Ç’është njeriu i pagdhendur?!


Immanuel Kant



Lexime filozofike/ Pjesë nga libri “Ese në filozofinë historike dhe politike”, përzgjodhi dhe përktheu nga origjinali gjermanisht Gaqo Karakashi, botimet “Fan Noli”


1468. Vazhdimi i historisë së gjinisë njerëzore
Ku mbështetet përftimi (krijimi, prodhimi) i gjithë kësaj përsosmërie, të cilën filozofi kiliast e beson dhe e nxit sipas mundësisë?
Në përsosmërinë e kushtetutës qytetarë (ajo do të ruhej [mbahej, qëndronte] përjetë). Vetëm aty zhvillohen të gjitha talentet, bashkimi më i madh drejt qëllimeve komunitare nëpërmjet ligjeve të jashtme dhe qëndrueshmëria më e madhe e kësaj gjendjeje nëpërmjet mënyrës më të mirë të të menduarit personal.
Liria, ligji dhe dhuna [forca].
Qytetari duhet të jetojë patjetër nën regjimin e ligjeve, të cilat i ka nxjerrë per vetveten (liria, barazia) dhe këto ligje duhet të fitojnë patjetër vendosmëri [fuqi, energji] dhe qëndrueshmëri nëpërmjet dhunës [forcës] së papërballueshme.
(Njeriu është një kafshë, që ka nevojë për mësim dhe disiplinë. 2. që përparon në gjini drejt paracaktimit të tij. 3. që në shoqëri ka nevojë për një usta [sundues, sovran]).
1.Ligj dhe liri, pa dhunë [force]: Anarki.
2.Ligj dhe dhunë [force], pa liri: Despotizëm.
a.Liri pa ligj dhe dhunë [force] kjo është gjendja e të
egërve.
b.Dhunë [force], pa liri dhe ligj: Qeverisje [drejtim, udhëheqje, sundim] barbare
Cilat janë shtysat, që natyra i përdor për të prodhuar shoqërinë qytetare? Ajo përdor xhelozinë, mosbesimin, veprimet e dhunshme, të cilat i shtrëngojnë njerëzit që t’iu nënshtrohen ligjeve dhe ta braktisin lirinë e egër. Prej këndej vjen zhvillimi i të gjitha dhuntive të mira natyrore.
(Historia e çdo populli mund të shihet si një përpjekje e natyrës per të krijuar [instaluar] një kushtetutë të përkryer qytetare. Historia e shteteve si përpjekje për të drejtën ndërkombëtare).
Shoqëria qytetare si shtet në lidhje me jashtë është deri tani ende në gjendjen e natyrës së egër: liri dhe dhunë [force], pa ligj.
Natyra vepron këtu pikërisht që ta shtyjë drejt një lidhje [federate] të popujve. Vetëm nëpërmjet paqes së përgjithshme (varrezë kishe) mund ta fitojë përsosmërinë e saj edhe brendësia e kushtetës qytetare.
Me cilin rregull duhet të ecë ky perfeksionim?
Metoda e një shkrimi kozmopolit të historisë.
Karakteri i njerëzimit konsiston në dhuntinë e zhvillimit të përsosmërisë nëpërmjet lirisë me anë të shtysave të shtazërisë që i kundërvihen njëra tjetrës që nga minimumi i zhdërvjelltësisë natyrore.
(Raca njerëzore e arrin lumturinë në tërësi veçse në gjendjen e egërsisë (në formë negative); por predestinimi [paracaktimi hyjnor] gjithashtu nuk e ka pajisur njeriun për këtë gjë, përkundrazi e ka pajisur që të bëhet i denjë për lumturinë).

