E prapë, Zoti më mungon - Vaso Papaj

Vaso Papaj



Rrugët plot, njerëz lumenj.
Gumëzhijnë e prap të huaj.
Ngushëllim gjëkundi s’gjej
Veç një “Tungjatjeta” thuaj.
I shkuluri shi nga era
Më rrëmben, tek ty më shpije.
Më përplas aty tek dera,
Një mendim s’ma shqit, si hije.
“Pak zemër të të jap ty,
Gjysmën time ta bëj dy.”
 
Shiut tënd poshtë i qëndroj.
Sytë bëj katër, dritë kërkoj,
Xurxull krejt zë e kulloj…
Pres të dalë ky dielli i ri,
T’i shpërndajë: re edhe shi...
 
E prapë, Zoti më mungon.
S’di nga lart në më vështron!?...
Dua shumë mos ta bezdis,
Ndaj dhe vrapin natën nis.
Dua të të gjej aty.
Qepallat të rrah me ty.
T’i rrah e t’i ngatërroj,
Mijëra mijëra t’numëroj.
Një zemër tek ty ta mbjell.
Gjysmën time të të sjell…
 
Rrugicat ngjajnë vetëtima.
Vetëtimat zhgarravina.
Drita e zbehtë sa flakëron,
Zhgarravina më zbulon.
Mbi mure shkruar me spray
Djemtë e lagjes kanë bërë faj.
Nata më rrëmben si hije.
Si furtunë tek ty më shpije.
Pak zemër të të jap ty,
Gjysmën time ta bëj dy.
 
Shiut tënd poshtë i qëndroj.
I hap sytë e dritë kërkoj,
Xurxull krejt zë e kulloj…
Kur do të dalë ky dielli i ri?
Kur do ta shpërndaj këtë shi?...
Kur po vjen, o Zot… dhe ti?...

Google+ Followers