ÇFARË MË SOLLI NË KUJTESË, TAKIMI ME AKADEMIKUN MARK KRASNIQI?

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Nga e majta: M.Krasniqi e M.Gecaj (Tiranë, 18 janar 2013)



1.
Kisha kohë pa e takuar prof. Mark Krasniqin-Akademik, njërin ndër figurat e njohura dhe të shquara të arsimit, kulturës, shkencës e politikës në Kosovë. Prandaj ndjeva kënaqësi të veçantë, kur mora një ftesë nga kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), se në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, do të organizohej një koncert dhe manifestim masiv, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit Tiranë. Ndër të tjera, aty shënohej se do të ishte pjesëmarrës edhe prof. M.Krasniqi.
Ende pa nisur shfaqja, hyra në sallën e stërmadhe, që gumëzhinte si “koshere” bletësh. Nga radhët e mezit, drejtpërdrejt me skenën, ku diku afër e kisha të caktuar edhe unë vendin, e vërejta të ulur atë, bashkë me një mik të tij, nga Gjakova, Gjokë Gecin. U përshëndeta me prof. Mark Krasniqin me përzemërsi dhe iu luta një personi që të na fotografonte, për ta patur shenjë kujtimi. Ndërkaq, edhe më pas gjeta rastin të bisedonim bashkë, sigurisht jo gjerësisht. Më  erdhi shumë mirë që, megjithëse në moshën mbi 92-vjeçare, gëzonte shëndet të qendrueshëm, mbahej i fortë dhe kishte kujtesë të admirueshme. Këtë gjë e vërejta edhe  kur ai u shfaqi dashamirësi gjithë njerëzve të shumtë, të cilët vinin ta takonin dhe ta respektonin. Bile, pati nga ata nikajmërturas, që ia treguan shtëpinë dhe iu lutën që, pas shfaqjes, të shkonin në familjen e tyre.
Në bisedë e sipër, por dhe  kur u ndamë aty, pasi nisi shfaqja “e zjarrtë”, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, në vijim të disa veprimtarive të tilla, solla në kujtesë njohjen tonë. Ishin vitet ’70-të e 80-të të shekullit të kaluar, kur në kryeqytetun Tiranë, por dhe në rrethe të vendit, u organizuan veprimtari masive, konferenca, simpoziume e kongrese shkencore. Ato ishin për çështje të historisë e gjuhësisë, kulturës, etnografisë, arkeologjisë e tjerë. Megjithëse dihen vështirësitë e kohës për lidhjet me Kosovën e robëruar nga rregjimi serb, në ato merrnin pjesë edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë prej saj. Një ndër ata, padyshim, ishte edhe prof. Mark Krasniqi. Ai nuk vinte këtu, në “shtetin amë”,  si një një “vizitor” i thjeshtë, por edhe lexonte punime të thelluara shkencore.
Një ndër udhëtimet e tij në Tiranë, por dhe në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ishte ai i marsit të vitit 1980. Në qytetin më verior alpin, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, kishte përgatitur një sesion shkencor, me rastin e 55-vjetorit të vrasjes së “Heroit të Popullit”, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Në udhëtimin, nga kryeqyteti për atje, pasi kisha për të lexuar një temë për figurën e tij në këngët popullore, arrita në Fushë-Arrës dhe aty u ndalëm pak për të pushuar. E dija që, në përbërje të grupit nga Prishtina, ishin Ali Hadri, Zekeria Cana e një tjetër. E pyeta prof. Markun, pak me shaka: “Për ku jeni nisur kështu, profesor,  apo për në sesionin shkencor, kushtuar B.Currit?” Aty për aty, ai m’u përgjigj me një shprehje popullore, duke e anashkaluar shpjegimin e saktë: “Jo, po, me që i kisha opingat veshur, mendova dhe unë të dal një herë në Malësi”. Në fakt, meqenëse e ka origjinën nga krahina e Nikaj-Mërturit dhe larguar shumë kohë të parët që andej, ai ma shfaqi dëshirën se donte t’i njihte të afërmit e tij, atje. Kur arritëm në qytetin “B.Curri”, sigurisht, këtë gjë ua thashë drejtuesve të partisë e shtetit të asaj kohe. Me sa kuptova, një ndër arsyet, se përse nuk donin ta lejonin të shkonte për vizitë tek ata prof. Marku, ishte varfëria e tejskajshme në atë krahinë. Ndërsa përgjigja  e pëligjia, për atë, ishte se: “Rruga është e prishur dhe nuk mund të kalohet për andej!?”
