SINJAL I BARDHË.- Poezi nga Yllka Filipi





SINJAL   I   BARDHË

Nga Yllka Filipi





Arratisja e mërgimtarit                                                              

Endja pëlhura… Ju kujtohet? Rruga
ish’ e thiktë nëpër shekuj.
Nuk vinit dot  tek unë. S’iu shihja! S’më shihnit!

…dëbora gjer në gju mbushte rrëkeza malli
Lum’ i plasaritur tronditej në brigje. Të shiut
shpatulla shkundnin horizontet…

Bar’ i rraskapitur përtyp bletët në buzë.
100-vite hapin derën   në agim
Derdhen si shi, shkronjat kuq e zi… Fanitet

një premtim: Me eshtrat e mia do të ngre shtëpi
Në ajër, në tokë, me emrin Shqipëri.

Digjet gjer në palcë, qiri’ i dëshirave
nga pak… Me gjak lirinë
në tregun e skllevërve,
Lidhur me zinxhirë e bleva, me gjak…

Me të vetmen shkrepëse në sqepin e krillave
Ndez dashurinë për atdheun. Të vetmen!…
Të gjithë lisat bëjnë hije mbi dhé… – e di?

Gërsheti i shpleksur mban frymën në rrëpirë
Më bluan largësia në mokra
të padukshme. Si gurët koha… Fanitet një premtim:

Bëje një atdhe prej dielli, prej dielli
Sytë e tij të jenë dy copa nga qielli. Të bukur-oh!

Bëje një atdhe prej eshtrash, prej eshtrash
Flokët e tij të jenë prej ári legjendash. Të grunjtë-oh!

Bëje një atdhe prej mbrëmjesh, prej mbrëmjesh
Buzët e tij të digjen prej ëndjesh,‘ëndjesh. Ti puthësh-oh!

Putha një atdhe me nëntë plagë në trup
Ato dy copa qielli, árin edhe ëndjet,
Ku ti vë, e gjeta dhe një sup!
                                                                                                                                       




EPISTUALE EX MORTUM
(Letra nga vdekja)

Rruzulli, ndonëse  i patrajtë në skaje
Vështirë të ribëhet
Fryhen lumenjtë nga plagët e buhavitura
Brigjet ngjyejnë ditët në shi e në mjegull.

Lule të mbjella në ëndrra
Çelin si stinë dimri në acar.
Gjithsecili, ashtu siç ka perëndinë e tij
Ka edhe vdekjen e tij.
A mbytet qielli në një pikëz lot?
As vdekja nuk vret dot me rrufe!

Kot e ke, o dorë e zezë
Që i shkruan letra  njeriut.
Në gjuhë të pakuptueshme…
Pra, të palexueshme!

Mos ja numëroni kobet  dheut
Thonë se shtohen!
E për më tepër ruajnë gjithnjë trajtat
Fillestare.


PA GJETHE

Gjashtë miljon vjeshta të verbra,
Kapërcej moj Tokë,
Për të dëgjuar rënkimet e tua.

Frikën
Rrudhat
Zverdhjen …

Megjithatë, ti prapë je më e mira.
Si ngushticë lumi, nëpër ëndrra.

Edhe pse pa gjethe,
Edhe pse pa brigje,
Të dua!

VRAPIM

Ditët bien përdhe… si zogj të vrarë nga furtuna
Mos ja hapni kohës shtigjet e daljes
As në tempuj!

Unë kërkoj një pëllëmbë tokë
Një grusht dhe
Sa të ve kokën.

EPITAF

Vdiq nga xhelozia se
E donte shumë
Atë,  leshraverdhën
Që i theri zemrën
E s’e puthi kurrë:

Hënën!

Netët e gënjyen
Siç gënjejnë poetin
E gjithë njerëzorët.

Mbeti vetëm hiri.

P.s
Sa herë  hëna ngre dolli me diellin e epër
Qan edhe për poetin që e deshi  tepër…

MË PRIT

Më lini të shkoj tek Circja ime
Tek fati im i lig. Aty ku shpirti
Vdes me dëshirë.

