Ejëll Çoba, dëshmitë për tmerret në qelitë e diktaturës


ELISABETA ILNICA
Ejëll Çoba, avokat, gjyqtar, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër, nga viti 1935 deri më 1944


Mençuria e nënës pak orë para pushkatimit i ka falur jetën, por, fatkeqësisht, nuk mjaftonte për ta shpëtuar edhe nga burgu politik. Jo pak, por… 25 vite pas hekurave, në mes torturash dhe punës së detyruar; 2 vite nëpër hetuesi dhe 23 të tjera në qeli. “Jetë e humbun, por mos raftë me u harrue”, do të shkruante për veten Ejëll Çoba, teksa pas lirimit përpiqej të hidhte në letër kujtimet copa-copa. Të gjitha bashkë tashmë janë një copë e madhe dhe e vetme. Një libër i plotë me dëshmi rrëqethëse nga diktatura për masakrat mbi të burgosurit, me emra martirësh dhe xhelatësh, që janë botuar pas vdekjes (1979) nën kujdesin e mbesës së tij, Jozefina Topalli Çoba, aktualisht kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Një ferr tokësor, 1946-1970 nga burgjet e Bedenit të Kavajës, Orman-Pojanit të Korçës, të Tiranës dhe Burrelit, për të cilin Ejëll Çoba kritikon me ironi Dante Aligerin që duhet ta kishte vizituar patjetër, para se ta përshkruante në librat e tij”…
Si djali i regjentit të Shqipërisë Gjon Çoba, dikur gjyqtar, avokat, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme, Ejëll Çoba paraqitet modest në kujtimet për veten, i matur kur flet për të tjerët dhe karizmatik për vuajtjen. Rrëfimi nis që nga 2 nëntori 1946. Atëherë, kur pas dy vitesh arrati, për shkak të akuzave nga qeveria komuniste për mbajtjen sekret të informacioneve shtetërore dhe lidhjeve të supozuara me Ballin Kombëtar, Legalitetin, Indipendentët, ai dorëzohet në polici. Shkak u bë një dekret-ligj i sapodalë, ku theksohej se “do t’u falej jeta dhe do të gjykoheshin me drejtësi personat e akuzuar të cilët do të vetëdorëzoheshin”. Po çfarë kishte bërë Ejëll Çoba, që të ishte në listën e të shumëkërkuarve të qeverisë komuniste, pas çlirimit të vendit?
I lindur në vitin 1908 në Shkodër, ai u rrit në një familje prej 4 personash: nëna Pina, vëllai Mikel (avokat, ish-diplomat i MPJ-së, sekretar në Legatën shqiptare në Beograd deri më 7 prill 1939), vëllai Filip, nëpunës banke, dhe motra Nikolina. Kreu shkollën e jezuitëve deri në vitin 1917. Më pas ndoqi mësimet e mesme jezuite në Breshia të Italisë, në institutin “Araçi”. E përfundoi më 1928-n dhe, po këtë vit, filloi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Romës, deri më 1932. Pavarësisht rezultateve shumë të mira, ai kthehet në Shqipëri në vitin 1935, për të pranuar punën si ndihmësgjyqtar në Berat dhe një vit më vonë, si gjyqtar pajtues në Vlorë. Një gradë më e lartë kjo, ashtu siç do të ishte emërimi i radhës në Korçë, ndihmësgjyqtar fillor i këtij qyteti deri në janar të vitit 1939. Kjo është periudha që Ejëll Çoba transferohet në Gjykatën e Tiranës, ku ushtroi detyrën e kryetarit, ndërsa ofertat për të qenë në institucionet qeveritare të asaj kohe i erdhën njëra pas tjetrës. Herë me detyrën si sekretar i Përgjithshëm dhe herë si nënministër, ai u bë pjesë e kabinetit të Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Rexhep Mitrovicës, etj., deri në formimin e qeverisë komuniste. Pikërisht këto emërime, si dhe akuzat për lidhje ilegale me ballistët, legalistët, indipendentët, etj., do të shndërroheshin për Ejëll Çobën në faje aq të rënda sa të meritonte vdekjen. Një vendim ky i propozuar nga hetuesi Abdyl Kuçi, prokurori i çështjes, Petrit Hakani dhe i miratuar nga gjyqtarët Gjon Banushi, Vasil Karajani e Xhevdet Fishku, por që nuk u ekzekutua. Shpëtimi i erdhi nga nëna e tij Pina, e cila nëpërmjet një letre, i kujton Prokurorisë së Përgjithshme se “dekret-ligji Nr.339, datë 28.10.1946, i falte jetën personit që ishte vetëdorëzuar”. Çështja shkon për rigjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake dhe, teksa Ejëll Çoba priste nga çasti në çast vdekjen, mbërrin lajmi “i mirë”: Dënim me burgim të përjetshëm! Lajm, që nuk i dha asnjë lloj emocioni Ejëll Çobës, pasi siç e thotë ai që në fillim të kujtimeve: “Në mbramjen e 2 nandorit, ditën e shtunë, filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë që do të zgjaste pa ndërpremje deri më 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muaj e 5 ditë. Një çerek shekulli i plotë, nji jetë e humbun”. Fraza e fundit është edhe titulli i librit, ndërsa ato çfarë do të lexoni më poshtë, janë pjesë të shkëputura nga ai, duke ruajtur dialektin shkodran.
