Arkipelagu Gulag Solzhenicini trondit botën: 220 dëshmitarë rrëfejnë krimet e Stalinit


Violeta Murati

Si u shkrua libri që tronditi botën për mizoritë e kampeve të përqendrimit në Bashkimin Sovjetik. Shkrimtari Aleksandër Solzhenicin e mbylli faqen e fundit më 22 shkurt 1967, për të cilin nuk kishte shpresuar se do të shihte dritën e botimit; në vitin 1970 fitoi “Nobel” në Letërsi dhe në vitin ‘74 u dëbua nga BS; lindja dhe përshkrimet e “Arkipelagut Gulag”, që përfshiu 220 dëshmitarë dhe u angazhuan 36 shkrimtarë sovjetikë. Në shqip ky botim pati probleme të së drejtës së autorit dhe botimi që kemi është varianti i përmbledhur i tri vëllimeve, një projekt i miratuar me vullnet të autorit, për të pasur lehtësi leximi në të gjithë botën: “…një biznes i keq, gati një përdhosje” e quan projektuesi i kësaj përmbledhjeje


Çështja e hapur për botimin pirat “Arkipelagu Gulag” të Aleksandër Solzhenicinit u mbyll. Në libraritë e Shqipërisë do të vazhdojë të qarkullojë kopja e integruar që pati sugjeruar vetë shkrimtari rus, përkthyer jo nga origjinali, po prej anglishtes nga Kujtim Morina, botimet “Princi”.
Varianti që kemi në shqip, është një vullnet i autorit, Solzhenicinit, “me qëllim që ta lehtësojë të lexuarin për ata që nuk kanë shumë kohë në këtë shekull shumë të ngarkuar”, por edhe si mënyra më e mirë dhe forma më e lehtë për të depërtuar tek lexuesi në mbarë botën.
“Arkipelagu Gulag” konsiderohet si një eksperiment në hulumtimin e letërsisë përmes të shkruarit të historisë së kampeve të përqendrimit në Bashkimin Sovjetik, prej 1918 deri më 1956, kur vdiq Stalini, duke lënë pa përmbushur edhe terrorin e tij të fundit, një projekt për zhdukjen e çifutëve!
“Ua kushtoj këtë libër të gjithë atyre që nuk jetuan për ta treguar dhe u lutem të më falin që nuk arrita të shihja të gjithë, t’i kujtoja të gjithë dhe të sillja ndërmend gjithçka ndodhi”, – është dedikimi i Solzhenicinit, duke iu dhënë “Nobeli” më 1970 për zbulimin e krimeve komuniste në Rusi; në ironi e paradoks në Shqipëri revanshi i diktaturës vazhdonte të imitonte në detaj makinën ushtarake të zhdukjes së njerëzve, me gjithë paralajmërimin që shkrimtari besonte pse nxitej për të shkruar se “ende nuk i kam humbur të gjithë shpresat që qeniet njerëzore dhe kombet mund të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, pa pasur nevojë për ta vuajtur ata vetë”. Libri është 445 faqe dhe përmban shtatë pjesë: Industria e burgut; Lëvizja e pandërprerë; Kampet e punës shkatërruese; Shpirti dhe telat me gjemba; Katorga; Internimi dhe Stalini nuk është më. Ka shënim nga autori dhe libri shoqërohet me parathënie të Edward E. Ericson, profesori që i sugjeroi Solzhenicinit për të përmbledhur në një vëllim veprën trevëllimshe, “Arkipelagu Gulag”, për qëllimin e mësipërm.
“Nëse do të ishte e mundshme për ndonjë komb të kuptonte përvojën e hidhur të një kombi tjetër përmes një libri, do të bëhej shumë më e lehtë për të zgjidhur sfidat e ardhshme dhe shumë mynxyra e gabime do të shmangeshin. Por kjo është shumë e vështirë. Ekziston një besim i pabazuar: Nuk do të ishte e njëjta gjë këtu; këtu gjëra të tilla janë të pamundshme. Sa ke, gjithë ligësia e shekullit të njëzetë është e mundshme kudo në botë”, – shkruan Solzhenicin për përmbledhjen në hyrje të botimit, pa humbur shpresat se libri i tij, ashtu siç e parashikoi, do bënte xhiron në botë duke u shitur miliona e miliona kopje.
Bashkë me librin në “fjalorin e punës” së shkrimtarit hyri dhe fjala Gulag, një term që erdhi jo nga një grup dëshmitarësh, por “një njeri i vetëm Aleksandër Solzhenicin” duke e bërë këtë term të njohur në të gjithë botën.
“Titulli është më i njohur se vepra vetë”, thuhet në parathënie, ndonëse pranohet se leximi është thelbësor për këtë libër. Në parathënie, Edward E. Ericson kujton: “…Shumë njerëz kanë blerë një nga tri vëllimet e librit, sepse në kohën e publikimit të tij të parë, në vitin 1974, gazetat botonin në faqet e para histori të krizës vetjake të autorit për dëbimin e tij nga atdheu”. Kjo ishte arsyeja pse profesori i sugjeroi Solzhenicinit të përmblidhte veprën në një, pasi shumë njerëz lexonin disa qindra faqe të vëllimit të parë dhe nuk janë kthyer për të lexuar pjesën tjetër. Vetëm në Amerikë shitjet kanë arritur në 2844000 kopje të “Arkipelagut Gulag”, shumica janë të vëllimit I, por gjysmë milioni janë të vëllimit II dhe afërsisht një milion janë të vëllimit III, ku hamendësohet se shifrat e shitjeve në botë duhet të jenë shumëfish më i madh se këto numra. Arsyeja pse profesor Ericson