Albana Z. Tashmë është e lumtur…


Max Brym, studiues i filozofisë dhe gazetar i lirë, shkruan në një libër historinë e një vajze kosovare, e cila pas dhunimit nga ushtarët serbë punon si prostitutë
Objektivisht, gjatë luftës së fundit në Kosovë, çetnikët dhe paramilitarët serbë kanë dhunuar mijëra gra. Dhunimet ndaj grave kanë qenë pjesë e planeve të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës dhe kjo tashmë është e dokumentuar mjaft gjerësisht 

Max Brym

Në libër ajo quhet Albana Z. Profesori gjerman, Max Brym, i cili, prej më shumë se 20 vitesh udhëton në Kosovë, e takoi atë vite më parë në një kafene në Prishtinë. Ajo ishte e bukur. Të gjitha vajzat kosovare janë të bukura, por Albana Z. të tërhiqte me sensualitetin e saj. E dhunuar gjatë luftës nga ushtarët serbë dhe e dëbuar nga familja, pasi mbetet shtatzënë, detyrohet të bëhet prostitutë.
Ajo provoi gjithçka që të ofron një jetë e tillë, rrobat e shtrenjta, dantellat, pijet e rënda mbrëmjeve në lokal, apo cigaren që digjej në gishtërinjtë e hollë. Klientët e saj nuk ishin burra të zakonshëm, por zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët gjatë takimeve me të, flisnin edhe për afera korruptive që bënin me detyrat e tyre. Albana Z. i njohu këta burra, jo vetëm në shtrat, por edhe në mënyrën sesi abuzonin me detyrat. Ajo mësoi shumë gjëra nga ajo jetë në dukje e bukur, por që në thelb ishte e mbushur me mashtrime dhe dhunë. Historia e treguar prej saj nxjerr në pah korrupsionin politiko-ekonomik të bërë në këtë vend nga vendas dhe të huaj.
Jetën si prostitutë luksoze ajo ia rrëfeu gazetarit dhe profesorit zviceran Max Brym, i cili e shkroi atë në një roman të shkurtër që është botuar në gjuhën gjermane me titullin “Schuld ohne schuld” (“Faj pa faj”). Për Albanën, e cila sot është rreth të 40-ave, nuk ka qenë i lehtë ky rrëfim. Prof. Brym tregon se i është dashur tre vjet ta bindë atë t’i tregojë historinë e jetës së saj.
Përmes këtij rrëfimi, prof. Brym ka dashur të japë një histori të asaj çfarë ndodhi me mijëra gra gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave nga organizatat kosovare, afro 20 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ndaj kjo histori nuk është thjesht trillim. Një pjesë e personazheve që janë në libër janë realë, njerëz që kanë mbushur jetën e Albanës, familjarë dhe klientë të saj. Historia e këtij personazhi është vetëm një nga ato mijëra histori që gra të dhunuara nga lufta mbajnë ende të fshehura brenda vetes. “Janë shumë gra në Kosovë që kanë pasur fatin e Albanës”, thotë Brym. Por në fund të librit Albana është e lumtur. Pasi shmang jetën prej prostitute, ajo njihet me një burrë, i cili sot është bashkëshorti i saj. Ai i ka ndenjur asaj pranë gjatë gjithë rrëfimit. Dhe qëllimi i librit është pikërisht fundi i tij. T’u japë shpresë atyre mijëra grave, duke u thënë se nuk është vonë të rifillojnë jetën që kanë dashur të kenë. Ashtu si personazhi që fshihet pas emrit të Albanës, ajo e flaku tej këtë pjesë të jetës së saj dalëngadalë gjatë rrëfimeve që i bënte gazetarit gjerman, e bindur se vetëm duke flakur tej të shkuarën mund të pranonte të ardhmen. Tashmë ajo jeton me burrin e saj dhe kanë nisur një jetë të re. Historia e këtij libri tregon sesa e rëndë ka qenë lufta, konfliktet dhe cilat janë pasojat e saj. Në një intervistë më poshtë për gazetën “Shqip”, Brym flet mbi kohët kur shkroi këtë libër dhe si e sheh shoqërinë sot…

Le ta nisim bisedën për personazhin tuaj, Albanën? Si lindi ajo?
Albana është një nofkë që e kam përdorur për të paraqitur gruan, e cila është edhe personazhi kryesor i romanit tim. Thjesht këtë emër e kam dëgjuar shpeshherë dhe nuk ka ndonjë lidhje të veçantë në përzgjedhjen e këtij emri. Më është dashur një nofkë për atë grua, e cila nuk kishte dëshirë që t’i zbulohej emri i vërtetë.

