BAXHUL MERKAJ, MIK I PANDARË I “IKONAVE” SHQIPTARE…



Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


M.Gecaj


1.
Shpesh herë, në sallën kryesore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, në kryeqytetin Tiranë, organizohen përurime librash. Rasti e ka sjellë që, paraprakisht i ftuar, aty jam ndodhur disa herë edhe unë. Sigurisht, secili përurim libri është një ngjarje e shënuar, si për autorin e familjarët, miq e dashamirë të tij, por dhe për lexuesit. Ndërsa  dy përurime, që janë bërë aty, kanë patur të veçantën dhe bukurinë e tyre. Mikpritësi ynë, shkrimtari e studiuesi Baxhul Merkaj, na ka sjellë aty, përmes dy librave të tij, jo vetëm 24 “hyjnesha” ose “perëndesha të bukurisë”, por disa prej tyre kanë qenë të pranishme edhe  fizikisht.
Të flasësh ose të shkruash për rolin e pazëvendësueshëm në familje, shoqëri e jetë, të nënave, grave e motrave tona shqiptare, është diçka e njohur dhe, ndoshta, e tepërt. Ndërsa të marrësh penën e të shkruash dhe të publikosh jetën dhe veprimtarinë e disave nga ato, më të zgjdhurat, sidomos në fushësn e artit e kulturës, është një detyrë e bukur, atdhetare e shpirtërore. Këtë mision të rrallë e ka nisur dhe po e vijon, kolegu e miku ynë i mirë, Baxhul Merkaj.
Ja, ndër duar kam tani dy libra të tillë, që ai ka shkruar. (Për të parin, kam publikuar një shkrim modest, në Internet). E veçanta, që i dallon nga librat e tjerë, siç u shpreha dhe më lart, është se, që në kopertinë dhe në faqosje, fofografi e të tjera, është zgjedhur nderimi i merituar, që u bëhët atyre nga ky autor. Sigurisht, një gjë e tillë është shprehur edhe gjatë atyre përurimeve. Është shkruar disa herë, nga autorë të ndryshëm, për këta libra. Janë shprehur edhe shumë lexues, në shtyp e në Internet. Por, e ndiej për dëtyrë që të  shkruaj edhe unë pak fjalë, megjithëse kanë kaluar pak muaj nga publikimi i librit të dytë.

B.Merkaj, i pari-djathtas, bashkë me disa “ikona”, në përurimin e librit të tij



2.
E thashë që në fillim, se e përbashkëta e “ikonave” ose “zanave” a “drenushave”, për të cilat ka shkruar kolegu e miku Baxhul Merkaj, është shpirti i tyre atdhedashës e liridashës, etja për dituri e kulturë, prirja për të bërë më të mirën e mundshme, në profesion e në jetë.
Ja, nisia ta shfletoj këtë libër dhe përpara më del fytyra e buzëqeshur e juristes Mimoza Sadushi. Atë nuk e njoh as e kam takuar ndonjëherë. Por është autori i librit, që na e sjell aq afër.  Përveç historive rreth jetës dhe shpirtit njerëzor të saj, çfarë mund të bënte ai më tepër për të, se sa të shkruante edhe një poezi të tërë e, në mbyllje të saj, të shpërthente me vargjet e bukur e domethënës: “…Se ti ishe  dhe mbetesh vetë dashuria./ portret i çiltër në telajon e piktorit,/ muzë që nuk shterr në poezitë e poetëve./ Mozë, mike e stuhive, motër e hënës nazike,/ bijë e ujëvarave, që rrjedhin lartësive,/ në një tokë premtimesh njerëzore!”
Ndërsa Sadije Kryeziu-Bejtullahu, na paraqitet me ato foto të bukura e shprehëse, por dhe “ikonë” përmes fjalëve të autorit të librit. Ka patur arsye ai, ku ka nisur të rrefejë për lexuesin:” Ti, e mbarte Kosovën me vete, si peng fjale e gjaku, si katakomb dashurie, që nuk e nxë asnjë hartë, asnjë enciklopedi. Ti, ecje  rrugëve të botës së madhe e mbillje dashuri, se e dije që një ditë do ta korrje këtë dashuri…Kosova do ta korrte barin e freskët dhe aromëdehur të lirisë!” Autori është i bindur, kur i përmendë tri bijat e dashura të Sadijes: Rinën, Bleonën e Didejonën, aty në Londër, që e nderojnë me çdo gjë mëmën e tyre. Një ditë, ato “do të rrefejnë  për mëmën e tyre, Sa-Dije-n, që nuk ishte thjeshtë një nënë e mrekullueshme, një grua e përkryer, por një simbol i  botës femërore…”.
Shkrova pak radhë vetëm për dy “ikona” të këtij libri. Por tani e ndiej, se sa e vështirë është, që ta nxitësh përfytyrimin e lexuesit edhe për 12 të tjera! Megjithatë, përligjem para vetes, të paktën, t’i shënoj me “gërma të arta” emrat e tyre. Se janë të përzgjedhura nga autori, për sa e sa cilësi të tyre: njerëzore, shpirtërore, profesionale, familjare, shoqërore e tjerë Megjithatë, po vazhdoj në detyrën e një” recensenti të paanshëm” dhe me synimin e mirë, që të them diçka për këto “ikona”.
O, tani po e shoh, se cila qenka ajo e treta: Irini Qiriako, emër i një këngëtareje shumë të njohur për brezin tonë. Në fillim, ajo na paraqitet në një fotografi rinore, me sy depërtues e rrezatues. Se të tillë e kemi parë atë kurdoherë në skenat tona, që i ka ndezur ato “flakë”, me zërin e saj shpërthyes e melodioz. Jam kureshtar të lexoj, se çfarë ka shkruar autori për të. Dhe ja, ndalem, që në titullin, “Irini, trëndafil i këngës”dhe,  më tej, në këto radhë: “Diva e plifonisë shqiptare, Irini, doli nga salla dhe njerëzia u turrën për ta parë, për ta cekur fustanin e saj”. Ndërsa më tej: “Ajo ka shetitur globin tokësor, sepse zëri i saj brilant është përherë në udhëtim. Zëri i saj, i dehu lëndinat, pllajat, korijet, ahishtet, çajret dhe rrugët e botës shqiptare; mori dhenë, në botën globale, me kryefjalë dashurinë…”. Autori e përfundon shkrimin e tij me vargje: “Ecën dhe në buzë të këndojnë/ erërat e Jugut, valët e detit,/shtrunga e hënës pi në bebëzat e tua/ kaltërsiën e ujërave të fshehta,/ që jonet e këngëve të lashta sjellin…”.