i përmend këto shifra, lidhen me dy të vërteta: së pari, shumë njerëz kanë lexuar pjesë të Gulagut dhe së dyti, vetëm një përqindje relativisht e vogël e lexuesve njohin pjesët e fundit të librit, të cilat zbulojnë plotësisht përmbajtjen e veprës. “një prej arritjeve të tij më të mëdha (ndoshta jo më e madhja, sepse ai është pa dyshim një romancier i spikatur) ka qenë të shkruarit e historisë së kampeve të përqendrimit në Bashkimin Sovjetik. A mund të ishte lexuar “Arkipelagu”, shumë më tepër se sa është lexuar në të vërtetë? Unë besoj se ai ka lënë përshtypje të pashlyeshme në mendjen njerëzore moderne dhe ka bërë një efekt të dobishëm në të gjithë botën”, shkruan në parathënie profesor Ericson. Janë identifikuar të paktën tri arsye pse “Gulagu” ka mbetur i palexuar sa duhet, së pari duke u konsideruar si një vepër shumë e gjatë, më shumë se 800 faqe dhe së dyti, kërkon një nivel të lartë të lexuesve, më e rëndësishmja e të cilave është se kërkon njohuri të konsiderueshme të historisë ruse dhe sovjetike; dhe së treti mban larg shumë lexues për shkak të lodhjes dhe depresionit nga akumulimi i të gjitha historive të frikshme të librit. Solzhenicini – thotë Ericson – është i vetëdijshëm për këtë problem. Duke u ndalur në këtë pjesë të leximeve, për shqiptarët është mjaft e lehtë identifikimi i krimeve dhe pranimi i tyre si të mundshme, pasi jemi të vetmit në Evropë që për 45 vjet u ndoq e njëjta makinë e diktaturës, histori kampesh përqendrimi, persekutimi dhe ndëshkimi! Është e njëjta psikozë siç e përshkruan Solzhenicin që aplikoi dhe diktatori Enver Hoxha bashkë me “sivëllain” e tij kriminel, Mehmet Shehun, ky i fundit që mbahet mend nga dënuarit për egërsinë e tij, sidomos në çastet vendimtare, me jetën e “armiqve të popullit”. Nuk mund të kalosh asnjë rresht të “Arkipelagut Gulag” pa u rikthyer te kujtesa jonë nga diktatura. Si shoqëri është e domosdoshme të lexohen këto dëshmi për të kuptuar se diktatura nuk ishte rastësi, por totalisht një sistem koshient për të shkatërruar qenien njerëzore duke imituar metodat më fatale të burgjeve sovjetike, sidomos të valës së ‘37-ës.
Pikërisht për rëndesën psikologjike që mund të shkaktonte libri, nga faktet dhe dëshmitë që zgjeronin volumin e librit Solzhenicini pyet disa herë: “A duket që jam duke e përsëritur vetveten?” Por, ai shpjegon se është “Gulagu” që përsërit vetveten! “Gjashtëdhjetë milionë herë, në të vërtetë, duke numëruar vetëm ata të cilët i ka vrarë dhe jo ata që kanë mbijetuar”.
“Këtu kemi historinë e tmerrit më të madh të historisë njerëzore, në terma sasiorë të paktën – shifra e krahasueshme në Kinë ende nuk është llogaritur – dhe megjithëse kjo ka ndodhur një jetë tërë, shumë prej nesh ende nuk dinë asgjë rreth saj”, – shkruan në parathënie, profesori që u mor me projektin e përmbledhjes së kësaj vepre monumentale. “Motivi im është i qartë, për të rritur lexueshmërinë e të paktën disa pjesëve të librit, konkretisht për 25-30% që ky botim i ri ka përmbledhur”. Për këtë përmbledhje profesori i Miçiganit thotë: “Mendimi i parë që më vjen është, që ky është një biznes i ke, gati një përdhosje. Unë gjithashtu do të preferoja që njerëzit ta lexonin të gjithë librin”. Si duket i këtij parimi ka qenë dhe botuesi i “Princ” kur ka menduar ta sjellë në shqip, pikërisht këtë version leximi, duke ja prerë rrugën sidoqoftë dhe një përkthimi të plotë të veprës së Solzhenicinit, për më tepër nga origjinali. Megjithëse dhe përkthimi në anglisht nuk lë gjë mangët për nga vlera e përkthimit në shqipe. Nëse projektuesi i këtij varianti të përmbledhur, thotë për “Gulagun” se nuk është një roman por një vepër e rindërtimit historik, në të njëjtën kohë, kjo vepër, “Arkipelagu Gulag”, është siç pretendon te nëntitujt një hulumtim i letërsisë. Kjo vlerësohet si mjeshtëria letrare e Solzhenicinit që bën një zotërim të gjendjes së të dhënave. Qysh në parathënie na thuhet se organizimi i librit është më shumë tematik sesa kronologjik, ku elementët letrare – ironia, sarkazma, figurat letrare, anekdota – janë për të ngërthyer e mbajtur gjallë interesin e lexuesit.