Pas rrëzimit le të jem qerpiku i vrulleve të ngopura
Kur  pluskoj në vështrimin e syve të saj
Me  burime dielli.

Më lini ta pi kupën e kristalit
Si një dhimbje të bukur,
Mbytur në verën e lojërave.

Më prit Circja ime. Po vij!

RRUGA E QUMËSHTIT

Njeri! I dëgjon klithmat e majmunit brenda teje?
Retë si mace të egra që nxjerrin thonjtë kërcënues?
Hungërimat e frikshme të luanit të dëshirave?
Kacavjerrjen prej zhapiku me bisht në dëshpërimin tënd fatkeq?
Dhe nginjien… nginjien… me pamundësi për të dashur tjetrin…?
E ndien brenda teje copëtimin vullkanik në llavë e më pas
Në mermer të ftohtë…?
Në qiellin e të ardhmes,  kalo nga rruga e qumështit…
Nëse s’do të vdesësh  si ndonjë qen…
Njeri!

LUSPAT

Trofta vdiq.
Ky ujë gjethesh
Ngjyrë gjaku klith si shpirt i zvargur
E mbytet në tingëllimë bronzi.
Mos i lini trupat e bardhë
Të bëhen luspa nga marazi
E të kafshojnë profilin e ajrit.
Ishujt e  koraleve
I urrejnë varrmihësit.


NË GRUA

Je mbështjellë me natë, i dashur
Si me shufra hekuri
Ushtarë prej hëne bëjnë rojë
Në shtrojë.

Që unë mos të vij dot
Që unë mos të vij…

Fjala më ngec në grykë
Si një burim i ngrirë
Por unë kam ujë
Në shpirt.

Për ty kam gjithmonë ujë
Për ty do bëhem ujë…

Je mbështjellë me natë, i dashur
E qiellin ma ke zënë.
Diellin ke burgosur
Në errësirë ankthi.

Që unë të kem ftohtë
Që unë të mos vij dot.

Do bëhem ujë për ty
Do derdhem, porsi shi
Përmbi lëkurën tënde.

Kur të jem bërë krua,
Ti më shndërro në grua!
Ti më shndërro në grua!

QELIBAR I NEMITUR

Qelibar i nemitur nga robëria e dritës së thyer
Më fanitet  si një kërcell i murrmë pritjeje.

Unë dal nga kutia e xhamit
Dhe shoh me habi, se nuk kam  asnjë plagë.

O Zot, mos më bëj Poet!


ANKIMET E RRUGËS Y.

Sa herë fryn erë e gjurmët
Fshin, trupi im rrudhet e kockat
Kërcasin.
S’më ka mbetur më gur.

Bien melankolitë.
Ndarje kam në deje,
Ndarje dhe trishtim.

Nuk kam më pasione ulëritëse
Në zhavorrin tim të zhveshur.
Unë thjesht, dua të marr pak ajër…

O i dehur, që pi dritën
Vetëm ti më kupton…Vetëm ti!


VEGIM

Kush banon në ëndrra
E ka zemrën prej mjegulle.

Eja, zogth i brymtë
Të notojmë në ujëra!

Ay ku jargavanët bëhen zemra.


LE TË KRISË

Puhizë bregdetesh
Zgjati krahët prej ajri!

Mund të bëhem valë…
Dhe nëse s’mundem
- Më bëj, ti!

Puthmë si puthen akrepat
Në gushë, në buzë…

Le të krisë uji nga xhelozia…


MORNICË

Nga lindja në perëndim
Fryj si furtunë…
Ti mos këlthit!

Mundet të jem një plasaritje kohe
Mornicë e derdhur pa dashje
Nga qerrja e zjarrit
Mbetur pezull e pa pigment.

Çudi! Djerrina hyn në histori
Po të ketë blerim!
Kashtë kënete është i gjalli.
Përplaset me erën.

Mos më degdisni në dritë, verbohem!
Mos më ushqeni me natë, vdes!
Gjurmoj  këmbët e resë
Deri në luginat e ndarjeve…

Fanitem! Qoftë edhe për një stinë
Të vetme… Prapë guxoj!