Kopertinat e librit të dytë, nga B.Merkaj, për 14 “ikona” tjera

Vallë, për kë e ka fjalën autori, kur që në titull shkruan” Dalldisej jeta te buzët e saj”? Kërshërinë tonë e plotëson ai, me gojën e personazhes së tij: “Emri im është Mehrnoush. Kam lindur në Iran, prej një familjeje të klasës së mesme.Unë kam një baba shumë të sjellshëm dhe nëna ime ishte shumë e hapur në mendime dhe inteligjente. Gjatë gjithë jetës së saj ka punuar për njerëzimin, gjithmonë na ka nxitur për të lexuar dhe për të qenë krijuese”. Ndërsa më tej zbulohet edhe profesioni i kësaj artisteje: “Mbi të gjitha, ajo mbjell dashuri në çdo cep të botës, kudo që shkel jo vetëm me kmbë, jo vetëm me mendje e fantazi, por edhe me ëndrra, me pikturat e saj…”.
Margarita Xhepa, “Ofelia” është personazhja tjetër artiste e madhe e skenës shqiptare, për të cilën Baxhul Merkaj ka shkruar me nderim, dashuri e respekt. Fjalët e tij janë shumë, por unë zgjodha këto radhë: “Ajo është nënë, bijë, grua, e dashur. Heroinë e një kohe, që ende nuk ka ardhur. Sikur të ishin dhjetëra e dhjetëra gra e vajza shqiptare e mbërbotërore, që u digjet shpirti për to  dhe ata, që lindin…fëmijët…nëna Margaritë, që fëmijët kurrë s’e kanë ditur se kur ka fjetur gjumë…Sepse për Margaritën: Ofeli, Hekubë, Ajkunë, Tanushë, Artiste Virtuoze, nuk ka kohë, në konceptin e zakonshëm të kohës…”.
Ja, përpara më dalin disa fofografi të një këngëtareje tonë të madhe, me të cilën jam takuar dy vjet më parë, në shtëpinë e saj, aty në Prishtinë. Autori sikur e ka “zbuluar” mendimin tim, kur që në titull ka shkruar: “Mbrëtëresha e këngës shqiptare…është e përjetëshme, sa vetë përjetësia”. Po cila është kjo, vallë? Nexhmije Pagarusha quhet ajo dhe kur e shqiptojmë emrin e saj, përfytyrimin e çojmë larg, në sa e sa skena shqiptare e botërore. Me zërin e saj brilant ajo i ka kënduar me zjarr Kosovës e lirisë së saj, Shqipërisë dhe mbarë trojeve arbërore. Duk e quajtur “hyjneshë”, autori shprehet për të: “U bë i përbotshëm timbre i zërit tënd melodioz; zëri yt, fëshfërimë pylli në univerin  e ndjesive më të ëmbl, simbol krenarie…”. Ndërsa më tej: “Kryevepër e interpretimit, ku Pagarusha shndëritë me një vezullim thuajse hyjnor, sikur vjen nga kopshti i parë i botës, nga koposhti i parajsës, ku ka këputur mollën baritore të maleve tona. Këtu, ku meritor është kompozitori Rexho Mulliqi e poet Rifat Kukaj, ajo njohu një nga majat e artit muzikor”. Në mbyllje, autori shpërthen me vargje zemre: “Po kërkoj një biletë për në qiell,/ se toka nuk mjafton për të shijuar magjinë tënde,/ Pagarushë, nusja e bukur e Kosovës!...”
