Në shqip libri me pjesë ditari dhe letra të diplomatit
anglez.
“Vetëm një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të
shëmtuara, terrorit dhe eksodit”
Përpjekjet e Aubrey Herbert për njohjen e shtetit
shqiptar.
“Si i njoha Ismail
Qemalin dhe Isa Boletinin në Londër”
Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u promovua
libri “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së
sotme”, një vepër e rëndësishme që përmban pjesë ditari dhe letra të njërit
prej diplomatëve të huaj, me kontributin më të madh në shpalljen dhe njohjen e
pavarësisë së Shqipërisë. Në promovimin e këtij libri, të përgatitur për botim
nga Bejdullah Destani dhe Jason Tomes, përkthyer nga Kujtim Myftari, me
parathënie të balkanologut dhe gazetarit të njohur, Noel Malcolm, ishin të
pranishëm historianë e studiues, por edhe Kryeministri Sali Berisha e ministri
i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Mbi vendin e rëndësishëm
në historinë shqiptare referuan historianët Valentina Duka e Luan Malltezi. “Ne
nuk mund të gjejmë në historinë tonë një personalitet më të përkushtuar në
mbrojtjen e këtij kombi sesa Aubrey Herbert, i cili përdori të gjitha lidhjet e
tij të fuqishme politike, familjare, përdori zërin e tij në Parlamentin
britanik, themeloi Komitetin Shqiptar në momentet më kritike, kur e kuptoi që
Konferenca e Londrës nuk po mblidhej për të mirën e shqiptarëve”, tha Berisha
në përshëndetjen e tij. Aubrey ishte një
diplomat dhe oficer anglez, jeta e të cilit u lidh ngushtësisht me Shqipërinë.
Ai u bë një avokat i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë dhe e vizitoi atë
gjatë viteve 1907, 1911, 1913. Gjatë qëndrimit në Tiranë u miqësua me Esad
Pashën. Në Konferencën e Paqes në Londër, delegatët shqiptarë gjetën përkrahje
tek ai si këshilltar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare
për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë.
Rasti i parë ishte përpara Luftës së Parë Botërore. Oferta mbeti jozyrtare dhe
kurora iu dha Vilhelm Vidit. Rasti i dytë ishte pas Luftës së Vlorës, në
shtator të vitit 1920, kur shqiptarët shpartalluan forcat italiane. Edhe pse
propozimi u bë nga gjysma e qeveritarëve shqiptarë, ai mbeti sërish jozyrtar
dhe u shua me ndryshimin e ministrit të Jashtëm shqiptar. Në librin e promovuar
dje, me syrin e një diplomati vijnë disa prej momenteve më të rëndësishme në
historinë shqiptare, që nga pavarësia, te copëtimi i trojeve, masakrat serbe e
greke në territoret e pushtuara, ndarja e kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar,
zgjedhja e Princ Vidit.
Nga libri
Denoncimi i krimeve të shëmtuara, vjeshtë 1913
Pasi takoi refugjatët në Shqipëri dhe dëgjoi rrëfimet e
tyre, Aubrey Herbert i shkroi menjëherë shtypit britanik për të publikuar
krimet e shëmtuara të kryera nga forcat serbe, malazeze dhe greke në viset që
kishin aneksuar ose vazhdonin t’i pushtonin. Me kthimin e tij në Londër në
tetor, ai e intensifikoi fushatën. Nga fundi i atij muaji, një ultimatum i
lëshuar nga Austro-Hungaria e detyroi Serbinë t’i tërheqë trupat e saj nga
territoret që i ishin caktuar Shqipërisë. Në Jug, megjithatë, Komisioni
Ndërkombëtar për Kufirin hasi pengesa në punën e tij, të shkaktuara nga grekët
dhe hyrja e dimrit.
“The Times”. E hënë, 22 shtator 1913- “Akuzat kundër
serbëve”
Më 10 shtator morëm letër nga z. Aubrey Herbert MP,
dërguar nga Vlora, në të cilën ai veçon dy raste konkrete të krimeve të
shëmtuara të pamenduara, që u vishen autoriteteve serbe dhe më tutje vazhdon të
shkruajë:
“…Kam përpara meje një listë të gjatë aktesh të ngjashme
nga ana e serbëve. Kam dëgjuar shumë histori nga njerëzit e varfër, katolikë
dhe muhamedanë; këta refugjatë mund të përgjigjen vetëm për atë që u ka ndodhur
atyre dhe familjeve të tyre, por në gjërat kryesore historitë e tyre janë të
përafërta. Pak dyshim kam se në zona të ndryshme po vazhdon ndërrimi sistematik
i fesë, dëbimi dhe shfarosja, të diktuara nga politika. Këto metoda, me sa mund
të zbuloj, ishin harruar për një periudhë bukur të gjatë, por tani kanë nisur
sërish. Qeverisë serbe i kërkohet diçka më shumë se mohimi gojor i këtyre
akuzave, sepse ndiej se skamja e mjerueshme dhe eksodi i nxitur nga terrori nuk
do të sosin deri sa t’u jepet fund krimeve të shëmtuara dhe për shkak se vetëm
një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të shëmtuara, ju lutem ta botoni
këtë letër.