DEGË KUMBULLE

Sytë e heshtjes thurin komplote tokësore
Vdesin takimet.  Gjithsesi
Jam degë kumbulle,
Në lulëzim e sipër.

Rrathët e ujit
I ngjajnë fustanit tim.
Nuk mund të më sfidojë lugina.

Qielli rreh grushtet…
Thërrmohet rrebeshi në eter…
Nga degët e mia dalin hapa të lehtë
E arratisen drejt lagjes tënde.


NJË GOTË

Bëhem motra e diellit
Vetëm e vetëm ’ta marr me të mirë
E të dalë.

Ti? Thyen koracën e algave.
Unë? Ndërmishem me vdekjen
Gjizbërthyer.

Kërrusem si shkronja- u.

Le ta pimë një gotë me vesë kërmilli
Për sa kohë rri e mbyllur ajo dritare.


ISHTE KOHA

Dy vetulla prej ajri
Më tregonin rrugën. Shteg më shteg
Hap më hap…
Ishte koha kur merrej frymë me sy
Dhe bota rrokej nën qepalla shprese.

EKS…
Nemitem. Gjethet
Lajnë putrat  në brigjet e ditëve.

Digjen orët.

Kush e tha që gurët
Nuk mund të çelin zambakë?



MIQTË

Rri tek gardhi.
Pres.
Nuk përcjell.

Ata vetëm vijnë
E nuk shkojnë
Kurrë.

Zota
Të zemrës.

TRISHTIL

Mos ki frikë se furtuna
Do ta shkundë degëzën, ku je kapur ti
Me gishtëzat e hollë
Dhe do t’i vejë zjarrin laringut të ngushtë
Kur ja thua këngës.

Zëri yt, si loti që bie nga retë…
Mos qaj trishtil!

Puthu me dallëndyshet!

SHTIGJET

Qielli e di që Toka
S’është e bardhë
Dhe e do…
E do…

Për qerpikët e gjatë
Për dhimbjen që e bren
Për baltën ku ngec.

Ai e kupton që Toka
Argëtohet me Qiej të tjerë.
Prapëseprapë e do!
E do…

Për flokët e gjatë
Për mallin që e bren
Për lëkurën e grunjtë.

Qiell, mos luaj me veten!
Fustani i Tokës
Do të bëhet varri yt.
Por ti e do…
E do…

Për buzëqeshjen mikluese
Për ndjenjën që të bren
Për shtigjet ku i zë pusi.

SINJAL I BARDHË

Kallama kënetash dy këmbët e mia
Në ujëra të ndenjura nostalgjish.
Ti je ngjala
Që gdhendi tek unë, detin.

Narciz, po tretet Jehona për ty!

Strukem në kujtime
Si një lloj në zhdukje…

Mos më vishni fustanin e hirit!

GJURMË

Ishim arkeologë të vegjël atëherë!

Ndërtonim çati e mure
Me harkun e trupave tanë
Pa ditur ku e hidhnim themelin.

Me hoje kemi luajtur
Në shtretërit prej kënge
S’na dhembnin gjymtyrët!

Ishim dallgë fryme.
Deteve, ku lagëm këmbët.

BILETA

Ti ngjisje shkallët e avionit të harrimit
Dhe unë kërkoja nëpër xhepat e tu
Biletën që s’e grisa dot.
Biletën që s’ishte e imja.
Ti po fluturoje drejt harrimit
Udhën… nuk mund’ ta grisja!


SAHARA

Erdhi lumi me valë dhe i lagu shtatin…
Sahara puliti sytë.
Gjembaçët  u veshën me mish.

Rrëshqiti me trupin e rëndë përmbi çatinë time
Me tjegulla balte.

E  mbështjellë me ujë unë derdhem si shtambë
Në barkun e shkretëtirës!
Kush do më nxjerrë me kovë, nga ai pus i zi
Në mes të rërës? Kush?

