ADEM ZAPLLUZHA, “KAMPION” I BOTIMEVE PËR VITIN 2012…(ose: Si m’i dhuroi ky autor, 37 libra të tij)


Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë

M.Gecaj

1.

Tani, kur po  i shkruaj këto radhë, për poetin e njohur Adem Zaplluzha, më kujtohet se prej tij kam lexuar disa krijime, në faqe të ndryshme Interneti. Ndërsa me atë vetë jam takuar, në pragun e përvjetorit të 100-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ndodhi në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, ku kishin ardhur miq nga Suedia, ndër ta bashkatdhetarë shqiptarë, por edhe suedezë. Kështu, aty ishin veprimtarët e dalluar për çështjen shqiptare dhe krijuesit, Sadulla Zendeli-Daja e Sokol Demaku, por dhe drejtori i një shkolle të qytetit Boras, Per Kettisen,  mësuesja Sonja Person e të tjerë. Por ishin të ftuar edhe miq nga Kosova, si poeti Adem Zaplluzha dhe drejtoresha e një shkolle, Dije Mëniqi e të tjerë.
Pasi dëgjuam bisedat e zhvilluara dhe pamë një koncert të bukur  tematik, “Lumja ti, moj Shqipëri, 100 vjet Pavarësi”, Ademi më prmetoi se, në takimin më të parë, do të m’i dhuronte disa libra të tij. Aty për aty, nuk e pyeta për sasinë, por as për vitin e botimit të tyre. Po rasti e solli që unë shkova, në muajin nëntor, po më 2012, në një përurim libri në Prishtinë, bashkë me Akademikun Alfred Uçi. Pas qytetit të Shkupit, aty dërguam e dhuruam 200 copë libra, kushtuar martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi-“Mësues i Popullit”, shkruar nga prof. Uçi. Ndër pjesëmarrësit, ishin kryetari i Kumunës së Prishtinës, Isa Mustafa e drejhtoresha e kulturës aty, Vlora Dumoshi;  Akademiku Pajazit Nushi, pedagogia dhe studiuesja e gjuhës shqipe, Shefkije Islamaj;  publicisti Vezir Ukaj e të tjerë. Por nuk mungonte as kolegu e miku im, Adem Zaplluzha. Se atë e takon gjitnjë në veprimtari të tilla.

Poeti Adem Zaplluzha (i pari, majtas), duke ndjekur një veprimtari, në shkollën”Demokracia”-Durrës (nëntor, 2012)


Kur mbaroi ajo veprimtari mbresëlënëse dhe ne po nënshkruanin disa nga librat tanë, që dhuruam, m’u afrua Ademi me një pako plot me libra, për të cilët e falënderova nga zemra.  Të them të vërtetën, nuk e kisha të saktë se sa ishin ata, çfarë tematike trajtonin dhe në cilët vite ishin botuar. Ndërsa, kur u ktheva në Tiranë, i pashë e i shfletova  me vëmëndje të veçantë. Për kërshërinë e lexuesve, po tregoj se ata nuk ishin pak, por plot 37(tridhjetë e shtatë) copë. Sigurisht, kjo gjë më befasoi, por më tepër fakti se të gjithë ishin botuar gjatë vitit 2012. Ndoshta, është ky një rekod ndër autorët shqiptarë, brenda e jashtë vendit, po edhe për shtete të tjerë. Kështu, besoj kam edhe mendimnin e shumë lexuesve, që poetin Adem Zapllusha, pa ndonje komision ose juri, ta shpallim “kampion” (ha,ha), në fushën e botimit të librave, për vitin 2012!

2.

