Poezi nga Sokrat HABILAJ

Sokrat HABILAJ




1-PËR TY QË S’TË ZË GJUMI

Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,
Se unë do të rrija larg jush kaq pak.
Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,
Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.

Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,
As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.
Ai që kthehet, është vërtet i çartur,
Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.

Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,
Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!
Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,
Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?

S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,
Ndërsa belbëzon, shihni, erdhi për mua!
Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,
Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.

Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,
Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.
Erdha se thjesht dikë, netëve se zë gjumi,
Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.



2-SHTËPIA E PLANGËPRISHËSVE

E goditën ata që dolën jashtë.
E goditën me gurë, a dhe sharje.
U krisën muret, u bënë me baltë.
U thërrmuan tjegulla e dritare.

Goditën muret, mbetur si skelete,
Sa të tundej e të fillonte shembja.
Pastaj të mburren me kuben nën vete.
Dhe pse dikur vet, kanë qenë brenda.

Pasi goditën gjithë mllefe në mur,
Pritën të dukej në dritare një njeri.
Të mbrojë shtëpinë, goditur me gur,
Apo thjesht të ngrejë në ajër, një shami.

Pritën kot përgjigje, atje në pllajë,
Se përbri po hapet llogore tjetër.
Doli dhe i fundit, xhindosur ndaj saj,
Duke hedh’ gurë shtëpisë së vjetër.



3-KUR TË IKËSH NGA UNË

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha…!



4-TI, KURRË S’MË KE NJOHUR MUA

Rri e qetë, ti kurrë s’më ke njohur mua,
As unë nuk të kam njohur ty asnjëherë.
Sepse në këtë botë, ti je thjesht një grua,
Unë një burrë, si miliona të tjerë.

Nëse do ndodhë të të flas një yll, pa dashje,
E ti do të thuash një emër nëpër natë.
Rri e qetë, të kam harruar, se më plase,
S’kam faj unë se dhe nata fletë përçartë.

Nëse do të duket, kur të puth ndonjë tjetër,
Se të përzihen me të, ca buzë të ftohta.
Rri e qetë, harresa është kaq e vjetër,                                                                                                                                                                       Po vdekja është më e vjetër se vet bota.

Nëse druhesh se kush do vij tek ty, më pas,
Gjen grimca nga imazhi im, si mbetje zjarri.
Rri e qetë, gjithë burrat janë tuhafë,
Ndërsa psherëtijnë, unë për ty jam i pari.

Nëse trembesh nën pëshpërima, a klithma,
Mos ashtu pafajësisht të tradhton ty qerpiku.
Rri e qetë, gratë janë dinake, të gjitha,
Dinë ta mbulojnë me dhè atë që iku.

Nëse do më ndjesh të mbuluar nën lëkurë,
A unë do të ndjej se frymoj tek ti brenda.
Rri e qetë, bashkë s’jemi takuar kurrë,
Dreqi ta hajë, njeriu shikon dhe ëndrra.



5-VËREJTJE PËR LIBRIN E SHERIF BALIT

Për librin tënd duhet të të them patjetër,
Se ndoshta dhe pa dashje, ke bërë një faj.
Kur vizatove veten në lejlek, a pjepër,
Pse harrove të gdhendësh portretin e saj?

Ndoshta po të kujtoj një kohë të trishtë,
Ndoshta kështu bëj redaktorin, si dikur.
E di që ty censura t’i ngjethë mishtë,
Por malli i bijës, është pak diktaturë.

Nëse në vargje, ke plotë emra femrash,
S’the një rresht për të, hutuar nga malli.
Të lije të paktën, tre iniciale emrash,
Shkurt:B.SH.B.(Brigita Sherif Bali)!



6-TRADHTITË E MIA KANË EMRIN TËND

Të dua, më shumë se dje të dua sot,
Më shumë se sot, do të dua nesër.
Bëj të iki nga ty e nuk iki dot,
Fle me ty e zgjohem me një tjetër.

