Dr. Veli Stafa (Platonicus) në 74 vjetorin e vdekjes, kush ishte gjeniu i lënë në harresë


Zbulohen fakte të panjohura për Veli Stafën, nga vlerësimi i Ndre Mjedës deri tek poezia e Qemal Stafës kur mori vesh vdekjen e vëllait

Nga Altin Sinani



Jeta dhe familja

Më 18 Mars 2013, mbushen 74 vjet nga vdekja e Veli Stafës, njërit prej intelektualëve më të shquar dhe shkrimtarët më të talentuar që ka nxjerrë populli ynë. Ai kishte lindur ne Elbasan më 1915 në familjen e oficerit madhor kolonel Hasan Stafa i cilësuar si një nga oficerët e Pavarësisë Kombëtare. Nëna e Veliut, Sabire Dylgjeri ishte bijë e Veli Dylgjerit (Çelebi) nga një familje e dëgjuar e Lagjes Kala në Elbasan.

Babai Veliut kishte studiuar në Akademinë Perandorake të Manastirit (Maqedoni) në vitet e fundit të shek. 19 (Manastir Askeri Idadisi) ndërsa më vonë në Stamboll në Akademinë “Harbije” (Erkani Harbije Mektebi) ku është diplomuar me gradën toger më 1902 duke patur bashkëstudent dhe mik të ngushtë, udhëheqësin e ardhshëm të Turqisë Republikane, Gazi Qemal Ataturk.

Më 1920 Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes fut në shërbim Hasan Stafën dhe i jep gradën e Majorit për shkak të veprimtarisë së tij në favor të pavarësisë së Shqipërisë nga zgjedha otomane.

Veli Stafa më 1922 regjistrohet në Kolegjin e Etnëve Jezuit në Shkodër ku ishte shpërngulur familja nga Elbasani sepse i ati ishte emëruar Drejtor i Zyrës së Rekrutimit. Në Kolegjin e Jezuitëve, një nga shkollat më prestigjioze të kohës në Shqipëri, Veliu ishte një nga nxënësit më të shkëlqyer në mësime. Tregon prof. Injac Zamputi se kur po plotësonte dëftesën e maturantit Veli Stafa më 1932, prapa shpinës i vjen D. Ndre Mjeda profesori i gjuhës shqipe dhe i thotë: ”Injac, këtu vendos dhjetë me bojë të kuqe sepse për këtë nxanës nuk mjafton dhjeta e zakonshme. Dhe u largua duke thurur lëvdata për maturantin Veli” (“Nëntori” gusht 1960).

Duke qenë një nxënës i tillë, Veli Stafa në shtator 1928, është i vetmi nxënës i besimit mysliman në përbërje të delegacionit të Kolegjës së Etnëve Jezuit i cili së bashku me rektorin e Kolegjit At Lanfrank Steccatin, nënrektorin Atë Lorenc Viezzoli, me nxënësit e tjerë Andrea Stefi, Kolë Xhuxha, Gac Lecin,Gjon Kirin, Karl Seminin, Enrik Gurashin, Ernest Bushatin, Rozar Dodmasej, Gulielm Dedën, e urojnë në Pallat Ahmet Zogun me rastin e shpalljes së tij Mbret i Shqiptarëve.

Më 1932 ai regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Bolonjës (dëftesa me notë të kuqe ndodhet edhe sot në atë Fakultet) dhe diplomohet me 1938 duke mbrojtur temën: ”Kufizimet martesore nga pikëpamja e përmirësimit gjenetik”.

Emërohet mjek në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku ishte drejtor Dr.Ismet Gega e bija e të cilit Bedrija, ishte martuar me djalin e tezes të Sabiresë, Ali Bejtja.

Aty shërben vetëm se 7-8 muaj sepse sëmuret nga T.B.C dhe shtrohet në Sanatoriumin e Golnikut afër Lubjanës. Kurat e Dr. Neubauer nuk dhanë rezultat dhe për këtë arsye i shoqëruar nga vëllai i tij më i vogël Qemali, shtrohet në sanatoriumin e Rueil Malmaison në Paris ku vdes më 18 mars 1939 dhe varroset më 2 prill 1939 në Teqen e Madhe bektashiane në Elbasan e cila administrohej brez pas brezi nga familja e nënës. Në një miting tek Ura e Tabakëve ku u mbajt edhe një fjalim lamtumire, rinia e kryeqytetit përcolli për në Elbasan arkivolin me trupin e shkrimtarit dhe edukatorit të saj të dashur të mbështjellë me flamurin kombëtar. Edhe sot e kësaj dite mbahet mend varrimi i tij në Elbasan ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë të këtij qyteti.