Vetëm pas mërgimit të detyrueshëm, Solzhenicini mundi të shihte të gjitha pjesët e veprës së tij, “Arkipelagu Gulag”, në të njëjtën kohë. E dhëna që na vjen është se Solzhenicini e përdori këtë mundësi për t’i shtuar edhe disa pasazhe veprës së tij. Megjithëse bëhet me dije se ky është një version i shkurtuar i origjinalit, kjo përmbledhje përmban disa materiale që nuk kanë qenë asnjëherë të përfshira në përkthimet e mëparshme. Për lexuesin sugjerohet një këshillë; nëse edhe ky version i përmbledhur është i gjatë për to, këshillohen të lexojnë kapitujt e fundit. “Lexuesit që e bëjnë këtë nuk do të bien viktimë e disa perceptimeve të gabuara për Solzhenicinin, që librat e tij janë shumë brengosës… Dikush mund të ushtrojë të gjitha llojet e barbarive kundër qenieve njerëzore, trupit dhe shpirtit, por askush s’mund të arrijë të shuajë frymën njerëzore… me gjithë poshtërimet e ushtruara mbi ta dinjiteti i tyre i natyrshëm njerëzor do të mbetet i pacenuar. Në këtë kuptim totalitarizmi duhet të dështojë gjithmonë”, – shkruan profesori që projektoi versionin e përmbledhur të veprave të Solzhenicinit. Ndërsa në një letër personale Solzhenicin i shkruante profesorit: “Qëllimi kryesor, kuptimi kryesor i “Arkipelagut” është një ngritje dhe një katarsis moral”
Me gjithë ka shkruar një kryevepër të dëshmive më mizore staliniste, Solzhenicin thotë në hyrje të librit se “nuk jam aq i guximshëm të shkruaj të gjithë historinë e arkipelagut”. Ai tregon se nuk ka pasur asnjëherë mundësinë të hapë dokumentet zyrtare për këtë. “Dyshoj se do të ketë mundësinë ndonjëri ta bëjë këtë. Ata që nuk dëshirojnë t’i risjellin ato ngjarje, kanë pasur mjaft kohë dhe do të kenë më tepër që të shkatërrojnë të gjitha dokumentet, deri tek më i fundit”. Shkrimtari në shënimin e tij, thotë se libri nuk ka emra të trilluar personazh apo ngjarjesh. Çdo gjë ka emërtimin e vërtetë dhe gjithçka që përshkruhet në këtë libër ka ndodhur me të vërtetë.
Solzhenicini përmend se ky libër nuk do të ishte shkruar kurrë nga një person i vetëm, përveç asaj çfarë ai ishte munduar të ruante në mendje nga arkipelagu, në kurriz të tij, në veshët dhe sytë e tij, përmes raporteve, kujtimeve dhe letrave i kanë dhënë material për këtë libër edhe 227 dëshmitarë. “Kjo nuk është mirënjohje personale, pasi ky është monumenti ynë i përbashkët i të gjithë atyre që u torturuan dhe u vranë”, – thotë Solzhenicini. Shkrimtari tregon se është ndihmuar nga shumë njerëz për t’i ruajtura të fshehura dorëshkrimet e këtij libri në periudha të vështira dhe pastaj për t’i kopjuar ato. Por në momentin kur libri ka dalë në dritë, pra në ‘70 Solzhenicini ende i mbante në fshehtësi emrat e tyre, nuk guxonte t’i përmendte për ndihmesën. “Nëse liria do dhe shumë kohë të agojë në vendin tim, leximi dhe përcjellja dorë më dorë e këtij libri ende do të jetë shumë e rrezikshme, kështu që mua më duhet të përshëndes lexuesin e ardhshëm në emër të atyre që kanë ndërruar jetë”! Kur Solzhenicini nisi të shkruajë këtë libër në vitin 1958, nuk kishte botuar as kujtime, as libra të letërsisë në lidhje me këto kampe. “Gjatë viteve të mia të punës me këtë vepër, para vitit 1967, unë u bëra i njohur gradualisht me “Historitë e Kolyma”-s të Varlam Shalamovi-it dhe kujtimet e Dimitri Vitkovsky-t, Y. Ginsburgut-ut dhe O. Adamova Sliozberg, të cilëve iu referohem në rrëfimin tim si fakte letrare të njohura nga të gjithë”, si mbërriti Solzhenicin te vepra e tij. Materiale për këtë libër janë siguruar edhe nga 36 shkrimtarë sovjetikë të udhëhequr nga Maxim Gorky “autorë të librit të turpshëm mbi kanalin e Detit të Bardhë, që ishte i pari në letërsinë ruse, që ngriti lart punën e skllavërisë”. Solzhenicini na shpjegon se fillimisht donte ta braktiste librin, në vështirësi për t’ia mbushur mendjen vetes: a duhej ta shkruante këtë libër, pikërisht ai, apo jo? A do të kishte fuqi për këtë? Përveç kësaj dileme ai pat mbledhur letrat e të burgosurve nga gjithë vendi, që e vuri në pozita për t’u mos dorëzuar, duke e ndjerë si një detyrim. Kur puna me Arkipelagun ishte në intensitetin e saj më të madh, shkrimtari tregon se pësoi një zmbrapsje: arkivi iu kontrollua dhe një vëllim u konfiskua. Kjo pjesë e librit u shpërnda dhe nuk u mblodh asnjëherë. Thyerjet e këtij libri dhe mangësitë, – thotë Solzhenicini, – janë shenja e vërtetë e letërsisë sonë të përndjekur. “Merreni librin për çfarë përfaqëson”, shkruan shkrimtari në pasthënie. Me leximin e librit vijnë dhe dëshmitë, historitë bashkë me prognozën e diktaturës dhe popullit përballë tij, pse rezistoi aq gjatë dhe çfarë i bëri të frikësoheshin nga ky terror: “Pafajësia e plotë sjell edhe dobësinë e përgjithshme për të vepruar”, – citojmë diku në kapitullin e “Arrestimit”. Pasi ka mbyllur kapakun e këtij libri, Solzhenicini tregon se ka qenë i habitur se si e mbaroi pa u rrezikuar, madje dhe në këtë formë. “Kam menduar disa herë që ata nuk do të më lejojnë”, me shënimin: Ryazan/ 27 prill 1958- 22 shkurt 1967.


