Në djall vafshi!... - Vaso Papaj

Vaso Papaj



Rreze drite në pasqyrë,
Nuk ngjasoj me atë që shkoi:
Më i plakur, më i fryrë,
Por më i pasuri nga soj.
E vërtetë e hidhur kjo
E poetit të vonuar.
Të qëllon dhe ja, provo,
Nga vetja të jesh lehtësuar.
Isha një nga ata që s’bije,
Ëndrrimtarë, agim me vesë,
Që kërkonin dritë në hije,
Mëndja kurrë të mos i vdesë.
Dhe përherë mbetur në këmbë,
S’i donin vështrimet bosh.
U përgjigjeshin ndër dhëmbë:
"Në djall vafshi! Gjë s’na josh."
Ngjizjet shpesh janë dhe të këqija,
Janë si gropat me gjarpërinj.
Mbërritur vonë, të ze pleqëria
Dhe dështimet shpesh të mpijnë.
Ndaj më thonin shokë e miq:
"Mos limo vargje të mjera.
Këmbëngul, mos u tërhiq,
S’ka poeti armë të tjera.”
Dhe i ruhesha së keqes.
Vjen e keqja kot së koti.
Si poet i thoja vetes:
Në djall vafsh, në s’je i zoti.
Shpesh tërë gaz, i çensuruar,
Sikur shigjetoj pushtetet.
Veç në vargje kam tentuar
Dashuri pafund të mbetet.
Në një botë prej dimërakësh,
Vargu mbase sjell pranverën.
Ajo sjell funde dështakësh
Dhe poetin deh me erën.
Ndaj nuk gjendem qoftë një ditë,
N’asnjë rresht nëpër gazeta.
Faqet i kanë zënë orgjitë.
Vallë të jenë gjithë të vërteta?!...
Por kronika e zezë ka zbritur,
Ndaj i urtë prita sa prita,
Botës për t’i ulëritur:
“Në djall vafsh, moj, me të gjitha!”
Nuk dorëhiqem. Jam poet.
S’jam profet i kësaj bote.
Desha t’ jua mësoj këtë jetë,
Nga përvoja, mote e mote.
Ndaj do të ec mes fishkëllimash,
T’u çliroj nga vetja ime.
Fundja ky është një trill trimash,
Ëndërrim mbi ëndërrime.
Jam një i çmendur që bërtet,
Dashurinë kërkon të lidhë.
"Mjaft më, mjaft, se ndihem keq!
Në djall vafshi që të gjithë!"
Po ç’të bëj?!...Nuk jam një tjetër.
S’kam ndryshuar që i mitur.
Shpirtin kam mik më të vjetër
Se kjo maskë që po mbaj ngjitur.
Si armiq e miq t’ju kem,
Me dëshpërimin që s’e shqita.
Nuk do t’mundem kurrë t’ju them
"Në djall vafshi, me të gjitha."

Google+ Followers