duert tona, lidhun dashnie



Lisandri Kola, një nga poetët e rinj, konsideruar në letërsinë e pas ‘90-ës, duke i dhënë jetë poezisë gege në lëvrimin e saj. Lirika që burojnë nga sentimente dhe mendime në dëshminë e një alkimie shpirtërore, në një stilistikë vizionare për lëmin e zhvillimit poetik. Një tufë me poezi të vëna në dispozicion nga poeti që e shoqërojnë me poezi nga Martin Camaj, Alban Bala

Lisandri Kola

Erdh çasti

Çasti ynë vdiq, vashë.
Bashkë me të vdiq edhe varka jonë, të cilën e
ndërtuem nji të ejte mbrama.
Edhe Princi i Danimarkës dha shpirt diku aty
kah faqja 130.

Qiri u fik,
e votra kurrigram gacë nuk e ka për me nxehë
duert tueja të njoma.
Por gjithsesi fryma ime e ngrohtë t’i vokë
sadopak thojtë e nximë.

Këpucët e mia i vorrosëm.
Nuk erdhën shumë njerëz.
Ishin a s’ishin shtatë vetë.
Më ngushëlluen me nji heshtje sipër buzëve, e
dolën porsa kumbonët pushuen.

Çasti ynë vdiq, vashë.

Ujqit vazhdojnë përsëri me pi gjak në përrue.
Kanë me se e shuejnë etjen!
Pijnë pa prá.
Janë ulë prej malesh
e kanë et.
E vëllai im e paska pa’ ditë mirë këtë punë.
Domethanë e paska ditë, se ujqit gjithnji kanë
me pi gjak në përrue, deri sa t’u bahet barku
gaviç.

Mos e thashtë Zoti se kanë m’e shue ndojherë
etin!

Erdh çasti ynë, vashë.
E këtë çast bash pika e plastë!



Edhi me kaçurrela

Kishim me thanë se u plakëm, sepse të
plakun patëm lé.

Kishim me thanë se pijanecë na thërrasin,
sepse prej pijanecësh zumë fill.

Varrët tona kurrkush s’i pau e as kurrkujt
s’ia pat anda për me i ndie qysh shkisnin
nëpër trup.

Pse flas në shumës tueqenëse jam vetëm
nji?

Nji edh kaçurrel përplot me poezi
mbushun kresë.
Nji hjedhak që vishet si t’i vinë për mbarë.
Qoftë edhe në rastin kur të tjerët shtrëngohen
fytit me kollare. Apo kur na vijnë do ndrikulla
letërsie tue folë për nji beduin poezie, sikur të
ishte ma i paetshmi njeri.

Devetë kisha me thanë janë kodërza
shëtitëse, të cilat e duen diellin aq sa lulja
breshnin.

Tek vërej barkun tim tue më shkue tek
hunda, në sajë të gotave të kthyeme nëpër
pijetore dylekshe, nuk idhnohem. Bile nisi e
luej me kërthizën time të humbueme
përmbrenda.
Kështu pra, i ajun e i bamë për faqe të
zezë, endem sikur nji edh kaçurrel, i cili nuk
asht se e ven fort ujin në zjerm për do dele,
që gjoja i paska pa’ prekë me shpinë të dorës
Shën Kolli.
Asht pluhun. E pluhnit ia kanda me hy në
biruklat e hundës sime.
Asht dritë. E dritës ia ka qejfi me m’i
marrë sytë.
Asht ftohtë. E të ftohtit ia don dëshira me
m’i ngri majet e gishtave.

Kur pata mësue ma sëpari me heshtë, u
pata shendue aq shumë saqë oraorës e shtoja
dozën e heshtjes. Dikur njerëzit menduen për
mue se më kish pa’ ikë goja, sepse kisha pa
Orët tek sorollateshin oborrit tim. Patën
thanë se qysh kur kisha nisë me leçitë poezi,
kisha dalë mendsh, ngase libri të ban dam. Të
ban budallë. Libri të marron. Cok sikur mue.
E të gjithëve u vinte keq.

Por, kur më ndienin tue folë, thoshin se
ndoj mrekulli kishte ndodhë me mue. E kur
prapë bahesha i heshtun, o Orët o libri e
kishin fajin.

Jam e s’jam këtu në dhomën time teksa
shkruej këto vargje. Jam, sepse i ndiej tastet
ndërsa shtypen krismas. S’jam, sepse kundroj
vetëm trupin tim, i cili rrin si nji gja e
lëshueme përmbi karrige, dhe shpirti im
tashma ka fluturue përmbas atyne shajnive
përskaj agut cullak, e të rrëzuem bërrylash.


A thue

A thue u lindëm, lule,
për shpresën e bjerrun
a për qiellin e çamë?
Për shejtën gjithfarësh
e për thika në asht.
Për peshën e fjalës,
për sytë në përçmim,
e për kryqin e dheut.

Edhe zanit në zallë,
qafa i thyhet,
dalun mundit të madh.
S’asht koha e lendinave
e e dredhëzave të fjetuna
gji lisash.

Trumcakë shkrrye asfaltit
e fry të ftohtit.
Koje buke e sqepa bosh.