Agron Tufa do të ishte përkthyesi nga origjinali i Solzhenicinit
Ndonëse në media u publikua një letër nga Fayard, që i drejtohej botuesit të “Princ” si shkelje të të drejtave të autorit, kjo si duket nuk do të konsiderohet më. Letra që denonconte piraterinë e botimit shqip, ishte e vërtetë dhe prononcimi në media vinte për shkak se ishte në tratativa një tjetër shtëpi botuese për këto të drejta, ku ishte edhe emri i përkthyesit direkt nga origjinali, rusishtja. Bëhet fjalë për shtëpinë botuese “Pegi” dhe përkthyesin Agron Tufa, të cilët kishin kohë në pritje të së drejtës nga Franca për të nisur bashkëpunimin.

Ishulli i mizorive
Kolyma ishte ishulli më i madh, më i famshëm dhe një nga qendrat e mizorive të atij vendi të çuditshëm të Gulagut, që, megjithëse gjeografikisht i shpërndarë në një arkipelag, psikologjikisht ishte shkrirë në një pjesë të tërë, në një vend gati të padukshëm dhe të paperceptueshëm, të banuar nga njerëzit e fisit Zek. Ky arkipelag, i ndërthurur dhe i modeluar brenda hapësirës në të cilin shtrihej, ishte si një mballomë gjigante, e ndarë në disa qytete që qëndronin pezull ndanë rrugëve të tij. Ende ka shumë njerëz që nuk mund të marrin me mend ekzistencën e tij dhe shumë të tjerë që kanë dëgjuar diçka në mënyrë të vagëlluar. Vetëm ata që kanë qenë atje e dinë gjithë të vërtetën. Megjithëse ata vuajtën tmerrësisht në ishujt e atij arkipelagu, ata prapë ngurrojnë të flasin.


