Erotika që rivjen në moshë të thyer…


Nga Luan Rama


Me rastin e 80 vjetorit të piktorit Omer Kaleshi

Këto ditë sapo e festuam në Paris në një sallon të Avenue Champs-Elysées 80 vjetorin e piktorit ballkanas Omer Kaleshi. Shkruaj ballkanas pasi rrënjët dhe itineraret e jetës së tij janë Ballkani: një baba shqiptar, një gjyshe maqedonase e marrë dhe e rritur në shtëpinë e gjyshit të tij, një ikje nga gjakmarrja nga malet e veriut shqiptar dhe një lindje në malet e Kërçovës; më pas një rini në Shkup mes miqsh maqedonas dhe studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, për të vazhduar më vonë udhëve të botës në galeritë e muzeumet e mjeshtërve të mëdhenj të pikturës duke u instaluar më së fundi në Paris, në kryeqytetin evropian të artit, këtu e 45 vjet më parë. Pikërisht në atë strehë, në atë studio në Bulevardin Arago, Ballkani ka pulsuar gjithnjë në qindra e qindra portrete apo “koka“ siç të thotë ai, ato imazhe e ndjesi të ardhura padyshim nga nostalgjia ballkanike. Por jo vetëm nostalgjia, pasi në to është shkruar një histori e madhe, në to janë shtegtime blegtorësh e danse mistike dervishësh, janë jetë njerëzore të pikëtakuar udhëve të Ballkanit, janë fytyrat e dashurisë apo të “Dramës Ballkanike“ siç e cilëson ai një nga seritë e preferuara të tij mbi luftën e fundit të zhvilluar në Ballkan.

80 vjet jetë atij i duken pak në “galaksinë e kokave“ që ka ende në imagjinatën e tij dhe që ende nuk i ka hedhur në telajo. Kohë që nuk mjafton, çka dhe ai duket se nxiton dhe nuk rresht asnjë çast me spatulën e tij. Por ndërkohë, diçka interesante vihet re në pikturën e tij: janë tabllo sensuale, një erotikë e ëmbël që duket se i ka munguar për vite të tëra që nga vitet e rinisë kur veprat e para i filloi pikërisht me nudo. Kjo shfaqje e erotikës tani, në studion e piktorit më kujton skulptorin mjeshtër Odhise Paskali, i cili në moshën 80 vjeçare filloi të rikrijojë sërish nudot e preferuara të tij siç i bënte dikur në studion e studentit në Itali. Nudo në gur e mermer, por që flisnin shumë për shpirtin e brishtë të artistit. Pra dhe me Omerin po ndodhte po e njëjta gjë: sensualitet në kohë të vona. Përse vallë këto nudo pikërisht tani? Tani kur vjeshta e artë ka përfunduar dhe erërat e mjegullat e dimrit afrohen gjithnjë e më shumë? Vallë një nevojë, prehje e shpirtit të artistit apo një rikthim në gjenezë, në trupin dhe drithërimën femërore, në atë që krijon dhe i jep jetë vetë njerëzimit…

Omeri ndodhet këtë çast ballë nudos së tij ashtu siç kanë ndodhur para tyre dhe mjeshtrit e mëdhenj të pikturës botërore…



Sensualiteti i fshehur

Një mëngjes, duke hyrë në atelierin e tij, e gjeta atë me spatul në duar. Sapo kishte përfunduar një portret mbi një sfond të bardhë. Një kokë vajze mbi një fill që përshkonte mespërmes telajon. Ajo fytyrë vajze, me sytë gjysmë të mbyllur dhe kokën e ngritur lart, si madonat klasike, ishte në një gjendje ekstaze. Një portret shumë sensual që rrallë herë e gjen te Kaleshi. Omeri e ndjeu menjëherë habinë, stepjen dhe admirimin tim para atij portreti që përmblidhte një gjendje universale, atë të femrës në ekstazë, dehje, sensualitet, përhumbje, ngazëllim, gjendje që vinte nga larg, prej shumë shekujsh, ndoshta nga fillimet e Njerëzimit. Eva në mugëtirën e Kohës Njerëzore… Vite më parë ai kishte pikturuar një nudo, si dikur në rininë e tij. Gjithçka kishte qenë dehëse, e bukur, erotike. Një erotizëm i fshehtë në tablonë e tij. Nuditeti i femrës, i fshehur nën një vello flu… Tej ishte vetë magjia. Jo shumë kohë më parë ai ishte befasuar pas tablosë Origjina e botës së Courbet, në ekspozitën “Arti dhe seksi”, hapur në qendrën kulturore franceze “Centre Georges Pompidou”.