Betohem për ty dhe e dredh në çast,
Sepse ti në sy, shpik një tjetër grua.
Kërkoj ca yje, gjej dy sy të zjarrtë,
Që përgjërohen dhe qeshin me mua.

Përqafoj dikë, ti më mbyt në puthje,
Dehem me ty, e tjetër kam në mend.
Nisem të humbas, vij tek ti me ngutje,
Tradhtitë e mia kanë emrin tënd.



7-PËR TY

Unë i thash të dua, fare papritur,
Thjesht se m’u duk që hëna mbi ullishte.
Ca çaste mbi flokë të saj kishte zbritur,
Po të doni, quajeni dhe prozaike.

Unë i thash, bëhu gruaja ime nesër,
Thjesht se pa imazh hëne s’mund të rrija.
Dhe brenda asaj do ta gjeja patjetër,

Thoni po të doni, ku është poezia?

Më bëjë dhe dy djem i thash me të lutur,
Thjesht se kur shihja fytyrën larë në hënë.
Kisha bindje se ajo krijon djem të bukur,
Quajeni marrëzi, por kështu i kam thënë.

Tridhjetë vjet pas, tre burra dhe ajo grua,
Dy dalë prej ëndrrës, një nga shpirti i saj.
Vazhdon më pëshpëritë: Të dua… të dua!
Thoni…prozaike, veç mos më bëni me faj.



8-MALLI IM

Ti duhet të më lije diçka, në ikje,
Një grimcë malli, inat, a lot të trishtë.
Se shpirti nuk është thjesht degë pishe,
Ku dashuria rri ca çaste rastësisht.

Nuk ikën dashuria, nuk ikën kështu,
Por kur vdesë, në shpirt mbulohet me dhè.
Tani nëse të kujtohem unë diku,
Bëjë ç’të duash me mallin që lash atje.

Po deshe lere në harresë, tej në skaj,
Dhe kalo pranë tij, thjesht si një e huaj.
Po deshe qeshë me të, a me të qajë
Po deshe, pafajësisht, ti me të luaj.

Po deshe shkele mallin, të mos bëjë zë,
Si hiri i cigareje që sapo u shua.
A në buzët e një tjetri, tallu me të,
Duke i treguar si puthet një grua.

E në ndodhtë të ankohet, mos u trishto!
Unë vet të thash, atë mall e kam tepër.
I thuaj…po s’mund t’i thuash gjë apo jo?
Se ti s’di që unë veç tij, s’kam mall tjetër.



9-NË SHESHIN E TË BARABARTËVE

Në sheshin e pallatit, çapiten pleqtë,
Me hapa të rraskapitura nga udha.
Heshtin sytë pas skeleteve të qelqtë,
E tufa reshë, në qiellin me rrudha.

Dikur vraponin këmbëzbathur me ngutje,
Nën merakun që i ndiqte pas, nga brenda.
Tani, askush s’i ndalon të ikin tutje,
Por hapat u bëhen vet, si plumb të rënda.

Kur ndonjë prej tyre u ikën përgjithnjë,
Përtojnë ta përcjellin për në varreza.
Duke ditur se do takohen shpejt me të,
Më parë merren me ca punë të tjera.

Por dhe ai që shfaqet pas një deriçke,
Për të hyr së pari në atë turmë gri.
Askujt prej tyre nuk i bënë përshtypje,
Madje edhe dorën nuk ia zgjat njeri.

Askush se pyet: Të lodhi udh’ e gjatë?
Askush se pyet: Për ku je nisur të shkosh?
Gurët e jetës nisë trazon me inat,
Në stolin e dominove që mbeti bosh.

Askush se pyet: Ç’ke qenë ti më parë,
Burrë shteti, a mbase portier te porta?
Askush se pyet nëse ka qenë krenar,
A mbase servil i zhgërryer në kocka.

Në i puthte gratë në gushë e cica,
Në i pëlqente t’i pikonte rrushi, musht.
Në kishte në zemër zjarr, apo ngrica,
Në predikonte moral, a ka qenë pusht.