2.11.1946

Kopertina e librit me kujtime, të botuara pas vdekjes së Ejëll Çobës, me titull “Jetë e humbun”

Nata e parë që fjeta i shkujdesun pas 2 vjetësh. Qetësi vdekjeje, si nata e parë e Searzon-it në vorr. Mbramjen e 2 nandorit, ditën e shtunë filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë që do të zgjaste pa ndërpremje deri më 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muaj e 5 ditë. Kalvar jo ma i pakët kishin qenë edhe dy vjetët e maparshme. Një çerek shekulli i plotë, nji jetë e humbun!
Ishte ora 9 e mbramjes kur hyna në nji dhomë të vogël, ku ishin katër vetë. Kapteri më caktoi vendin afër dritares. Porosia e parë që më dha ishte: Mos shiko nga dritarja, se roja e jashtme ka urdhër t’ju qëllojë mu në kokë. M’u duk zell i tepërt e naiv. Jeta e burgut e mavonshme më mësoi se ai kishte folë vetëm për kërcënim.
* * *
Më 25 dhjetor, ditën e Kërshëndellave, aty nga ora 11:00 erdhi kapteri i burgut dhe më tha “Eja” dhe më çoi drejt një kamioni. Duart i kisha të lidhuna dhe në kamion nuk mund të hypsha ashtu. Prandaj një roje më vuni shpatullat në vithe dhe më ngriti. Zura vend në krye të kamionit. Gjashtë roje të armatosuna ishin ulë në spondat e kamionit (po transferohej në burgun e Tiranës.shën.red)… Të nesërmen, pesë oficera hapën derën dhe u futën plot madhni. Njëri nga nëntogerat, m’u afrue e me nji buzëqeshje ironike që tregonte se më njihte mirë dhe me qëllim të dukshëm që ta kujtojshin edhe oficerat e tjerë, më pyeti:
“Kush je ti?”
Si ia tregova, vazhdoi:
“Ç’zyrë ke patur?”
Unë fillova t’i thosha gjyqtar… e ai:
“Pastaj?”
Unë: Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë.
“Pastaj?” – dhe si për të ndigjue ma mirë, kishte ngritë dorën e majtë të shtrime në naltësinë e veshit të vet.
Unë: Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
“Pastaj?” – dhe afronte ftyrën ma afër ftyrës sime.
Unë: Nënministër pranë Këshillit të Ministrave.
“Pastaj?” – e vazhdonte me u afrua edhe ma.
Unë: Nënministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Heeee!”, – ia bani me kënaqësi dhe za të naltë, e, njëkohësisht, uli me turr dorën që kishte afër veshit të tij dhe afër hundës sime. Unë instinktivisht largova ftyrën.
Kështu vijoi disa javë. Kuptohet se natën s’gjejshim pushim. Vetëm afër mëngjesit, kur britmat e të torturuemve të këputun e të drobitun shuheshin dhe ata bijshin të mekun… Në këtë gjendje kalonin ditët, në pritje kur të na vinte radha edhe na me ulërit si kafsha. Nji ditë, Salih Vuçiterni (shok dhome në hetuesi) më tha: “Jam gati të nënshkruej dënimin e vdekjes, por vetëm të shpëtoj nga torturat”.
