësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundërkulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.

Në tempullin e kujtesës

duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.
Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka pasur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në lozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin. Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.
Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.

“Shqipëria që shtypej”

megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-s, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma. Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Çoku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafën e Barin, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.
Në njëfarë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes. Diktatura urren dhe shprish dhe donte që shumëçka të fillonte nga e para me to, prandaj dhe zhdukte atë që kishte qenë e para më parë. Harroi dhe dënoi firmëtarët e Pavarësisë, themeltarët e shtetit të ri shqiptar, patriotët, qëndresën e kundër pushtimit fashist, armët që u zbrazën në bregun shqiptar nga Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi me shokë, të cilat ishin të parat në Europë në luftën kundër nazifashizmit, sakrificat e atyre nën pushtim për të mbrojtur vendin, duke luftuar dhe me forma të tjera në mbështetje të qëndresës. Thënë shqip, diktatura përqafimet e tjetrit i quan mbytje, kurse mbytjet e saj i quan përqafime. Diktatura nuk di të bëjë paqe me historinë, prandaj dhe e ardhmja s’ka paqe me të.
Si shkrimtar këtu është rasti të kujtoj me nderim të dhembshur nismëtarët, autorin e romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, të cilin e futën në burg në moshën 82 vjeçare si kundërshtar të regjimit, ku dhe vdiq pas 5 vjetësh. Dhe tragjedianin e parë Ethem Haxhiademi e helmojnë një javë para lirimit nga burgu. Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, kishte mbetur në Itali, ku dhe themeloi në Romë katedrën universitare të albanologjisë. Në atdhe u dënua vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai e dënoi diktaturën komuniste duke shkruar mes të tjerash dramën profetike, e para dhe e vetmja e këtij lloji, “Rrajët lëvizin”, ku si një anti-Oruell, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër në të gjithë Lindjen, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e përllogariti artistikisht, në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e një partie social-demokrate, e burgosën, më pas e internuan, ku punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të. Kurse një shoqen e saj, Sabiha Kasimati, biologe e lauruar në Torino, e pushkatuan mes një grupi burrash kundërshtarë. Dhe emra të tillë prometeanë u zëvendësuan me emrat që përzgjidhte diktatura, të skifterëve që hanin mëlçitë mitike të realitetit.
Tjetër, të gjithë ata patriotë që kundërshtuan fashizmin dhe u internuan në ishullin Ventotene, me t’u kthyer në atdhe që të vazhdonin luftën, përfunduan keq, o i vranë pas shpine, o u vetëvranë, o u burgosën, o mërguan. E theksoj, të gjithë. Sepse nuk duhej të kishte luftëtarë të tillë para datës kur diktatori Enver Hoxha iu bashkëngjit komunistëve dhe jugosllavët krijuan një parti në Shqipëri në shërbim të interesave të tyre duke ngulur atë në krye. Dhe patriotët do t’i caktonin ata.
Prandaj ata që qeverisën vendin në kohën e pushtimeve, që bashkëpunuan me pushtuesin në dobi të atdheut, e theksoj, në dobi të atdheut, kur kolaboracionizmi ishte nevojë e detyrueshme për të shpëtuar jetë sa më shumë, identitet dhe aspirata, patriotë e njerëz të ditur, konsideroheshin tradhtarë. Por ata nuk tradhtuan atdheun, ishte atdheu që do t’i tradhtonte ata më vonë, më saktë sundimi i kuq, që do të identifikohej dhunshëm me atdheun. Kurse klika e Enver Hoxhës, kur Shqipëria s’kishte pushtues, punonte në dëm të njeriut shqiptar, të cilësisë së jetës së tij shpirtërore dhe ekonomike, pra të vendit e në dobi të atyre që nuk donin të kishte Shqipëri ose të ishte shtojcë e ndonjë federate ngjitur a e përunjur, pra ajo klikë duhej të ishte dënuar patjetër. Më shumë sesa neve, që u persekutuam prej tyre, kjo do t’i duhet së ardhmes, brezave që të besojnë se e keqja ndëshkohet, ndryshe ajo fiton imunitet dhe bëhet më e fortë se drejtësia. Po çdo e ardhme fillon me të tashmen.
