Një “atdhe tjetër”


athde tjeter

Nga Robert Martiko

Pas gërmadhave  herë perverse e herë diabolike të letërsisë së Realizmit Socialist, ku njerëzit e artit me dashje ose pa dashje, për ngjitje me çdo çmim apo në trajtë naive, u gjendën në shërbim të një diktature poshtëruese e varfëruese deri vëllavrasëse për gjithë shqiptarët, një dorë e re krijuesish, shkrimtarësh e poetësh sigurisht do dukej, dhe besoj se më në fund po shfaqet në horizontin artistik shqiptar. S’na mbetet veç ti përshëndesim, si bij të lirisë, që dëshirojmë të jemi realisht, dhe jo të obskurantizmit, genocidit e vëllavrasjes, që mund të na kërkohej të ishim.
Madje, na bie për detyrë ti përshëndesim me zemërgjerësi. Dhe jo me atë heshtjen karakteristike, zemërligë, të denjë për karaktere që burojnë prej truve kapadainj, stereotipë, të shpifur, burracakë, hijerëndë, fodull së jashtmi e bosh nga brënda, të cilët, një krahasim biblik i konsideron me varret e zbukuruar, lyer me gëlqere të bardhë nga jashtë, por që brenda nuk përmbajnë veç pocaqi, kërma, kafka e kocka, të denja për kultura botësh të paditura, të egra, të prapambetura, përfaqësuesit e të cilave, brenda vetes së tyre, nuk ziejnë gjë tjetër veç “mjerim, urrejtje e mburrje…” siç do të shprehej i madhi poet gjerman, Henrik Haine, te poema e tij e mirënjohur “Atta Troll”.
Një nga shkrimtarët e spikatur të këtij fenomeni të ri letrar, iluminist, modern, në trajtë tepër të spikatur nga pikëpamja letraro-artistike, lexuesi shpresoj ta gjejë te Faruk Myrtaj, i cili i shfaqet kësaj radhe publikut shqiptar nëpërmjet romanit “Atdhè Tjetër”. E, meqënëse dëshiroj të jem jo vetëm i saktë por edhe i kuptueshëm e praktik, për të mos rënë edhe unë në guackën e praktikave mendjelehta, boshe e stereotipe, më lejoni të citoj disa prej pasazheve më të bukura në lidhje me natyrën mbresëlënëse, të librit të Farukut. Gjen aty jo vetëm ironinë e hollë akademike, elementin kozmopolit, human, nostalgjik, patriotik e historik, por edhe aftësinë e tij mendimtare, filozofuese, gjuhën ekspresive, mëvetësinë stilistike, aq e domosdoshme në një vepër letrare, e aftë të ngjallë përfytyrimin dhe imazhin estetik, si karakteristika të domosdoshme për të përcaktuar stofin e një shkrimtari të mençur, të aftë, komunikues, mbresëlënës e me peshë kombëtare…
Ja disa prej ekstrakteve karakteristike në lidhje me sa parashtrova…
“…Po shijoja ndjesinë nostalgjike sikur avioni i mërgimit lëvizte po aq ngadalë sa treni i provincës sime. Ndryshimi qëndronte se prej avionit nuk mund të dilja, të ndizja një cigar me ndokënd dhe të kthehesha sërisht në të… „
“Atdheu duhet dashur edhe kur ikim prej tij, perifrazova përshpirtjen e tjetrit, (shkrimtarit që na kujton se Atdheu duhet dashur edhe kur të vret- shënimet janë të miat, R.Martiko) si për ti kthyer një hua…”
“…Jetët imitojnë të shkruarat…“
“…Perëndimi kurrë nuk e njohu Lindjen. Edhe këtë herë, në fund të viteve ’80, si në vitet ’40, po mjaftohej me ndarjen e kurorës së fituesit. Në fund të Luftës së Dytë, me musteqen ndau botën, teksa tani me njeriun me blanë po ndante demokracinë. Viktimat janë të njëjtit: ata që e njihnin dhe s’e deshën komunizmin më parë se të mbinte në këto troje…Gorbi s’po e ndryshon Lindjen, korbi shpëton të zezën duke ndërruar rroben e tij. S’kuptoj pse brohoret Perëndimi…”
“…Ne u bëmë me para kur ti u largove nga ne, morëm paratë që nuk more ti…Nga ato paguaj unë, më kupton?!” Dhe duke bërë më tej, “nuk e harroj, kemi qenë njëlloj…” Teksa, herë tjetër, “por ne s’të kemi faj…Ti vetë u hoqe mënjanë…Okay?!”
