Ndahet nga jeta shkrimtari i librave për fëmijë Skënder Hasko

Skënder Hasko

TIRANË - U nda sot nga jeta në moshën 77-vjeçare shkrimtari i njohur i librave për fëmijë Skënder Hasko. Ceremonia mortore e shkrimtarit do të zhvillohet nesër në Dukat të Vlorës, në vendlindjen e tij. Skënder Hasko u lind më 2 mars të vitit 1936. Gjatë karrierës së vet ka punuar në revistën “Hosteni”, në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, kryeredaktor i revistës “Pionieri” dhe drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve. Aktualisht ishte redaktor në shtëpinë botuese “Toena” - sektori i letërsisë për fëmijë. 

Libri i tij i parë është “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971. Gjatë gjithë periudhës ka botuar 7 romane për fëmijë e të rritur, 1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma, si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa herë, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndyshme të botës, si rusisht, greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: “La Fonteni”, “Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”, “Tasim Gjokutaj”. 

Njëzet vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë. Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, ai u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”. 

Veprat: 
Romane: “Të burgosurat e Xhuxhumit”, Sh.B. “Toena”-1997; “Legjenda e fshatit tim” (për të rritur), Sh.B. “Alta”, Tiranë-1998; “Një “gjeneral” kapet rob”, Sh.B. “N. Frashëri”-1997 dhe Sh.B. “Extra” -2001; “Arratisja e Tupe Xhelos”, Sh.B. “Toena”-2000; “Dimri iku duke qarë”, Sh.B. “N. Frashëri”- 1982, Enti Botues “Lira”-1998 dhe Sh.B. “Mësonjëtorja”-2003; “6 muaj nga jeta e Besianit”, Sh.B. “Toena”-2002; “Dardanët janë aty”, Sh.B. “Toena”-2007. 

Novela: “Ne ishim partizanë”, Sh.B. “N. Frashëri”-1979; “Çimi dhe roboti budalla”-1982 dhe 2003; “Çudirat dhe e fshahta e Zamirit”, Sh.B. “N. Frashëri”-1983 dhe Sh.B. “Extra”- 2002; “Mbreti i tigrave” (përrallë), Sh.B. “Toena”-1996; “Ata që të bëjnë për të qeshur”, Sh.B. N. Frashëri”-1987 dhe e ripunuar me titull “Oh, ç’na bënë të qeshim”, Sh.B. “Toena”- 2004; “Arushi hundëkavanoz” (përrallë), Sh.B. “Toena”-1998; “Lepur ishte-lepur mbeti” (përrallë), Sh.B. “Toena”- 2001; “Një sherrxhi mustaqemi (përrallë), Sh.B. “Pegi”-2004; “Kocomiu tekamadh” (përrallë), Sh.B. “Toena”- 2004. 

Monografi: “Xhafer Peçi- Njeriu që nuk u lodh kurrë”, Sh.B. “Toena”-2007. 

Përmbledhje me tregime: “Në do nuse-gjej taksi” (tregime humoristikë për të rritur), Sh.B. “N. Frashëri”-1976; ”Faqemolla mundi Hundëpinokun”, Sh.B. “N. Frashëri”-1985; “Me litar të botës, mos hyr në pus”, Sh.B. “Toena”-1996; “Ndodhitë e Çaço Gabimit”, Sh.B. “Toena”-1996; “Maçoku i katrahurës”, Sh.B. “Neraida”- 2000 dhe 2008; “Byrekët e Shegës”, (satirë për të rritur), Sh.B. “Toena”- 2007. 

Përmbledhje me përralla të shkurtëra: “Dinakja me vesh të grisur”, Sh.B. “N. Frashëri”-1990, Sh.B. “Rozafa”-1999 dhe Sh.B. “Extra”- 2003. 

Poema: “Drita e Drinit”, Sh.B. “N. Frashëri”-1972; “Orkestra “Vijnë pisokët”, Sh.B. “OMBRA GVG”- 2002. 

