“LEGJENDA” E NJË JETE, ME EMRIN SKËNDER HASKO


Nga: SEJDO   HARKA


Shkrimtari  S.Hasko


Të shkruash   për  shkrimtarin, mikun dhe kolegun tonë të dashur,   Skënder   Hasko, do të thotë  të tregosh një jete reale, si në legjenda. Kjo ndodh, sepse jeta  dhe veprimtaria  e tij  ka  qënë  sa  e qetë,   aq   dhe  e  vrullshme , sa  e zakonshme, aq  dhe  e jashtëzakonshme , sa   e bukur  aq dhe  e ashpër , sa e gëzuar  aq  dhe e  trishtuar, sa  e lumtur aq dhe e hidhur . Por  Skënderi , si “hero”  legjendash , ka ditur  ta drejtojë mirë  “anijen” e jetes,  duke  çarë  përmes dallgëve  e  vështirësive , tufaneve  dhe egërsive të jetës. Naracionin e kësaj “legjende”, sa të lumtur, aq  edhe të trishtuar, e gjen të  pasqyruar  bukur në  librin  e tij  me kujtime, “Udhëtim  nëpër  vitet  e jetës sime”, publikuar  kohët e  fundit, nga Shtëpia Botuese ”Toena”. I  frymëzuar    nga mesazhet  e ngrohta  të  sentencës  së  Gëtes: “Në  çdo  dërrasë varri , mbulohet një histori e tërë”, dëshiron që t’u lërë  brezave  kujtimet e tij për jetën  dhe letërsinë ,  për familjen   dhe  shoqërinë ,  për luftën dhe varfërinë, për ëndrrat  dhe njerinë ,  për vendlindjen  dhe dashurinë,  për vdekjen dhe lirinë , për lindjen  dhe  trimërinë …
Rrugët  e  jetës   së  tij , kanë  qënë tepër të vështira , me të  përpjeta  dhe të tatëpjeta . Siç shprehet  dhe vetë  metaforikisht, herë ka fluturuar me avion  e herë  me makinë,  herë me gomar e herë më këmbë. Por shumë herë, edhe fare zbathur.”Në jetë,  - tregon   ai, – kam  ngrënë  edhe mish të pjekur  edhe bukë  tërshëre. I penduar, se o ka hyrë në hak të ziut kalë,  vazhdon  - Po ç’të  bënim ?! Të vdisnim  ?! . Po të vdisnim ne, as kali i gjorë,  s’do të rronte  dot… “(34) Është  shpresa  ajo , që si nëna e mirë  e  mori përdore ,për ta nxjerrë  nga honet e rrëpirat e dhimbjeve dhe  të  trishtimit , edhe kur për një çast e ka ndjerë   veten  keq. Në jetë ka shijuar  edhe ëmbëlsinë  e mjaltit e të sheqerit, edhe hidherimin  e vuajtjes  e të zeherit, edhe freskinë  e puhizave të  detit edhe zagushinë e të nxehtit, edhe  ftohtësinë   e ngricave të acarit,  edhe  tymosjen   e përzhitjen  e zjarrit , edhe bukurië e ëndrrave, edhe akullin e zemrave.
