Inteligjenca Shqiptare në Francë: Biesedë me politologun Dr. Mirsad Voca


Nga : Ermira Babamusta, Ph.D., New York, Prishtinë

Mirsad Voca



Z. Mirsad, na tregoni për origjinën tuaj?

Dr. Mirsad Voca: Jam me origjinë nga qyteti i Mitrovicës ku kam lindur dhe jam rritur. Njihet po ashtu si qyteti i minatorëve duke e pasur parasysh minierën e Trepçës aty ku babai im punoi përgjatë 40 viteve.

Shkollën fillore dhe të mesme e kam mbaruar në Mitrovicë, e para shkolla fillore “Migjeni” ndërsa e dyta gjimnazi “Frang Bardhi”. Vitin e fundit të gjimnazit gjenerata ime nuk ka mundur ta ndjek për shkak të luftës në Kosovë përgjatë viteve 1998-1999, mirëpo pas çlirimit nga okupimi serb u ktheva në Mitrovicë menjëherë dhe përgjatë vitit 1999 u validua edhe viti i katërt i shkollës së mesme.


Cilat janë kujtimet e rinisë tuaj në Kosovë?

Dr. Mirsad Voca: Rinia ime në Kosovë nuk ka qenë edhe aq e lehtë sikur për shumë të tjerë duke e pasur parasysh situatën e veshtirë përgjate viteve tê 1990 në Kosovë. Vi nga një lagje që në ate kohë quhej “Tavnik” sot “Ilirida”, e cila konsiderohej paksa më e egër nga pjesët e tjera të qytetit. Aty edhe policia serbe shpesh nuk guxonte të depertonte pa mjete të blinduara.

Që në moshën 9 vjeçare (isha vetëm në klasën e tretë) kam marre pjesë në protesta kundër regjimit serb. Në fakt unë po shpërndaja qepë protestuesëve kundër gazit lotsjellës (ndoshta duket e çuditshme por qepa ndihmonte kundër gazit lotësjellës).

Mësimin në shkollën fillore dhe atë të mesme e bënim disi fshehurazi nga policia meqë ishte i ndaluar nga regjimi serb mësimi në shqip. Një orë mësimi zgjaste 30 minuta, nganjeherë edhe me shkurt sepse ndërtesa ishte e ngarkuar me të gjitha drejtimet dhe të gjitha gjeneratat. Kam qenë edhe dëshmitar direkt kur arsimtarët arrestoheshin dhe rraheshin në prezencën e nxënësve dhe burgoseshin për një periudhë të caktuar pastaj liroheshin. Megjithatë shkollimi shqip prapë vazhdonte në kushte jo normale dhe shumë të vështira.

Meqë kushtet financiare në familjen time ishin të vështira që nga viti 1990 deri më 1995 kam ndihmuar babain për të shitur ato perime e frute që ai i kultivonte në kopshtin e shtëpisë. Pastaj kam shitur edhe duhan në qytetin e Mitrovicës përgjatë verës së vitit 1995. Shuma që fitoja investoja pastaj në materiale mësimore.

Në vitin 1997 filloi të acarohej gjendja e sigurisë dhe ndjehej fillimi i një lufte të armatosur. Ndërsa vitet 1998-1999 kam përjetuar luftën deri në ekzodin e pranverës së vitit 1999 kur u detyruam të braktisim shtëpinë për të ecur mbi 150 km deri në kufi me Shqipërinë në Morinë. Përgjatë këtij marshi refugjatësh pati momente shumë prekse të cilët janë po aq të freskët në kujtesën time edhe në këtë moment kur po i shkruaj këto fjalë. Pastaj qëndruam në Shqipëri si refugjatë në një kamp amerikan në qytetin e Fier-it në Shqipëri.

Fillimi në Paris,  i sapo diplomuar në Master

Kur u larguat nga vendlindja dhe ku emigruat?

Dr. Mirsad Voca: Pas kthimit nga Shqipëria, u regjistrova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999 ku edhe mbarova në vitin 2003 studimet katër vjeçare në degën Gjuhë dhe letërsi frenge. Pasi që në vitin 2001 pata rastin të punësohem si përkthyes për KFOR-in francez përgjatë dy viteve, dhe meqë kisha grumbulluar pak të holla vendosa që menjëherë pas sudimeve në Kosovë të vendosem në France për të vazhduar studimet tjera superiore.

U vendosa në Paris në nëntor të vitit 2003. Ishte për mua një thyerje e madhe si gjeografike po aq arsimore dhe edukative. E dija që duhej punë e madhe për tu bërë në mënyrë që të arrihet një nivel i krahasueshëm me atë të kolegëve të mi francez dhe të huaj. Mirëpo nuk frikohesha duke u nisur nga fakti se kam një karakter konsistent dhe e dija shumë saktësisht se për çka kisha shkuar në Paris dhe çka dëshiroja.

