Disa mendime për librin e akademikut Mark Krasniqi “Kujtime e përjetime”, -shënime biografike-

Nga Prof.as.dr. Shefqet Hoxha


Rasti e solli që të marrim pjesë në këtë promovim e të thomi disa fjalë për librin me kujtime e përjetime të Akademikut të nderuar Mark Krasniqi. Dhe, po më pëlqen ta nis me një kujtim timin për te të para dyzet vjetëve. Si delegatë të Kongresit të Drejtshkrimit në nëntor 1972, pasi nënshkruam vendimet e tij, po ktheheshim në viset tona, prof. Marku nëpërmjet Shkodrës e Podgoricës për në Prishtinë e unë nëpërmjet Shkodrës për në Kukës. U takuam rastësisht në këte qytet në një lokal të vogël, pranë ish Komitetit të Partisë së Punës, ku prof. Marku kish ftuar aty një shok të tij, leksikologun e ndjerë Luigj Franja, me të cilin ish njohur në vitet 1941-1943, kur studionin të dy në Universitetin e Padovës. Biseduam për Kongresin dhe për gjurmimet etnologjike që po bënte profesori në Kosovë dhe unë në Lumë. I premtova t’i dërgoja disa të dhëna nga krahina ime që i duheshin për studimet e veta. Para se të ndaheshim shoferi i profesorit, një major i UDB-së siç na tha Marku me zë të ulët – na fotografoi dhe atë foto mbas disa ditësh ma solli me postë profesori shoqëruar me një shënim dashamirës, të cilën e ruaj si një relike me vlerë në arkivin tim. Pas atij takimi të largët nuk kam pasur rast për të biseduar me prof. Mark Krasniqin, por e kam ndjekur punën shkencore dhe aktivitetin politik të tij.
Në ato vite, sigurisht më parë dhe më vonë, megjithëse figurë e njohur në Kosovë e me funksione të larta arsimore e shkencore, prof. Marku ndiqej nga OZNA e UDB-ja, ndoshta edhe nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe këte e mësojmë edhe nga dëshmitë që shpalohen në kujtimet e tij.
Akademik Mark Krasniqi është një figurë shumëdimensionale e kombit: poet, prozator, hartues tekstesh mësimore, përkthyes, profesor universiteti, shkencëtar e gjurmues lamijesh të ndryshme (gjeograf, etnolog, sociolog, historian), publicist i spikatur, politikan vizionar, burrë i urtë e bisedar te s’vete, por mbi të gjitha patriot i njëmendët, luftëtar i vendosur për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Akademik Krasniqi është një mal i lartë në Kosovë dhe në mbarë kombin, një figurë shumë e dashur nga populli, tek i cili spikasin modestia (ndoshta e tepruar), ndershmëria, vërtetësia dhe besimi për të ardhmen, i denjë kahmoti për titullin e lartë Nderi i Kombit, sepse jeta dhe aktiviteti i tij në mjedisin e trazuar të Kosovës dhe në zigzaget e historisë dhe e tërë vepra e tij letrare, publicistike, shkencore e politike ertojnë vetëm atdhetarî.
Mark Krasniqi – siç dëshmon vepra dhe aktiviteti i tij – është një cung me rrënjë të thella etnike, visar i rrallë në palcën e kulturës dhe të traditave tona kombëtare, një shqiptar i vërtetë me horizont të gjerë e të thellë, polemist i vendosur në mbrojtje të idealeve të shqiptarizmit, gërmues i palodhur në zbulimin e të vërtetave dhe të rrënjëve nga kemi dalë.
Vepra më e fundit e Akademik Mark Krasniqit – Kujtime e përjetime – Shënime biografike”, botuar në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, është një udhëtim i gjatë 92-vjeçar, sa i bukur, aq i vështirë. Enkas për t’u njohur me këte udhëtim, jemi tubuar në Kllokotin e nënës Naile, i cili përfshin jetën e gjatë të një biri të denjë të Kosovës që u qëndroi mrekullisht travajeve njerëzore e historike e mbrrini majat më të larta të kulturës e të dijes, madje edhe të politikës, kur mijëra të tjerë nuk mundën ta çojnë deri në fund udhën e nisur, i bjerri fati, karakteri a presionet politike e të historisë.
Mark Krasniqi u qëndroi me burrëri dallgëve të jetës, e kemi këtu përpara, vërtetë të moshuar, por të fortë, me sy e veshë, me mendje të kthjelltë, më Kosovën e lirë dhe në prag të bashkimit të kombit shqiptar.
Libri “Kujtime e përjetime – Shënime biografike” (1920-2012) përshkruan të gjitha fazat jetësore të Mark Krasniqit, shpalon të vërtetat e hidhura dhe të gëzuara të jetës dhe të historisë së Kosovës, padrejtësitë dhe armiqësitë ndaj saj, marrëdhëniet e shqiptarëve me kolonizatorët serbë e malazezë gjatë periudhës së Kralit, si dhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, politikën genocidiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kolonizimin e tokave të saj. Mark Krasniqi nuk ka qenë vetëm dëshmitar pamor i këtyre ngjarjeve, por edhe veprimtar, si gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. Në kujtimet e tij dëshmohet qartë politika antishqiptare e pushtetit serb dhe komunist për shfarosjen e shqiptarëve, për përzënien e tyre nga trojet e veta, për përjetësimin e pushtetit serb në Kosovë. Dëshmohen qëndrimet armiqësore të pushtetit serb dhe të bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë për të mbytur në gjak lëvizjen patriotike të Shaban Pallushës, për masakrën e Tivarit, për tradhtinë e Kuvendit të Prizrenit (5-8 korrik 1945), për gjyqet famëkqia ndaj patriotëve e nacionalistëve, si të Patër Bernard Llupit e të heroinës 22-vjeçare Marije Shllaku, që ka mbetur në histori për përgjigjen lapidar që i dha përfaqësuesit të akuzës:
“Sikur të fitonim ne atdhetarët… juve tradhtarëve komunistë dhe kriminelëve antishqiptarë, si duhani ju kishem gri”.
Jetën e gjatë të Akademik Mark Krasniqit e karakterizojnë puna me përkushtim për Kosovën e shkencën, si dhe konfliktet pa mbarim me okupatorët serbë dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë.
Te Mark Krasniqi ata nuk pikasën një sahanlëpirës të bindur, por një kundërshtar të vendosur të tyre, i cili ka reaguar kur lypsej. E yshti Kryesia e Akademisë Serbe të Shkencave Mark Krasniqin që të kundërshtojë diskriminimin nacional dhe qëndrimet armiqësore formësuar nga akademiku-kriminel, hartuesi i dy elaboraleve (1937,1944), Vasa Çubriloviq. Policia sekrete serbe në vitet 1950-1955 dhe më vonë e pat futur në listën e armiqve të popullit, prandaj edhe gjatë ekspeditave shkencore në terren e shoqërojnë “engjëjt e rojes”. Do t’i duhej Mark Krasniqit të kundërshtonte ligjëratat në fakultet vetëm në gjuhën serbe, si dhe të bënte përpjekje të ethshme për hapje fakultetesh në Universitetin e Prishtinës, por kundërshtarët do t’ futnin stërkamca që të mos zgjidhej rektor i parë në atë Universitet, me gjithë dëshirën dhe përpjekjet e hapura të studentëve. Mark Krasniqi nuk ka qenë lakmues postesh dhe funksionesh, madje, kur cenoheshin idealet e tij, ai i ka braktisur me dinjitet ato. Më 1993 akademik Krasniqi dha dorëheqjen nga Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sepse një anëtar i saj, Rexhep Qosja, kishte lënduar Presidentin e Shqipërisë, prof. dr. Sali Berishën.
Në demonstratat studentore të viteve 1968, 1981 Mark Krasniqi kish mbajtur qëndrim burrëror. Edhe fushatës së stisur kundër doktoraturës së tij nga armiqtë personalë dhe të kombit, si dhe telasheve që i nxorën ata për shtëpinë e tij në Prishtinë, Mark Krasniqi iu përgjigj në mënyrë dinjitoze. Nuk u step edhe kur e lanë pa rrogë katër vjet.
Si aktivist shoqëror në pajtimin e gjaqeve, si politikan, kryetar i Partisë Demokristiane të Kosovës për 16 vjet dhe si deputet në Parlamentin e Kosovës puna dhe qëndrimet e akademik Mark Krasniqi janë për t’u admiruar.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Akademik Mark Krasniqi ka qenë dhe mbetet një politikan me qëndrime të hapura, të shprehura publikisht me shkrime e në mjedise të gjera e të ngushta. Ky e ka dashur dhe ka bashkëpunuar sinqerisht me dr. Ibrahim Rugovën dhe partinë e tij “Lidhja Demokratike e Kosovës”; e ka çmuar dhe e ka nderuar prof. dr. Sali Berishën për punën e bërë në shërbim të atdheut e të kombit; i është kundërvënë Edi Ramës dhe politikës së socialistëve shqiptarë që, si dje edhe sot “po dëmtojnë me punë të pandershme atdheun” – thotë zoti Krasniqi.
Akademik Mark Krasniqi është njeri i qetë, nuk ngutet e nuk vepron rryeshëm, është guximtar dhe argumentues dhe këte e tregojnë edhe “letrat e hapura” për Kryetarin e Jugosllavisë, Dobrica Qosiq (1972), Kardinalin Walter Kasper (2010) dhe Halil Matoshin “gjelit që këndon majë koshit” (janë fjalët e akademik Markut) për “identitetin kombëtar kosovar” dhe për “penalizimin e atyre kosovarëve që çmojnë dhe ngrejnë flamurin kombëtar shqiptar”, gjegjësisht patriotëve të vërtetë.
Kalova gur më gur vetëm në pak faqe të librit të fundit të akademik Mark Krasniqit; nuk u mora me veprën e tij shkencore, letrare, arsimore, publicistike, sepse edhe vetë autori e ka anashkaluar ate, por edhe pse ajo është një mal që nuk mund të shkemej këtu. Vepra e akademik Mark Krasniqit përbëhet prej 44 vëllimesh të botuara e mija faqesh. Ndoshta në një rast tjetër do të pralmenim vlerat e saj.
Por një lutje ua drejtoj Qeverisë së Kosovës dhe biznesmenëve patriotë të saj që të sponsorizojnë opusin e plotë të këtij burri të madh, jo për të nderuar autorin, por për ta vënë në shërbim të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Zoti i dhashtë shëndet dhe i ruajtë mendjen akademik Mark Krasniqit!
Së fundi, edhe një falenderim të sinqertë kam për shpirtmadhin Sabri Maxhuni – Novosella, i cili na mundësoi që për disa ditë të takoheshim e të bisedonim me akademik Mark Krasniqin, të shkëmbenim mendime për jetën dhe veprën e tij dhe për Kosovën. Me mbështetjen pa rezerva të Sabri Maxhunit u bë i mundur ky aktivitet promovues.

Fjala e mbajtur në aktivitetin promovues të mbajtur në Kllokot (Kosovë), më 27 janar 2013

Google+ Followers