1499. (Çdo kafshë e arrin paracaktimin e saj veç e veç. Tek njeriu gjinia e arrin paracaktimin e saj si krijesë e arsyeshme vetëm pas një serie ngjizjesh. Zhvillim fundor i të gjitha dhuntive, si i talenteve ashtu dhe i mënyrës së të menduarit. Fillimi: barazi fizike; fundi: barazi morale dhe unitet i shoqërisë.
Shumë popuj nuk përparojnë dot vetë më tej. Groenlandasit. Aziatikët. Kjo duhet të vijë patjetër nga Evropa. Amerikanët të shfarosur. Përparimi që nga grekët).
(Çdo krijesë ka paracaktimin e vet dhe e arrin atë). (Historia e njerëzimit është e ndryshme nga ajo e njerëzve. Njerëzimi fiton ose humbet).
Paracaktimi per njeriun (e veçantë): 1. Duke mbajtur parasysh shtazërinë; 2. Duke mbajtur parasysh njerëzimin (e racës njerëzore).
Lidhur me sojin si kafshë nuk është presupozuar se ai mund të qeveriset nga arsyeja; duke mbajtur parasysh njerëzimin, d.m.th. përsosmërinë sipas ligjeve të arsyes, shtazëria i është dorëzuar tërësisht arsyes.
Njeriu është një kafshë, që ka nevojë dhe që është i aftë për një disiplinë nëpërmjet arsyes. Një njeri i palatuar [pagdhendur] është: ai që nuk ka marrë asnjë disiplinë, një njeri i lig: ai që nuk e pranon disiplinën e arsyes.
Paracaktimi duke mbajtur parasysh shtazërisë është shumëzimi dhe përhapja, sepse njeriu ishte paracaktuar për çdo zonë të botes. Paracaktimi duke mbajtur parasysh njerëzimin: zhvillimi i të gjitha talenteve, shfrytëzimi i të gjithë natyrës dhe respekti më i madh për përputhjen [harmonizimin] dhe rregullat.
(Domosdoshmëria e shtrëngimit qytetar nëpërmjet të ligës së njerëzve. Mosbesimi kundrejt njëri tjetrit e bën të mundur (dhe të vijueshëm) shtrëngimin shtetëror [zyrtar]. (Veprimtaria e dhunshme e bën të domosdoshme shtrëngimin qytetar). Shtrëngimi shoqëror. Shtrëngimi i ndërgjegjshmërisë: moral. (Efekti kryesor i gjendjes qytetare është shtrëngimi për veprimtari)).
(Njeriu është një kafshë, që e ka të domosdoshme udhëzimin (kulturën), edukimin e rreptë [disiplinimin], një usta dhe një moral.
Mosha e fëmijërisë, e djaloshit, e burrit. Rusoi: për gjendjen natyrore.
(mos është e domosdoshme që të rikthehemi në pyje? Njeriu natyral është nga ana fizike më i përsosur (si kafshë, gjithashtu më i lumtur, më i lire); por njeriu qytetar është me moral lidhur me njerëzimin. Barra dhe mjerimi).
(njeriu është në përparim drejt përsosmërisë, e cila vjen [rrjedh] nga e tëra drejt çdo pjese).
Shkencat nuk janë për paracaktimin e njerëzve të veçantë, por të racës njerëzore, për ta përsosur këtë dhe për të përmirësuar të keqen, që po shtohet nëpërmjet lluksit.
(Sipas Rusoit paracaktimi natyror në lidhje me shtazërinë hahet [grindet] me atë në lidhje me njerëzinë; prej këndej vjen gjithë e liga).
Synimi i predestinimit [paracaktimit hyjnor] ishte vërtet që të krijoheshin popuj, por ata nuk duhej të shkriheshin njëri me tjetrin. Prej këndej vjen krenaria kombëtare, urrejtja kombëtare dhe xhelozia patriotike. Pamundësia për t’i mbajtur [ruajtur] gjatë shtetet e mëdhenj.
Çifutët dhe turqit nga krenaria fetare. Indianët nga obligimi fetar. Francezët dhe spanjollët nga karakteri dhe doket. Ky është një mekanizëm që mbështetet tek instinkti dhe të cilin duhet ta zbusë patjetër arsyeja. Luftërat.
Përsosmëria e fundit: Lidhja [federata] e popujve. (Organi shtetëror. Njeriu i veçuar humbet, por fiton si gjymtyrë e të tërës, dhe është tani në përparim drejt përsosmërisë).
Shtrëngimi shtetëror [zyrtar] zhvillon talentet (dhe virtytet) dhe përsos zakonet [moralin], prej nga buron një shtrëngim i dytë i mirësjelljes (estetikisht) (zakonet). Paracaktimi i tretë i njeriut është se buron një shtrëngim i moralshëm (i jashtëm) nëpërmjet opinionit të pastruar të të tjerëve për nderin e vërtetë, kur pa ndershmëri nuk mund të fitohet asnjë post, asnjë femër, bile asnjë marrëdhënie [shoqëri]. Edukim i mirë dhe nocione të sakta të klerit. Është vetëm e domosdoshme që të shumohet zakoni për t’i shfaqur publikisht respekt [nderim] vetëm virtytit, p.sh. predikuesit. Nuk ka nevojë që të bëhet më e mirë zemra, përkundrazi sentimenti [ndjenja]. Udhëheqja [autoritetet] nuk pyet për virtytin. Gjykimi lidhur me këtë gjë është në duart e publici. Mund ta heqësh respektin [nderimin] per dike, pa e ofenduar atë. Ne e drejtojmë me kënaqësi njeri tjetrin. Moraliteti është tani i izoluar. Pemët kanë nevojë për njëra tjetrën, pikërisht që të rriten. Më i miri është shtrëngimi nëpërmjet ndërgjegjes.
Gjendjet e ndërmjetme.
Prej ku do të fillojë përmirësimi. 1. Lidhja [federata] e popujve. 2. Kontrata sociale. 3. Edukimi.
Deri në ç’shkallë duhet të jetë mekanik edukimi. Disiplina. Kultura.

Unë besoj fort se duhet të zhvillohet ende të gjitha embrionet e të mirës. Ato ndodhen tek ne; njeriu ishte krijuar para tërësisë shoqërore. Kjo duhet të fitojë së pari përsosmërinë më të madhe dhe brenda saj çdo individ. Madje si e tillë përsosmëria zgjat gjithmonë.
Le të ketë qenë çfarë të dojë gjendja e parë e njerëzve, rregulli i natyrës e mbart tani me vete që e mira të burojë nga e liga ose për ta thënë më saktë që forca shtytëse, e cila i shtrëngon që të zhvillohen embrionet e fshehura të së mirës, ndodhet tek e liga dhe se pa shtysën e të ligës ato do të mbeteshin përgjithmonë të fshehura. Kështu qëndron puna me njerëzit si një lloj kafshe.
1.E veçanta e njerëzimit është se (njeriu ka nevojë për edukim) njerëzimi duhet t’i shpikë [gjejë] vetë të gjitha të mirat dhe se duhet t’i sigurojë vetë nëpërmjet lirisë (mangësi e instinkteve artistike)
2. Se njeriu është bërë për të jetuar në shoqëri dhe se formohet [arsimohet, zhvillohet]
3.Se i tërë lloji përparon drejt përsosmërisë.
4. Se njeriu nga foshnjëria e çdo forme ecën drejt rritjes [pjekurisë]
5. Zhvillim fundor i të gjitha dhuntive natyrore. Pakënaqësi me vetveten: Ideali.


Google+ Followers