Një tragjedi në 3 akte - Nga Fan Noli (Botuar më 1929)

Fan Noli
Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e robëruar prej militaristëve serbë. Kjo diktaturë është dërrmonjëse për shqipëtarët e Kosovës dhe të së tjerave vise shqiptare të Ulqinit, Antivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gusinjës dhe Dibrës, të aneksuara njëra pas tjetrës më 1880, 1912, 1919 dhe 1924 prej Serbisë. Është fjala afro për një milion fshatarë të privuar nga të drejtat më elementare. S’ka asnjë të vetme shkollë shqiptare për këtë popullatë kompakte që në sasi kapërcen atë të Shqipërisë indipendente të sakatepsur prej traktateve. Asnjë shoqëri, bile as mirëbërëse, s’i u është lejuar shqiptarëve. Asnjë deputet nuk i përfaqësonte në Skupçinën e shpërndarë. Lideri i tyre, Ferhat Draga, u dënua me 20 vjet burgim për shkak se bëri krimin të vërë rishtazi kandidaturën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij ish-deputeti Nizam Gafur, u vra poshtërsisht më 1927 po për atë arsye. Shoku i tij Isuf  Ahmeti u vra gjithashtu kohët e fundit, sepse guxoi të zgjidhet këshilltar i Bashkisë së qytetit të Prishtinës. Ja kësisoj hiqen qafe liderët tepër të mërzitshëm. Ata i vrasin në mes të drekës dhe mu në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtar të njohur të bandave fashiste që terrorizojnë këto vise qysh prej luftrave ballkanike sipas urdhrave të Belgradit. Disa zbrazje revolveri mjaftojnë për kryetarë. Sa për turmat fshatare, këto i çfarosin me zbrazje mitralozash, ose i shtrëngojnë të emigrojnë për t’i u bërë vend karvanëve fashiste serbe.
Ja, kësisoj i “serbizojnë” sistematikisht të gjitha viset shqiptare dhe sidomos ato që ndodhen afër kufirit shqiptaro-jugosllav, ose gjatë udhëve të hekurta. Me dhjetra mijë fatzes shtrëngohen kësisoj të lenë vatrat e tyre çdo mot. Ajo që është ca më e keqe, asnjë shtet s’do t’i pranonjë këta refugjatë. Turqia mori sa deshi, Shqipëria është tepër e varfër për t’iu treguar një fole të re, vendet e tjera janë mbyllur për këtë lloj emigrantë me shumicë. Kësisoj, aty jashtë, një grup prej tre mijë vetësh nga këta të shpërngulur, pasi shëtiti nëpërmes të sinisisë ballkanike, për tokë-muaj me radhë, u shtrëngua gjithashtu të vijë rrotull me det. Nuk u jepej leje të dilnin në asnjë portë. Disa që mbetni të gjallë prej kësaj odiseje u vendosnë në Shqipëri. Të tjerët vdiqnë në rrugë të madhe nga uria, nga të ftohtit, nga miseria e nga sëmundjet.
Fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, provincë e aneksuar prej Greqisë, nuk ndryshon nga ai i kosovarëve. S’është veç një ribotim i tragjedisë në 3 akte:çpasurim, çpërngulje, çfarrosje. Më sipër bëra fjalë për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Po t’iu zihet besë jugosllavëve sot s’kanë mbetur veç 700.000! i kanë hequr qafe domethënë 300.000? sa kohë do të duhet akoma për të likuiduar ata që kanë mbetur? Po këtë herë do t;i qërojnë shpejt dhe pa formalitete të kota, dhe kjo do të jetë një nga gluaret më të thjeshta të Dorës së Bardhë panserbe!
Përpara Evropës përsëritet një tragjedi aq e përgjakshmë sa ajo e ermenëve në Azinë e Vogël. Po tragjedia armeniane ndodhi në kohën e Luftës Mondiale kur ishte zor të qënët njerëzor, kurse tragjedia shqiptare në Jugosllavi, ndoth përpara syve tona ne paqe të plotë, kur është zor të mendohet që njeriu mund të jetë kaq gjakpirës. Dhe megjithatë, s;e cian njeri fare kokën në kançelaritë evropiane që janë fare mirë në rrjedhje të kësaj çështjeje. Me sa duket, s’iu vjen dhe mbarë të kenë mëshirë. Dhe kjo ka arsyet e saj. Në Azinë e Vogël ishte fjala për të krishtarë të çfarosur prej muhamendanësh turq. Në Jugosllavi e në Greqi është fjala për muhamendanë shqipatrë të çfarosur prej serbësh e grekësh tepër të krishterë. Ja ky është ndryshimi. Dhe ja kjo është që e shpjegon gjer më një pikë zemërimin e djeshmë dhe mosintersimin e sotmë. A jemi vallë akoma në mes të Kohës së Mesme? Ka një tjetër shpjegim që vlen në parim: masakronjësit e ermenëve ishin turqit, armiq të Luftës së Madhe; masakronjësit e shqipatrëve janë serbët dhe grekët, aliatë të Luftës së Madhe. Çdo gjë e kam lejuar për aliatët fisnikë. Po ahere jemi vallë akoma në mes të luftës? Për fat të keq po. S’ka veç naivë që besojnë se u bë paqja e Versajës.

Google+ Followers