Veprimtaria letrare

Në botën letrare të viteve ’30, Veli Stafa njihet me pseudonimin Platonicus të cilin e kishte zgjedhur për tu bërë i njohur se lufton për një dashuri të pastër midis njerëzve.

Krijimtaria e tij si poet, prozator, publicist, ditarist është e pasur në mendime, përparimtare dhe revolucionare në frymë, realiste në përmbajtje kurdoherë me dinjitet artistik.

Veli Stafa pagëzohet për herë të parë si letrar më 1931 me tregimin “Vorri i Vetmuem” botuar në disa numra të gazetës “Ora” që botohej asokohe në Tiranë.

Pastaj më 19.4.1932 boton poezinë “Lules së Venitun” poezi të cilën ia kushtonte vajzës Lili Moisiu. Pas pesë muajsh boton poezinë e dytë “Andrrimi dhe e vërteta” kushtuar Gertës, një vajze mendjeflutur dhe fallse.

Në Prill 1934 boton “Xhixhillojës së Shkodrës” dhe në korrik 1934, boton “Ashtu ishte shkruem”.

Në shkrimin “Nji letër e bardhë me vija të zeza”, Veli Stafa ngrinte i pari në letërsinë një temë të mprehtë dhe urgjente që do ta trajtonte shumë më gjerë shkencërisht më vonë në tezën e doktoratës së tij universitare: “Kufizimet martesore nga pikëpamja e përmirësimit gjenetik” të mbrojtur në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Bolonjës më 1938.

Veli Stafa periudhën e fillesës në fushën e shkrimeve në shtyp (1932-1934) e mbyll me botimin e poezisë “Vlorës” (nëntor 1934) një poezi kjo patriotike kushtuar qytetit simbol të luftrave kombëtare për liri. Po kështu edhe në poezinë “Kosovës së robnueme” ku në moshën 16 vjeçare dëshmohet tepër qartë edhe qëndrimi i këtij të riu në lidhje me problemin e Shqipërisë etnike.

Në shkrimin “Puhina letrare” bën analizë dhe ngre lart përkthimin e Bukolikeve të Virgjilit nga Et’hem Haxhiademi duke iu kundërvënë disa intelektualëve që mbronin tezën se gjuha shqipe nuk i ka mundësitë që të përkthejë klasikët.Në këtë shkrim të botuar tek “Minerva” më 1934 ai thotë se “gjuha shqipe është në gjendje që të përkthejë klasikët madje pa e përçudnue aspak gjuhën e popullit”.

Veli Stafa provën e parë në fushën e krijimtarisë dhe të mendimit kritik e kalon faqebardhë dhe plot premtime në radhët e të rinjve përparimtare të viteve ’30.

Poezia “Si bij të po nji nane” është një poezi intime me shumë interes për të kuptuar Veliun si njeri, për të kuptuar ndjenjat dhe dashurinë e tij për njerezit. Kjo poezi na e jep që fëmijë ashtu siç ishte në të vërtetë: jashtëzakonisht të dashur e të dhembshëm sidomos me moshatarët e skamur. Në të njëjtën kohë na e jep me etje të pashuar për të lexuar veç librave të mësimeve edhe libra të tjerë të cilët i kishte në bibliotekën e babait, mjaft e pasur për kohën.

Biblioteka “Stafa” ka qenë dhe është një nga më të pasurat biblioteka familjare në Shqipëri. Krahas librave në gjuhë të huaj frëngjisht, italisht, turqisht, gjermanisht, latinisht, greqishte e vjetër) ka patur edhe libra të botuara me shqipen e parë të Kongresit të Manastirit madje edhe më të hershëm.

Sidomos bien në sy vepra të rilindësve të S. Frashërit, N. Frashërit, F. Nolit, L. Gurakuqit, Gj. Fishtës, botime të Klerit Katolik e Mysliman etj, etj.

