Si e harruam Faik Konicen?


Nga Ilir Yzeiri


Faik Konica vdiq më 15 dhjetor 1942. Këtë vit, pra, pas festimeve të 100-vjetorit, do të duhej që të ulnim kokën dhe të kujtonim 70-vjetorin e ndarjes nga jeta të njërit prej shqiptarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, do të duhej, pra, të rikujtonim atë që Gijom Apoliner, poeti i shquar francez, e quante “enciklopedi shëtitëse”, do të duhej me këtë rast që institucionet tona akademike e kulturore të ndalnin marrëzitë e veprimtaritë provinciale dhe të kishin ndërtuar një mbrëmje, një pasdite apo thjesht një orë përkujtimore për këtë gjigant të mendimit shqiptar, pra për shqiptarin e botës, siç e quante veten e tij Faik Konica.


Asnjë gjë prej këtyre nuk ndodhi. Madje edhe dje, kur një prej njohësve dhe studiuesve më të mëdhenj të Nolit dhe Konicës, prof. Nasho Jorgaqi, tregonte se i famshmi testament i Konicës ishte i gënjeshtërt dhe se ai ishte mashtruar nga disa shqiptarë “harbutë” e “zorzopë”, siç do të thoshte Konica po të ishte gjallë, mediat televizive, ato që ushqehen me lloj palaçollëqesh dhe i shesin për lajme, nuk u ndien fare. Më e bukura ishte se edhe gazeta që e botoi këtë lajm të trishtë, në vend që ta përfshinte si lajm të parë a të dytë, e kishte rrasur në rubrikën e komenteve dhe analizave.