Përshtypjet e para në Paris dhe jetën franceze.

Dr. Mirsad Voca: Kur u vendosa në fillim në Paris të gjitha rrugët më dukeshin njësoj për shkak të arkitekturës së qytetit me bulevardet dhe avenyt e tij të famshëm që ngjajnë shumë sidomos për një të huaj kur i sheh ato fillimisht. Sigurisht se kisha përshtypje shumë pozitive dhe isha plotë emocione dhe entuziazëm për këtë qytet.

Aktualisht vazhdoj të qëndroj në Paris. Jeta në këtë qytet është e shumëngjyrshme. Ka shumë mundësi sidomos për studime sepse është një shtet në të cilin studimet janë pothuaj falas krahasuar me shtetet tjera. Shkollimi është kualitativ me kuadro të njohur edhe ndërkombtarisht por edhe me shkolla të njohura dhe kompetente.

Jeta në Paris është e shtrenjtë, nganjëherë e vështirë por edhe këndshme sepse mendoj se është një qytet po aq i rëndë me turmat, zhurmat e njerëzve dhe shtrenjtësinë e tij sa edhe i këndshëm për jetën në shumë aspekte. Kur je student në këtë qytet ke shumë përparësi të cilat i ofron shteti për të lehtësuar jetën e studentit dhe kjo e bën më të lehtë jetën prej studenti.
Është një qytet kozmopolitan. Kam njohur francez por edhe shumë të huaj. Njerzitë në përgjithësi janë të sjellshëm mirëpo sigurisht që ka ndonjherë ndonj përjashtim. Ka një klishe për francezët apo thënë më saktësisht francezët parizian, thuhet se janë pretencioz gjë që e kam ndjerë edhe unë ndoshta ndonjëherë mirëpo kjo mund të mbetet sharmante nëse nuk teprohet.


Cilat janë arritjet dhe sukseset tuaja gjatë karrierës deri tani?

Dr. Mirsad Voca: Shkollimi im në Paris duket paska i ngjeshur përgjatë nëntë viteve dhe vetëm tash po marr frymë më lirshëm dhe po e jetoj Paris-in më ndryshe, më i liruar nga studimet.

Arritja ime e parë ishte kur në shtator të vitit 2005 mbraova studimet e master-it në drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare - studime evropiane.

Më pas fitova bursën pranë qeverisë franceze për studime doktorale në po të njëjtin drejtim i varur nga laboratori i Shkollës doktorale të shkencave sociale pranë institutit të gjeopolitikës dhe atij të studimeve evropiane.

Në vitin 2006 fillova hulumtimin doktoral mirëpo pas një viti apo në 2007 u koncentrova në një shkollë tjetër franceze. Është fjala për  ENA (Ecole Nationale d’Administration – Shkolla kombëtare për administrim). Arrita ta kaloj konkursin për këtë Shkollë pas një përgaditjeje gjashtë mujore përgjatë vitit 2007 dhe një pjesë të madhe të vitit 2008 kalova në Strasbourg aty ku zhvillohet shkollimi në ENA. U diplomova edhe në ENA në administrim publik – drejtimi marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. 

Kam bërë disa publikime ( përgjatë studimeve në ENA dhe atyre doktorale kam botuar artikuj hulumtues në Bulletinin filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, në Fondacionin për hulumtim strategjik në Paris si dhe në disa të përditshme kosovare)  si në Francë po ashtu në Kosovë mirëpo mendoj se janë simbolike.

ENA Strabourg 2008

Cilat janë pasionet tuaja në lidhje me degën?

Dr. Mirsad Voca: Meqë rinia ime është ndërlidhur shumë me konfliktet në ish-Jugosllavi e veçmas me atë të Kosovës, kam zgjedhur t’ua kushtoj studimet e mija universitare dhe hulumtuese doktorale në Francë.

Kam shumë pasione, si dinamik që jam. Sportist e dua muzikën, luaj pak me kitarë dhe përpiqem të këndoj. Kitara është diçka e re për mua të cilën e kam mësuar në Paris. Duhet të përmendi se që në moshën 10 vjeçare pata filluar të mësoj të luaj qiftelin si instrument kombëtar që e kemi ne Shqiptarët.

Cilën temë trajtuat në disertacionin e doktoraturës?