Po në vitin 1932, Veli Stafa shkruan poezinë e tretë të tij “Toka-nanë dhe Liria” kushtuar tempullit pellazg të Dodonës. Është interesante të theksohet se ky i ri famës dhe lavdive të lashtësisë shqiptare nuk i drejtohet me nostalgji prej romantiku. “Tek ti o Dodonë, Bajroni kërkonte më kot një lavdi që ka perënduar prej shekujsh bashkë me Zeusin dhe Afërditat. Tashti është koha të perëndojnë të gjithë zotat dhe shoqëria shqiptare e sotme të çajë përpara për lavdi të reja” , thotë nënteksti i poetit tonë të ri duke lënë të kuptohet vetvetiu se vetëm kështu do të kenë kuptim edhe lavditë e së kaluarës.

Brenda fare pak viteve qe ne bankat e liceut Veli Stafa lexonte në origjinal poetët klasikë grekë si Safon, poetët dhe shkrimtarët klasike latine si Horacin prej të cilit shqipëronte edhe poezi te tij si Ciceronin prej të cilit i pëlqente shumë veprat “De amicitia” ku nënvizohet se ç’do njeri duhet te jete i ndershëm dhe i dobishëm. Me anë të italishtes dhe të frëngjishtes, Veli Stafa lexonte mendimtarë, shkrimtarë dhe poetë nga më të shquarit e botës që prej lashtësisë gjer tek bashkëkohësit e vet si shkrimtarët e shquar francezë Victor Marguerite dhe Andre Gide. Dy libra të Niçes të lexuar e të nënvizuar prej tij, qëndrojnë edhe sot në raftet e bibliotekës së familjes së tij: “Ecce Homo” dhe “Kështu foli Zaratustra” në italisht. Tek “Ecce Homo” të cilin pasi e ka lexuar ia bën dhuratë vëllait të tij më të vogël Qemal Stafës me diçiturën: “Qemalit, që të studjojë gatuesin dhe krijuesin e diktaturave moderne të kohës sonë”. Nga kjo rezulton një fakt interesant se ai si mendimtar i madh kishte bërë lidhjen ideologjike të filozofisë së nihilizmit të Niçes me diktaturat e kohës, nazi-fashizmin e bolshevizmin.

Poezitë, portretet, skicat, tregimet, shkrimet publicistike të botuara nga Veli Stafa janë nga më interesantet, shpesh herë më tabllo tronditëse (poezia “Para nji kafke” botuar tek “Përpjekja Shqiptare”) nuk u mirëpritën nga Ernest Koliqi i cili tek “Illyria” e datës 7 shtator 1935 i cilësoi poezitë e shkrimtarit të ri 20 vjeçar si të përshkruara nga “një pesimizëm pathetik prej të cilit vjershëtari i ri duhej të ruhej fort, e nji realizëm të zi që vende-vende merrte trajta antipoetike”.

Është interesant të theksohet se ky cilësim e shoqëroi poetin Veli Stafa edhe për shumë kohë në vitet e socializmit duke e damkosur si një poet pesimist dhe të papërshtatshëm për ideologjinë zyrtare të kohës. Këtu e ka origjinën edhe fakti që ai figuron në Antologjinë e Letërsisë të botuar më 1942 por nuk bën pjesë si poet i viteve ‘30 në pjesën më të madhe të botimeve në vitet e socializmit e deri më sot. Kulmin e pjekurisë së Veli Stafës si mendimtar dhe si artist, e përbën cikli “Kërkoj një idhull” botim i majit 1936 tek gazeta “Illyria”. Atëherë ai nuk ishte vetëm se 22 vjeç.

Në fund të vitit akademik 1937-1938, Veli Stafa u jep fund me sukses të plotë edhe studimeve universitare dhe merre diplomën “me lavdërim”. Dhe kështu ai shkëputet siç thoshte vetë nga “vitet më të bukura të djalërisë” dhe arrin tek pragu i spitalit emër ky që për atë tingëllonte si “emër magjik e i trishtueshëm” që atij i dukej si “faltorja më e shenjtë e detyrës dhe e dashurisë njerëzore”, si “altar i madhnueshëm e i patrandun i ndjesive njerzore”, si “altar i naltuem mbi dashurinë e vertetë,larg eksploatimeve false e narkotike të mjegullave të kemit frymëmarrës”.