Erdhi në jetë, në një natë  të gjatë marsi, të  vitit 1936. Nëna  i pat  treguar  se Skënderi  kishte  lindur  mes të  qarash të fuqishme , të cilat paralajmëronin, se jeta e tij  do të shoqërohej nga andëralla  të mëdha. Ajo do të lidhej ngusht   me  Rovenën dhe Llogaranë  e ashpër  dhe të bukur , aq sa  edhe njerëzit  e gurët  edhe pemët  e drurët , edhe  buka  e ujët , edhe lodrat e punët , bile edhe italiani, robi i luftës , që vdiq në Rovenë , u bënë  pjesë  e mendjes dhe shpirtit  të tij të madh.  Që  kur ende ishte fëmijë,  mësoi zanatin e teneqexhiut,  të cilën e  ushtroi  për të mbajtur frymën gjallë. Mbasi mbaroi  shkëlqyshëm   shkollën  7 – vjeçare, Skënderin   e emëruan  mësues  në  Dukat.  Por ëndrra  e tij  ishte zgjerimi i dijeve, dëshirë  që  ia ushqyen  edhe prindërit  e tij  arsimdashës. Kur një  mik  i sugjeron  babait mendimin   se, për të  vrarë  varfërinë  e familjes,  duhet   t’i  blinte të  birit një kope  me dele, ai i përgjigjet: ”Atë  kope  mund ta hajë ujku  brenda një nate, kurse  shkollën  nuk mund  ta përtypë dot,  as bisha më e egër”(52).
Viti 1959, Skënderin do ta gjente  puntor në Uzinën mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngusht me grupet kulturore amatore të Beratit. Duartrokitjet dhe ovacionet e shikuesve, zgjuan te djaloshi Skënder Hasko,  energji të rralla interpertuese dhe krijuese. Aty u njoh dhe u dashurua  shumë me gjimnazisten Shane Balili, e cila në atë kohë ishte amatore dhe interpretonte këngë të bukura popullore.Të dy, si zogj të lirë e të lumtur,edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, aty në Beratin e lashtë, e ndërtuan çerdhen e tyre familjare. Skënderi u bë dhëndërr me kostum të kthyer, ndërsa Shanja u bë nuse me një fustan të bardhë, të qepur  vetë me dorë. Me njeriun e zemrës  në krah , ai i ra kryq e tërthor, jo vetëm Beratit dhe Vlorës, por dhe gjithë Shqipërisë. E, ku s’preku  dora dhe këmba, mendja dhe zemra, ku s’u ndje fryma dhe kënga, shpirti dhe ëndrra e këtij çifti të lumtur. Bashkë lindën dhe rritën tre fëmijë të mrekullueshëm, që  tani punojnë me devotshmëri, brenda  dhe jashtë vendit. Por ëndrrat e bukura  të këtij çifti, sa të lumtur aq dhe të stërmunduar, vjet ”i kafshoi” vdekja e parakohshme e Shanes ,bashkëshortes dhe nënës shëmbullore, mësueses dhe këngëtares së talentuar. Dëshpërimin e tij të thellë për ndarjen përjetë, me gjysmën e tij më të mirë, Skënderi e shprehu në mënyrë tepër rrënqethëse, nëpërmjet vargjeve: ”Ah, ky fati,cfarë fati,/ Fshehtas për fyti më kapi,/ Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”(14).