Dr. Mirsad Voca: Në temën time që e kam trajtuar bëhet fjalë për Kosovën midis shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rikompozimit evropian. Brenda kësaj suaze hulumtoj çështjen e paqartësive të së drejtës për vetëvendosje të Kosovës dhe emergjencën e shtetit të Kosovës. Qasja është gjeopolitike dhe politiko-sociale por edhe historike. Teza ime vendoset në përballjen e aspiratave kombëtare të akterëve shqiptarë të Kosovës me tërësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre regjionale ku ato aspirata gërshetohen. Përqendrohet në çështjen e statusit të Kosovës nga këndvështrimi i të drejtave dhe identiteveve që (nuk) u janë njohur shqiptarëve të Kosovës.   

Çfarë ju bën krenarë për prejardhjen tuaj ?

Dr. Mirsad Voca: Që jam Shqiptar (me të gjitha të mirat e të këqijat). Që vi nga një familje e shëndosh kombtarisht, moralisht dhe historikisht. Nëse nuk e duam vetën dmth të qenurit shqiptar, mos te presim që këtë ta duaj i huaji para se ne ta duam veten. Por si ta duam ? Mendoj se duhet të jetë në mënyrë vetmohuese, gjë që shpie kah një konstruktivitet. Duhet me të vertetë së pari të njohim sa më shumë kush jemi, si jemi, prej nga jemi, për se jemi. Të provojmë tu përgjigjemi këtyre pyetjeve sa më thellë dhe arsyeshmërisht duke mos e mohuar kurrë dashurinë për prejardhjen tënde, në këtë rast e të qenurit shqiptar.
Duke e mbrojtur doktoratën, më 8 dhjetor 2012

Cilat vlerat shqiptare do ti mësonit Francës dhe botës ?

Dr. Mirsad Voca: Ka aq shumë për t’iu interpretuar të huajëve. Me atë që ballafaqohesh më së shumti është injoranca dhe pasqyrimi më shumë negativ për Kosovën  dhe për shqiptarët. Gjithmonë përpiqem me ato argumente që posedoj t’iu interpretoj një imazh të shqiptarëve si një popull i lashtë, me traditë të vjetër, me një shpirt të pathyeshëm gjë që ka bërë që ne të ekzistojmë si popull, me një bujari, me mikpritje e solidaritet, i kthyeshëm, jo agresiv ndaj popujve tjerë. E gjithë kjo nuk e di sa arrin ta zbus sado pak atë propagandën shumëvjeçare që është zhvilluar ndaj shqiptarëve në pothuaj çdo shtet të botës.

Cili është rekomandimi juaj për Kosovën ? Çfarë na nevojitet më tepër në vend ?

Dr. Mirsad Voca: Mendoj shumë sinçerisht dhe thjeshtë se duhet bërë shumë më shumë në arsimim dhe atë pa ndalur për shumë vite intensivisht dersia t’ia arrijmë ta kemi një nivel më të lartë. Kjo vlen për të gjithë Shqiptarët kudo që janë. Pastaj, na nevojitet një punë më kolektive si shoqëri. Duhet të kupojmë se një shoqëri ec drejt dhe shëndosh me një punë kolektive dhe jo me individualizëm. Pasi që të kuptojmë njëherë e mirë, pastaj duhet të veprohet në atë drejtim. Pra, duhet pak të ndryshohet edhe karakteri individual prej shqiptari sepse kjo do të na pengoj për një të ardhme më të ndritshme.
Paris 2010 (Përball Musée du Louvre, përderisa banoja në rue de Lille pranë Musée d’Orsay)

Këshilla juaj për studentët shqiptarë në diasporë?

Dr. Mirsad Voca: Do të dëshiroja që ata që bëjnë studime jashtë vendit dhe sidomos ata që doktorrojnë të kenë edhe mundësinë (nuk mjafton vetëm dëshira) të kontribuojnë në vendlindjen e tyre sesa të qëndrojnë jashtë vendit dhe të kalojnë jetën duke punur diku në ndonjë kompani apo universitet të huajë ndërsa vendlindja vuan nga një deficit i hatashëm kuadrosh në pothuaj të gjitha fushat.

Cilat janë ambiciet dhe synimet tuaja për të ardhmen?

Dr. Mirsad Voca: Kam shumë synime mirëpo aktualisht pas mbrojtjes së doktoratës jam duke jetuar pak më lirshëm duke pritur lëshimin formal diplomës. Pres që në një të ardhme të afërme të shoh perspektivën time në Kosovë në sferën universitare, por nuk e përjashtoj edhe dëshirën për të kontribuar në diplomaci. Mendoj në atë të Kosovës e cila mendoj se ka nevojë të reformohet e të ngritet më lartë. Në fakt në Kosovë ka nevojë për gjithçka meqë është ende fillimi i një shtetndërtimi. Mendoj se mungojnë kuadro në çdo fushë e sidomos në sferën universitare ku mendoj se do të jepja me dëshirë kontributin tim. 

Google+ Followers