* * *
Mbas do ditësh, Salih Vuçiterni u transferua. Gjatë ditëve që qëndrova në birucë, nji mbramje ndigjova zane, të qeshuna dhe “hyjo, hyjo” dhe kambë që vrapojshin. Nuk arrijsha të kuptojsha ç’po ndodhte. Shikova në sy shokët e birucës në mënyrë pyetëse. Ata që ndodhedhin prej kohësh në biruca dhe kishin shëtit prej njënës në tjetrën, më shpjeguen se ajo zhurmë, poterë gazmore, ishte nji argëtim që ua lejojshin vetes hetuesat kur kryejshin punën e ditës. Secili hetues merrte të pandehunin që kishte në hetim ose në torturë, dhe mbasi i rreshtojshin në fund të korridorit, u hypshin në qafë. E mbas nji shenji të dhanun, të pandehunit me hetuesin në shpinë, vrapojshin gjatë korridorit nja 2-3 herë, në garë me njeni-tjetrin. Natyrisht, hetuesi kalorës merrte pjesë aktive në garë, me shqelma në ije të kalit e me grushta në kokë, e nxiste sa ku mujte “kafshën” që kishte nën vithe. Hetuesi që ishte në shpinë të kalit ma të shpejtë, deklarohej fitimtar e shokët hetuesa, tue qeshë e tue u gajasë shkojshin në klub për të çue nji gotë për fitoren e kolegut. Më shkoi mendja se ai oficer që do të kisha unë për hetues, sado mamuze të forta të kishte, nuk do të kishte shans me dal fitimtar.
* * *
Ashtu në ankth e në pritje që të më vinte dhe mue radha e kashagitjes, po kalojshin ditët e lagshta të atij dimni, kur një roje erdhi dhe më thirri. Më përcolli në dhomën e kapterit, që në bisedë e sipër kuptova se quhej Abdyl Haki Kuçi. Emnin ia kisha ndigjue në Shkodër si i dërguem për të raportue mbi të arratisunit e dorzuem. Kisha pa me sy torturat e bame me danë në trup të nji kushrinit tim për shkakun tim. Në 3-4 vende kishte gjakosje, shtypje e grisje të mishit. Por, ai e filloi bisedën shumë butë. Më pyeti për studimet, karrierën time, për funksionet që kisha pasë, të cilat unë u përgjigjesha me qartësi dhe s’kisha arsye pse t’i fshehsha. As kërkojsha me i zbutë ose me i ndryshue. Kisha saktësinë e plotë se nuk kisha krye asnji veprim në dam të vendit dhe as të popullit. Madje sa herë më ishte paraqitë rasti, mbrenda mundsive të mia të pakta, isha përpjekë me i vjeftë kujtdo… Brenda pak ditëve mbërritëm të plotësojmë nji procesverbal, që hetuesit nuk iu duk i mjaftueshëm për të justifikue punën e tij hetimore. Këtë procesverbal e firmosa pa vështirsi dhe pa asnji shtërngim fizik. Kështu, unë mendojsha se hetimi kishte marrë fund dhe fillova të rri i qetë në qeli. Të kalojshe hetuesinë në atë kohë pa tortura ishte gja e pamundun. Ky fat të më takonte mue? A do ta mbajshin fjalën e dhanë kur u dorëzova se nuk do të baheshin tortura? Prapë më dukej e pamundun! Provë të qartë kisha shokët e qelisë, të cilët tregojshin të gjithë për tortura të tmerrshme.
* * *
Këto bluejsha me mend në ato ditë të lagështa e të ftohta të janarit të vitit 1947. Jeta e qelisë, jetë vorri, tanë frigë e mërzi. Në ato ditë filluem të shohim njerëz në brekë, që rrijshin në kambë, me ftyrë nga muri në fund të korridorit, në mes të qelisë sonë dhe qelisë përkundruell. Sa herë hyjsha e dilsha prej qelisë, nuk i shikoja ata, se m’u dukte vetja i lig. Të shohësh njerëz të njohun e të mos jesh i zoti t’u vijsh në ndihmë!
Andej nga ditët e fundit të janarit, më thirri prapë hetuesi. Më thotë që duhej të bajshim nji proces të ri, pse atë që kishim ba, nuk e pranonte Drejtoria e Sigurimit. Arsyetimi nuk ishte aspak logjik, e kuptohej se qëllimi nuk ishte për të zbulue ndonjë fakt të ndodhun, por për të thurë nji dukje fajsie, për të justifikue nji dënim të randë, dënimin me vdekje. E mundësisht për të justifikue, së paku në dukje, mosmbajtjen e amnistisë së shpallun publikisht. Prandej iu përgjigjia menjëherë se unë nuk kisha kurrgja tjetër për të thanë dhe as për të shtue. Atëherë hetuesi më tha se Drejtoria e Sigurimit donte të dinte: 1. Cilët ishin spiunët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 2. Si janë marrë vendimet për ekzekutimet e 4 shkurtit dhe të 28 shkurtit 1944. 3. Me cilët persona kisha pasë lidhje gjatë kohës që kisha qenë i arratisun 2 vjet.