Jo se nuk duan të dinë për të diçka.
(Por veçantia i mërzitë për vdekje!)
Dhe nëse ai ka gjë, ndryshe nga ata,
Mirë është të mos e marrë me vete.

…Ecin herë veç, herë pesë a gjashtë,
Sa muzgu, si fytyrë e tyre ngryset.
Askush s’u thotë: Mos rrini më aty jashtë!
Po kush t’u thotë? Ata s’i kanë më gjyshet.



10-RRI DHE PAK ME MUA

Në qiell ndrinë ende e bukur, hëna,
Po ti, rri dhe pak me mua, rri dhe pak.
Nis më çuçuritë ca fjalë të ëmbla,
Do të ikësh? Ikë kur të iki kjo natë!

Unë zgjat dorën e yjet derdh përmbi ty,
Por ditën mbrapsht nuk mundem ta kthej.
Ti më thua, shikomë veç mua në sy,
Ikë prej meje, kur nata të iki andej.

Ikë kur sytë e mi, të mos kenë më terr,
Dhe gjithë yjet, atje të jenë fikur.
Në shtratin e syve, ti në gji më merr,
Ndërsa lë pas, një natë duke ikur.

Ma puth natën, më lutesh si e marrë,
Dhe si kurmin tënd, më hedh natë mbi krye.
Zhvishma natën i dashur, të digjesh ti zjarr,
Hyrë në natën time, të më ndezësh yje.

Pi tek nata ime, të mbytemi bashkë,
Rri brenda natës dhe vdis vetë i dytë,
Mos kërko të ikësh nëse ditë është jashtë,
Ikë kur nata ime, të më ikë nga sytë.



11-S’ISHTE KOHË PËR POEZI

Pse më hakërroheni, gjithë inat e vrer,
Vargje që duhet t’ju shkruaja në rini?
Po ju, s’keni ekzistuar asnjëherë,

Ish’ kohë tjetër ajo, s’ish’ për poezi.

Unë kurrë s’ju vrava. (Si mund t’ju vrisje!?)
As rrugës së gjatë, unë s’ju kam humbur.
Erdhët gabimisht e vdiqët që në lindje,
Poetët s’i donte, ajo kohë…e lumtur!



12-SHERRE PËR TË IKURIT

Për ata, ne bëhemi shpesh sherrxhinj,
Pse  janë treguar aq të butë.
Pse kanë ngritur lart, degë ullinj.
A, pse kanë shkuar kot në luftë.

Pse mbajtën në mes ballit, një shkabë.
Pse një yll e jo diçka krejt tjetër.
Pse miqtë e rinj і mbajtën larg.
Pse і harruan miqtë e vjetër.

Pse ju falën plumbit, në rini.
Pse e pritën vdekjen, shtrirë në shtrat.
Pse u bën si të marrë, nën hardhi.
A pse s’i deshën sa duhet gratë.

…Edhe për ne do ketë sherre, si dreq.
Kur si ata, kockat të jenë tretur.
Po mbase kujtohen, e u vjen keq.
Dhe thonë: Mos! Po flisni për të vdekur!



13-JO VETËM  PËR TË PARËT  E MI

Të parët e mi kanë ikur të bukur,
Ndoshta duke menduar udhën e gjatë,
Veç nga mërzitja, në ikje janë ngutur,
Pa dashur të kërkojnë një tjetër fat.

S’patën kohë të lënë fjalë e letër,
Siç bëjnë ata që i thonë të gjitha.
Vdekja s’i lejoi ata më tepër.
Meraku i të parëve ishte ikja.

Nga të parët e mi, askush nuk u thinjë,
(Më i thinjuri, unë që vij nga fundi)
Ata kanë ikur krejt të rinj,

Një nga një, të parët i hëngri plumbi.

Por se ç’ndej kur shoh në fotografi ata,
Si dhe veten time, pak nga pak të thinjur.
Eh, tani si të tjerët u bëra baba,
Por edhe gjysh, për ata që kanë ikur.