“The Times”. E enjte, 25 shtator 1913- “Trazirat në
kufirin serbo-shqiptar”
Kemi marrë nga z. Al. V. Georgevitch (sekretar i legatës
serbe), i ngarkuari serb me punë, një letër në përgjigje të deklaratave të bëra
nga z. Aubrey Herbert MP në “The Times” më 22 shtator. Në këtë letër i
ngarkuari serb pohon se:
“Duke mos bërë asnjë tentativë për ndërrimin e fesë me
dhunë, Serbia është një prej shteteve më liberale që kanë ekzistuar ndonjëherë.
Liria e ndërgjegjes është garantuar jo vetëm me Kushtetutën serbe, por si
shembull praktik, që nga viti 1878 komuniteteve myslimane në Serbi (në Beograd,
Nish, Leskovac) u është dhënë një subvencion qeveritar. Edhe çifutët kanë
gjetur në Serbi, si të thuash “Tokën e Premtuar” të tyre, sepse i kanë të
gjitha të drejtat politike dhe qytetare… Në shpalljen e aneksimit të
territoreve të pushtuara, ku Madhëria e tij u përcolli më 25 gusht përshëndetje
mbretërore të gjithë nënshtetasve të rinj-pa dallim feje, race, besimi, ose
veprimtarie të mëparshme-mesazhi mbretëror shpalli në mënyrë solemne se tani
fillon epoka e re e lirisë së plotë për çdo njeri”.
AH për “The Spectator”. E martë, 23 shtator 1913 (botuar
më 4 tetor 1913) – Shëngjin
The petator ka zbatuar ngaherë parimin e ngritjes së
zërit për të gjithë ata njerëz të pafat, të cilët nuk mund të flasin vetë.
Prandaj, guxoj të kërkoj mikpritjen e faqeve tuaja në emër të një populli, që është
veçanërisht pa ndihmë në këtë moment. Gjatë muajit që kalova në Shqipëri,
udhëtova në treva të ndryshme të vendit dhe pashë vërshime refugjatësh, që
vazhdojnë të derdhen nga territore të aneksuara kohët e fundit nga Serbia dhe
Mali i Zi. Për shkaqe të arsyeshme nuk udhëtova nëpër ato rajone, andaj nuk
mund të pretendoj se kam qenë dëshmitar pamor i asaj që po ndodh atje, por
bisedova me refugjatë, skamja dhe mjerimi i të cilëve nuk kishte ku të vente më
shumë. Shumë syresh, burra dhe gra, më treguan për ngjarjet e tyre të dhimbshme
dhe dukeshin si të shastisur nga vuajtjet. Detyra e bërjes së pyetjeve të
hollësishme për fatkeqësitë e tyre nuk ishte e këndshme. Jam i sigurt se ata
nuk janë të aftë t’i sajojnë ato ndodhi që i tregojnë me shumë pak imagjinatë…
….Europa ka premtuar një Princ. Princi për të cilin po
luten të gjithë, ende s’po duket. Qeveria e Përkohshme nuk është njohur, çka të
çon pashmangshëm në trazira dhe ankth brenda vendit. Europa ka premtuar se
Serbia do të largohet nga territoret e pushtuara nga trupat e saj. “Europa”,
kanë filluar të thonë shqiptarët, “na ka premtuar mbrojtje. Por, deri më sot,
kjo mbrojtje ka nënkuptuar intrigat e fuqive të mëdha për veten e tyre në Veri;
kurse gratë tona përdhunohen dhe burrat tanë herë torturohen, herë vriten e
herë dëbohen nga serbët. As kur ishim të pambrojtur nuk përjetuam gjëra të
tilla”. Shpirtrat binjakë të keqardhjes për viktimat e skllavëruesit ose të
persekutonit zgjohen shpejt në Angli, por këta njerëz nuk mund t’i bëjnë të