* * *
Nga lloji i çështjeve dhe nga toni i hetuesit e kuptova se do të kërkonte edhe me tortura me pasë rezultatin që dëshironte. E mbasi te pika e tretë do të implikohej edhe im vëlla Keli (Mikel Çoba), që më kishte strehue, vendosa të mbaj qëndrim krejt mohues. Jo vetëm për të mos implikue persona të tjerë, për të cilën ia kisha mbushë mendjen vetes qysh se u dorëzova, por edhe për të mos fajsue veten pa pasë faj për t’i shpëtue torturave. Kapiteni hetues, Abdyl Haki Ruçi, filloi të më këshillonte që të mejtohesha mirë, tue insistue se mohimet do të kishin pasoja të randa për mue e familjen. Më la të mendohem nji natë dhe të nesërmen më thirri prapë. Filloi të më tregonte se e njihte mirë organizimin e Ministrisë së Brendshme dhe mënyrat e mjetet me të cilat para çlirimit shtypej populli, tue lanë me kuptue se mjeti ma i përdorun për të zbuluar neokomunistat e veprimet e tyre ishte aktivizimi i spiunëve. Natyrisht, unë si nënministër i Ministrisë së Mbrendshme më 1944, duhej t’i dijsha mirë emrat e spiunëve dhe veprimet e tyre. U mundova t’i shpjegoj se edhe në kohën kur unë isha në atë ministri, veprohej sipas sistemit Italian. Prefektat për çdo muej raportojshin gjendjen e prefekturës dhe kërkojshin udhëzime për masa eventuale. Në bazë të këtyre raporteve, Ministria jepte udhëzimet e rastit. Prandej Ministria nuk kishte spiunë të vet. Eventualisht, e personalisht Ministri mund të kishte informatorë, por për këta, natyrisht, nuk vinte asnjeri në dijeni.
* * *
Hetuesi u interesue të dinte nëse prefektat dhe qarkomandantat kishin fonde për hetime e nëse dërgojshin në Ministri njerëz për t’u shpërblye. Në të vërtetë, Ministri kishte në dispozicion nji fond që quhej “sekret”, të cilin e administronte personalisht e për këtë nuk ishte i detyruem të jepte llogari. Natyrisht, për përdorimin e këtij fondi unë nuk mund të vihesha në dijeni dhe për këtë nuk isha interesue asnjëherë. Më pyeti gjithashtu se kush hynte e dilte në Ministri. Iu përgjigja se këtë nuk mund ta ditsha, mbasi kisha zyrë më vete dhe nuk më interesonte ta dijsha nji gja të tillë. Por, kur hetuesi i nevrikosun insistonte me ditë me dijtë se kë kisha gjetë në zyrë të Ministrit sa herë hyjsha unë, iu përgjigja se kisha gjetë disa herë Hysni Demën, komandant i Përgjithshëm i Xhendarmërisë, Tahir Kolgjininin, drejtor i Përgjithshëm i Policisë, e ndër privatë, kisha gjetë njëherë Beqir Valterin, i cili kishte qenë dënue prej gjyqit special dhe ekzekutue. Hetuesi u kthye prapë te çështja e spiunëve dhe kur pa se unë insistojsha në shpjegimet e dhanuna, u zemreu, më dha urdhën të hiqja pallton, xhaketën e pulovrin. E si më la në këmishë, më nxorri në korridor, thirri rojen që quhej Vani e i tha të më fuste në nevojtore.
* * *
Posa kapiteni hetues dhe roja mbyllën derën dhe më urdhëruen të rrijsha pa luejt prej vendit në kambë, hapa veshët për të kuptue nëse kishte ndonji njeri në vendet e nevojtoreve. Menjëherë kuptova se dikush, në heshtje të plotë, merrte frymë. Po kush mund të ishte? Ndonjë rrezikzi si unë apo ndonjë roje për nevojat e veta. Prita. Mbas do kohe, kur u sigurova se roja i korridorit ishte larg derës, zgjata kryet në korridorin e ngushtë para katër nevojtoreve të tjera. Në fund të këtij korridori, i varun prej krahësh me zinxhirë barkash, i kapun te hekurat e dritares, rrinte nji burrë i gjatë me kokën varun në sup e me gishtat e kambëve që posa i cikshin në tokë. E njoha. Kishte qenë shofer i Ministrisë së Drejtësisë. Hapi sytë, më njohu e ma shumë me shenja se me fjalë, më shfaqi çudinë që po më shihte aty. i thashë: “A kam çka të ndihmoj?”. Ai më tha: “Jo, s’ke çka më ban, kam disa dit që e gdhij këtu”.