Poeti, prozatori, publicisti, ditaristi Veli Stafa profesionin e tij mjekësinë e donte shumë saqë arrinte ti drejtohej kësaj me dashurinë më të sinqertë: “Të adhuroj edhe atëherë kur burgos brenda katër mureve jetën e mjekëve të rinj”, “edhe kur plak para kohe djem plot shëndet e dëshirë për dëfrim”. Shkrimtari Andrea Varfi i cili ka bërë analizën e mësipërme, thotë që askush në vendin tonë nuk ka arritur që ti thurë mjekësisë një apoteozë kaq poetike plotësisht të ndjerë si kjo që i thurte mjeku i ri Dr. Veli Stafa.

Mjekësia, vazhdon Andrea Varfi, që ka si ideal shpëtimin e njeriut në imagjinatën e mjekut poet Veli Stafa kthehej në një simbol, në simbolin e shpëtimit të njerëzimit edhe nga plagët shoqërore.

Dr. Veli Stafa shpall me krenari: “Të adhuroj o mjekësi pse ti nuk humb në sofizma të thata e pa fryt;pse ti pa u tallë në lodra fjalësh e arsyetimesh gënjeshtare, ngul thikën tande aty ku ma e qelbët është plaga;përvëlon e djeg vendin ma të fshehun që përmban krymbin dinak e rrënues”. “Ah! kish tu përdorshe ti, mjekësi, edhe në fusha të tjera; kish të mundte thika jote magjike të çrrënjosë sa e sa plagë morale e shoqnore. Ah! sa mbarë do të shkonte bota: sa mirësi do ti shtohesh farës njerzore!“, thotë Veli Stafa ndër të tjera tek “Ditari i një universitari”. Fatkeqësisht, ky intelektual, kjo figurë e madhe e personalitet i shquar i popullit shqiptar, është lënë në harresë të plotë duke e fshirë padrejtësisht nga Antologjitë e Letërsisë ku i takon vend nderi krahas Migjenit, Poradecit e të tjerë poetë të shquar të plejadës së viteve ’30.

Vijon nesër
Poezi e Qemal Stafës kushtuar vëllait të tij, Dr.Veli Stafës (Platonicus)
HIJES SË TIM VLLAI*

U linde

në atë vit të tymosun

plot dhimbje,kur njerzia

mjes vehtes si bishë ish kacafytë.
U rrite,

mjerimesh i brumosun.

Në fmini

ty prore uria

të mësoi këtë shekull të ndytë

me e urrejtë e me e dënue.
Krenar,

që shkëlqimi gënjeshtar

i kësaj bote,të shkrryeme

ndër balta monedhore,

s’mundi

mbas vehtes me të hjekë zvarë,

vlla,kur sytë i kthyem

Ndaj të rejave llogore,

Premtuem bashkë na me luftue!
Atëherë,

të dy na ecëm nëpër botë,

kudo tue pa mjerime

që zemrën peshë na e çojshin.
Na thanë:

“Lodhja e juej,djelm,asht e kotë;

pse nuk shkoni ndër gëzime ?”

E rrugën tonë me e premun dojshin,

ata që në pupla jetën kanë kalue.
Vazhduem

shkrepat e vrazhdë tue kapërcye

për me arrijtë dikur në fitore.

Por ah,se rruga,shok,të lodhi !
Kujtuem

se në vrull të ri me mësye

do të mundshim dorë për dorë;

por ah,se frymën vdekja ta vodhi,

e luftën s’mundëm bashkë me e vazhdue…
I vetëm

do të kthehem rishtas në ato ana,

ku luftat që,heu,s’mbarove,

në shkambinj,të rrebta presin,
Flamurin,

që në zit ë bukës me lot qendisi nana

dhe që të pashë unë se e vajtove,

mos druej,pa krahë ai kurrë s’do të jesi,

bri timit prorë kryenaltë ka me value !
*Poezi e bërë sapo mori vesh për vdekjen e vëllait të tij në Paris. Burgu i Vjetër i Tiranës (1939)

Google+ Followers