“…S’është e lehtë të bëhesh dhe të mbetesh burrë shteti në këtë vend. Duhet të jesh qenie me shumë koka, nga një kokë duhet patur për secilin prej fqinjëve. Por na është dashur së paku edhe një kokë tjetër, një qafë tjetër, edhe më e lartë, për të këmbyer shenja e mesazhe me të mëdhenjtë e kohëve, larg… Mbase ka ca fatalitet në këto histori ballkonesh të pasmë të Europës, por si s’doli dikush, xhanëm, qoftë edhe një i vetëm, në momentin e betimit, me dorën në flamur, t’u kërkonte të dërguarve të botës ta lejonin të betohej në emër të … popullit të tij? “
“A e merrni dot me mend dilemën e shkrimtarit kur librat e tij botoheshin në perëndim pa emrin e përkthyesit?! Ai e dinte se kjo ndodhte rëndomë në vendin e tij, në shtetin e tij diktaturë. Kënetat, bje fjala, thaheshin prej të burgosurve të regjimit, me punë të papaguar të tyre, por mos përmendja për arësye biografike e emrit të përkthyesit të tij, jo vetëm në vendlindje por edhe në botimet në Perëndim, dhimbte shumë. Shumë më shumë… Më dhimbshëm se heshtja për Nobelin e pa-uruar për Nënë Terezën, më rëndë…Janë plagë që s’mbyllen as në trupin e të vdekurit këto…”
“Njerëzit përqark (këndej, në emigrim, R.Martiko) janë të gjithë të panjohur, të pa asnjë lidhje me njeri tjetrin, të pa interesuar për jetët përqark. Gjithçka tingëllon e përkohëshme, si një ekran me filma dokumentarë për jetë në planetë të panjohur qeniesh të tjetërta. Jeta shembëllen si një lëvizje e nxituar përpara një pasqyre të madhe, diku në një kryqëzim. Duket sikur shoh shumëçka, marrë vesh shumë gjëra, shumë hollësi, arësye të jetëve këtu, por fillon dita tjetër dhe në pasqyrë s’mbetej asgjë e ditës më parë… “
“…ne (emigrantët, R Martiko) pyesim shumë rrallë. Janë aq shumë gjërat që s’i dimë, sa më mirë i bjemë shkurt: s’pyesim për asgjë. Për të shkruar këtë ese do duhej të bënim krehjen e ngjarjeve, pasi të trazonim kujtesën, për të nxjerrë prej andej ndonjë gjër të gëzueshme. Tani që s’ishim më atje, vendlindja dukej më pak e qortueshme, shumë më lehtë e falshme, ndonëse jo deri në pse-në e ikjes prej saj. Secili nga ne mund të sillte në kujtesë edhe ngjarje të dhimbshme. Sidosi, diçka për njerëzit më të dashur, që e bënë të vështirë ikjen tonë; ose ndonjë histori me njerëz që s’na deshën, të cilët, pa e ditur, na e lehtësuan ikjen.”
“Më vonë morëm vesh se tërë librat e shkruar prej nesh, prej popullit të lirë shkrimtar, ose prej popullit në profesion shkrimtar të lirë, do përktheheshin në të gjitha gjuhët e botës. Përkthimi do kryhej falas, në shenjë pendimi për të shkuarën e tyre, prej cave që ose sapo ishin liruar prej burgjeve, ose vazhdonin të mbeteshin atje, në qelitë klasike, në pritje për të paraqitur garancitë dhe mirësjelljet për tu ndjerë sinqerisht njerëz të rinj, siç ishim ne jashtë hekurave…”
“Si vallë arritën të ndjeheshim mirë në atë lloj vetmie, ë?!”
“Vetmia s’është gjithnjë e keqe..”, mu përgjigjë Tina.
“Si s’qenka e keqe? Asnjë prej librave që kemi lexuar atje, nuk gjendet këtu. Tërë këta tituj këtu, të panjohur atje. Qindra libra dhe autorë që s’i kemi pasur dot në moshën e formimit të mendjes e shijes…”
Tina heshti për pak. Për të më lënë të merresha me veten. “Është mirë të ndjerit e mungesës, edhe me vonesë…”, shtoi pas pak.
“Si ta ndjenim mungesën, kur s’dinim ç’kishim?”