ditura vuajtjet e tyre. Britania e Madhe nuk ka konsuj në Shqipëri (përveç se
në Shkodër) dhe as gazetarë; në të vërtetë, dyshoj se në atë vend nuk ka asnjë
korrespondent zyrtar. Të huajve, që dëshirojnë të vizitojnë viset ku po kryhen
masakra, u duhet të shkojnë nga Beogradi, ku do të tregohen as më shumë e as më
pak, vetëm ato, që dëshirojnë autoritetet atje. …Sikur kjo letër të ishte
shkruar në frymë politike, Sër, do të kisha shtuar se shqiptarët duhet të
zhdëmtohen për ato masakra, do të kërkoja dënimin e përgjegjësve dhe shqyrtim
të sërishëm të çështjes së kufijve; por unë kam shkruar vetëm me shpresën e
sinqertë se ndikimi juaj mund të bëjë diçka për t’i dhënë fund kësaj neverie
dhe se “The Spectator” mund t’u bëjë të njëjtin shërbim jo vetëm popujve të San
Thomes, por edhe popujve në portat tona. Nevoja për veprim është aq e ngutshme,
sa nuk mund të thuhet me një fjalë…
T’i lëmë të vdekurit e Ballkanit të varrosin të vdekurit
e tyre; le të shpëtojmë, nëse mundemi, gratë dhe fëmijët që kanë mbetur ende
gjallë. Përderisa Britania e Madhe ka premtuar bashkërisht me fuqitë e tjera të
mbrojë një popull, duhet të kujdeset që ky detyrim të përmbushet. Nëse kjo
kasaphanë nuk prek prestigjin tonë, ajo duhet të prekë nderin tonë shumë
thellë. Beogradi mund t’i japë fund kasaphanës, madje Beogradi mund të
detyrohet t’i japë fund.
Ismail Qemali dhe Isa Boletini ne dhjetor 1912. (foto e
botuar ne “il Giornale d’Italia”)
AH për “Lord Cromer”. E premte, 10 tetor 1913
Sapo kam marrë këtë telegram nga Onslow, në Zurën e
Jashtme “Isa Buletini, i sëmurë ose i plagosur në një fshat shqiptar. Po ta
kapin, do ta gjykojnë sipas ligjit ushtarak. Onslow”. Gazetat, të cilat as
Paget, as unë nuk i kemi vënë në dyshim, duket se u kanë paraprirë ngjarjeve.
Nëse ai është sëmurë dhe di që ishte sëmurë para gjashtë javësh, serbët do të
bëjnë çfarëdolloj orvatjeje për ta shtënë në dorë. Ai është malësori luftëtar
më me përvojë në Shqipëri. Nëse e kapin, shpresoj që lutjet fisnike të letrës
suaj të kenë rezultat; nëse arratiset, myslimanët, për të cilët ju keni bërë aq
shumë, duhet t’ju jenë më se mirënjohës për qëllimin e mirë të telegramit tuaj.
“Komiteti shqiptar” nga AH, pa datë, 1922-23
Në përfundim të Luftës Ballkanike, kur Turqia europiane
ishte shpartalluar, në vend të përfaqësuesve, në Angli mbërritën refugjatë, për
të bërë të njohur gjendjen e tyre të dëshpëruar. Përfaqësuesit e Maqedonisë, të
cilët gjithë jetën kishin përjetuar vrasje dhe mizori, ende ruanin besim
patetik në drejtësinë e Fuqive të Mëdha…
…Mbërriti delegacioni shqiptar, i përbërë nga burra të
tri besimeve të ndryshme-ortodoksë grekë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të
tij ishte Ismail Qemal Beu, një burrë gojë-ëmbël dhe me dhunti të gjithanshme,
jeta e të cilit kishte qenë një kolovajzë e gjatë dhe plot rreziqe. Dobësia e
tij qëndronte në rrethanat e tij dhe në debulesën që kishte për fëmijët e tij.
