Lak - Erina Pavle Çoku


 Më kacavirret trupit ndjesia jote...

Muret e qytetit mbështeten pemëve kryeulura
të bjerra prej pikëllimit
të mbarsura me mote,
me stinë që nuk vijnë
me stinë që nuk shkojnë

Kurmngrira në ashtin tënd pemët,

Pemët, pemët, pemët
me shtat të epshëm
kah dëshirat e mia për ty,
kah udhët e mia pa ty

E degëzat e kaltra thahen
duke ngjëruar mendime të tuat
që më përcillen
ndër do rrugëtime të zhurmshme, të çuditshme
me shijen e buzës tënde,
me ngjyrat e fytyrës tënde,
të turbullt prej përfytyrimit shpesh

Vijëzimet e tua udhëtuese
kanë degë të rëna
e fjalë të trupëzuara në limfën e mbrame
që rridhet ndër damarë
e nxehtë,
si do përgjërime të panyjëtuara
e krejt të fshehura mbas dimrit...

I dashur peisazh
që epesh në mjegull
kujtime të figurës me rrënjë në asht
m’ je mrrolur në kënd,
m’je bërë si lak.

Google+ Followers