Ndërkohë, prej nevojtores së parë nxori kryet një djalë i ri, me kambë të zbathuna në çimento, i cili më tha se quhej Emin Bakalli, vëllaj i doktor Bakallit. Kishte qenë në shkollën e Fultzit. Kjo më mjaftonte me kuptue pse ndodhej aty. Ai më tregoi se në nevojtoren tjetër ishte Panajot Zbogi, mos u gabofsha himarjot. Këto qenë njohjet me shokët e torturës.   Pak para mesditës erdhi roja e u dha Bakkallit e Zbogit nga nji franxhollë, që ishte gjysma e racionit që u shpërndahej të burgosunve në ditë. Mue dhe Stermasit nuk na dhanë gja. Mbas mesdite na nxorrën prej nevojtores. Shokët i çuen nëpër qelitë e tyne, kurse mue më lanë në korridor, bri murit e më hodhën në kokë nji velenxë, që më mbuloi në tanë trupin. Megjithëse ishte e randë e detyrohesha të rrija qiri në kambë pa u mbështetë, prapë e mbajta me kënaqësi se më ngrohu. Natyrisht roja nuk ma bani këtë të mirë për të më favorizue, por për “vigjilencë revolucionare”, që të mos më njihshnin të burgosunit e tjerë kur të dilshin prej qelive për të shkue në nevojtore. Në këtë pozicion ndenja 3 orë… Mandej, të katërt na kthyen në vendet e caktueme. Aty kaluem mbramjen gjithë natën. Kur mendojsha Stërmasin e kryqzuem si Krishti dhe Bakallin të zbathun në çimento, m’u dukte vetja i privilegjuem. Fillova të ndjej lodhje e, herë pas here, ulesha në qoshe të murit, por tue mbajtë gjithmonë veshin te kambët e rojes kur ecte në korridor, i cili shpesh vinte e shikonte në sportel se mos isha ulë ose flitshim me njeni-tjetrin. Në katër të mëngjesit na nxorën prej nevojtores. Kësaj here, një roje ma pak vigjilent më shtiu në qelinë time, përkohësisht. Përfitova menjëherë dhe u futa në dyshek për me fjetë dhe për t’u ngroh pak. Nuk di a fjeta, por ato orë kaluen shpejt. Kur erdhi roja me më thirrë për të shkue në vendin e torturave dhe më pa se isha shtri e mbulue, tha: “Edhe qenke futë në rroba”, ndërsa më qëlloi me fshesën që u kishte sjellë shokëve për të pastrue qelinë.
* * *
U ktheva për të fillue ditën e dytë në nevojtore. Të katërtve, njenin mbas tjetrit, na thirrën hetuesat përkatës. Hetuesi im më pyeti nëse isha mejtue e se ç’kisha për të thënë. Si mori përgjigjie të preme, filloi të më godasë me grushta e me shqelma, tue shfrye e tue thanë se isha anmik i betuem. Për fatin tim, kapiteni-hetues Abdyl Haki Kuçi, ishte imcak, i pafuqishëm, madje turbekuloz, së paku në dukje, kështu që goditjet e tij kishin efekt vetëm me më ngrohë. Ditët po kalojshin, erru-gdhiju në nevojtore, i lodhun mjaft, i zhveshun, i ushqyem pak, në të ftohtë e pa gjumë. Tri herë në ditë takim me hetuesin. Tortura vazhdonte derisa bijsha i vdekun. Kështu kishin kalue 10 ditë…  Pika e dytë, mbi të cilën donte të dinte hetuesi, ishte përgatitja dhe ekzekutimi i vrasjeve të 4 shkurit dhe 28 shkurtit 1944. M’u desh nji përpjekje e vogël për ta bindë hetuesin se me 4 shkurt, unë nuk isha ende në Ministri, pasi në atë vend jam emnue me 13 shkurt… Për katër dit rresht, tue u errë e tue u gdhi në nevojtore, me gjysmë racioni bukë çdo dy ditë, i zhveshun në atë dimën të lagësht e të ftohtë, në nji dritare pa xhama, e tue provue për tri herë në ditë grushtat dhe shkelmat e kapiten Abdyl Haki Ruçit, mundohesha me e bindë se për 4 shkurtin s’kisha as ma të voglën dijeni. Tek e mbramja hymë në çështjen e vrasjes së 28 shkurtit. Hetuesi filloi pyetjen: “Si e more vesht vrasjen e katër vetëve në rrugën e Rusit?”.
