Herezia artistike dhe… gjumi i botës!


VIRION GRAÇI


Koço Kosta

Një i paditur, një i pandershëm, po u emërua në një post me rëndësi, s’është më një. Ai është pastaj një Hata. Ta themi drejt. Se ai ushqen, shpërndan, shtrin mediokritetin si metastaza. Shkurt: nga NJËSHI vjen HATAJA” (pjesëz nga romani i K. Kostës “Ata të dy dhe të tjerë”. Viti i shkrimit, botimit, dënimit: 1986).
Nuk kam pasur kurrë një marrëdhënie e njohje vetjake të drejtpërdrejtë me shkrimtarin Koço Kosta. Shkrimtarin e mirënjohur që në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX dhe mësuesin e diplomuar në Tiranë për Gjuhë e letërsi shqipe për shkollat e mesme, Koço Kosta, të afërmit e mi, më të rritur se unë në moshë, e kanë pasur… mësues të… Ekonomisë shtëpiake dhe të… Punës prodhuese…(??) Rastësisht që në fëmijërinë time kaotike, dramatike, mjerane, ia kam pas lexuar librin me tregime për të rritur “Dademadhja”, pastaj “Buka e një stine me borë” (roman), “Era e udhëve” (tregime) dhe “Pasdite me shi dhe proza të tjera” (tregime).
Një varg rastësish cinike të jetës sime anonime më bënë të jem djali me biografi të keqe në një regjim lumpen – racist – totalitar; më bënë të jem qysh dhjetë veç armiku hipotetik i sistemit të mrekullueshëm totalitar-socialist, kur, në fakt, isha fëmijë si gjithë të tjerët, madje më i urtë se ata, më i sjellshëm e më i ndjeshëm se bashkëmoshatarët e mi; po këto rastësi cinike-absurde në hershmërinë time anonime më bënë të jem punëtor i mjerë gjeologjie kur duhet të isha student, më bënë të jem student për minierat kur duhet të isha student aty ku pata dëshiruar e punuar aq shumë në orët e mia të vetmisë dhe të përkushtimit… Megjithatë, në agimin e pjekurisë sime, në vitin 1986, vjen romani i Koço Kostës “Ata të dy dhe të tjerë”, i cili më thotë mua, fëmijës adoleshent, u thotë të rinjve, veteranëve, u thotë mbarë shqiptarëve të Republikës së lumtur socialiste të Shqipërisë diktatoriale, se mbreti i adhuruar nuk është mbret për t’u adhuruar; u thotë të tërëve se mbreti i dukur aq bukur me veshje e stoli është, në fakt, lakuriq; se në mbretërinë e tij rrenacake – parajsore mbizotëron varfëria, frika, ndrydhja; mbizotërojnë hipokrizia e korruptimi shpirtëror të ngritura në sistem; mbizotëron antiarti, antivlera, demagogjia; mbizotëron gënjeshtra si tribunë monopoliste – zyrtare; rastësi të tjera cinike më kanë bërë të jem student duartrokitës e pjesëmarrës aktiv në lëvizjet antikomuniste të dhjetorit 1990-1991; të jem i pranishëm edhe fizikisht në paraqitje themeluese partish opozitare (??) kur në pushtet, në pozitë ishte ende e fortë Partia e Punës e Shqipërisë (de facto Partia Komuniste e Shqipërisë); në rrjedhat e viteve të tranzicionit të pushtetit shtetëror-politik nga një brezni politike te tjetra, më ka ndodhur të jem i pranishëm në lloj-lloj ngjarjesh, trukimesh, inskenimesh, gënjeshtrash publike dhe dallaveresh të shpallura për publikun si mrekulli historike vetëm në sekondën e fundit. Natyrisht, nuk kam pritur asgjë për vete, pasi asgjë të veçantë nuk kam merituar e meritoj ende si individ. Por, duke lexuar romanet e fundit të Koço Kostës: “Nata e Sofie Kondilit” dhe “Absurd”, si dhe ribotimin dinjitoz të  romanit të tij heretik “Ata të dy dhe të tjerë” (“Botimet Naim”) jam kujtuar shpesh për njeriun e panjohur Koço, për autorin, për heretikun antigënjeshtër Koço Kosta. Habitshëm nuk më ka dalë emri i tij në emra të merituar të disidencës letrare-estetiko-artistike; habitshëm nuk e kam parë emrin e tij në aradhën e të ashtuquajturve intelektualë-antikomunistë të vitit 1991 kur, për atë vetë, më 1986-n, për shkak të veprës së tij letrare antikonformiste – demaskuese – çmitizuese e parodizuese për regjimin e kohës: “Ata të dy e të tjerë” – është kërkuar dënimi me varje në litar për demaskim të regjimit diktatorial të kohës; habitshëm puna krijuese dhe sqima morale flijuese e këtij njeriu të rrallë nuk është çmuar nga instancat zyrtare të kulturës dhe të artit në Shqipërinë postdiktatoriale, të paktën në rrafshin e historisë politike të vendit. Në mungesë të kontakteve e të njohjeve të drejtpërdrejta me autorin, e kam gjetur arsyen e heshtjes zyrtare për të te veprat e tij letrare: duke qenë vepra artistike, ato e çojnë gishtin e akuzës te faktori kryesor i dështimit tonë si njësi shtetërore, te tipologjia e njëshit; duke qenë vepra arti, romanet dhe mjaft nga prozat e shkurtra të Koço Kostës e çojnë gishtin e akuzës te rrena publike e institucionalizuar, te shpërfytyrimi i njeriut në rende antinjerëzore, obskurantiste, skllavëruese; veprat artistike të K. Kostës rrjedhimisht e çojnë tonin e mospajtimit te shkatërrimi i virtyteve njerëzore dhe te përdhosja e natyrës së bukur të vendit tonë nën qeverisje barbarësh; te rrënimi i artit dhe i shprehjes së bukur artistike nën regjime ku mbizotëron urrejtja për falën e lirë; ku mbizotëron urrejtja për gjënë e bukur; ku stimulohet urrejtja për dinjitetin e jetës së paqme njerëzore.
“Pse po shkruan kështu për këtë autor të palartësuar nëpër media dhe nëpër presidiume?” – mund të më thonë më të rinjtë se unë, që nuk e njohin aq mirë shkrimtarin K. Kosta. “Çfarë vepre ka bërë ky burrë që merituaka vëmendje dhe respekt të posaçëm, aq më tepër për ditët e sotme europianiste, moderniste?” – mund të më pyesin baballarët e vëtëshpallur të kombit tonë, ata që prej vitesh e kanë njohur K. Kostën dhe e shohin tash me indiferentizëm, të mënjanuar në mendimet e tij, tërhequr në kujtimet e tij, kredhur në veprat e tij artistike të së shkuarës dhe të së ardhmes. Si përgjigje nuk do të rikujtoja vetëm vitin 1986, kur ai publikisht hoqi perden e krimit e të hipokrizisë shtetërore-moniste në kulturë e në jetën e përditshme qytetare; sot nuk do të mjaftohesha as blasfeminë e tij profetike të po këtij viti: “Arti i vërtetë zgjon njeriun te njeriu”; (po këtë vit, një nga dykëmbëshit më të zinj të diktaturës komuniste, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, do të recitonte me egërsi për popullin këtë vjershë të tij kundër romanit të K. Kostës: “Se Shqipërisë/ nuk i duhet një letërsi/  me Peshk të Kuq/ e Peshk të Zi”. Jo vetëm për shkak të atyre që porsa përmenda më sipër, jam i sigurt që jo! Duke rilexuar këto ditë librin e tij me tregime e novela “Era e udhëve” (Botimet “Naim Frashëri”, 1981), në novelën e parë, “Poema e njeriut të bukur”, në një mjedis të ashpër malor të Shqipërisë jugore, mes jetës me sakrifica e flijime mbinjerëzore të barinjve të kooperativizuar me gjithsej, mbizotëron e plotfuqishme si refren bazë figura statike e një keci tmerrësisht të bukur që, njerëzit e fuqishëm, për hesap të tyre, për leverdi ekonomike pra, meqenëse ka lindur pak më vonë se shokët e tij, e kanë lidhur për këmbe me litar në krye të stallës duke e ndarë nga nëna e tij, duke e ndarë nga jeta e natyrshme, duke e ndarë nga kecat e tjerë, në pritje të rastit ekonomikisht rentabël për ta therur, për ta ngrënë, për ta kollofitur. “Po keci, ai keci aq i bukur, ai keci i lidhur padrejtësisht për t’u therur…?! Pse ai dhe… pse pikërisht për t’u therur?” – pyet kohë pas kohe autori – tregimtar. Edhe mua, të nderuar lexues, në këto ditë të ngarkuara me dyshime, me zhgënjime, me shpresa, me zemërim dhe me habi të thellë njerëzore, do të shtroja të njëjtat pyetje, të njëjtat ankime dhe të njëjtat pikëpyetje akuzuese që ka ngritur tridhjetë vite më parë heretiku i patrumbetuar, shkrimtari K. Kosta. Përse?


Google+ Followers