Një vit më parë ...

Irma Kurti


Kjo poezi është shkëputur nga libri  me poezi: “Shihemi në një tjetër botë”.

Vjeshta përplas në dritare
rrëke lotësh me ngashërim.
E rrethuar me albume,
nuk gjej prehje, as qetësi.


Të gjitha fotot i kthej mbrapsht,
shoh datat, muajin, vitin.
Humbas në pyetje pa përgjigje
dhe me veten time çuditem.


Ti një vit më parë më thoshe
se më doje pafundësisht,
vdekjen mund ta pranoje,
por pa mua jetën, kurrsesi.


Sot marrim frymë pa njeri-tjetrin,
të ndarë një shekull a më tepër.
Ke harruar gjithçka timen,
rreth nesh ka vetëm heshtje.


Vazhdoj si në një lojë bixhozi,
fotografitë i kthej mbrapsht.
Datat më duken jo të vërteta
si kjo ditë vjeshte më vjen të qaj.


Një vit më parë...

Google+ Followers