Ka kaluar disa kohë nga dita, kur Adem Zapllusha m’i dhuroi gjithë ata libra. Sigurisht, gjatë kësaj periudhe e kam patur “peng” ose më “rëndonte”, që të shkruaja diçka, si lajm të rrallë pësr këtë autor, por dhe për gjestin e tij bujar. Se, përsa i përket përmbajtjes së tyre, është e kuptueshme që ka shumë vështirësi për t’i përmbledhur  mendimet, në një shkrim të veçantë. Gjëja e parë, që më ra në sy në këta libra, është tematika e larmishme e tyre. Te të gjithë sundojnë fryma atdhetare e liridashëse, dashuria për vendlindjen e traditat tona, malli i pashuar i emigrantëve etj.
Sa për ta përligjur sadopak mendimin e mësipërm, po riprodhoj këtu ndonjë varg, nga librat e tij. Në librin “Letër nga mërgimi”-2 është edhe poezia kuptimplote, “Ah, Kosovë”, ku shkruan: “Na u tretën djemtë/ nëpër Europë,/ mbeti Kosova/në pleq e plaka,/ nga kjo, dhimbja shpëtim nuk paska!” Po me këtë shqetësim janë edhe vargjet e poezive tjera të këtij vëllimi, si: “Nga malli”, “Kosovë ilire”, “Ecja udhës”, “Kthimi”, “Gjysma e Kombit”, “Ëndrra e mërgimtarit”,”Në dhe të huaj”, “Letër gjyshit”, “Në Prishtinë”, “Të fala Kosovës” etj.

Kopertinat e disa librave, nga poeti Adem Zaplluzha

Në librin tjetër, “Eca, ecëm dhe do ecim”, duke akuzuar me gisht pushtuesit gjakatarë serbë, u drejtohet atyre plot urrejtje, duke thirrur më zë të lartë: “Zotërinj,/ ju akuzoj,/ në emër të lirisë së robëruar,/ që sot/ e kush e di sa vjet,/ jeni duke mbajtur në burg/ një popull të tërë!”(Poezia “Duke pritur shfajësimin”). Ndërsa në vëllimin me tiullin “Lisi, në rrënjët e veta”, më tërhoqi poezia e bukur, “Në se i bashkojmë forcat”, ku janë eedhe këto radhë: “Në udhët tona/ asnjëherë nuk i pranuam pengesat, /me qindra vjet ecëm,/ deri te ky qytet i mermertë…”. Ose më tej: “Lëre, të lutem,/ le të rrinë në atë qoshe,/ mos ua prek mallin plagëve,/ që kullojnë me qindra vite!…”. Domethëns janë dhe vargjet: “Më thanë/ se do të më akuzojnë për bigami…/ O, kurrë më shumë, se atë ditë/ nuk kam qeshur!/ Troç, u thashë,/ e keni gabim,/ unë e dua vetëm Atdheun tim!”(Prishtinë, 11 janar 2012).

3.

Natyrshëm, një lexues i zakonshëm dhe që nuk e njeh nga afër poetin Adem Zaplluzha, këtë “kampion” të fjalës letrare shqipe, sidomos me botimet e shumta dhe cilësore të vitit 1912, dëshiron të dijë diçka më shumë për të. Këto të dhëna të shkurtëra janë në disa nga librat e tij, por dhe në faqe të ndryshme Interneti.
Lindi në Prizren, në vitin 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike, në Prishtinë.
Me dashurinë për profesionin e nderuar të mësimdhënësit, shërbeu në fshatrat Studenqan i Therandës (ish-Suharekë) dhe Hoçë, afër qytetit të  Prizrenit. Pastaj u punësua përkthyes në Korporatën Eneregjitike të Kosovës. Dëshira për të shkruar poezi i lindi që në fëmijëri dhe rininë e hershme. Vjershën e parë për fëmijë e botoi në revisten e kohës, “Pionieri”, në vitin 1957.
Kur ishte në at5ë Korporatë, sëbashku me shokët e punës dhe të krijimtarisë, formoi grupin letrar, me emrin aq domethënës, “Lulëkuqet e Kosovës”. Anëtarët e tij i tubuan krijimet e tyre në përmbledhjen “Ngjyra e kohës”, ku kishte edhe disa poezi të  vetat. Veç krijimeve, që i botoi në revistat për fëmijë, shkroi edhe nëpër gazetat e asaj periudhe, të cilat dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Ka vite që Adem Zaplluzha është anëtar aktiv  i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë, ndërsa veprimtarinë letrare e zhvillon në Klubin letrar “Fahri Fazliu”, të Kastriotit. Përherë është i pranishëm në përurime e diskutime librash të kolegëve e miqëve, në veprimtari kulturore e artistike, duke e dëshmuar atë një intelektual me vlera dhe interesa të shumanshme.
…Me këtë rast, i urojmë nga zemra, kolegut e mikut Adem Zaplluzha: Shëndet të mirë,  vazhdim të krijimtarisë së bollshme e cilësore dhe gëzime e lumturi familjare!

Tiranë, 19 shkurt 2013

Google+ Followers