* * *
Me 27 shkurt ishte vra nji kapter policie në atentat. Atentatorët u kapën mbrenda ditës. Si më ka thanë ma vonë Hamdi Isufi, ata kishin qenë gjashtë. Njenin e shpëtoi Mehdi Frashëri, tjetrin Hamdiu, që ishte qarkomandant. Katër të tjerë u ekzekutuan brenda katër orëve për terror. Pyetjes së hetuesit iu përgjigja me sinqeritetin ma të madh. Në mëngjesin e asaj ditë, para se të shkojsha në zyrë, nji grue që shërbente në familjen tonë e kishte dalë herët për me ble bukë, më tha se në nji rrugës mbi shtëpinë tonë, në rrugën e Dajtit, ishin katër vetë të vram. Në zyrë, mbasi ministri s’kishte dalë akoma, thirra Rrok Malokun, drejtor i Zyrës Sekrete dhe e pyeta se ç’ishin këta katër të vram në rrugën e Rusit? “Janë atentaorët e policit”, m’u përgjigj shkurt. Ndoshta as ai nuk dinte hollësina të tjera. Punë të tilla Xhaferr Deva (ministër i Brendshëm) i bante me sekretarin e vet privat, Isuf Devën. Mbas pak, kryeministri Rexhep Mitrovica, më pyeti me telefon se ku ishte ministri, se nuk i ishte përgjigjë. I thashë se ende s’kishte dalë në zyrë. Atëherë, – shtoi, – shko në shtëpi të tij dhe thueji se asht mbledh Këshilli Ministror dhe kërkon të dijë rreth katër të vramve. Posa dola, në shkallët e ministrisë takova ministrin Xhaferr Deva dhe Hysni Demën, komandant i Përgjithshëm i Xhendarmërisë. U kthyem në zyrë. I thashë fjalët e Kryeministrit. “Mirë”, – m’u përgjigj. – “Shko në këshill e thueji se elementa të së majtës kanë vra nji polic e sot elementa të së djathtës kanë marrë hak, tue vra katër njerëz të së majtës. Hetimet janë në vazhdim e kur të përfundojnë do t’ju vemë në dijeni. “Unë nuk mund t’i çoj Këshillit Ministror një përgjigjie të tillë”, – i thashë. “Atëherë, eja edhe ti me mue të ndigjosh përgjigjien”, – më tha e, së bashku, shkuem në Kryeministri. Këshilli po bisedonte rreth disa çështjeve të tjera. Si u dhanë fund, pa i kërkue kush gja, Deva mori fjalën dhe u tha  ministrave sa më kishte thanë mue. Asnji prej ministrave nuk bëzani. Kryeministri kaloi në biseda të tjera. Për sa qëndrova në ministri, as në Këshillin e Ministrave dhe as me Devën, nuk u bisedua kurrë ma kjo çështje.
* * *
Hetuesi, si zakonisht, i shkruante fjalët e mia. Kisha përshtypjen se përpiqej ta trashte procesverbalin, qoftë edhe me gjana të parandsishme. Megjithatë, tregohej i pakënaqun e vazhdonte të më mbante me tortura. Mbaj mend se kërkonte të pohojsha se si nënministër mbajsha lidhje me Komandën Gjermane. Mbaj mend edhe se nji herë që më kishte ulë në çimento të lidhun, u mundue të më godiste në shpinë me thembrën e çizmes me kaq fuqi, sa e humbi ekuilibrin dhe shkoi e u përplas në derë. Dera u hap dhe ai u rrëzue në korridor, me habi të madhe të rojes që ishte mbas dere, i cili sigurisht do të ketë dyshue se mos e kam përplas unë me ndonji grusht ose shqelm. Rreth kësaj pike hetuesi insistoi për 2-3 dit e në mbrëmje kujtoi se kishte gjetë nji provë të pakundërshtueshme të lidhjes sime me gjermanët si nënministër: “Ti thua se nuk ke pasur lidhje pune me gjermanë, por unë kam një dokument me firmën tënde që dëshmon për të tilla lidhje”. “Nuk mund të egzistojnë prova e fakte për gjana që s’kanë ndodhë”, – ia ktheva unë. “A ma jep me shkrim se nuk ke pasur të tilla lidhje”, – insistoi ai. “Edhe njitash e me çdo kusht”, – iu përgjigja me sigurinë ma të madhe për çka po thosha. “A ma jep me shkrim se do të pranosh edhe dënimin me vdekje, po të nxjerr një dokument për fajsimin tënd?”, – vazhdoi ai. “Jam gati të pranoj me firmën time dënimin me vdekje”, – iu përgjigja me vendosmëri e me hov edhe ma të madh e gati me kënaqësi.                                       


Kronologjia

2 nëntor 1946- Arrestohet Ejëll Çoba, djali i regjentit të Shqipërisë Gjon Çoba, dikur gjyqtar dhe avokat, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme. Arrestimi u bë pas vetëdorëzimit të tij, me marrëveshje, pas 2 vitesh arrati
10 janar 1947- Hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Abdyl Hakiu mori në pyetje Ejëll Çobën. E akuzua për “Për faje kundër popullit”, moskallëzim të sekreteve shtetërore, në kohën kur ishte pjesë e kabinetit të Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Rexhep Mitrovicës, si dhe për lidhje me Ballin Kombëtar, Legalitetin, etj.
