Konica i ndaluar i Jup Kastratit



51 vjet më parë, në një letër drejtuar përkthyesit Ferdinand Leka, studiuesi Jup Kastrati kërkonte me aq dëshirë për lexim dorëshkrimet e librit “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” të Konicës, të cilin Instituti i Gjuhësisë ia kishte ndaluar ta studionte
Jup Kastrati


Ishte libër i kuq. Studiuesi i ri, i Institutit të Historisë, që sapo i kishte kaluar të 30-tat, dhe i pëlqente të vishte pardesy në stinët plot erë, e dinte që libri mbi të cilin po kalonte net të tëra në zyrën dhe tryezën e punës në shtëpi, nuk ishte i zakonshëm. Përtej ngjyrës së kopertinës që ndryshe përkthehej “I ndaluar”, shfaqej një vështrim i thellë mbi jetën dhe Shqipërinë e asaj kohe nga një mendimtar dhe një prej krijuesit të prozës moderne shqiptare. Për të, ata ishin muajt me Konicën. Ferdinand Leka e kujton ende atë mesditë nëntori të 51 viteve më parë, kur mori autobusin për të takuar prindërit në Shkodër. Më shumë se një takim me të afërmit, qëllimi i atij udhëtimi ishte një takim me studiuesin dhe albanologun e njohur, Jub Kastrati. Në një letër që kishte mbërritur në adresë të tij në Tiranë, profesori i kërkonte që t’i sillte me vete, pjesën tjetër të përkthimit që kishte nisur nga libri i Konicës. “Nuk kam çka të them: Se sa i pasionuar jam pas veprës së Faikut dhe figurës së tij, prej euroditi, e provon fakti që, qysh në vitin 1951, iu pata vu mbledhjes dhe redaktimit të krijimtarisë së tij. Me gjithë poshtërsinë që bani Instituti i Histori-Gjuhësisë (Sektori i letërsisë) tue mos ma dhanë të drejtën e autorësisë me monografinë rreth Konicës”, shkruan në letrën që mban datën 25 nëntor 1962 prof. Kastrati. Sot, 82, vjeç professor Leka e nxjerr nga arkiva e tij personale këtë letër, si një dëshmi e një kohe pasioni për të mësuar të vërtetën. Edhe pse Instituti i Gjuhësisë ia kishte ndaluar studimin e veprës së Konicës, prof. Kastrati nuk e ndali vrullin për të studiuar veprën e tij. “Ky përkthim i veprës së Faik Konicës “Kopshti Shkëmbor i Europës Juglindore” ka një histori disi të veçantë që lidhet në mënyrë të tërthortë me fatin e autorit në Shqipëri pas vitit 1944, fatal për shkrimtarë, mendimtarë e shumë e shumë intelektualë të shquar që nuk ishin në pajtim me idetë e regjimit. Në vitet e para pas 1960-s u dukën disa shenja se në Shqipëri do të shkrihej disi akullnaja ku mbeteshin të ngrirë autorë si Gjergj Fishta, Faik Konica e ndonjë tjetër, të cilët mes shumë lëkundjeve mendohej se më në fund do t’i servireshin publikut shqiptar, sigurisht me komente e gjymtime të pashmangshme për kohën. Për këtë qëllim ishin caktuar admirues e njohës entuziastë të Konicës, të gatshëm të ndërmerrnin një punë të tillë dhe u duhej të njiheshin dhe me këtë vepër të shkruar në gjuhën angleze, prandaj më ngarkuan mua ta ktheja në gjuhën shqipe”, kujton Leka. Por “ngrica” që pushtoi vendin në 1962-in, “ngriu” për një kohë të gjatë dhe Konicën. Deri në vitin 1992 kur At Zef Pllumi e botoi këtë vepër në gjuhën shqipe, ajo mbeti thjesht një dorëshkrim në bibliotekën e prof. Lekës, dhe studiuesve të tij si profesor Kastrati. Letra e prof. dhe Doktorit të Shkencave, Jub Kastrati, drejtuar prof. Lekës, është një dëshmi jo vetëm e një kohe, por dhe e një brezi të përkushtuar studiuesish, që punuan në kushte të vështira. Librin “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglinore”, Konica nisi ta shkruante pak kohë para se të vdiste më 15 dhjetor 1942. Librin ia kishte porositur Konicës në vitin 1935 Robert Mc. Brixh and Kompani sipas një letre që mban datën 19 nëntor 1935. “Jemi shumë të interesuar të botojmë një histori moderne të Shqipërisë me karakter popullarizues, ku të vihet në dukje përparimi i bërë nga ky vend pas Luftës së Dytë Botërore…”. Pas 11 ditëve, Konica i përgjigjet në këtë mënyrë “Nga shënimet e mëposhtme do të shikoni se libri që kam ndër mend të shkruaj nuk ka pretendime; kërkoj vetëm hapësirën e nevojshme për shënimet dhe treguesin, përndryshe libri do të paraqitej si një vepër diletanteske, gjë të cilën unë e kundërshtoj me vendosmëri”. Libri i shkruar nga Konica u pranua nga kjo kompani dy muaj më vonë, siç del nga shkëmbimi i letrave mes Konicës dhe botuesit. Tri vite më vonë në prill të 1939-s Italia pushtoi Shqipërinë dhe Konica u shkarkua nga detyra si nga vendi i tij ashtu edhe nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara. Më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit italian Konica i propozon botuesit: “Meqë Shqipëria, për shkak të ngjarjeve të tanishme tragjike ndodhet në një gjendje të errët, unë vetë do të çuditesha po të gjente përkrahje propozimi im”. Propozimi i tij ishte që tre kapituj e parë, ku jepej përshkrimi i vendit dhe i banorëve të botoheshin si vëllim i parë… Botuesi e refuzoi këtë propozim dhe dorëshkrimi mbeti në sirtar. Që nga viti 1939 e derisa vdiq ai nuk u mor më me këtë libër. Dorëshkrimi do të zbulohej më vonë në mënyrë të çuditshme në janar të 1952-it nga një grua me emrin Sara. E shoqja e Gëzim Panaritit, përfaqësuesit të njohur të Vatrës, të cilës iu besua biblioteka e Konicës, kishte gjetur këtë dorëshkrim teksa pastronte zyrën e të shoqit. Dorëshkrimi iu dha për vlerësim kritik, Fan Nolit dhe Andrea D. Elias, që të dy për një kohë të gjatë miq të Konicës. Nga brezi i shqiptarëve që e lexuan dorëshkrimin ishte dhe Xhems Misho dhe Antoni Athanasi. Libri u botua së pari nga “Vatra” dhe pas viteve ‘90-të, At Zef Pllumi do ta botonte në gjuhën shqipe përkthimin e Ferdinand Lekës.
Faik Konica
Letra
Dt. 25 11.1962