Hap me thonj një vijë uji…
Nuk e lë Saharën të flejë
Në dhomën time të gjumit! Jo!

Bëhem bretkosë e ngime.
Pellgu ngurron të më ajrosë sytë,
Por, të paktën këmba më zhytet në llucë: Plluq!

Vë ca pupla në krahë, derisa të vijë zbatica.
Sa të kem mbaruar së qepuri një jorgan
Mbijetese.

Ca barinj prej thëngjilli të djegur
Në shpinë të shkretëtirës
Notojnë për jetë a vdekje nëpër dallgë hiri.
Nën sqetull shtrëngojnë fort
Kohën e prerë copa-copa
Që di të vrapojë edhe pa marrë frymë!

Atje, tej shkretëtira përpëlitet…
Bie në komë.

BALONA

Përse më vështron ashtu?
Jam thjesht balonë prej letre.
Lëkunde fillin që të bashkon me mua.
Mos më lësho përdhe.

Këtu lart bën vapë…
Bota duket e kërrusur
Dhe ti, Jeta ime ngjan shumë e vogël.

Mos më mbaj vetëm me një dorë,
Zgjate edhe tjetrën!

Horrat mund të ndezin dritën…
Shkon një rrymë
E ndoshta
Më djeg!

Sa të kuptojnë që nuk jam dorëshkrim
Jam vetëm një balonë…
… Mund të jetë vonë!

Kurajo!
Mos më mbaj vetëm me një dorë,
Zgjate edhe tjetrën!

KOMPLEKSI “KOHË E GJELBËR”

Katër shtëpiza thurin këngë
Brenda një oborri 2400 vjeçar.
Ku fle njeriu, gjarpri, fqinji dhe koha
Perimet prej toke të njelmët
Piqen në zgarë.

Një kungull kujtimesh futet në ditarin e dytë.
Çastet më ngatërrohen si barishte të egra
Në fyt.
Zogjtë ushqehen me grurë e me gurë.
Në lojë shahu zbehet i humbur zjarri…

Dikush më ofron
Gliko me arra
E më fton në vinotekë… Aty, në  bodrum…
Për të më zënë në grackë.

Kur marr  rrugën e kthimit nga Parajsa e Fshehtë
Vras mendjen se çdo të shkruaj
Në Librin e Përshtypjeve:
Për endjet e mia si Odiseu
Në Mesdheun e Blertë.

Nën një qiell të ulët
Katër shtëpiza guri psherëtijnë… Fundi
Ëndërrohet ndryshe, gjithnjë.

Tre pleq të urtë, në lojë me letra
Brenda një oborri 2400 vjeçar
Parashikojnë
Vdekjen e djallit!                15.05’10

SHPIRTI NUK VDES

Aty-këtu,
Mblodha: Dy krahë të shkulur kohe.
Gjethe në prag rënieje,
Dallgë në formë patkoi.
Kuaj në shkumë…
E më tej, ndjellje shtërgu.

Nuhatja e manaferrave
Nuk më zhgënjeu.
Shpirti nuk vdes:
Veç fle!

Çdo natë një bulkth
Zbret nga kupa e qiellës.
E merr gjumi…aty:
Fshehurazi meje.
Shpirti nuk vdes:
Veç fle!


RRUFETË DINË EDHE TË FALIN

Pasqyra pëshpërit:
Nuk je as e para, as e fundit
Që vesh bolero…
Ke lindur nga një grua!

Në intervale të rregullta kohe
Numërimi më ngatërrohet, gjithnjë
Në vajtje-ardhjen e tetëmbëdhjetë.

Kutia e shkrepëses
Me skaje të djegura
Në halucinacione burracakësh.
- Ulërin:  Punë për ty!

Mbetem pa shtëpi
Në rrebesh…
Më përlajnë rrufetë
Që nga kodrat e qiellit…

Ftohtë, gjer në palcë!

Tek këmbëngul të gjej përndritjen
Qafa ime ecën nëpër tehun e shpatave.

Rrufetë dinë edhe të falin…


                                                                       
                                                       

Nacional                                                                                                      

Google+ Followers