Do të më duheshin faqe të tëra, vetëm sa për të skicuar portetet e “zanave” a “drenushave” shqiptare, të cilat ai i quan “ikona”, për të cilat autori Baxhul Merkaj ka derdhur të gjithë talentin e frymëzimin e tij. Megjithatë, duke  u kërkuar atyre ndjesë për këtë gjë, po shënoj këtu, se të gjitha e meritojnë nderimin dhe respektin e lexuesve, por dhe mbarë shoqërisë sonë: Drita Aga, “zonjë e bekuar, mike e mirë e detit dhe e poetit”; Jackie Lima, me “një ëndërr të kahershme për ta parë Amerikën”; Miradije Ramiqi, bijë e Kosovës, “mesazhere jo vetëm e estetikës brilante, por dhe e kohës së njeriut të vërtetë”, që na mrekullon me “bulëzat e shpirtit” të saj; aktorja Hajrie Rondo ose “Tana”; këngëtarja Maya Aliçkaj ose edhe “Argjiroja”, siç dëshiron ta quajë autori; piktorja indiane nga Kalkuta, Chandana Khan; Brunilda Mumajesi ose “sirena”, që bën sfilatë në bregdetin e Vlorës.
Sa kënaqësi ndjeva, kur në mbyllje të këtij libri “gjeta” portretin për një tjetër “ikonë”, “zanë”, “nimfë” a çfarë ta quajë tjetër, për “legjendën e gjallë të këngës shqiptare”, Vaçe Zela. Në këto çaste e risjell në kujtesë atë, gjatë një shfqajeje, në Pallatin e Kulturës së Tiranës. Ishin vitet e diktaturës dhe ato kishin ndrydhur mendjet e ndjenjat edhe të këngëtarëve. Ajo doli para shikuesve, me mandolinën saj dhe nisi të këndojë. Por nuk ishte e lejuar të lëvizte nëpër skenë, gjë që ajo e dëshironte shumë. Megjithatë, shikuesit e duartrokitën nxehtësisht dhe kështu ajo sikur u çlirua nga një “ngurosje” e detyruar në skenë. Prndaj dhe autori e fikson, me nderim e respekt,  portretin e saj në vargje, duke i venë epitetet më të bukur dhe duke u shprehur me çiltërsi: “Me kitare flisje me qiellin dhe zogjëve u çoje mesazhe…/ O gjeni, kohën e fiksove në notat muzikore!”
3.
Në përfundim, lexuesin e këtyre radhëve po shënoj diçka për autorin e librit, për të cilin shkrova më lart. Baxhul Merkaj është studiues e kritik arti. Ka lindur në Lapardha të Vlorës, në vitin 1944. Me dëshira dhe prirje për artin, mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, më 1964 dhe Akademinë e Arteve, më 1971.  Ka shkruar e publikuar  afër 400 artikuj, esse dhe intervista, brenda e jashtë Atdheut, sidomos kushtuar figurave të shquara të artit shqiptar. Ka merituar dy çmime kombëtare, në publicistikë dhe është autor i disa botimeve të tjera. Përmendim këtu edhe librin e tij të bukur e domethënës, me titullin “Personalitete elitare të artit shqiptar”, si një enciklopedi e veçantë, për disa nga artistët tanë më të njohur, nga të gjitha trevat shqiptare. Në faqet e tij, ai ka bërë një përmbledhje të jetëshkrimit dhe të veprimtarisë së disave nga këto figura, që nga Aleksandër Moisiu, Sandër Prosi, Odhise Paskali e Ibrahim Kodra dhe deri te artistët e ditëve tona.
…E di, se jam  ca “i vonuar” me këto shënime modeste edhe për një fakt të besueshëm. Se kam shpresën që ai vazhdon të qendrojë në “pararojë”, me shkrimet e ti. Pra, do të ketë përgatitur për botim edhe vëllimin e tretë, kushtuar të tjerave “ikona” shqiptare. Ndërsa, “borxhin” moral, ndaj kolegut e mikut Baxhul Merkaj, po e “shlyej” në një datë të shënuar për të gjithë ne: në Festën e Ditës së Verës, kur nisë ripërtëritja e çdo gjëje në natyrë, së pari, e shpirtit krijues të shkrimtarëve e artistëve, gjithë të njerëzve të penës e skenës. Prandaj, për tërë këtë punë kaq të vlefshme, e përgazojmë dhe e urojmë atë, nga zemra!

Tiranë, 14 mars 1013

Google+ Followers