Por, duert tona,
lidhun dashnie
kësaj ere kanë me ia zanë frymën.
E lendinave kemi me shkue
tue shkelë qesh e qesh.

Bjerrë asht shumëçkaja
(edhe pse këtë fjalë ti s’e don)
por në skajin ma të butë
kemi me zatetë.
Atje ku na kemi me i këndue
të lumtun njeni tjetrit.


***

Alban Bala

E PARA MBETET FJALA…

Unë mendoj se të mendosh është një mendim shumë i fismë
Të gjesh se të vërtetat janë të vërteta për gjysmë.
Të flasësh duke heshtur është një urti’ perëndish
E të dridhesh nga dyshimi se të dish është shumë frikë…

Unë mendoj se të mendosh është një guxim pak i tepërt
Kur as vetja s’të pyet çfare do të bësh me veten…
Kur krejt bota të sheh si një pemë pa kurorë
Që lidh fryte në dimër e çel syth’ në tetor.

Por të mendosh në këtë mot është një lodhje e kotë
Humbje kohe pa grat’, ves i mbetur, një modë
Dalëboje, kjo jetë nuk të pret as të rrosh, as të shkosh,
Ti veç mund të jesh
Si kalliri pabukë me kokën përpjetë.

Të durosh një mendim që të lodh ditë e natë
Si ta shmangësh gjykimin e botës përqark
Se atëherë je i zi, je cinik, firaun
Nuk bën dot vend për njerëz e do mbesësh kërcu’…

Dhe krejt bota mbi shpinë ta fshik si kamzhik
Gisht e fjalë, helm e vrer. Atëherë ku të ikësh?!
Kur dhe emri të le e fati t’braktis
Ç’ka t’u desh të mendoje? Fjalën ta bësh pis?

Se deshe një vend ku ta lesh zemrën peng
E të rrosh pa u dridhur, rritur shtat e mend
Të flijosh djersë e shpirt, të këndosh lavd për Zot
E njeriun ta shohësh drejt ne sy pa pas’ ndoht…

Ku ta çosh një mendim që dhe ashtin ta bluan?
Një dëshirë që e fsheh dhe një frikë që e druan
Se të mendosh është një krim përballë gjithë njerëzisë
Që ka gjetur rehat, që nuk do të lafisë

E ta vuajë dyfish: trup e shpirt, gjak e lot…
Dora që s’kafshohet ndoshta s’puthet dot
Por shtrëngohet. Shtrëngohet sa damarët t’i plasin
E fati si gjaku per fyti behet lak…

E sado që të them se të mendosh është virtyt
Përsëri une mbetem një njeri i arsyeshëm
Që heshtjen ka cak si qefinin e bardhë
Por fjala… fjala ishte e para… E para mbetet
Fjala…

***

Martin Camaj

Drandofilles

Pranvera e lulelve
Nuk del pa ty, drandofille!
Drandofille e kuqe si gjaku
Përvlues në zemrën e t’riut,
o ndjesija e eme,
ku nji mij dishire
e kanë folen e tyne
Era e jote, moj drandofille e zemrës.
Asht si kanga e zogut ndër lugje
Në veshin e njeriut me dhimba
Asht zani i malit në vetmi,
nji pikë vese në gjethin e shkrumuem,
ngrofsija e frymës
e nji poezije së gjallë


Dashtuni e prendueme

E ndjeva n’fundin e shpirtit dhe ‘i herë
Si motit at za,
si mik që vjen me m’pa,
si barkë, që kthen në lima,
si shpres’që hyn me rrezet e diellit
nëpër hekra në burg.
E ndjeva si lulet që mardhen
erën në Jug
a si flladin e Verit kur vjen me luejtë
me gjeth në terr
dhe iku si drita e hyllit të rrxuem
kur bjen në mal.

KUJT T’I FLASËSH SOT

Kujt t’i flasësh sot? Vëllezërit janë të ligj;
e pamundur, sot, t’i duash miqtë, lakmia sundon
gjithkush pasurinë e fqinjit grabit.
Kujt t’i flasësh sot? Fisnikëria s’gjendet më,
Gjithkujt i ka plasur cipa.
Kujt t’i flasësh sot? Kush ka fytyrë të kënaqur
është i lig, kudo nëpërkëmbet mirësia.
Kujt t’i flasësh sot? Nuk shihen më fytyrat
secili e fsheh fytyrën përpara vëllait.
Kujt t’i flasësh sot? Lakmitare janë zemrat,
njeriu nuk ka zemër ku mund të mbështetet.
Kujt t’i flasësh sot? Nuk ka më njerëz të drejtë,
pre e keqbërësve është toka.
Kujt t’i flasësh sot? Jam mbushur me mjerim
e nuk di as kujt t’i besoj.
Kujt t’i flasësh sot? S’ka kufij
mëkati që vendin po sfilit.

*Nga “Biseda mes një njeriu të lodhur nga jeta dhe shpirtit të vet”, papirus i Mbretërisë së Mesme, (2000 – 1500 p. K.). Poezi e lashtë egjiptiane, mblodhi dhe përktheu Zimo Krutaj


Standard

Google+ Followers