Lëçitësi - Nga Mitrush KUTELI (Botuar më 1944)


Mitrush KUTELI 

Lëçitësi është, si dihet, destinatari i librës. Prej numërimit të tij dependon shtypja edhe çmimi i kësaj. Si fakt i vitit 1943- veçanërisht i muajit të fundit – konstatojmë shtesën e atyre që kërkojnë librin shqipe. Kjo, më një anë, si reakcion shpirtëror pas ngjarjeve Prill 1939 -Shtator 1943, edhe, më anën tjetër, si pasojë e mbylljes së rrugëve për sjellje librash të reja që jashtë. Me gjithë këto numërimi i lëçitësve shqiptare mbetet shumë i vogël në raport me viset e tjera.

Sepse:

a) jemi komb i vogël (më i vogli i Europës);

b) Kemi një përqindje të madhe analfabetësh (më të madhen në Europë);

c) Kemi një borgjezi e cila nuk lëçit, përgjithësihst ose në lëçit këtë e bën këtë në një gjuhë të huaj;

d) Kemi një klasë lëçitës-arësimtarë, nxënës dhe nëpunës përgjithësisht-tepër të profesionalizuar në vitet e fundit.

Nga të gjitha këto shkake shqipe nuk mund të dalë përveç se në sasi të kufizuara (3000-5000 copë) dhe me çmime të ngritura.

Editurat

Një veprimtari editure, e vetëm editure, nuk kemi në Shqipëri. Kjo është dhe mbetet një ankesë e një tjatër veprimtarije: veçanërisht e librit ose e shtypshkronjës. Kemi pra editurë-autorë, editorë-shtypëshkronjës, e mbase edhe editorë-autorë. Shkaket kuptohen lehtë nga determinanti ekonomik i numrit të blerësve të librave, sepse editimi vetë, (pra editimi i thjeshtë)nuk i lejohet një firme një shvillim ekonomik me një fitim në nivelin e veprimtarive të tjera tregtare. Në se në muajt e fundit është ditur një lëvizje më e madhe botimesh me fitime afta për editorin- librar ose editorin- shtypshkronjës, kjo u detyrohet këtyre shkakeve kryesorë:

a) mos-pagimit të të drejtave të autorit ose pagimi i do-një shumë tepër të vogël;

b) sigurimi i një sasije karte me një çmim më të ulët;

c) çvelërsimi i monedhës;

Kuptohet se, njëkohësisht, dyke ndjekur e realizuar fitmet e tyre, sipas nivelit të fitmit të tregut, editurat kanë ndihmuar një lëvizje kulturale të çquar.
Shtypshkronjat

Duke konstatuar se numri i shtypshkronjave teknika e shtypjes kanë treguar një zhvillim të dukëshëm në vitet e fundit. Për fat të keq ky potencial iu pat falur – në vitet 1943 si dhe më parë- shtypshkrimeve për nevojat e tregëtisë, së industrisë dhe administratës së vendit. Një klient me rëndësi i tyre pat qënë edhe ushëtrija e cila paguante çmime mjaft të ngritura. Dhe duke qëndruar gjer në Shtator 1943, kur nga mungesa e një tjatër veprimi më me fitime, filluam t’i kushtohen veprimit të shtypjes së librës, duke ngritur gradualisht çmimet e fitimet në nivelin e fitimeve të tregut e mbase dhe mbi këto të fundit. Kur shtypshkronjat u bënë edhe editura rënduan librat dhe çmimet abuzivisht të larta, dyke i dhënë shkrimtarit ose shqipëronjësit si kundërvleftë të një pune krojonjëse, një spango të dorës së tretë, për t’u varur.
Librari

Numuri i librarive u pat shtuar e shumuar në vitin 1943 në gjith viset e Shqipërisë. Kuptohet objekti i këtyre kryesor pat qënë libra italishte e cilla sillte fitime të mjafta. Librari, si tregtarë që është, i shtyrë prej ligjit e rentabilitetit, i dha shvillim më të math librës së huaj dyke shpërngulur librin shqipe nga vitrina e ndriçuar në merimangat e qilarit.