227 dëshmitarë për të shkruar librin
Shkrimtari në shënimin e tij thotë se libri nuk ka emra të trilluar personazh apo ngjarjesh. Çdo gjë ka emërtimin e vërtetë dhe gjithçka që përshkruhet në këtë libër ka ndodhur me të vërtetë. Solzhenicini përmend se ky libër nuk do të ishte shkruar kurrë nga një person i vetëm, përveç asaj çfarë ai ishte munduar të ruante në mendje nga arkipelagu, në kurriz të tij, në veshët dhe sytë e tij, përmes raporteve, kujtimeve dhe letrave i kanë dhënë material për këtë libër edhe 227 dëshmitarë. “Kjo nuk është mirënjohje personale, pasi ky është monumenti ynë i përbashkët i të gjithë atyre që u torturuan dhe u vranë”, – thotë Solzhenicini.



Fragmente paralele
Arrestimi

Si i dërgojnë njerëzit te ky Arkipelag klandestin? Për çdo orë, avionët fluturojnë atje, anijet e drejtojnë timonin për atje dhe trenat fishkëllejnë drejt këtij vendi- por asnjë prej këtyre mjeteve nuk ka ndonjë shenjë që të tregojë këtë vendmbërritje.
….Arrestimi është një akt i menjëhershëm, goditje shkatërruese, dëbim dhe përmbysje nga një gjendje në tjetrën..
…Imazhi tradicional i arrestimit është gjithashtu mbledhja e gjërave personale nga viktima me duar që i dridhen,- ndryshimi i të brendshmeve, një copë sapuni, diçka për të ngrënë…dhe askush nuk e di për çfarë ka nevojë, çfarë është e lejuar, çfarë rrobash janë më të mira për t’u veshur…dhe agjentët e Sigurimit që iu ndërpresin dhe ju ngutin:
“Nuk keni nevojë për asgjë. Do t’ju ushqejnë atje, është ngrohtë atje, Janë të gjitha gënjeshtra, ata ju ngutin për t’ju frikësuar…
…Për disa dekada, arrestimet politike janë dalluar në vendin tonë pikërisht nga fakti se njerëzit që janë arrestuar nuk ishin fajtorë për asgjë, kështu që ata ishin papërgatitur për të bërë ndonjë rezistencë çfarëdo qoftë. Ekzistonte një ndjenjë e përgjithshme e të qenit i destinuar për shkatërrim, një opinion i krijuar: “s’ke ku i ikën GPU-NKVD (policia sekrete sovjetike, nga ’34-’46). Vetëm në raste të rralla njerëzit kryen vetëvrasje, madje, edhe në ethet e arrestimeve epidemike, kur njerëzit që shkonin për në punë, iu thoshin lamtumirë familjeve të tyre çdo ditë, sepse nuk kishin aspak siguri që do të ktheheshin në darkë, bile edhe kur askush nuk u përpoq të ikte. Kjo ishte saktësisht çfarë kërkohej. Një dele e nënshtruar është preja më e mirë për një ujk.