20 maj 1947- Pas 4 muajsh tortura nga më çnjerëzoret, Gjykata Ushtarake e Garnizonit Tiranë, e formuar prej major Gjon Banushit (kryetar), nëntoger Vasil Karajanit dhe aspirant Xhevdet Fishku (anëtarë) dhe me praninë e prokurorit kapiten Petrit Hakani, mori në gjykim 35 vjeçarin Ejëll Çoba
28 maj 1947- Gjykata e shpall fajtor për disa akuza, edhe pse vetë Ejëll Çoba nuk pranoi asnjë prej atyre. Në bazë të nenit 16 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, gjykata e dënon me vdekje. Vendimi ishte i formës së prerë.
30 maj 1947- Nëna e Ejëllit, Pina Çoba, i drejton një letër Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo i kujton se dekretligji nr.339, datë 28.10.1946 i falte jetën personit që ishte vetëdorëzuar. Në këtë mënyrë ajo kërkonte heqjen e dënimit me vdekje për djalin e saj.
16 Qershor 1947- Vendimi i  shkallës së parë i përcillet për gjykim përfundimtar Gjykatës së Lartë Ushtarake. Ky institucion, duke marrë parasysh atë që nuk kishte vlerësuar gjykata e një shkalle më poshtë, vendosi kthimin e dënimit nga me vdekje në burgim të përjetshëm.
8 prill 1970- Komandanti i Repartit nr.321 në Burrel, Nazar Demiri plotësoi fletën e lirimit të daljes nga burgu të Ejëll (Engjëll) Çoba, 64 vjeç, pas 25 vitesh burg. Në këtë fletë shkruhej se Ejëll Çoba në burg kishte mbajtur qëndrim indiferent dhe se “lirimi bëhej për plotësim afati”


 “… Në kamp gjetëm edhe të burgosurit e Korçës dhe të Elbasanit. Baheshim gjithsejt 1500 të burgosun. U strehuem në do kapanone të mëdha, me nga 500 vetë në secilin. Kapanoni ishte i mbuluem me nji mushama sipër, kurse anët ishin me thupra e gjethe. Në anët e kapanonit shtriheshin dy pode dërrasash për secilën anë, njeni mbi tjetrin, e në mes shkonte nji rrugë e gjatë dy metra. Mbi këtë rrugë ishte ndërtue nji pod tjetër dërrasash, ku për të hypë duhej me u kacavjerrë në podet anësore e mandej me kërcye mbi podin e pestë, që ishte mbi rrugë… Me ne ndodheshin edhe dy të burgosun prej burgut të Durrësit, që ishin atë e bir. Njeni e kishte emrin Dhimitër Tirana. Nji ditë, tue u kthye prej pune, plaku mbeti në rrugë, s’mund të ecte ma e ra. Rojet iu lëshuan me shkopij. Shokët menjiherë lajmuen të birin që po vraponte me të tjerët. Ai u kthye menjiherë, e sadoqë rojet vazhdojshin t’i bijshnin t’et që të ngrihej, djali, nën breshninë e goditjeve, e ngarkoi babën mbi shpinë e nxitoi të arrinte shokët. Rojet vazhdojshin t’u bijshin djalit e plakut tue i britë: ‘Lëshoje, lëshoje!’. Në atë gjendje i ngarkuem, djali vazhdoi për kilometra me vrap deri në kamp. Mbas pak ditësh djali vdiq, por i biri na la nji shembull të shkëlqyem tue na tregue sa fuqi ka dashtnia për prindin… Të gjithë kishin shenja të dukshme lodhjeje. Disa mezi mbaheshin në kambë. Konstatova nji fenomen të panjohun prej meje. Përditë në mëngjes, para se të dilnim në punë, shihsha se ndonjeti i kishte ndryshue ftyra, bebet e synit i ishin hapë, përtonte edhe të përgjigjej po t’i bajshe ndonji pyetje, ecte si automat. Mbas pak ditëve, kur nuk shtrohej menjiherë në infermjeri, vdiste në kambë. Më kujtohet fare mirë nji fshatar nga burgu i Elbasanit. E kishin vu në majë të nji skarpate. Ku unë dhe disa të tjerë çojshim e derdhshim karrocat e dheut të gërmuem. Ai fshatari duhej ta përhapte e ta shtypte dheun me tokmak. Tue pa se nuk kishte fuqi, ia përhapsha unë dheun dhe kështu atij s’i mbetej veçse me e shtypë me tokmak. Por as këtë punë s’ishte në gjendje ta bante. Memzi qëndronte në kambë, i