Pra, të gjitha këto, duke shtuar edhe konkursin dhe çmimet për letërsi e arte që u dhanë pak ditë më parë, të krijojnë përshtypjen se ne jemi ende ata shqiptarët e Faik Konicës, për të cilët ai thoshte se e keqja e tyre janë vetë ata. Ne sot jemi të përfshirë nga lakmia e madhe për të bërë para, për ta shqyer këtë vend dhe jo për ta mbrothësuar atë.
Shifrat e pasurive që botojnë fëmijët e Kryeministrit shqiptar, pasuritë që kanë vënë ministra e politikanë këtu te ne, të kujtojnë ata shqiptarët e Konicës që kanë si kuptim të jetës vetëm grykësinë, vetëm të ngrënët e të dhjerët. Për ta, Faiku i madh kishte shkruar këtë poezi: Ka ndënjur si një ka/Po ha edhe po ha/Shembet në pilaf,/Fryhet me hoshaf;/ S’ka kohë të flasë/Hedh sa të pëlcasë/Llop një bakllava,/llop një revani,/llop muhalebi./Thërret: -Hiç jemedum!/O burra bre dudum…”. Në këtë strofë ideali apo kuptimi i jetës për dudumin shqiptar nuk ka ndryshuar. Kokëthari politikan shqiptar sheh nga barku e jo nga koka. Interesohet për konsumin material e jo për konsumin intelektual.
Në këta njëzet vjet tranzicion ne jo vetëm që po shkërmoqim e po thërrmojmë edhe atë pak vetëdije historike që kishim edhe ashtu të ndërtuar shtrembër, por po e djegim me acid të shkuarën tonë historike në emër të hynereve që bëjmë sot. Të gjithë i ka kapur një afsh i njelmët për t’u bërë protagonistë. Panteoni i vlerave të këtij vendi është kthyer në një haur bagëtish dhe nëse ti hyn brenda do të qelbesh nga era e bajgave të protagonizmit shqiptar.
Mu në qendër të Tiranës, e vetmja ndërtesë muzeore, ajo që njihet me emrin Piramida, në vend që të ruhej e të konservohej si e tillë, në mënyrë që të shërbente si një vend ku turistët e huaj të shihnin fytyrën e diktaturës, e gjithë ajo godinë e bukur është kthyer në një shurrëtore gjigante. Haletë publike të Tiranës që ngjallen sapo Sali efendiu vjen në pushtet duket se janë grumbulluar aty dhe vendi qelbet i gjithi nga duhma e pështirë e të pëgërave të një shteti që mendon të hajë si një ka e të shkretojë si një buall. Faik Konica, siç dihet nga të gjithë, bashkë me Fan Nolin, janë dy nga figurat më të mëdha të historisë e të kulturës shqiptare. Ata ishin në migracion, pra jashtë Shqipërisë dhe që të dy ishin pjesë e natyrshme e elitës europiane e amerikane dhe në momentin kur po lindte shteti shqiptar, ata u përpoqën me mish e me shpirt që të tregonin apo që t’i mëkonin atij të gjitha virtytet perëndimore. Gjithmonë kam menduar se Konica dhe Noli kanë menduar ashtu si Zoti i Madh Jezu Krisht që krijoi njeriun në shtatë ditë. Në fillim edhe ata, Konica përkatësisht, i zbuloi flamurin e Skënderbeut. Shtetit të ri që po lindte në shekullin XX ai i zbuloi flamurin që ishte i shekullit XVI. Të mos harrojmë se vende përreth nesh e kishin flamurin kombëtar jo më shumë se njëqind apo njëqind e pesëdhjetë vjetësh. Noli i Madh shkroi Historinë e Skënderbeut. Pra ditën e parë krijuan identitetin, të dytën e të tretën, krijuan frymën e tij, u përpoqën t’i mëkojnë mënyrën se si të mendojë e se si të arsyetojë. Konica ishte i pari që së bashku edhe me Fishtën e madh shtinë në mendësinë shqiptare të menduarit kritik dhe vetironinë dhe vetësarkazmën. Në njërën anë po përvijohej të vetëndierit romantik me epitetet “stërgjyshor”, “i lashtë”, “trim me pallë”, në anën tjetër Konica u tregonte shqiptarëve se ishin përveç kësaj edhe dallkaukë, mercenarë, vrasës e të pabesë, se në ndonjë rast ishin ata armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Historia e shtypit shqiptar modern nis me “Albanian” e Konicës. Që në fillim kjo histori nis me një dinjitet europian. Revista dilte njëherësh në shqip e frëngjisht dhe turqisht. Faiku vetë botonte lirisht në revistën e mikut të tij, Apolineri, me titull “Ezopi”. Aty ai botonte esenë e famshme “Mbi gjuhët natyrale dhe artificiale” duke u përfshirë në debatin më intelektual të kohës, në atë për gjuhën esperanto. Ndërsa Noli, gjiganti tjetër i kulturës sonë, ndërmori nismën për të krijuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqiptarëve. Nëse do t’i përmbaheshim paradigmës së Zotit që krijoi njeriun, do të na duhet të themi se Noli në këtë rast i shtiu Shqipërisë shpirtin. Kjo vepër monumentale e Nolit i shtoi Shqipërisë popullsinë ortodokse, siç thotë me të drejtë prof. N. Jorgaqi. Pra Noli me intuitën e gjeniut ia ktheu këtë pjesë vitale të popullsisë shqiptare Shqipërisë që po lindte, duke vijuar më tej punën që kishin nisur patriotë të tjerë para tij. Mirëpo, ne nuk u kujtuam të themi dy fjalë për 70-vjetorin e vdekjes së Faik Konicës. Ai vetë ndoshta e dinte se një ditë mediat e Shqipërisë do të banalizoheshin e do të shfytyroheshin deri në atë masë saqë shkrimi i tij me titull “Çipi i palaçove” do të ishte aktual sot e gjithë ditën, sepse edhe tani palaçot e Shqipërisë zihen e theren për “Avropin” dhe “Evropin. Në këtë shkrim, mes të tjerash, ai thotë: “Gazi Punikua hedh nga goja jargë, një erë të qelbur dhe këto fjalë: Avropa është vendi ku s’hanë mish të mbajtur në akull, pasta, dhe shumë gjëra të tjera, që ne, aziatikët e ndershëm, nuk i përfillim… Nëm raki! Nëm bozë! Atje ku s’i gjen këto, atje është Avropë”. Dhe në fund, pushime të mbara deputetëve tanë që e lanë të priste deputeten holandeze. Ta dijë e nderuara deputete se ne harrojmë babanë pa varrosur po na zuri nata në ndonjë mejhane, jo një takim me Avropin. Aferim! 

Google+ Followers