Të famshmet ethe të arit

Nga një cep në tjetrin, kombësitë po zbrazeshin…
Nga viti 1928 e në vazhdim, ishte koha për të larë hesapet më grupin e fundit të borgjezisë- viktimave të NEP (politikë e re ekonomike e propozuar nga Lenini).Praktika e fundit ishte për t’u imponuar atyre taksat më të larta dhe përfundimisht të papërballueshme. Në një pikë të caktuar, kur ata s’mund të paguanin më, ata arrestoheshin menjëherë për falimentimin dhe pasuria e tyre konfiskohej. Shteti kishte nevojë për pasuri dhe ar. Të famshmet edhe të arit filluan në fund të vitit 1929. Kush u arrestua në valën e arit? Të gjithë ata që në një kohë ose një tjetër përpara 15 vitesh kishin pasur një biznes privat, ishin marrë me tregti me pakicë, kishin fituar të ardhura si zejtare dhe sipas përfundimit të GPU mund të kishin fshehur ar….
Hiqni dorë nga ari, nepërka! Hetuesit kishin një metodë universale, i ushqenin të burgosurit vetëm me ushqim të kripur dhe nuk u jepnin ujë. Kush daroviste ar, merrte ujë! Një copë ari për një filxhan uji të freskët. Njerëzit që u shuan për metal të ftohtë…




Hetimi

…Akuzat ishin gjithnjë të fabrikuara, dhuna dhe tortura duhej t’i shoqëronte ata…
Në qoftë se intelektualëve në dramat e Çehovit, që kishin kaluar tërë jetën e tyre duke hamendësuar çfarë do t’u ndodhte në njëzet, tridhjetë ose dyzet vjet, do t’iu ishte treguar që në Rusi do të praktikohej dyzet vjet periudhë hetimi me tortura, ata të burgosur do ta shtypnin kafkën e tyre me rrathë hekuri, që një qenie njerëzore do të ulej në një banjë acidi, që do të mbërtheheshin të zhveshur për t’u kafshuar nga mizat dhe çimkat, që një shufër hekuri e skuqur në një furnelë me vajgur do t’ju futej në anus, që organet gjenitale të një burri të shtypeshin ngadalë nën këmbët e çizmeve; dhe që në rrethanat më me fat të mundshme, të burgosurit do të torturoheshin duke i mbajtur pa gjumë për një javë, pa ujë ose duke i rrahur deri në palcë, një prej dramave të Çehovit do të kishte marrë fund, sepse të gjithë heronjtë do të kishin përfunduar në strehën e të çmendurve….
…Në fund të fundit për herë të parë në historinë e njerëzimit, po ndërmerrej tortura e llogaritur e milionave dhe me të gjithë forcën e pushtetin e tij, Stalini nuk mund të ishte absolutisht i sigurt për suksesin e tij. Në trajtimin e një problemi aq të madh, efektet e eksperimentit mund të ndryshonin nga ato të marra nga një model i thjeshtë. Një shpërthim i paparashikuar mund të ndodhte, një rrëshqitje në një pasaktësi gjeologjike, ose, madje,m një nxjerrje në shesh e së vërtetës para gjithë botës. Në çdo rast Stalini kishte për të mbetur i pafajshëm, me veshjet e tij të shtrenjta si një engjëll i pastër. Prandaj arrijmë në përfundimin se asnjë listë e torturave dhe mundimeve nuk ekzistonte në formë të shkruar për udhëzimin e hetuesve!

Google+ Followers