Gjithnjë bashkë, me kolegët…Nga e majta: S.Harka, S.Hasko, B.Xhama, M.Gecaj e V.Kona

Kudo që punon dhe jeton  Skënderi, lë pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe këngën, fjalën e zjarrtë dhe mendjen…E, ku nuk u shfaq vrulli dhe talenti  tij: mësues e gazetar, aktor dhe shkrimtar, drejtues e veprimtar...Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gazetari, ai ka drejtuar edhe institucione të rëndësishme të shtypit dhe të cultures, si Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe  Teatrin  Kombëtar  të Kukullave. Skënderi njihet jo vetëm  humorist dhe aktor estrade, por edhe aktor filmash. Kush e ka parë filmin artistic, ”Malet me blerim mbuluar” dhe nuk i ka rënë në sy  djaloshi me qeleshe të bardhë, që ia merr këngës,”Atë ditën e xhuma/Boria në Brataj ra”.
Profesionin e mirfilltë të gazetarit e filloi me revistën “Hosteni”, ku me “hostenin” e tij magjik thumboi veset dhe çorri maskat e shumë dukurive negative të kohës. Kudo që shërbeu publicist, shkroi me duar të pastra e me kokë të ftohtë. Shokët, miqtë dhe bashkudhëtarët e tij  të shumtë kanë qënë dhe janë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe  të shquar të letërsisë dhe artit si: L.Poradeci, Sh.Musaraj, K.Jakova,P.Marko,O.Grillo,A.Mamaqi,S.Godo,A.Banushi,V.Kona,M.Gecaj,P.Koçi etj. Por shoku i tij më i afërt është Bardhyl Xhama,ose siç e thërresin, ndryshe, “shkrimtari i detit”.”Me Bardhylin,- shkruan Skënderi,-jam njohur herët.Ai është i qetë, ndërsa unë  jam impulsiv.Edhe kur grindemi fort për ndonjë problem,sikur të rriheshim, pas dy minutash futemi përsëri në rrjedhën e zakonshme të shoqërisë”(294).
Skënderi , në jetë ka ngjitur shumë maja e ka  zbritur shumë rrëpira. Por s’ka për të harruar kurrë atë, që i ndodhi në një kafene, duke pirë kafe mes shokësh e miqësh... “Për një çast,-tregon ai,-m’u mbyllën sytë dhe m’u ndal frymëmarrja!” Kishte pësuar vdekje klinike. Ali Cenaj,një burrë i panjohur,si i dërguari i zotit në legjendat e ringjalljes, duke e shtypur fort në gjoks, si me magji, i pat rivënë përsëri në punë zemrën  e tij të madhe. Është kjo arsyeja që shokët e tij të “Kompanisë lëvizëse”, sa herë mblidhen për të pirë ndonjë kafe apo ndonjë kupë raki, i thonë me dashamairësi: ”Për ty, Skënder, s’ka vdekje kurrë!”. Ndërsa ai, plot humor e optimizëm, përgjigjet: ”Po,është e vërtetë. Unë, jo vetëm që  e kam mallkuar  rëndë, por dhe e kam mundur  atë një herë.Ndaj ajo s’guxon dot të kacafytet me mua përsëri, sepse e di që e ka të humbur davanë…”!
Ajo, që e bën  të përjetshëm dhe të papërsëritshëm  Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme  letrare, me një problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përcon mesazhe të fuqishme  e me vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë  ësttë  “S’jam i vogël”, botuar në vitin 1971.”Qysh atëhere ,–shkruan Skënderi në kujtimet e tij,-“më hyri krimbi”. Ndaj kurrë s’kam pushuar së shkruari ,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka  botuar 7 romane për fëmijë e të rritur,1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma,si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer  në  gjuhë të ndyshme të  botës, si rusisht ,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime  kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani Rodani”,”Tasim Gjokutaj” .
Njëzet  vjet më parë, shkrimtari Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me  librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua me çmimin e parë . Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse me romanin  për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit  2005”. Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet  jo vetëm talent, por edhe punë e përkushtim, pasion e durim. Duhet t’i hysh në hak, kohës së lirë dhe familjes, gjumit dhe shëndetit.Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një krijues I pasionuar, si Skënder Hasko, i cili edhe pse ka bërë shumë, shprehet me modesti: ”Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë  dhe një guriçkë, në themelet  e edukimit të brezit të ri”.
Me krijimtarinë e tij te pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë  e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet  magjisë së fjalës ka “shpuar “ tejpërtej edhe malet, edhe  detet, për të depërtuar në thellësitë e shpirtit e të mendjes së  njerëzve.
Shkrimtari Skënder Hasko ka qënë dhe mbetet  i lidhur  shumë ngusht me vendlindjen e tij, gjë që e shprehë edhe nëpërmjet magjisë së vargjeve: ”Në vdeksha larg , këtu ku jam,/ ku jeta më degdisi/ aty do të mbij unë përsëri/ siç mbin  një lënde lisi”. Për vlerat e tij të papërsëritshme si krijues dhe veprimtar shoqëror, Shoqata  e krahinës së tij e ka nderuar me titullin e “Pishtar i shquar i  Labërisë”, ndërsa Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi  me Çertifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara  në krijimtarinë për fëmijë”.
Librin e tij me kujtime ai e mbyll me  epilogun metaforik,  drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as marr as jap/ Merrjani këngës  dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.

Tiranë, 27 janar 2013

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

Google+ Followers