Qëndruam me ç’mundëm, kur fironin mundësitë e kundërshtimeve, u përdorën dhe përbetimet, shpërndarjet e trakteve të vetmitarëve guximtarë, por dhe metaforat, heshtja folëse. Edhe e fundit, vdekja. Ashtu siç u vetëflijua në burgun famëkeq të Burrelit intelektuali patriot Xhevat Korça, studiues dhe autor dhe ministër arsimi, i pari që kishte kërkuar duel ndaj dikujt që kishte fyer Shqipërinë tonë, një gazetari zviceran, i cili u tërhoq duke kërkuar falje. Dhe kur diktatura e burgosi, ai nisi të parën grevë urie, që sipas Sollzhenicin, është armë e pastër morale. Nëse nuk lejonin të jetoje me dinjitetin e njeriut, ai vendosi të tregojë se do të vdiste si i tillë, si një martir i heshtur tashmë, sfidant. Teksa shuhej madhërishëm, ai na la amanetin e pashkruar se ideali i jetës është më i fortë se jeta nën diktaturë. A nuk kishte vrarë veten si shenjë e rëndë qortimi ndaj luftës vëllavrasëse dhe pedagogu Safet Butka, ashtu siç kishte bërë dhe shkrimtari i famshëm Stafan Cvag, kur po triumfonte nazizmi, megjithëse ishte një kontinent larg? Nderim për ata intelektualë të lartë, që dinë të luftojnë, por nuk dinë të vrasin njeriun. Përdorin Fjalën dhe Idetë.
Gjuha, dënohet dhe ajo. Dua të them diçka, që lidhet me të. Kur poetin Frederik Reshpja e pyetën nëse e pranonte akt-akuzën, jo, u tha duke e dridhur, nuk e pranoj. Pse? Sepse ka gabime ortografike. Kundërakuzë e rafinuar. E para dhe e vetmja. Pra, po na dënonin të vrazhdët, ata që nuk dinin të shkruanin gjuhën e tyre. Nga ky kompleks ata arritën të bëjnë masakra dhe me gjuhën si organ, fizikisht, ja, duke ia nxjerrë me zor nga goja Dom Mark Hasit dhe pasi ia shtrinë mbi tryezën e torturave, i ngulën thikën përsipër. Gjuhës(?!). Folë, pse nuk flet, i ulërinin. Ky akt sikur parandillte metaforikisht atë që do të ndodhte me gjuhën shqipe. Tharjen. Pra, dhe tharjen e mendimeve. Do të vendosej kështu standardi zyrtar, si me thikë, ku një kongres do ta quante gjuhë letrare, duke lënë jashtë mbase gjysmën e thesarit të dialekteve, sidomos të gegërishtes dhe gjuhën liturgjike të shqipes. Natyrisht që askush nuk mund të jetë kundër gjuhës letrare, por ajo nuk duhej të vinte sindërhyrje e partisë së diktaturës. Po të shfletojmë dosjet, kancelaria e diktaturës në fillimet e veta i ka shkresat të shkruara keq, shëmtueshëm, me gabime të rënda jo vetëm drejtshkrimore. Me përmirësimin e shkrimit në vite, u përmirësuan dhe përgjimet, përndjekjet, u bënë më të rafinuara, lufta e klasave u bë profesion dhe makineria e dhunës punonte perfekt, e vetmja në industrinë e asaj kohe. Ka që thonë se kishte rregull atëherë. Po, rregull burgu. Kishte qetësi. Po, qetësi varrezash.