Dhe për këtë s’ka se qysh të quhet fajtor librari i cili, si tregtar, ka qint për qint të drejtë. Vëndi që duhej të kish libra shqipe e zuri- jo për italofili, por për mungesë rentabiliteti – libra italishte, e cila përveç dyzet ose pesëdhjet për qint sillte edhe premio-n valutar të lirë-si ish e si është- e kërkuar prej një mase të madhe lëçitës, e hëngri librin shqipe të shtrenjtë e të shëmtuar e cila nuk jap përveç 25-40% fitime. Po për këtë, e përsëritëm edhe një herë, s’ka se qysh quhet fajtor librari i cili vepron pas ligjit ekonomik të rentabilitetit.
Shkrimtari

Shkrimtar në kuptimin e profesionistit të lirë që rron nga librat e tija nuk kemi në Shqipëri. Dhe s’mudt të kemi! Nuk e lejon numuri i lëçitësve dhe as veprimtari tregëtare e editorit i cili do të kërkojë të realizojë, për vete, fitime në nivelin e fitimeve të tregëtive të tjera. Kur se në vise te tjera – të popujve të përparuar – nj a dy libra, realivisht të kërkuara prej publikut, i japin shkrimtarit mundësi për një jetësë mjaft të gjërë,në Shqipëri me prodhimin e tyre s’ka se qysh kalon muajin. Ne nuk kemi këtu se për këtë fajin e ka shtypshkronja, editori ose librari, sepse ato janë tregtarë edhe veprojnë vetëm si pas tregëtisë (efort sa më të vogël, fitim sa më ta madh), po vetëm konstatojmë një fakt.

Nga ky shkak – shkak ekonomik, prandaj edhe vendimtar- shkrimi në Shqipëri duhet të jetë një veprimtari e dorës së tretë ose të mos jetë fare. Pra kuptohet se kësilloj prodhimi letrar kufizohet fort. Ky, mos-shpërblimi i autorit, për një mundësi jetëse normale është një nga shkaket permanente të vobekësis letrare në Shqipëri, i cili ka vepruar edhe në vitin 1943. Kurse në vendet e tjera profesioni i shkrimtarit është një yll në ballë-sepse shkrimtari përfaqëson sensibilitetin e kombit-në Shqipëri, midis Scyla-s e Caribda-s, numrit të vogël të lëçitësve e të fitimit të editorti në nivelin e fitimeve tregtare të pjacës, shkrimtari, në qoftë se nuk ka tjera mundësi jetese, lypset të hyjë në taborin e bark-boshëve e të këpucë-grisurve.

Nga tryeza e industrisë së librës, farkëtari i saj, shkrimtari, lipset të kënaqet me pjesën e qenit: thërrimet që bëjnë poshtë. Kështu legjenda e ngrehjes së Urës së Artës gjen plotësisht simbolet e saj; gruaja që bëhet fli për të mbajtur urën është autori; mjeshtëri që e murosën janë editorët edhe shtypshkronjat; udhëtarët që kalojnë lart mbi urë, dyke fërshëllyer, janë liçitësit.

Lëçitës shqiptar!

Kur ke në dorë do-një librë të Faikut, të Foqion Postolit ose të Fan S. Nolit e cila t’a mbush shpirtin plot me atë gazin e shqipes s’onë, drejto shpirtin t’ënt me mirënjohje, jo ndaj tregtari-sepse ky pagën e tij e ka marrë të plotë, si mjeshtri i urës- po ndaj autori, që është murosur aty poshtë dhei cili me vajtje e gjak, këputi shkëndijen hyjnore nga fellësirat e shpirtit të vet dhe të kombit. Dhe si t’a drejtosh kësilloj shpirtin t’ënt mos thuaj lavdi pastë makina tipografike ose editoriale (se ata fitimet e tyre i kanë të plota) po thuaj: ndjesë pastë Faiku edhe Foqion Postoli edhe pleqëri të mirë Fan S. Noli!