“Mungesat ndjehen kur u vjen hera…”
“Ne…vijmë prej vetmisë së madhe. Nuk thashë prej vetmisë së madhe politike. Vetmia politike ishte e shefave të mëdhenj, oborreve dhe oborrtarëve, stafeve, siç quhen sot, ideologëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë. Na lanë vetmuar si njerëz, na ndanë prej njerëzimit, si foshnje poçerish provuan të na rrisin…”
“Personazhet e Kafkës na trubullojnë edhe sot e kësaj dite, ngaqë ata janë siç kemi qenë ne dikur, heronj të dorëzuar. Brenga jonë si lexues rritet edhe më, teksa mëvetësohemi e ndjejmë se, edhe si personazhë, jemi përshkruar krejt tjetër: ngrirë si njerëz, rrëgjuar mendërisht, vyshkur ndjesisht, pa reagime. Nuk na shfaqën si qenie njerëzore, dhe kurrë krijesa fiziologjike. Problemet tona, hallet si heronj të asaj letërsie, thjesht të qenieve politike, zgjidhjet e tyre një herë e mirë të parashikueshme. Ekonomi letrare e planifikuar. Aq sa sot dyshojmë nëse vërtetë kemi qenë. A quhet art letërsia që i vidhej njeriut. Më thua dot, a mund të ketë letërsi në Korenë e Veriut sot?!”
“Pyetëm, atje nga vijmë, për atë shoqen a mikeshën tënde, a ç’e ke….Ashtu ka qenë edhe atje. Pak si djalë e pak si gocë, pak si femër e pak si mashkull…”
Siç është kjo botë, me sa duket, doja tu thosha. Pak kapitaliste pak socialiste, pak e drejtë dhe pak e padrejtë, siç janë njerëzit pak të lirë e pak robër, si ai mëmëdheu ynë i bekuar pak Lindje pak Perëndim, siç ky planet rrotullohet rreth diellit e rreth vetes, siç banorët e sotëm të tij, pak emigrantë dhe pak vendas, siç rendi botëror, dreqi ta marrë, pak në paqe e pak në luftra lokale…”
“Sa më shumë kohë e këndejshme kalonte, aq më shumë merresha me veten. Ndjehesha gjithënjë e më i etur për të ndjerë veten, dhe kjo bëhej më e lehtë kur ndodhesha vetëm. Gjatë Orëve të Kafkës, siç nisa t’i quaj. S’di pse i strehova nën këtë emër…”
“Mos fol në shumës, harrove?! S’ke të drejtë të flasësh në shumës, ti, lindor, kujtohem ta përmend, ta tokëzoj veten. Thuaj për veten, nëse ke për të thënë. Vetja, që ke brenda, ai je! A ka më të largët se ajo, kur s’e di? Edhe nëse e di, a je gati ta çmosh, ta nderosh? Është tjetër pastaj nëse ajo çfarë ke  i hynë në punë ndokujt këndej…”
“Në qelizat e memories time ka zero elementë, u thashë fëmijëve në mbrëmje. Dëgjoi edhe gruaja. Të tre bashkë, më vështruan si një komision mjekësh.
“Po, tani do filloj të ndjehem i këtushëm! Just a brand new man…
“Mungesa e bisedave dikur, për librat lexuar dikur, enciklopeditë dhe albumet e asokohshëm, prej të cilave s’më kujtohej asgjë. Sigurisht kisha menduar, dikur do të vinte një ditë harrestare për të ndodhurat atje, por jo që mund të vinte…kaq menjëhershëm. Së paku pa ndjerë diçka të këtushme në vend të tyre…s’e prisja këtë fshirje kujtese glaciale. Më çuditërisht akoma, si kompensim, po më kujtoheshin tituj librash dhe autorë që nuk i kisha lexuar!”
“Ke fat të madh që s’di gjë, ose di shumë pak, për këtë vend. Në munç, bëj të mbetesh i tillë në raportet me të: të mos dish për të dhe të mos dijë për ty! NorthLandi le të jetë çfardo e gjithëfarësoj, por mendoje se për ty s’është. Rezisto, mos iu dorëzo joshjeve, ngasjeje, interesave. Shmang çdo mundësi njohjeje të thellë me mjedisin ku rron dhe fjolla e kënaqësisë do vazhdojë. Çdo detaj, secila prej hollësive dhe kurioziteteve që kërkon të rrëmbej shqisat e tua, mund të shndërrohet në arsye dhe nxitje për të menduar për të. Ngaqë është e pamundur t’i shmangesh ndikimit prej njohjes, shmangu kontakteve. Bëj punën, me të cilën ushqehesh e paguan rentën dhe shko e mbyllu në vetminë tënde. Mos provo të mësosh, as për kureshtje, se si e sundojnë në këtë vend, të ndjehesh qetë, pa probleme…”
“S’di pse e kisha një parandjenjë se ai (Obama, R.Martiko) mund t’i kthente një vizitë dinjiteti vendlindjes së tij. Do ngrihej në qiellin këtu me avionin presidencial, dhe do zbriste atje, në origjinën e prindërve, diku aty afër brigjeve prej ku niseshin skllevërit për në Tokën e Lirë, që nuk i ishte premtuar atyre, por që destinimi megjithatë, ua mbante fshehur bërjen president të një pasardhësi dikur të tyre. Ai do shkonte, qoftë edhe thjesht për tu kujtuar jetëve që vazhdonin atje, se mirësjellja e lëshuar prej vend-origjinave, kudo në botë, ka rëndësinë e vetë, edhe pse për rastin e tij si fat i zbardhur tashmë s’kishte asnjë vlerë.”