Prandaj ikën dhe erdhën këtej dhe profesor Arshi Pipa, studiues e poet, kundërshtar i hapur, që, me të dalë nga burgu, u arratis bashkë me poezitë e tij. I kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh. I gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepëseje. Këtej punonin dhe profesori i ikur, Isuf Luzaj, poet, narrator dhe filozof. Kur studiuesit dhe eseistit, profesor Sami Repishti, të dënuar me 10 vjet burg si i zhgënjyer dhe kundërshtar, në ditën që mbushi gjysmën e dënimit, i kërkojnë të firmosë pendimin e tij, si kusht që ta lironin, jo, u tha, do ta bëj dhe gjysmën tjetër. Në librat e tij, kur tregon për torturat e tmerrshme, unë nëpërmend tim atë, ashtu ia bënë dhe atij, edhe xhaxhanë, që u shua në tortura. Pasi kreu të gjithë burgun, profesor Repishti, nga, nën hijen e Rozafës, kaloi nën hijen e Statujës së Lirisë. Shqipnia e njëmendtë ishte nën dhé, thotë ai, por po del, besojmë ne. Këtej erdhi për t’i shpëtuar burgut dhe poeti i baladave çame, Bilal Xhaferri. Gjetën patriotë nga Dostët e Dinet, nga Markagjonët e Mirakajt e Agajt, etj, etj. Përmenda disa, me bij të të cilëve jam njohur në burg, që shpesh me fantazi iknim përtej mureve dhe rrethimeve. Do desha të them një detaj të vogël, pa rëndësi, e kam në faqen 93 të librit tim “Rrugët e ferrit”: në birucë, teksa krijoja poezi me mënd, arrita të bëj dhe një për Nju-Jorkun. E pabesueshme. Kur nuk shpresoja se do të mund ta shihja ndonjëherë, kur nuk e dinim se do të dilnim gjallë nga burgu. Nuk guxova ta ruaja për më vonë, se po më dukej vetja i çmendur. Por ja që mbërritëm dhe tek ëndrra më e guximshme. Gëzohem që këtu shoh dhe bashkëvuajtës të tjerë të mi, Hasan Bajon familjarisht, Lekë Mirakajn, Edmond Sejkon, Ilir Spatën etj.
Për fat, kemi 20 vjet që kujtojmë, duke u përpjekur të (ri)edukojmë kohën tonë. Ne jemi ajo që kujtojmë, thotë poet i madh europian, Mario Luzi. Dhe të kuptojmë me doemos. Që lufta e klasave, p.sh. ishte luftë civile në kohë paqeje, sipas meje. Që lufta e klasave s’mund të jetë motori i historisë, se është dogmë vrastare e Marksit se nuk mund të ecë njerëzimi nëpër shekuj e mijëvjeçarë nëpërmjet urrejtjes. Por nëpërmjet dashurisë dhe mençurisë. Dhe pa drejtësi të dyja janë të mangëta.
Që dosjet të hapeshin, shumë veta në Shqipëri ngrinin zërin me të drejtë herë pas here. Krahas certifikimit të krimeve, kërkohet të dihen dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit, ata të policisë politike. Unë kam shtuar që bashkë me listën e bashkëpunëtorëve, krahas çdo emri a pseudonimi, të vihen dhe emrat e atyre që i bënë ata spiunë dhe si. Torturat kanë qenë lemerisëse. Në botë ishin bërë të njohura dhe me Sollzhenicinin, me “Arkipelagun Gulag”, por tani i kanë rrëfyer dhe autorë shqiptarë.
Ndërkaq duhet të kujtojmë ata që nuk pranuam bashkëpunimin me të keqen, edhe kur i torturonin si Dinia që kam përballë bashkë me të birin, Leka, por dhe e shoqja e tij në internim, ku mes shumë vuajtjeve, rrobat e fëmijëve të tyre i arnonin duke përdorur në vend të perit, kur s’e gjenin dot, fijet e gjata të flokëve.
Listës së dytë me emrat e spiunbërësve i shmangen të nervozuar dhe më me forcë ata që kanë forcë. Ndërkaq për sa i përket tranzicionologjisë sonë, do të thosha se ajo zgjati ca si tepër e me mundime, se duhet të bëhej demokracia me kundërshtarët tradicionalë të saj, se duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e kapitalit e të pronës private në doktrinë. Dëmshpërblimi simbolik i të persekutuarve ka qenë i shoqëruar dhe me rritjen e pensioneve të oficerëve të diktaturës, ndërsa presidenca e republikës dekoron ish të persekutuar për qëndresën e tyre dhe ish persekutorë për kryerjen e detyrës.
