Shpend Sollaku Noé: Shpirti nuk emigron.Dialog i redaktores së «Gazeta Shqiptare» Fatmira Nikolli me autorin


F.Nikolli: Zoti Noé, kohët e fundit pata fatin të lexoj në shqip antologjinë tuaj poetike "Atdheu i tjetrit", botuar në Sh.B.A. , dalë brenda një kohe të shkurtër edhe në italisht, anglisht, frëngjisht e spanjisht. Ky libër, ashtu si edhe "Voragini" e "Barcodes", është duke u përhapur nëpër botë. Pjesë e krijimtarisë tuaj është përkthyer në 17 gjuhë të rëndësishme. Ndërsa kritika e huaj e ka renditur krijimtarinë tuaj përkrah Klaistit, Herbertit, Kançevit, e Brodskit, në Shqipëri deri tani për ju është folur pak. Si e kuptoni këtë?

Sh.S.Noé: Është e vërtetë, me përjashtim të gazetës tuaj dhe të një shkrimi dashamirës të Dhimitër Gegpriftit, nuk kam parë ndonjë gjë të rëndësishme. Ndoshta kjo vjen edhe për mundësitë e pakta të lexuesit të zakonshëm shqiptar për të blerë librin. Në Shqipëri ai nuk është shitur në librarira, mund të gjendet vetëm nëpërmjet internetit (Amazon.com etj). Por nuk mund të nxjerr të njëjtin përfundim për lexuesin e specializuar, atë që ka edhe mundësinë për të përdorur kartën e kreditit, për të mos folur pastaj për ata shkrimtarë apo studiues shqiptarë që librin tashmë e kanë në dorë, të blerë apo të dhuruar. Një pjesë e tyre janë shprehur me komente entuziaste nëpër social network-ë, më kanë shkruar edhe privatisht mail-e shumë bujarë, por janë akoma të shtrënguar në shtyp.

F.Nikolli. Mendoni së është e vështirë thyerja e ekuilibreve dhe e hierarkive letrare në Shqipëri për një krijues që kërkon të imponohet nëpërmjet veprës së tij?

Sh.S.Noé: Ekulibër apo hierarchi në këtë kontekst është një eufemizëm i termit "klan" apo "kope", në kuptimin pervers të këtyre fjalëve. Që kur kam filluar të merrem me letërsi, unë kam qenë gjithmonë një ujk i vetmuar. Për fat të keq, pas largimit tonë nga Shqipëria, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Mund të jem edhe i gabuar, por neve që jemi larg na duket se, ashtu si edhe në politikë, në kulturë është ecur sipas parimit të vazhdimësisë: me përjashtime të pakta, janë po ata mbiemra që shihen në faqet e para. Vendi që i lënë lëvdimeve të njeri-tjetrit është pothuaj total. Për të tjerët, ata jashtë "kopesë"...pak thërrime ose hiçgjë. Dhe duan s'duan, shkrimtarët jashtë kopeve shndërrohen në kamikaze të letrave.

F. Nikolli: Me gjithë këtë sukses jashtë, pse ju intereson kaq shumë opinioni shqiptar rreth veprës tuaj?

Sh:S.Noé: Jam shqiptar e krenar për vendin tim të lindjes, ashtu si unë edhe shumica e shqiptarëve dhe krijuesve tanë kudo që ndodhen. Trupi ynë është larguar, për arësye të ndryshme, por shpirti jo, ai nuk emigron, mbetet atje ku edhe lindi.

F.Nikolli: Ju, por edhe shumë krijues shqiptarë të sotëm të diasporës shkruajnë e botojnë në gjuhët e vendit ku edhe jetojnë. Mendoni se kjo i shërben kulturës kombëtare?

Sh.S Noé: Po, sigurisht, jo vetëm se në vend të huaj ata vazhdojnë ta konsiderojne veten shqiptarë, por sepse, edhe kur shprehen në gjuhë të huaj, në shkrimet e tyre duket qartë karakteri, zemërimi, brishtësia, pse jo edhe kryeneçësia jonë proverbiale. Temat e frymëzimit më të shpeshta janë prej Shqipërie, qëllimi është të bëjnë të huajt të njohin e të duan vendin e shqiponjave, historinë, problemet, veçoritë më pozitive të njerëzve të tij.

F.Nikolli: A mundet që një shkrimtar të shprehet më të njejtin intensitet e cilësi si në gjuhën e nënës ashtu edhe në atë të vendit që e ka adoptuar?

Sh.S.Noé: Sigurisht, por për këtë duhet edhe një njohje e shkëlqyer e gjuhës së huaj në të cilën shkruan. Përsosmëria duhet të arrijë deri në atë masë sa të mendohet në atë gjuhë në momentin kur shkruan.