Vëllime me poezi: “S’jam e vogël”, Sh.B. “N. Frashëri” -1971; “Vallja e shkronjave”, Sh. B. “N. Frashëri”-1975, “Rilindja”-Prishtinë-1984 dhe Sh.B. e Librit Shkollor-Prishtinë në vitet 1985, 2000, 2001 dhe 2002, Sh.B. “Extra”-2003 dhe 2008; “Qeshin kafshët shtëpiake”, Sh.B. “N. Frashëri”- 1975 dhe Sh.B. “Mësonjëtorja”-2002; “Vaje halli, këngë malli”, Botimet “ASD”-2000; “Eh, mor Teli, ç’na gajase”, Sh.B. “Mësonjëtorja”- 2002; “Ah!...” (poezi për të rritur), Botimet “ASD”-2004. 

Drama dhe komedi (të botuara, të vëna në skenë dhe të transmetuara në radio): “Vendi nuk mbetet bosh” (dramë për të rritur), “Pas mësimit”, “Lulushi ra nga teli” (komedi), “Tip-tap 5x5” (komedi), “Dy netë në kasollen tonë”, “Kjo nisi në autobus”, “Pëllumbat e hekurudhës”, “Në ditët e luftës”, “Na llogarisni edhe ne”, “Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë”, “E papritura e një nate”, “Një ngjarje pas lojës”, “Gabimet e Altinit”. 

Pjesë për teatrin e kukullave (të vëna në skenë në Teatrin Kombëtar të fëmijëve në Tiranë, si dhe në teatrot e Peshkopisë, Beratit e Vlorës): “Kalorës të rinj”, “Ariu i vogël Çiçitak”, “Kacamicri kërkon shokët”, “Gëzojmë e thumbojmë”, “Kush po vjen?”, 

“Kocomiu tekamadh”, “Veza “bum” e zogu “ciu” etj. 

Skenar filmi artistik: 

“Një “gjeneral” kapet rob”(nderuar me diplomë në Festivalin e Salernos-Itali) 

Janë vlerësuar me çmime nga Juritë Kombëtare të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të Shtëpive Botuese dhe të Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj: 

“Një “gjeneral” kapet rob”, “Qeshin kafshët shtëpiake”, “Dinakja me vesh të grisur”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit” (me dy çmime), Oh, ç’na bënë të qeshim”, “Çimi dhe roboti budalla”, “Pas mësimit” (pjesë teatrale), “Në ditët e luftës” (pjesë teatrale), “Tip-tap 5x5” (komedi). 

Gjithashtu janë nderuar: novela-përrallë “Mbreti i tigrave”, me çmimin “La Fonten” dhënë nga ambasada franceze; novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz”. me çmimin “Viktor Eftimiu” nga ambasada rumune, romani-përrallë “Të burgosurat e Xhuxhumit” me çmimin “Xhani Rodari” nga ambasada italiane (një kopje e diplomës së këtij çmimi është vendosur në muzeun e Xhani Rodarit, në Itali); romani “Arratisja e Tupe Xhelos” me çmimin “Tasim Gjokutaj” nga Shtëpia Botuese “Toena”; romani “6 muaj nga jeta e Besianit” u cilësua si libri më i mirë i vitit në Panairin 2005 nga Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. 

Ka marrë “Dëshmi Mirënjohjeje” nga Shoqata Atdhetare për Dëshmorët e Atdheut” dhe “Çertifikatë Mirënjohjeje” nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, në të cilën thuhet: “Mirënjohje për jetë për veprat tuaja të mrekullueshme letrare, nëpërmjet të cilave janë edukuar breza të tërë në Shqipëri. Mirënjohje për kontributin Tuaj të shquar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e dashurisë për Njeriun, Atdheun, për shkencën e diturinë, për çdo gjë të bukur që fisnikëron shpirtin e njeriut.” (04.04.2006) 
Pjesë të krijimtarisë të tij janë përkthyer në greqisht, rusisht etj.

(er.nu/BalkanWeb)

Google+ Followers