Ringjallet “Drita”!

Petrit  Nika


Është e pamundur të mos lidhet emri i gazetës “Drita” me Shpalljen e Pavarësisë, 100 vjetorin e së cilës të gjithë shqiptarët të bashkuar po e kremtojmë sot. Kontributi i themeluesve, drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të kësaj gazete, nëpër kohë të ndryshme, duke filluar që para Pavarësisë, pas Shpalljes së Pavarësisë e deri në ditët tona ka qenë i pazëvendësueshëm në rolin e saj për realizimin e kësaj ëndërre dhe në vlerësimin e madhështisë së saj. Por cila është “Drita”? Për ata që nuk e kanë të qartë po e bëjmë të qartë. Për ata që e kanë pasur dhe e kanë të qartë, po ua kujtojmë edhe njëherë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar, shumë thjeshtë dhe sa të mundemi shkurtimisht. Emri “Drita” në botën e medias shqiptare u përdor për herë të parë për të pagëzuar një gazetë të drejtuar nga Petri Poga, në Stamboll. Numri i saj i parë doli më 14 janar 1883. “Drita” e nisi jetën e saj si një gazetë që do të nxiste zgjimin e idealeve kombëtare, në një kohë që, siç shkuante Poga, shqiptarët pothuaj e kishin harruar kombësinë, duke i dhënë më tepër rëndësi diversitetit fetar. Duke u përçarë e duke krijuar ide të gabuara se një fe i përkiste një shteti, e feja tjetër, një shteti tjetër, e po kështu dhe besimtarët përkatës, kombi rrezikonte seriozisht të shkonte me hapa të shpejtë drejt asimilimit. Në këtë kohë, falë kulturës dhe patriotizmit vetëmohues të bashkëpunëtorëve të njohur iluministë të Rilindjes Kombëtare, “Drita” arriti të zgjonte vërtetë ideale kombëtare tek populli shqiptar. Arriti t’i bindte shqiptarët se fetë edhe mund ta përçanin e ta dobësonin kombin, ashu si mund ta dobësonin edhe përdorimi pa arsye i gjuhëve të huaja në shkrimet shqipe. “Drita” ndikoi që të forcohej kultura kombëtare dhe të hidheshin hapat e para për formimin e një gjuhe standarde.  “Drita” u ndalua më 20 Nëntor të 1884 nën kallzimin e Dervish Pashë Veliut të Shkodrës, i cili jo vetëm që shkaktoi mbylljen e gazetës, por edhe internimin e një pjesë të mirë të bashkëpuntorëve të saj dhe vrasjen e 15 prej tyre. Në vazhdën e këtyre veprimeve që ndërmori Stambolli kundra shqiptarëve, ishte dhe shkatërrimi i Komitetit Kombëtar që ishte formuar në Stamboll. Aktiviteti i përparimit të gjuhësisë u transferua në Rumani. Gazeta “Drita” nuk u botua për një kohë të gjatë, deri kur Shahin Bej Kolonja mori përsipër botimin e saj në Sofje të Bullgarisë. Por edhe ky botim nuk vazhdoi gjatë si pasojë e trysnisë turke e si pasojë e përçarjes midis shqiptarve që punonin për të. Gjatë kësaj periudhe, në Gjrokastër, themeluesi i gazetës “Drita”, z. Poga krijon klubin me emrin “Drita”. Ky klub kishte si objektiv përparimin e gjuhësisë si pjesë e zhvillimit kombëtar. Për të arritur këtë objektiv, klubi hapi dhe një shkollë shqipe me emrin “Drita”. Por as ky klub dhe as kjo shkollë nuk e patën të gjatë ekzistencën e tyre si pasojë e kundërshtimit të fortë grek. Kryesia e klubit dhe shumë anëtarë u internuan në ishullin Ithaqi (Itakë). Petri Poga dhe Mufit Bej Libohova shpëtuan vetëm sepse ishin dërguar si delegatë në Shpalljen e Pavarsisë në Vlorë. “Drita” u botua sërish, tashmë për të tretën herë, në vitin 1922, përsëri në Gjirokastër, madje edhe kësaj herë sërish nën drejtimin e Petri Pogës. Ajo vazhdoi të botohej deri në vitin 1923 e më pas u mbyll, si pasojë e përplasjes së drejtuesve të saj me lëvizjen e Fan Nolit. Për të katërtën herë “Drita” rilind në kryeqytetin e Shqipërisë nën Drejtimin e Zoi Xoxës, i cili sërish e drejton gazetën në kahun e zhvillimit gjuhësor e kombëtar. Gazeta pushon së botuari gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u rikthyer shumë kohë më pas, tashmë në kushte të tjera të vështira siç ishin ato të regjimit