Mbi pyetjen eventuale: sa kohë do të vazhdojë murosja e shkrimtarit shqiptar në këmbët e urës së industrisë së librës, ne japëm këtë përgjigjie: Kjo do të vazhdojë sa kohë nuk do të ketë një organizim zyrtar për vleftësimin e shkrimeve shqipe, ku defekti i shkaktuar prej numurit të vogël të lëçitësve, edhe fakti se shkrimtari nuk është njëkohësisht edhe kapitalist, të zëendësohet prej fondesh edhe sovencionesh. Këto të gjitha kërkojnë do-një sakrificë nga ana e kolektivitetit shqiptar, po kjo është me vend. Sepse shkrimtari është ay që përfaqëson kombin ndaj vetja e vet (për gjeneratat e arthme) edhe ndaj kombeve të huaj. Shkrimtari dhe jo editori-tregëtar ose editori-shtypëshkronjë! Dhe pjesa që duhet t’i takojë shkrimtarit nuk munt të peshohet me kandarin e bazhdarit!
Shkrimtarë të vjetër pa vepra të reja

Nuk dijmë në se i palodhshmi Peshkop Theofani (alias Fan S. Noli, alias Bilbil Rushit Gramshi) nxënës plak për mësime të reja, ka shtypur do-një librë të re në këtë vit të dyzet e tresë. Libra e fundit që i njohim është Hymnorja e shtypur më 1936 kur Fan S. Noli na u çfaq edhe në ipostazën e kompozitorit. Pushoj vallë, tani, për letrat e shqipes ky mburim uji të gjallë që gurgulloj kaqë vjet rresht, dhe me të cilin vaditet sot gjith shpirti i kombit? Ne s’dijmë gjë përmbi prodhimin e ri të Fan S. Nolit, dijmë se asgjë nuk doli në vitrinat e librarive nga penda e Lumo Skëndos-babaj i novelës dhe i kalendarëve të shqipes- as nga penda e Asdrenit, P. Vinçenc Prenushit, P. Anton Harapit, Lef Nosit, Lipit, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit, Ali Asllanit- vepëronjës të vjetër në fushën e shqipes. Dhe dijmë edhe tjatër gjë: Lumo Skëndua ka një arkivë të vlefshme dokumentash të rilindjes kombëtare të pabotuara. Asdreni ka edhe ay, në Rumani, një arkivë edhe shumë kujtime mbi lëvizjen shqiptare, të cilat mendohej, dikur, t’i rjeshtojë e t’i botojë (e pyes veten: pse nuk ja mora t’ja shtyp kur ndodhesha në Bukuresht?).

Lef Nosi ka një arkivë folkloristike të rëndë (këngë, fjalë të urta, gojdhëna etj) sa s’ngreh karvani i Elbasanit, që munt të yshqejë një varg vëllimesh. Ekrem Vlora ka gjithë mundësitë të na japë të paktën një katalog të veprave me vlerë (art edhe letraturë) nga arkiva e muzeumi i vet. Aleksandër Xhuvani, punëtor i palodhur në fushën e shqipes duhet të na thotë fjalën e tij të matur-prej plaku e prej shkencëtari-mbi kaq probleme të reja të gjuhës. Sikur të mblidheshin në një vëllim ato të këndëshmet e të velrëshmet Selectae.. Xhaxhillua, si iu tha pa kohë zotit. I. M. Qafëzezit (të cilin bota e mbeson më plak se është me të vërtet, nga shkaku se merret me kondikët e shekujve të kaluar), ka një vandak dokumentash të mbledhura e të komentuara me dashuri edhe të cilat presin mundësitë e shtypit.

Sotir Kolea ka mbledhur prej kohë një sasi të madhe lëndë mbi gjuhësi. Pandeli Evangjeli (gjithë bota e harroj Xhaxhanë..) ka kujtime e dokumenta që pushtojnë afron një shekull dhe të cilat bota shqiptare do t’i lëçiste me gaz sepse e di se Xhaxhaj shkruan thjeshtë e bukur.