Megjithëse nuk mori pjesë në sesionin shkencor, të organizuar në qytetin “B.Curri”, pasi nuk e kishte “lejën” nga organet jugosllave,prof. Mark Krasniqi erdhi me ne në fshatin e bukur Valbonë. Aty hëngrëm një drekë së bashku, ku dhe u kënduan këngë popullore. Por pati edhe një recitim, nga rapsodi i mirënjohur vendës, Sokol Arifi. Në vargjet e tij, me përmbajtje të theksuar atdhetare, ai përmendëte edhe të këqijat e regjimit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, të ftuarit kosovarë  u ndjenë ca “ngusht” dhe, për të mos i venë ata në pozitë të vështirë, raspsodi nuk vazhdoi më gjatë, me recitime të tilla. Megjithatë, e pashë që prof., Markut i shëndritën sytë, kur i dëgjoi ato vargje rapsodike, të cilat e shprehnin realitetin e vertetë e të dhimbshëm historik të shqiptarëve, nën pushtimin e huaj serb.
Në vitet pasardhëse, kam lexuar shpesh për  studimet, botimet e pjesëmarrjet në detyrat dhe veprimatritë e ndryshme, nga Akademiku Mark Krasniqi. Sigurisht, si atëherë dhe tani, jam ndjerë krenar për këtë bashkëkrahinas e  atdhetar të mirë, i cili jetën e tij të gjatë e ka venë në shërbim të arsimit, shkencës e kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, si unë, por dhe të gjithë ata, që e takuan e biseduan këto ditë me të në Tiranë, i uruan nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi dhe krijimtari sa më të frytshme, për të mirën e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Në darkën, që u shtrua nga Shoqata “Nikaj-Mërtur” për të ftuarit dhe artistët amatorë, përsëri u përshëndeta me Akademikun e shquar Mark Krasniqi. Bile, me ftesën edhe të Gjokë Vukajt, që e filmonte tërë veprimatrinë, shkuam e i takuam gotat me atë dhe kolegë të tij nga Kosova, unë dhe kryetari i Shoqatës, Av. Gjin Niklekaj. Sigurisht, për këtë gjë, ai na falënderoi dhe u ndamë përzemërsisht.
2.
Mark Krasniqi  lindi më 19 tetor 1920, në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kolaj), në afërsi të Pejës, në Kosovë. Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Në vitet 1941-1943,  vazhdoi studimet e larta për letërsi, në Universitetin e Padovës së Italisë. Ndërsa më tej, studioi për gjeografi dhe etnografi, në Universitetin e Beogradit (1946-1959). Nisi të shkruajë që herët në shtyp. Kështu, në vitet 1945-1946, ishte redaktor i gazetës “Rilindja”, në Prizren, së bashku me Esad Mekulin e Omer Çekrezin.  Në tri vitet vazhduese, punoi në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, në Radio-Beogradi. Në vazhdimësi, gjatë viteve 1950-1961, ishte asistent dhe pastaj bashkëpunëtor shkencor, në Akademinë e Shkencave të Serbisë. Ngjarje më rendësi për të ishte marrja e diplomës, në Beograd, më 1950 dhe pastaj mbrojtja e doktoraturës, në Universitetin e Lubjanës, më 1960.
Për aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, në periudhën 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, kur shteti serbo-komunist e largoi nga puna arsimore e pedagogjike. Disa herë ka shërbyer dekan dhe prodekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, në Prishtinë. Gjithashtu, është ngarkuar me detyra të larta, si: zëvendëskryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar punime të tij në shumë kongrese, konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombetare, ku janë diskutuar çështje të traditave, gjuhës letrare kombëtare, historisë, etnografisë, folklorit shqiptar e tjerë.
Përveç punës pedaogjike e shkencore, detyrave drejtuese dhe veprimtarive të tjera, ka hartuar e botuar rreth 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollorë. Prof. M.Krasniqi është autor i disa vëllimeve me poezi, si për të rritur e fëmijë, ndër të cilët veçojmë librin për të vegjëlit, “Posta e porositur”. Po kështu, ka shqipëruar, nga serbishtja e sllovenishtja, disa romane e përmbledhje me poezi
...Me përvojën e gjatë shumëvjeçare dhe shërbimet e çmuara, q ë i ka bërë popullit tonë, për të cilat folëm shkrutimisht më lart, prof.Mark Krasniqi-Akademik, është jo vetëm krenari e natyrshme për banorët e krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Merturit, por edhe për vendlindjen, mbarë Kosovën e Shqipërinë dhe, më tej, për të gjitha trojet amtare e diasporën tonë shqiptare.
Tiranë, 22 janar 2013

Google+ Followers