diktatorial. Gjatë periudhës së regjimit komunist “Drita” u bë organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. “Drita vazhdoi të botohej si organ i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë, edhe pas rënies së diktaturës, gjatë viteve “90, por pa arritur të japë ndonjë kontribut të rëndësishëm për problematikat e reja të letërsisë kombëtare, për prirjet dhe frymën e re. Në këto kushte, ajo u mbyll sërish si pasojë e kontradiktave brenda kryesisë së “Lidhjes”. Si në agoni botohen edhe disa numra nën drejtimin e “Unionit të Shkrimtarëve Shqiptarë”, por përsëri pa e patur jetën të gjatë. Për të fundit herë gazeta “Drita” rishfaqet si organ i “Shoqërisë së Artistëve të Rinj Modern” në vitin 2005, me kryeredaktor poetin dhe përkthyesin Granit Zela. Së bashku me Zelën dhe bashkëpunëtorët e tij, botuesi i ri i “Dritës” Alban Kardashi asokohe arriti të botojë disa numra, por në fund u detyrua ta ndërpresë botimin për arsye financiare. Pra, që nga koha e largët e themelimit të saj, “Drita” ka ekzistuar vazhdimisht midis nesh, ndonëse me ndërprerje të shkurtëra kohë pas kohe në rrjedhat e tallazitura të historisë shqiptare. Gjatë peruidhës së diktaturës “Drita” iu mor shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë nga nomenklatura, duke u bërë pjesë e lojës politike të letërsisë së realizmit socialist. Gjatë viteve “90 “Drita” bëhet pjesërisht gazetë kulturore e inteligjencës së re krijuese, ngase drejtohej ende si pjesë e LSHA-së dhe nga shkrimtarë të mendësisë së sistemit të mëparshëm. Vitin e shkuar përsëri miku im Alban Kardashi bëri një përpjekje për botimin e “Dritës”. Këtë ma shprehu një ditë në Tiranë dhe unë e miratova me shumë kënaqësi kërkesën e tij për ta nxjerrë sëbashku gazetën. Menjëherë u vura dhe krijova lidhjet me bashkëpunetorët, të cilët i falënderoj nga zemra për bashkëpunimin e tyre pa asnjë interes material. Por qe e pamundur. Qe e pamundur, ngase nuk arritëm të gjejmë mbështetjen e premtuar financiare, pa të cilën gazeta nuk ka jetë. Përsëri qe Albani që u kujtua ta bënte jetë ëndërrën e tij dhe tonën që gazeta “Drita”, si gazeta më jetëgjatë në median shqiptare të mos i mungonte ditës së 100 vjetorit të Pavarësisë. Kësaj rradhe ai kërkoi mbështetjen financiare nga miqtë e tij më të afërt dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët fatmirësisht iu gjetën. Në një natë të mesit të nëntorit u mblodhëm të gjithë sëbashku në mjediset e “Caffe&Caffe” në bllok dhe atje, falë bujarisë dhe atdhedashurisë së këtyre qytetarëve të thjeshtë, u bë e mundur të mblidhej një fond sa për daljen e këtij numri, i cili më së shumti ka për qëllim të asistojë në këtë 100 vjetor historik dhe t’i përshëndesë shqiptarët për festën e tyre kombëtare. Pas më shumë se shtatë vitesh “Drita” u ringjall përsëri me rastin e këtij jubileu të madh. Ajo nuk është torta as hekatomba me desh e cjepër, për të cilët shtetarët e sotëm po interesohen që të mos i mungojnë festës, por është një tribunë e hershme e iluminizmit shqiptar dhe është në nderin e çdo shqiptari të kontribuojë për të mos e lënë të shuhet flakën e kësaj tribune. Nëse shqiptarët do të përkujdesen për këtë, “Drita” do të vazhdojë të jetë midis nesh edhe pas këtij 100 vjetori. Botuesi i kësaj gazete Alban Kardashi nuk është biznesmen dhe ai që po i shkruan këta rreshta është veçse një i papunë në listën famkeqe të mjerimit modern shqiptar.Zoti ju bekoftë bashkatdhetarë të nderuar kudo që jeni!Zoti e bekoftë tokën shqiptare për të cilën është derdhur gjaku i të parëve tanë të pavdekshëm!Zoti e bekoftë Pavarësinë tonë me përjetësi!Gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë!

Shenim: Ky shkrim eshte editoriali i gazetes Drita, botuar me 28 nentor 2012

Standard

Google+ Followers