F. Nikolli: Dhe autori nuk humbet në cilësi?

Sh.S.Noé: Jo, aspak. Këtë bindje e kam jo vetëm nga eksperienca personale. Janë të shumtë autorët që kanë arritur sukses edhe duke mos shkruar në gjuhën e tyre. Mjafton të sjellësh shembullin e Brodskit: prozat e tij në anglisht janë konsideruar nga kritika në njejtin nivel me vargjet e shkruara po prej tij në rusisht.

F.Nikolli: Keni përshtypjen se kultura e në veçanti letërsia e sotme shqiptare po bën një hop cilësor?

Sh.S.Noé: Ndjek me kujdes zhvillimet kulturore në Shqipëri; vërej një përpjekje të mundimshme për t'iu afruar niveleve evropiane. Sipas gjykimit tim, mendimi i sotëm intelektual shqiptar është paksa i çoroditur, kjo vjen edhe për mosshkëputjen përfundimtare nga e kaluara politike që ushqen edhe hallakatjen e përçarjen e kulturës kombëtare. Ndihet mungesa e një pike të re e të fuqishme referimi, i një superpartes, që nuk mund ta sjellë në pah logjika e klaneve. Kadareja, në vend që të shërbejë si lëndë kohezioni midis dy kohrave para e pas komuniste, në të kundërtën, është bërë mollë sherri. Pika apo pikat e reja të referimit tashmë sigurisht kanë lindur diku, por nuk duhen kërkuar vetem brenda kufijve të shtetit shqiptar, por edhe gjetkë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi, apo në Greqi. Të trajtosh kulturën e tyre si të diasporës, ashtu siç edhe ndodh rëndom, është krim kombëtar: arti dhe letërsia e tyre janë pjesë e natyrshme e tërësisë shqiptare. Ajo që meriton një vëmendje të posaçme sot është kultura e prodhuar nga brezat e larguar prej atdheut në dekadat e fundit, që shpesh është e një niveli shumë të mirë, ndonjëherë edhe të lartë.Të injorosh atë art e letërsi është indiferencë e fajshme.

F. Nikolli: A mos kjo ndodh sepse edhe këtu ndikon politika shqiptare?

Sh.S.Noé: Sigurisht edhe për këtë arësye. Shpesh mediat tona i vlerësojnë shkrimtarët sipas përkatësisë politike, po ashtu edhe vetë shkrimtarët e gjykojnë njeri tjetrin sipas grigjës ideologjike që i përkasin. Kjo vazhdon ta dëmtojë rëndë letërsinë tonë, pasi akuzat që krijuesit i bëjnë njeri-tjetrit pengojnë përhapjen e prodhimit të tyre letrar në botë.

F.Nikolli: Çfarë do t'i këshilloje sot botimeve shqiptare?

Sh.S.Noé: Po të mundja, do të filloja me krijimin e figurës së agjentit letrar, që do t'ua lehtësonte shumë punën krijuesve. Shkrimtarë dinë të shkruajnë, por jo të promovojnë apo të shesin mallin që prodhojnë. Për ndjekjen e librit të ri duhet sidomos kohë, që për një shkrimtar nuk mjafton kurrë. Është agjenti letrar ai që kujdeset për kontaktin me botuesit dhe zhvat kontratën më të volitshme.

F. Nikolli: Ju porsa botuat në Romë romanin "Il confine della nebbia" (Kufiri i mjegullës). Mund të na parathoni diçka rreth tij?

Sh. S.Noé: Ky roman është shkruar në italisht.

F. Nikolli: Pse në italisht?

Sh.S.Noé: Fabulën e këtij romani, siç ndodh rëndom në praktikat moderne të botimit, ia ofrova edhe disa botuesve të tjerë, ndër ta edhe shqiptarë, por vetëm ata italianë u treguan të interesuar. Prandaj edhe zgjodha njerin prej tyre.
F.Nikolli: Diçka më tepër rreth këtij romani?

Sh.S.Noé: Teatër i ngjarjeve tek "Kufiri i mjegullës" është Shqipëria e pas 1989-ës, shpresa dhe zhgënjimi pas "rënies" së komunizmit, njerëzit e Beratit, Lushnjes, Kavajës,Tiranës, Krujës, Durrësit, Parmës, Athinës, Kosovës...

F. Nikolli: Pas botimit të antologjisë "Atdheu i tjetrit" ju është afruar ndonjë botues shqiptar?

Sh. S.Noè: Jo, asnjë propozim serioz nuk kam pasur.

F. Nikolli: Mos vjen kjo edhe nga vështirësia që të viheni në kontakt?

Sh.S.Noé: Nuk besoj, shumë prej tyre janë nëpër social network-ë, mund të shohin mail-n tim, po ashtu mund edhe të më shkruajnë nëpërmjet faqes time zyrtare www.shsnoe.com.

F. Nikolli: Puna juaj letrare më e freskët?

Sh.S.Noé: Një tjetër roman që sapo e kam mbaruar, edhe ai me temë nga Shqipëria.


Botuar në "Gazeta Shqiptare", 04.03.2012


Google+ Followers