Një operativ, që u mor dikur ca kohë me mua për të më bërë bashkëpunëtor, më fton në festën e përurimit të fabrikës së vet ushqimore, se kishte respekt tani, thoshte, nga që nuk pranova bashkëpunim me Sigurimin. Po atëherë, kur ai me shokë ma kërkonin me kërcënime kishte respekt? Pyet. Apo e kishte punë që duhet ta kryente me zellin e tanishëm që ka për biznesin, është pronar rishtar, kur të tjerë nuk i marrim dot aq kollaj pronat e etërve? Do të doja që ai me shokë të flisnin, të tregonin.
Duhet t’ia kishit hequr kokën vulnerable kuçedrës së komunizmit ashtu si Herkuli, që ia dogji, që të mos mbinte më, se asaj, duke i prerë njërën, i dilnin dy të tjera, do t’i thoshte Idro Montaneli, themeluesi i gazetarisë moderne italiane, mikut tonë, inxhinierit-shkencëtar dhe studiuesit Mërgim Korça, që ndali për ca ditë në Romë, kur po ikte përgjithmonë për në Amerikë.
Të rizbulojmë vlera duke krijuar të tjera.
Gjithsesi ndryshimet janë të mëdha për të gjithë. Por nuk na duhet një demokraci pa virtyte, theksonte Papa Vojtila. Dhe Shqipëria jonë e vogël ka treguar se mund t’i japë botës së madhe. Të shfletojmë Kanunin, do të gjejmë vlera madhështore. Duhet të besojmë në kulturën tonë dhe të dimë t’ua tregojmë të tjerëve, natyrshëm, ndërsjelltas. Kemi të drejtë të kujtojmë Nënë Terezën, gruan më të njohur të planetit, që bëri profesion dashurinë, investitorja më e madhe e buzëqeshjeve, industrialistja e mëshirës. Nobelistja jonë pati dhe medaljen më të lartë që jep Amerika, atë të Lirisë, e shpallur nga Kongresi “Qytetare e SHBA-së”. Edhe Rugova, Gandi i Ballkanit, Presidenti i parë i Kosovës, thoshte të bëjmë një luftë “Tereziane”. Nënë Tereza futet në 100 personalitetet më të mëdha të botë të të gjitha kohëve. Por kemi dhe dy të tjerë, Kostandini i Madh, që hodhi themelet e qytetërimit europian dhe Justiniani i madh. Çurçilli thoshte se “perandorët nga më të aftët e Romës janë ilirë”. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, është parë dhe si mbrojtës i pa epur i qytetërimit perëndimor, që siç thotë për atë një senator amerikan, edhe Amerika do të ishte ndryshe pa Skënderbeun etj., etj.
Por kanë rëndësi jetike virtytet, përditshmëria e tyre, qëndresa tjetër ndaj asaj që i heq kuptimin jetës, që e bën të mëzitshme apo të keqe apo të padurueshme. Edhe pse i varfër populli ynë, që nuk ka mundur apo nuk u la dot të ndërtonte vepra të famshme, i mahnit të tjerët me virtutologjinë, nga e cila mund të merren shembuj humanizmi. Ja:
1. Bashkëjetesa fetare, një popull me 4 fe që jetojnë në harmoni, pa natë Shën Bartolemeu a plojë të tillë, kur në një familje mund të ishin të feve të ndryshme, madje i njëjti person në shtëpi kishte fe tjetër e jashtë saj tjetër. Kushtet ishin të atilla, përçudnuese, por Zoti – Një. Dhe kjo mjaftonte.
2. Kur kapitulloi Italia fashiste dhe ushtarët pushtues të saj ndiqeshin e vriteshin në vend nga nazizmi i xhindosur, familjet shqiptare strehuan rreth 22 mijë ushtarë italianë, u dhanë bukë e mbrojtje. Pra ata që erdhën si uzurpatorë, u përcollën njerëzisht, madje si familjarë. Vërtet mrekulli biblike, porosi e shenjtë, të bësh armikun vëlla. Ja, që ndodhi në masë në Shqipëri.