E keni takuar Albanën, vajzën reale, që ju frymëzoi për këtë libër dhe ku?
Po, para rreth tri viteve në Kosovë e kam takuar për herë të parë Albanën reale.

Ku e keni takuar?
E kam takuar rastësisht në “Caffane”.

Përse zgjodhët të shkruanit për një grua shqiptare, e aq më tepër ta bënit atë një prostitutë. A mendoni se është gati lexuesi kosovar të presë një histori të tillë?
Gjendja tepër e rëndë sociale është shkaku përse disa njerëz në këso rrethanash detyrohen që të shkelin mbi moralin e tyre. Përgjegjësinë për përhapjen e fenomenit të prostitucionit në Kosovë e kanë ndërkombëtarët e privilegjuar materialisht, si p.sh. zyrtarët, biznesmenët, ushtarët dhe policët ndërkombëtarë. Kështu që nuk jam unë ai që e solli këtë grua në këtë gjendje, por gjendja e rëndë sociale. Dhe kjo grua ia ka dalë që ta ndërpresë ushtrimin e prostitucionit dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Ndërsa lexuesi kosovar do të duhej që të ballafaqohej me realitetin e rëndë shoqëror.

Ç’mendoni për luftën?
Lufta në Kosovë paraqet një akt barbar të çetnikëve dhe të ushtrisë serbe. Ndërsa lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë e drejtë. Gjatë kësaj lufte njësitë fashiste serbe kanë ushtruar krime tejet të rënda e ndër to edhe mijëra dhunime të grave shqiptare.

Libri u dedikohet të gjitha grave të dhunuara. A mendoni se dhuna është ende prezente sot?
Në secilën shoqëri patriarkale kemi dhunë të ushtruar mbi gratë. Kështu që Kosova këtu nuk përbën as përjashtimin e as rastin e veçantë.

Flitet shumë për të drejtat e njeriut, si i shihni këto përpjekje në raport me gjendjen reale të këtyre të drejtave sot?
Të drejtat e njeriut në Kosovë duhen mbrojtur fillimisht në aspektin social. Pa barazi sociale në një shoqëri nuk mund të ketë respektim të të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut në Kosovë ekzistojnë vetëm formalisht.

Si është pritur libri nga meshkujt?
Shumë meshkuj me tendenca patriarkale, kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, reagojnë negativisht. Por kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, por gjithandej në botë. Mirëpo fatmirësisht ekzistojnë edhe meshkuj që kanë aq mend për të kuptuar mesazhin e librit dhe që e kanë mirëpritur këtë libër.

Kur ka qenë udhëtimi juaj i parë në Kosovë?
Unë jam studiues i filozofisë, gazetar i lirë dhe njëkohësisht mbaj ligjërata të kohëpaskohshme në kuadër të projekteve të ndryshme nëpër universitete të ndryshme, por nuk jam profesor në Universitetin e Mynihut. Ndërsa në Kosovë kam ardhur për herë të parë në vitin 1982 dhe që atëherë jam marrë intensivisht me çështjen e Kosovës, duke përkrahur të drejtën e qytetarëve të Kosovës për t’u çliruar.

Në libër ju flisni edhe për dhunën e ushtarëve serbë ndaj femrave shqiptare. A është ky fakt vetëm një imagjinatë, apo jeni bazuar në rrëfime konkrete apo dokumente ?
Objektivisht gjatë luftës së fundit në Kosovë çetnikët dhe paramilitarët serbë kanë dhunuar mijëra gra. Dhunimet ndaj grave kanë qenë pjesë e planeve të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës dhe kjo tashmë është e dokumentuar mjaft gjerësisht.
Al.Ba.

Gazeta S H Q I P 

Google+ Followers