“Unë nuk kundërshtova gjë, dhe as thashë gjë me zë! Por, është e drejta ime të mendoj dhe besoj se edhe në fushën e ligjit, e drejtë vlenë të konsiderohet diçka që përkon me natyrën njerëzore dhe me eternalen. Në këtë kuptim, ka ende ligje të padrejta që, edhe pse si ligje jemi të obliguar t’u bindemi, s’jemi të detyruar të heshtim apo të mos shpresojmë se një ditë do abrogohen…”
“Befas u kujtova ndjesisht se e kisha tepruar me kohëqëndrimin në bregliqen. Është shumë bukur këtu, shumë më bukur se ç’mund t’i lejosh vetes për kënaqësi…Përderisa more atë vendimin tjetër, i thashë vetes. Nxitova të ikja…”
“Kam frikë se ky s’është Perëndimi yt, thuajse i pëshpërita vetes. Ndjeva që më dridheshin supet, hepoheshin e sërish lëshoheshin, si të donin të afroheshin tek njeri tjetri. Por nuk i linte koka, koka ime, dhe mjaftoheshin në orvatjen të më fshihnin fytyrën, që ashtu të mund të thërmohesha pazhurmshëm në lotë.
Prisnin ta rrëfeja dehshëm lumturinë e të qenit siç zyrtarisht duhej të isha. E dija se më kqyrnin, por kjo as që më bezdiste. Me këtë gjuhë të brishtë, edhe më të pafuqishme për të shprehur ndjesi të tilla, s`mund tu bëja të ditur se, në të vërtetë, i druhesha kqyrjes prej vetes, jo prej tyre.”
Nëse ndodh ta lexoni, do gjeni shumë më shumë gjëra të kësaj natyre të shkruari, dhe kjo më sugjeron të vazhdoj më tej, përtej citimeve.
Duke vijuar të prek zhvillimin e letërsisë në Shqipërinë e pas rënies së Diktaturës së Kuqe e të Keqe, më duhet të citoj shkrimtarin francez Charles Péguy, i cili thotë: “Një fjalë nuk është e njëjtë për një shkrimtar ose tjetrin. Njeri e nxjerr atë prej zorrëve të barkut, ndërsa tjetri e tërheq nga xhepi i palltos.” Personaliteti i mësipërm i kulturës franceze e thotë për të bërë dallimin midis artit të shtirë, inekzistent, dhe atij që merr frymë, rritet, zhvillohet në tokën pjellore të lirive humane, për të evidentuar rëndësinë e ndryshimeve cilësore në kontestin historik, kultural dhe politik.
Do të dëshiroja të shtoja se sot, pas njëzetë-e-dy vjetësh Liri, atë liri që është, për ata që përjetuan barbarinë e Sistemit të Kuq e diçka arritën të regjistronin në ndërgjegjen e tyre: “fjalët artistike” nuk delnin nga xhepi i palltove të shkrimtarëve, por nga  goja me dhëmbët e mprehta si kama të Propagandës Vllavrasëse…
Sipas filozofit francez Jean-Paul Sartre, në esenë e tij “Çfarë është literatura”,  theksohet fjala “appelle” në kuptimin “thirrje”. Sepse detyra e pa-shpallur, por edhe e paneglizhueshme e çdo shkrimtari është që nëpërmjet Fjalës dhe shkrimeve të tij, të bëjë të mundur lindjen e një bote të re, e cila të zëvendësojë të parën. Të kalburën! Kanibalen! Kryeposhtëruesen, për njeriun në përgjithësi dhe për vetë shkrimtarët!