Nëse ishte dredharak, arsyeja ishte se në pozitën e tij ishte e vështirë të
ishe i drejtpërdrejtë. Skamja ishte mbikëqyrësi i rreptë i tij dhe në disa
raste, atij i lypsej të gjente gjuhën e përbashkët midis bindjeve të
papranueshme dhe sjelljes së pranueshme, në dëm të së parës. Ai ishte dishepull
i Mit’hat Pashës, guvernator i Përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i
Përgjithshëm i Kretës, guvernatori i emëruar i Tripolit, këshilltar i Sulltanit
dhe i arratisur nga Sulltani, redaktor anglofil, mik i Gordonit “kinez”, bir i
aventurës, ai ishte një burrë plak i lodhur dhe i rraskapitur, avokat i një
vendi të rrënuar. Ishte tregimtar i shkëlqyer dhe i admiroja historitë që
tregonte për veten dhe të tjerët… Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë
të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete
një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm
nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhshme nga çiltërsia, i
detyruar nga rrethanat. Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij kishte
fuqinë ta formulonte me brishtësi. Sikur Sër Henry Campbell-Bannerman të ishte
martuar me një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës së tij të ishte i
detyruar që, për të shmangur rrahjen me thupër në shputat e këmbëve, të
qetësonte dhe zbuste Abdul Hamitin dhe shpesh ta kishte pasur të vështirë të
siguronte para dhe strehim sa për të kaluar natën, ai do të kishte pasur shumë
të përbashkëta me Ismail Beun. Figura të tjera të shquara të delegacionit
shqiptar ishin Monsinjor Fan Noli dhe Faik bej Konica, të cilët përfaqësonin
“Vatrën”, federatën e shqiptarëve të Amerikës. Vëllai i tij, Mehmet bej Konica…
kishte qenë në shërbim diplomatik turk. Monsieur Filip Noga ishte katolik dhe
ishte po aq i përkushtuar ndaj muzikës, sa edhe ndaj politikës. Figura më
piktoreske e delegacionit ishte Isa bej Boletini, Robin Hoodi i Shqipërisë. Ai
ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij
dhe si njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se
sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve, ishin shndërruar në fabula. Në
Londër ndjehej i humbur dhe përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte
asnjë fjale të vetme anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë
kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve, vazhdimisht merrja telefonata
të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa
shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here…
Shqiptarët që erdhën në Angli, lanë përshtypje të shkëlqyera. Në një rast, z.
Lloid George drekoi me mua për të takuar shqiptarët dhe pas drekës, Toni
Precha, i restorantit shqiptar dhe unë, përkthyem bisedën ndërmjet Isa Beut dhe
ministrit të Financave. “Tregoji atij”, tha Isa, “se unë jam malësor si dhe ai,
andaj e di që zemra e tij ka dhembshuri për ata që vuajnë, sidomos për
malësorët”. Pastaj bëri një mbyllje të ashpër me fjalët, “dhe thuaji që, kur të
vijë pranvera, do t’i plehërojmë fushat e Kosovës me gjakun dhe kockat e
serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë, sa nuk mund të harrojmë”.
E mendova me vend ta zbusja paksa frazën e fundit, por z.
Lloyd George u ngazëllye me malësorin shtatlartë, tek i cili mendonte se pikasi
një shpirt të përafërt dhe u tregua i afruar me të.
… Krahas ndihmës politike, Komiteti Shqiptar bëri ç’të
mundte për të argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në
kopshtin zoologjik. Kur po ngisnim makinën teposhtë rrugës “Regent”, vumë re që
kishin vendosur afishe: Vrasja e Njazi Beut nga djali i Isa Boletinit. Anëtarët
e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u ndjenë më të
befasuar dhe ndoshta më të tronditur se unë nga ky lajm. Ata besonin se kjo
duhej të ishte një shpifje tjetër ndaj një populli të pambrojtur. “Tregoji
atij, -m’u drejtuan ata, -se çfarë
shkruhet në afishe”.
I thashë Isa Beut: “Në ato mure është shkruar se djali
juaj ka vrarë Njaziun. E besoni këtë”?
“E çfarë do të ndryshonte tek unë, -u përgjigj Isa me
maturi, -po të ketë ndodhur?”.
I thashë: “Asgjë. Në vendin tonë nuk e duam vrasjen, por
njeriu nuk ka pse fajësohet për ato që bëjnë të afërmit e tij”.
“Atëherë, -m’u drejtua Isa, -mendoj se është mjaft e
mundur. Im bir dhe Njaziu kishin bërë be se do ta vrisnin njëri-tjetrin”.
Shkuam në kopshtin zoologjik dhe teksa shëtisnim, Isa
tha: “Të gjitha gjërat këtu i keni mbyllur në kafaze, përveç Djallit. Mua më
pëlqen liria”. Në Dhomën e Komuneve, Isa i befasoi të gjithë me kostumin e tij
kombëtar. S’kishte se si të mos e shihnin gjithë admirim. Atij i bëri
përshtypje të madhe Lord Treowen, të cilin e takoi në uniformë dhe ishte shumë
i dëshiruar ta merrte me vete në Shqipëri dashur, pa dashur. Bëri shumë miq, të
cilët i treguan atij lavditë e Londrës. E megjithatë, në një moment më tha:
“Sado që këtu gjithçka është madhështore dhe megjithëse ju anglezët jeni mjaft
të mirë, prapëseprapë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.