Mustafa Kruja që i shkruan kaq bukur të dy shqipet ka një potencial të math si shkrimtar e filolog të cilin nuk duhej t’a bluante për shqipërimin e librës së Giorgio Pino-s, por për kryerjen e do-një vepre të mburuar nga permanencat shqipëtare. Lipi i Kukuthit të Kavajës edhe i Ariut të Poradecit ka potencial për një vëllim novelash humoristike mirë punuar. Kostaq Cipua ka gjithë mundëistë të na japë një sinthezë kritike mbi zhvillimin e lëtërsis shqipe.

Lasgush Poradeci ka se qysh t’i shtrydhë shpirtit vepra më me vlerë se proza adjektivale mbi Kolloninë e Bukureshtit. Ali Asllani ka vjersha të këndëshme të mbuluara nga jeta shqiptare të papërmbledhura edhe në një vëllim. Namik Resuli dhe Eqrem Çabeu kanë lëndë të mjaftë edhe duhet të na japën më shumë se na kanë dhënë gjer më sot.

Ernest Koliqi, ka mundësi të mëdha stilistike (novelat e tija kanë nerv edhe fuqinë për të krijuar një atmosferë të këndëshme). Do ish mirë sikur të paktën tani, kur i arriti qëllimit të ketë pallate në Shqipëri e jashtë automobilin tek dera, të na japë vazhdimin e Hijeve dhe të Flamureve. Dhe ky popull që harron e fal shumë do t’i falte edhe atij, për hir të fjalës së shkrojtur, marrëzitë e viteve të fundit dhe t’a pranonte kryeministër për vitin 1947, ashtu sikundrë e ka profetizuar ay vetë. Ja pra një numur i math vlerash që mbajnë dritën e tyre ndënë shinik, në vend që t’a nxjerin jashtë për të ndriçuar botën t’onë shqiptare.

Dhe kur se një potencial i tillë rri ndënë pluhur ose bluhet kot më kot në veprime periferike, vijnë e dalin kaqë e kaq kapadainj të pendës (bute të sbrazët që bëjnë zhurmë të madhe) me nj’ato levezhga gjuhe e levezhga arti që nuk mburojnë as nga gjuha e shqipes e as nga ndjenjat e kombit. Pa fjalë se shpejt a von këto të gjitha i merr lumi e gjumi po vetëm se është për të ardhur keq për kartën edhe mellanin e prishur në këtë periudhë të rëndë mungesash.
Shkrimtarët e rinj

Fort pak i volitshëm është ambienti shqiptar për krijim veprash letrare. Jo vetëm tani, por kurdoherë. Prandaj merrini shkrimet më me rëndësi të shqipes dhe vështroni se shumica janë shkruar jashtë, në dhe të huaj.

Jashtë i ka shkruar Naimi veprat e tij, jashtë Çajupi, Spiro Risto Dienja, Faik Konitza, Fan S. Noli, Lumo Skëndua, Loni Llogori, Mihal Gramenua, Kost Çekrezi, Foqion Postoli.. Nga më të rinjtë kutjojmë se vjershat më të mira të Lasgushit dhe novelat e Koliqit gjith jashtë janë shkruar. Do më thuhet se konstatimet s’mund të jenë konkluzive. Kjo është e vërtetë… Po, më anë tjatër, nuk mund të mohohet se në Shqipëri ka munguar kurdoherë elementi i parë nga i cili ka nevojë shkrimtari: lirija. Kjo mungesë është një nga shkaket e parë të vobektësis letrare në kohën e Zogut dhe më pas. Sa i përket vitit dyzet e tre, shkrimtarët e rinj vazhduan, një pjesë, fjetjen e veprës në vet-vete, kur se të tjerët, sipas temperamentit, u radhosnë djathtas edhe majtas më shumë me armë se me pendë në dorë.

A do të jetë kjo jeta e tyre e re një mburim veprash arti? Ne besojmë se po. Kjo, si të kalojë zhurma e sotme e si të kullohen ujrat. Atëherë kemi për të njojtur një letraturë të gjerë kujtimesh nga burgjet, nga fushat e përqëndrimit edhe nga të bredhurat, mbase edhe nga luftimet mal më mal, si ato që pat përshkruar dikur Mihal Gramenua.

Google+ Followers