Me anë të Spiros po kthej dorëshkrimin shqip të veprës së Faikut “Shqipëria kopështi shkëmbor i Europës Juglindore”. Ti ma solle më 27.I, d.m.th sot katër javë. Një javë patëm sesionin e provimeve të dimrit, një javë qeshë i sëmurë nga gripi, shto dhe paradrekat që më shkojnë në shkollë me mësim dhe ndonjë pasdrekë në mbledhje të ndryshme, kështu që nuk arrita me e përfundue së daktilografuemi. Sidoqoftë, unë të falemnderës shumë si ty ashtu edhe Dhimitrit, por më ka mbetë peng që nuk e çova deri në fund. Më mban shpresa e mirë e premtimit tënd, që kur të vish në Shkodër, qoftë edhe për dy netë, do të ma sjellësh me vete, përsëri këtë dorëshkrim të çmueshëm. Nuk kam çka të them: Se sa i pasionuar jam pas veprës së Faikut dhe figurës së tij, prej euroditi, e provon fakti që, qysh në vitin 1951, iu pata vu mbledhjes dhe redaktimit të krijimtarisë së tij. Me gjithë poshtërsinë që bani Instituti i Histori-Gjuhësisë (Sektori i letërsisë) tue mos ma dhanë të drejtën e autorësisë me monografinë rreth Konicës. Ndonëse më kishte ngarkuar vetë dhe m’u desh të angazhohem plot katërmbëdhjetë muaj, pa të drejtë leje krijuese, unë sërish do të vazhdoj edhe më tepër studimin rreth këtij kolosi të kulturës shqiptare. Studimet monografike këtë të mirë kanë, që nuk e humbin kurrë aktualitetin e tyre, bile sa herë i merr nëpër duar, sa më tepër i le me pushuar dhe i rishqyrton me akull të mendjes, aq më mirë dalin, aq më të pjekura nxirren përfundimet.

Prandaj po të lutem edhe njëherë, ban ç’mos dhe të kryen punë shoku Kiço, ma dërgo me ndonjë njeri të sigurtë krejtë dorëshkrimin tue fillue nga fletorja numër 4 (kapitulli II “Veçori racial”). Ose, kur të vish vetë, mos harro mos më me sjellë qoftë dhe një kapitull të vetëm; kështu që sa ti të çmallesh me prindërit e tu në Shkodër, unë kënaqem me shkrimtarin tim të preferuar. Ose po munde daktilografoje me ndokënd në Tiranë dhe (ma fal mungesën e etikës) po i dërgoj dhe honorarin përkatës daktilografit. Tue t’u falë nderës edhe njëherë po të përshëndes miqësisht:


Jub Kastrati

Google+ Followers