TË HJEKIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE


At Anton Harapi





Retro/ Lideri politik dhe shpirtëror, At Anton Harapi, në konferencën e mbajtur në Korçë në maj të vitit 1935, iu drejtua intelektualëve shqiptarë, ku për herë të parë ai rrëfeu jetën e krishterë, moralin, filozofinë, idealin, pse shqiptarët nuk arrijnë vëllazërimin




Pengime q’i duhen kapërcye: E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurrë. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse ortodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli pse katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare! Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.
1. Pengimi i parë, per shërimin e kësaj plage të kobshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në gangrenë, po nuk u shërue, me dorën e nji kirurgu taftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mohojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristianë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnor qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botënisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.
2. Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristianë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatërresa.
Shaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik tonin me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrranjosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhduki krejt idenë “kaurr”, ashtu për nji predispozicion të bam petk, si kristiani i sotëm edhe i nesërmi, qenë e pa qenë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto re të helmueme.
2. Faktori psikologjik Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me ketë dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instinktive, qi kohën e kalueme ndihmoi shumë për të shpëtue shpirt, gjuhë, zakone e tradita tonat; në se qe fat i madh asohere, sot për jetën tonë shoqnore e kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh për ditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetes së vet: ata e dijnë fare mirë shka don me thanë jetë e përbashkët, e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat qi lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithkëtë, hir e pa hir, duen të bajnë atë të vetën; duen, vetëm ata të jenë të mendshëm, ata gjela qi këndojnë. E po gjetën injoranta, trashamana, hypokritë, servila, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbë, pa shpirt, edhe të ngrehen kapadaij, udhëhjeksa, pionierë, a shka po dij unë. E ja klanet, partitë, prej nga rrjedhin dasitë e, kontrastet shoqnore: hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba nji grimë pozicion me taktikë vërtet djallore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin, a por sa ta çekin sustën e besimit, se ja, gati nji turmë për t’i ndjekë;e ja, se me nji herë qiti krye çashtja e besimit në shqiptarë, me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristianit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi; këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete dhe me u dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, me sa mica e qeni, nuk beson as në Krishtin as në Muhamedin, por formon klane për Dinin ase për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjekë për me qenë ai krye. Deri qi të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm, nuk ka qetësi në Shqipni…

TË HJEKIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sod në këtë krizë të tmerrshme besimtarëvet të të tre elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë të hjekim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi-shoqit e të vëllaznohemi në njatë Zot qi besojmë e në njatë Shqipni qi e duem me gjithë zemër. E po e patën detyrë besimtarët nji herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohet dora-doras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ia shpëtue shqiptarit besimin në nji Zot, shpresën në nji Shqipni. A sod a kurr të mobilizohemi për fe e atdhe! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia qi po na zhduket ndër duer. Bashkimi i tri klereve në ketë drejtim e veprim, asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sod as Xhamija pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena as tjetra pa Shqipni. Të ngrehemi në kambë. Për nji Zot të vërtetë e për nji Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!
Korrik 1944

NJI KUSHTRIM PËR KULTURË

… Kur ta bajmë shqiptarin taftë qi vetë ta kërkojë, vetë ta gjejë dhe vetë ta shfaqë të vërtetën, kemi ba shkencëtarin; kur ta bajmë të zotin qi ai vetë t’i vendojë parimet e drejta të jetës dhe këtyne t’u rrijë me dijtë ç’me dijtë, e kemi çue shqiptarin në kulmin e mirësisë: kemi ba fatosin, qi me fuqinë e vullnesës përfton vepra morale të rendit botnuer. Tue ia mprehë shqiptarit ndjesitë, e bajmë të mrrijë me ndie në shpirt shfaqjet e së vërtetës dhe të mirësisë, atëherë ai i përket, tërhiqet, rrëmbehet, atëherë shpirti i tij jipet, përpiqet, aj nuk pushon derisa të gjej format e mjaftueshme për t’i shprehë ato madhni, ato ideale fisnike për të cilat rron. Dhe ja kemi ba artistin….

Standard

Google+ Followers