Mirëpo, jo çdo individ arrin të kryejë purifikimin e tij shpirtëror. Më bën përshtypje e madje më vjen për të qeshur me disa nga kalemxhinjtë e së kaluarës, të cilët nuk përpiqen të hapin sytë, por mbledhin rreth vetes dy ose tre hyzmeqarë/shkrimtarë të rinj/vjetërakë, thjesht për të treguar se sa i “madh” ka qënë ai në kohën e kaluar…Mbase të rinj të tillë a të vjetër të vjetëruar magjepsen ende para tyre. U servilosen. Ndoshta presin për ca dekorata pa vlerë. Çuditërisht, të parët pozicionohen në ndonjë rast si trima, shkarazi, pranë vetë Enver Hoxhës!.. I cili po të mbrinte çasti i Spastrimeve të Mëdha, nuk do të ngurronte të shtypte këdo prej shqiptarëve. Si miza! Pa përjashtim!
…Eh! Pamja është aq e qartë sa nuk mbetet ta them unë: Nuk ka gjë më qesharake. Veçanërisht ata që inkuadrohen sot në kafene apo klube të caktuara me muzikë të vjetër. Të urrejtjes së shqiptarit kundër shqiptarit!… Kujtojnë se partia mund të bëhet për ta Vaska Pagëzuese e Siloamit. Ku falen gjynahet. Me një salto të bukur mortale, çuditërisht, i gjen të transformuar edhe në patriotë të mëdhenj. Merreni me mend: ish informatori vëllavrasës gjen forcën perverse të zhvillohet papritur edhe në patriot! Pa kurrfarë fisnikërie në shpirt! Pa pikë humanizmi! Konkret. Për Shqiptarin. Prandaj shfaqa më sipër imazhin e varreve të bukur nga jashtë e të qelbur nga brenda. Pasi ndërgjegjia morale është ajo forcë e madhe që dëbon paditurinë e njëkohësisht atë verbërinë e mirënjohur… Klasike. Të shpirtit!
Dalloj, në libra të tillë si i Farukut, ka ndodhur një lloj ringjallje…Aq e domosdoshme në mënyrë që letërsia shqiptare të marrë trajta të madhërishme. Të bukura. Dinjitoze. Duke prishur ekuilibrin inert, në dëm të injorancës, shkrimtari duhet të influencojë direkt në mëndjet e lexuesve. Por që të ndodhë një gjë e tillë duhet në radhë të parë ti hapë sytë vetvetes. Të shpëtoj nga syshtrëmbësia apo strabizmi. Ndoshta për herë të parë në jetën e tij të zbulojë bukurinë e vetmisë shpirtërore. Në mënyrë, që kur të jetë zgjuar prej gjumit të tij të rëndë, letargjik, të vetë-izolimit të kondicionuar prej robërive klasike apo kushteve të vështira të emigracionit, i fuqizuar si kurrë më në jetën e tij prej entuziazmit  të jashtëzakonshëm të lirisë së mendimit, të rendë për te lexuesi apo bashkatdhetari i tij, duke i treguar se sa i bukur është dielli që ndriçon jashtë Shpellës së gjendur në zemër të Malit. I shkruaj këto, ngaqë, i mrekulluar, gjeta te romani “Atdhè Tjetër” zbulimin e forcës së një vetmie të bukur kozmopolite. Veç jo egoiste!… Ngaqë pothuajse në çdo faqe libri, dalloja kthimin e Farukut shpirtërisht në Shqipëri. Edhe pse ndodhet sot në Kanada: me mijra e mijra milje larg vendlindjes së tij të dashur.
Fenomenin e ri, të shfaqjes së një letërsie dinjitoze e përshëndes  me entuziazëm. Pa dyshim, në të gjitha shkrimet e kësaj natyre trajtohen tema ku elementët autobiografikë gjejnë vendin e tyre të pa diskutueshëm. Por, një shkrimtar i emigruar në një Vend të Civilizuar, arrin ta pasurojë veprën e vet edhe me ato mrekullitë kulturale, energji pozitive që gjenden në themelet e atyre lloj qytetërimesh të cilat kanë bërë të mundur edhe prosperitetin ekonomik. Sepse kultura, mentaliteti, edukata, përbëjnë  gurët themeltarë në mbarëvajtjen e kombeve. Jo trutë e mbyllura e stereotipe me idiotësitë klasike të së kaluarës…
Duke e përshëndetur autorin e romanit “Atdhè Tjetër”, më lejoni të përshëndes gjithë letërsinë e re: me vlera të vërteta të dala prej tabanit kombëtar shqiptar, sot në ditët e ngrohta të lirisë. Të asaj lirie që është, aq e brishtë, pas Dimrit të Madh, izolimit të tejzgjatur poshtërues e pervers për gjithë shqiptarët. Pa përjashtim.

Google+ Followers