3. Gjatë luftës së Kosovës, kur ndodhi eksodi i madh si në bibël, shqiptarët iknin duke mbartur me vete prindërit ashtu si Eneu dardan, kur digjej Troja me të atin mbi kurriz. Ishte fundi i shekullit XX, kur pleqtë braktiseshin në paqen indiferente, i konfliktit të brezave si një mosmirënjohje gjenerale. Shqiptarët treguan të kundërtën, unitetin e thellë etër dhe bij si vazhdimësi sakrificash dhe dashurie.
4. Pritja dhe mbrojtja që u bëri hebrenjve populli ynë gjatë Luftës II Botërore, kur në kulmin e urrejtjes së armatosur i ndiqnin për t’i shfarosur me miliona, është një tjetër mësim për popujt. Shqipëria u bë një lloj atdheu për hebrenjtë. Ka të dhëna se dhe fizikani i madh Albert Ajnshtajni erdhi në SHBA nga Tirana me pasaportë të Mbretërisë Shqiptare.
Pse gjermanët, popull me intelekt të lartë, kultura e të cilëve i ka dhënë botës filozofë të mëdhenj e gjeni në art e shkencë, arriti të kryejë holokaustin, kurse shqiptarët, popull i vogël me analfabetizmin më të lartë në Europë atëherë, mbi 95 % doli kundër dhe i mbrojti me jetë hebrenjtë?
Përgjigja është se shqiptarët kishin të fortë kulturën morale. Ta zhvillojmë më tej këtë kulturë. Nëpër botë flitet dhe për revolucione morale. Se kur ideologjitë marrin pushtet, krijohen tipologji doktrinash e kushte zbrazëtirash që ato futen dhe përfundohet në totalitarizëm, gjë që shqiptarët i çoi në holokaustin ndaj vetes.
Sipas shkrimtarit nobelist Imre Kërtesz, holokausti tashmë është kthyer në kulturë. Nga qëndrimi që mbahet ndaj tij, ne gjejmë se ç’është tjetri, popull apo shtet. Të burgosurit politikë ngjajnë me hebrenjtë e dikurshëm. Se sa e vërtetë është një demokraci, sipas meje, kuptohet nga trajtesa që i bëhet burgologjisë, si shkencë e re dhe praktikisht çfarë bëhet me ish të persekutuarit, që në një farë mënyre janë pararendësit e asaj demokracie. Është ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe shkalla e të kuptuarit të lirisë.
Ish të burgosurit politikë janë deputetët morale të demokracisë dhe nëse ajo tregohet shpesh e plogët me ta, edhe ata nuk duhej të bënim të njëjtën gjë me veten, mund të ishin grupuar asisoj, bllok apo parti për të qenë faktor politik në qeverisjen e vendit. Me sa di, nga askund nuk u është dhënë një ndihmë e tillë.
Dëshira për liri e jetë tjetër më të mirë ju solli juve këtu, në vendin më të fuqishëm të botës,që prodhon forcë, ide e projekte globale, mbron dhe jep demokracinë më të lartë. Deshët të ishit sa më larg asaj që ishte mynxyrë, për ta harruar, por jo vend-lindjen, atdheun, zhvillimet e të cilit i ndiqni me vëmendje, i gëzoheni dhe i trishtoheni ndodhive atje, jepni ndihmesën tuaj në vazhdim të traditës së mërgimtarëve të mëdhenj si Konica e Noli, Baba Rexhepi e Mithat Frashëri.
Ta mirëkuptojmë kulturën e tyre të pranimit të tjetrit dhe të zhvillohet në kushtet e tanishme bashkëpunimi. Filozofi i sotshëm francez Andrea Gluksman thotë se askush nuk ka të drejtë që të mirën e vet t’ia imponojë të tjerëve, por të gjithë bashkë të mblidhemi për të thënë se ç’është e keqe. Përçarja, mëritë nuk na duhen. As mënjanësia. As mosmirënjohja. Korrupsioni jo dhe jo. Mungesa e drejtësisë dhe e dhembjes. Krimet dhe më keq se ato klima e krimit.
