Gjuha e robërisë dhe çlirimi i shkrimtarit


VIRION GRAÇI


Pasi lexova në vjeshtën e shkuar “Laboratori i Lirisë” -përmbledhje esesh nga Beqë Cufaj, me një farë padurimi e pa pikë takti i shkrova autorit, duke e falënderuar për lëndën dhe stilin, duke i shprehur dëshirën që mjaft fakte e ndodhi reale nga tragjedia në Kosovë, të rrëfyera rrëmbimthi e ngjeshur aty, t’i trajtonte më gjerësisht më vonë, pasi kishin forcën dhe fytyrën përgjithësuese të një vepre madhore epike. Tani që mbarova së lexuari librin e fundit të B. Cufajt “projet@party”, roman me një pritje shumë të mirë në botën gjermanishtfolëse, mund të them se ky është libër i një kthese të madhe në prozën shqipe; jo kthesë evolucioniste në mjetet formale të sendërtimit të veprës letrare-artistike si e tillë, sesa kthesë radikale në mënyrën e shikimit dhe gjykimit të vetvetes; e vetvetja te romancierë si B. Cufaj është ajo shumësi qeniesh e historish që ngërthen në disa shtresëzime kohore-epokale shoqërinë, etninë, jetën historike të një populli. “project@party” është roman i kthesës pozitive në mbarë letërsinë shqipe, pasi anon nga parodia e historisë sonë pa e zbehur vërtetësinë e saj; anon nga satirizimi i pasluftës në Kosovë pa deformuar realitetin, pa fyer kujtimet e dhimbshme dhe pësimet tragjike njerëzore. Parodia, humori i zi, sarkazma vijnë vetiu si pasojë e pashmangshme prej riprodhimit thuajse fotografik të pamjeve nga kryeqyteti dhe mjediset e ndryshme, ku protagonistët e projekteve dhe party gëlojnë: sorrat që krrokrrasin rregullisht në dritaret e Hotel Grandit; ndërprerja dhe mungesa e rrymës elektrike, anglishtja (si këmishët e tyre të palara-thotë autori) e taksixhinjve, kamerierëve dhe gjithfarë shqiptarë të shërbimeve të rëndomta ditore ndaj ndërkombëtarëve që kanë ardhur nga lart, revolta e parë shqiptare (në një klub nate, sigurisht-përqesh autori) kundër kolonizatorëve të rinj, për të mbrojtur plisin e nëpërkëmbur prej një shakaje në pije e sipër. Bota e sipërme-ndërkombëtarët paguhen për punët e projektet e ditës të cilat mbeten fantazmë, por punën, lodhjen, përkushtimin e shfaq vetëm natën në klube, party, me pije alkoolike, me shoqëri të rastit për të shtyrë kohën; bota e poshtme, ajo shqiptare, shkon poshtë e më poshtë, duke thelluar varfërinë, shkatërrimin, përçmimin ndaj vetes dhe arrogancën.
Autori Beqë Cufaj është lindur, rritur e formuar intelektualisht mes dhimbjeve të politikave konstante diskriminuese shovene; ka përjetuar si vuajtës spastrimet etnike dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ka përcjellë si gazetar ngjarjet dhe pamjet e pasluftës në Kosovë, megjithatë në këtë roman zgjedh të flasë në vetën e parë me gojën e një rrëfimtari të huaj, nëpunës në administratën ndërkombëtare instaluar në Prishtinë, një ish-profesor gjerman, i cili, krizën vetjake identitare e humane vjen ta kurojë duke zbritur poshtë në Kosovë si nëpunës i lartë i Kombeve të Bashkuara. Kjo metamorfozë e vetëdijshme identitare e autorit-rrëfimtar, leximi artistik i realitetit me lentet e një ish-profesori të huaj në periudhën e tij të dekandencës morale e shpirtërore, e shpëton veprën nga ujërat sentimentale, aq tepër të pranishme në letërsinë tonë skematike-ritualeske, i jep ndodhisë romanore hiret dhe dinjitetin e një komedie të zezë.
Jashtë trevave shqiptare, kritika e specializuar e ka parë me entuziazëm këtë vepër si një kritikë të mençur kundër neokolonializmit, si vepër e arrirë e një autori të pakorruptueshëm që nuk epet ndaj të ashtuquajturës korrektesë politike etj., etj., etiketime të qëndrueshme si këto. Mendimi im shkon nga përfundimi se kjo është një vepër me të cilën shoqëria sot në Kosovë, së pari tregon krizën e saj të vlerave ideore dhe të vizioneve qytetare nëpërmjet masave njerëzore të margjinalizara nga njëra anë dhe udhëheqjes të zënë me … punët e veta nga ana tjetër (ish-komandantët: gjarpri, luani, çeliku..); me këtë roman të fuqishëm shoqëria në Kosovë së pari vetakuzohet si viktimë e një farse komike, ku është e përfshirë si bashkëpunëtore, mandej po kjo shoqëri kujtohet të përqeshë shpëtimtarët e saj në kohë paqeje, zyrtarët e stërpaguar ndërkombëtarë. Jeta pa esencë dhe e tashmja pa ngjyra e Abe Beqirit, rrëfimi i tij autobiografik-mekanicist, vendosja e tij në një sërë eksperiencash e “profesionesh”: emigrant, endacak, trafikant, narkoman, luftëtar-çlirimtar, përkthyes te ndërkombëtarët, besimtar-agjërues e së fundmi predikues spontan, është tek e fundit pamja e përgjithshme traumatike në të cilën ka kaluar e po kalon një pjesë e madhe e rinisë shqiptare, e dënuar të endet dëshpërimisht nga një krizë totale në tjetrën…
“project@party” është një roman i satirës me dukje të pafajshme, është një realizim i arrirë i groteskut si mozaik social dhe global; ky roman i ri i Beqë Cufajt është një libër i bukur që ta heq guximin t’i shkruash privatisht autorit për t’i sugjeruar tema të tjera a motive interesante; është një libër i mençur që të bën të presësh e të shpresosh në vepra të tjera po kaq të mira, po kaq të rëndësishme.


Google+ Followers