Dhe e di që s’do më gjej vdekja të bukur,
Se duke bërë dredhi e lajka asaj,
Do kthehem në trung, rrëgjuar e kërrusur,
Baltosur nga balta, ndanë udhës do qaj.

Kam kohë të them edhe ca fjalë plaku,
(Mua idiote më duket kjo kohë).
Se unë nuk kam ç’fjalë të them, së paku,
Edhe nëse them disa fjalë, kush i do!?

Të parët e mi kanë ikur të bukur,
Se duke ndjerë që bota i bënte pis,
Veç nga mërzitja, në ikje janë ngutur,
Ndërsa unë shtigjeve të zymta jam nis.



14-QYTET FAJTOR

Ky qytet, duket se paska gabuar keq,
Dhe duhet të ndjej shumë plagë në shpirt.
S’është fjala për një prijës, polic a shef,
Por duket se kanë gabuar të gjithë.

Gabuan historianët në shifra e fakte,
Dhe poetët që shkruajnë veç për vete,
Lypsarët, mbetur me gjymtyrë gjysmake,
A prostitutat që shfaqen pas çdo kthese.

Gabuan fshesaret dhe karrocierët,
Shitëset që buzëqeshin për t’ju shitur malli,
Dhe gratë që duket po plaken më herët,
Gaboi polici, portieri, tellalli.

Gabuan pleqtë që rrinë në dritare,
Këngëtarë operash e kërcimtarët,
Lulishtarët si dhe rojtarët në varre,
Gabuan humoristët, a dhe të marrët.

Gabuan dhe të rinjtë që puthen në park,
Ata që ngjiten e zbresin nga tribuna,
Hamallet me kurrizin e bërë si hark,
Dhe ata që përplasin duart në turma.

Ky qytet duket se ka gabuar diku,
Dhe duhet të ndjej shumë plagë në shpirt,
Por askush s’flet për gabimin e tij këtu,
E ndërsa shajnë njëri-tjetrin, të gjithë.

Historianët shajnë çdo shifër e datë,
Poetët, ata që s’lexojnë poetin,
Lypsarët, makinat luksoze në asfalt,
Dhe prostitutat, ata që shpikën seksin.

Fshesaret, banjat e kthyera në kioska,
Shitëset, manekinët që përhapin lajka,
Gratë, pudrat bajate ku s’fshihet mosha,
Policët, semaforët, vijat e bardha.

Portierët, atë që hyn pa trokitur,
Tellallët, veshët po dhe zhurmat e tjera,
Pleqtë, shajnë vitet që i kanë thinjur,
Këngëtarët, reklamat varur te dera.

Kërcimtaret, ritmin që se ndjekin më dot,
Lulishtarët, ata që s’falin karafila,
Rojet e varreve, veten që rrinë kot,
Humoristët, atë që del nga çmendina.

Të marrët, ata që u shtohen për ditë,
Hamallet, ata që në kurriz s’mbajnë thes,
E ata që puthen, shajnë tradhtitë,
Ata të tribunës, shajnë turmën për rreth.

Turma, shanë ata që u vuri skeptër…
Po këtu, askush nuk ndjenë plagë në shpirt.
Ky qytet, diku ka gabuar patjetër,
E duket se këtu kanë  gabuar të gjithë.



15-MOS EJA NË KOHË ME RE

Mos eja tek unë në kohë të keqe,
Kur malet e retë, shtyhen me grindje.
Se mund të biesh në këtë kurth vjeshte,
Dhe s’kthehesh dot, andej nga ku u nise.

Ndërsa do kërkosh, male apo shkrepa
Do gjesh bokërima, nga turpi të vrara.
Dhe mund të humbasësh, rrugën në kthesa,
Nga pamjet e zymta që dalin para.

Do gjesh maja hutaqe që rrinë pezull,
Trishtuar si unë, mundur në beteja.
Mos u gënje nga kjo kohë mjegull!
Prit të tjera kohë, e pastaj eja!


T.O.

Google+ Followers