Ne i ndjekim me emocion shkrimet që vijnë nga këtej, porositë. Shpirt shqiptar ka dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ne kemi diasporën më të madhe se popullsinë brenda vendit.
Në Greqinë antike kultura erdhi nga ishujt e saj. Arbëreshët thonë se rilindja jonë kombëtare zuri fill me ta, në bregun tjetër. Demokracia jonë e ka të domosdoshme pjesëmarrjen tuaj. Natyrisht që për këtë nuk ka ftesa nga askush, për kurrkënd, prandaj mbetet çështje e vullnetit dhe e ndjeshmërisë shoqërore. Tani janë rritur fëmijët tuaj, janë shkolluar në metropole dhe mëndja e tyre duhet të çojë rreze dhe në dheun amë. Ka ardhur një letërsi tjetër në Shqipëri, desha të shtoja. Mes të tjerash janë ringjallur poetët e pushkatuar Xhagjika, Blloshmi, Leka, Nelaj etj. Kanë dalë Astrit Delvina e Zef Zorba, Trebeshina, at Zef Pllumi, Arbnori, Lubonja, Kalakulla, Ngjela, Musta, Kripa, Bungo, Merlika, Prifti etj. Ndërkohë po botojmë dhe librat e etërve tanë të ndaluar, si të thuash por ribëjmë etërit.
Falë prirjes, Shqipëria jonë në fund të fundit gjatë rrjedhave të shekujve ka ditur të vendoset nga ana e drejtë e historisë, me aleatët e fitores, megjithëse më së shumti e ka paguar shtrenjtë dhe me drama të rënda. Sot jemi dy shtete shqiptare në Ballkan, por një komb, në aleancë me shtetin më të fuqishëm në botë, me kampionin e demokracisë, SHBA. Një aspiratë e hershmejona, intuitë e logjikës kolektive.
Gati një shekull më parë, kur s’kishte televizor, as rrjet ndërlidhës në Shqipëri, as shpërndarje normale gazetash, as hekurudha, aeroporte, ambasada, kryengritësi popullor, ai që thirrej Plaku i Butkës, mbi një pllajë në Jugun tonë, teksa ndiqte me merak Konferencën e Paqes së Parisit duke parë qiellin, thurte vargjet: Rroftë, rroftë Amerika,/ Presidenti i saj Uilsoni/, Me katërmbëdhjetë pika/ i tha botës qëndroni…
Tani jemi në NATO, së shpejti dhe në familjen europiane, ku na takon, jemi truall i saj, histori dhe shpirt dhe nuk mund të zhbëhet, por do të desha ta mbaroj fjalën time prapë me një statujë amerikane me cilindër, këtë radhë prej ere, e Uollt Uitmanit, poemat e të cilit më kanë shoqëruar gjithë jetën, edhe në burg e kam patur librin e tij, që nuk u ndalua, se falë titullit “Fije bari” (Leaves of grass), e dinin libër bujqësor.
Jam i lumtur që ndodhem në qytetin e tij tani, pranë lagjes së tij. Ai është poeti i madh i demokracisë, i Amerikës dhe parandjellës i Europës së bashkuar. Më dukej sikur më mërmëriste, kujdes, se ka turma njerëzish që venë pas atyre që nuk besojnë në njerëz. Madje që vrasin, shtoj unë dhe prandaj jam thirrur në këtë gjyq moral të Nju-Jorkut. Dhe dua të përsëris këtu vargje të tij: O sa të rronj të jem zot i jetës – jo skllav i saj…/ Të jesh me të vërtetë Perëndi! (O while I live to be the ruler of life, not a slave…/To be indeed a God!) Emeritojmë shoqërinë me perënditë e mira! Patjetër mes tyre dhe me perëndinë e drejtësisë. Faleminderit!


Google+ Followers