mbështetun me duer në tokmak. Rojet që kalojshin poshtë skarpatës, i thirrshin: ‘Luaj duart’ dhe e qëllonin me buca dheu. Ai i mjeri, ngaqë s’kishte ma fuqi, tentonte të ngrinte tokmakun, por ngrinte vetëm duert përpjetë, e shpejt i ulte në tokmak. Kështu kaloi të tanë ditën tue dihatë. Pesë minuta para se të binte bylbyli i mbarimit të punës, ra përdhe, kishte vdekë! Dhjetë orët e fundit të jetës së tij i kishte kalue me duer në tokmak, agoninë e kishte ba në kambë në krye të skarpatës… Nji fshatar, të cilit nuk ia mbaj mend emnin sepse s’e kisha njohë, vuente nga nervat. Nji ditë gjatë punës u largue dy-tri metra prej vijës së caktueme e hyni në nji arë me misër. Roja e jashtme i foli, por ai qëndronte në kambë i hutuem në mes të misrit. Shokët e thirrshin të kthehej këtej vijës, por ai kqyrte, nuk përgjigjej e nuk lëvizte. Ishte e qartë se nuk ishte në vete. Roja e jashtme shtiu nja 10 herë me mashinkë në ajër. Na, me gjithë rojet e brendshme u futëm të gjithë në kanal për të shpëtue nga plumbat. Mandej njena nga rojet e brendshme u muer vesh me ate të jashtmen e doli dhe e mori për dore atë fshatarin dhe e pruni këtej vijës pa asnji kundërshtim. Në ate moment ia mbrrini drejtori i kampit, Tasi Marko, që po kontrollonte bashkë me tetar Aliun nga Lushnja. Ndërsa drejtori po fliste me fshatarin, tetari i ra këtij me shkop në kokë. Fshatari ra në gjunj, u ngrit e bani dy hapa. Tetari i ra prap me shkop në kurriz. Fshatari ra prap e u shtri. Kishte vdekë. Drejtori dha urdhën që trupin e tij ta vejshin në rranzë të nji peme që ishte aty afër. Ne na dhanë urdhën të vazhdojshim punën e drejtori me tetarin vazhduen inspektimin e punimeve. Në heshtje të madhe vazhduem punën me nervozitet. Ndigjoheshin vetëm krismat e kazmave, të lopatave e të tokmakëve; rrotat e karrocave fërkonin me forcë boshtin.
Mbas nji ore dëgjuam nji batare mashinke. Të gjithë ndaluen punën. Dy-tre qind metra larg vendit ku isha unë, nji roje kishte shti e kishte vra nji të burgosun. Menjiherë e pa na thanë kush gja, rifilluem në heshtje punën e ndërpreme për nji minutë. Vesh në vesh u hap fjala se nji i burgosun nga rrethet e Krujës, nji zogist si thojshin, ishte largue nga puna për nevojë, por pa kalue shenjat e vijës së lejueme. Roja e brendshme i kishte thanë rojes së jashtme të shtinte në të burgosun. Roja e jashtme kishte refuzue, tue thanë se ishte brenda vijës së shenjueme. Atëherë roja e brendshme i kishte kërkue mashinkën rojes së jashtme dhe kishte shti në të burgosunin tue e lanë të vdekun në çast. Unë pashë që katër të burgosun sollën trupin e të vdekunit pranë pemës ku ishte edhe i vdekuni tjetër. Puna vazhdonte, 1500 të burgosun të heshtun punonin ma me forcë se kurrë!
Nji orë para se të binte bilbili i ndalimit të punës, nji roje i dha urdhën nji grupi puntorësh aty afër meje të hapnin nji gropë në skarpatë. Katër skuadërkomandanta të burgosun, sollën dy të vdekunit tue i kapë për kambësh e për duersh. Mandej tue i luhatë si lavjerrësa i hodhën njenin mbi tjetrin në fund të gropës. Roja u dha urdhën atyne që e kishin hapë, të mbushnin gropën me dhe. Të nesërmen, kur u kthyem prapë në atë vend për të vazhdue punimet, nuk dijsha me e gjetë vendin se ku ishin varrosë dy fatzezët, viktima të kota të nji urrejtjeje të pakupti e të paqëllim! Sado të egër ta kisha mendue shqiptarin, kurrë nuk do të kisha mbërrijtë me e përfytyrue të tillë. Më vinte turp se jam njeri!”. (Ejëll Çoba, Jetë e humbun, Tiranë 2010).


Google+ Followers