- “Origjina e botës“ na mëson shumëçka, – më tha me ëmbëlsi Omeri për atë tablo. – Dhe Pignon, kur u plak bënte nudo të shkëlqyera. Siç duket duke u zbardhur, duke iu kthyer dhe vërtetësisë së njeriut, nuditetit.

Kur Omeri hedh mbi telajo linjat e një figure nudo kuptohet që për të figura e femrës është frymëzuese dhe kjo ndjesi ka qenë e përhershme, që atëherë kur ishte student, mjaft i ndrojtur dhe ku në orën e mësimit veçse i vështronte modelet nudo për një kohë të gjatë. Nuk vizatonte. Linjat femërore regjistroheshin në kujtesën e tij, ngjizeshin brenda një kujtese të gjallë, të prekshme, sensuale. – Modelja e klasës sonë quhej Maria. Ishte një greke, – kujton me nostalgji Omeri. – Ishte 40 vjeçare, e dobët, por plot mirësi. Të gjithë e donim. Ishte bërë mikesha e të gjithëve. Një ditë kur solla nga shtëpia në klasë portretin e saj, profesori im u habit: “Sa e bukur! Diçka prej mjalti…!”

Në jetën e tij femrat kanë qenë gjithnjë të pranishme; herë si mike të ngushta, herë idilike… – Që kur erdha në Paris, në “Alliance Française”, për të mësuar frëngjishten, u njoha me një vajzë turke. Jetonte diku mes “Porte de la Nation” dhe Vincennes. Ajo e pëlqente shumë kinematografinë dhe për shkak të saj unë pashë një sërë kryeveprash të kinematografisë botërore, mes të cilave më kujtohet dhe Amadeus i Milos Forman-it. Bashkë me të, në “Cinemathèque Française”, kemi parë pothuaj gjithë filmat e Ejzenshtainit, të cilin e kishte njohur nga afër Abedin Dino, nga Korracata Potjomkin e Aleksandër Nevski, te Greva apo Linja e përgjithshme. Ajo e pëlqente shumë muzikën, veçanërisht Brahms-in. Me të kam ndjekur shumë koncerte në sallat e njohura pariziane në “Gaveau”, “Pleyel”, “Opera Bastille”, etj. Jam magjepsur nën dirigjimin e Borenbooim-it, etj.

Në të vërtetë mikja e parë me të cilën është njohur Omeri në Paris, ishte një greke që dinte turqishten, pasi kishte lindur në Edremit, në Turqi. Vite më pas, mikesha të tjera do ta shoqëronin në jetën e tij, pa mundur ta fusin në jetën familjare, pa e shkëputuar atë nga “kozmosi” i vetmuar apo galaksia magjike e tij. Por pati nga ato që do të mendonin për të si miq të vërtetë. Një nga ato ishte Besi Cecan, galeristja e tij në Stamboll, e cila do të përkujdesej jo vetëm për pikturën, por dhe për jetën e tij, udhëtimet, etj. Pikërisht ajo do ta nxiste të blente dhe një apartament në Stamboll për të qëndruar atje gjatë udhëtimeve të tij.

Padyshim që në figurën femërore të pikturës së tij, për Kaleshin ekziston një e preferuar, personazh të cilën ai si duket nuk ia ka bërë të njohur askujt. Eshtë intimiteti i autorit, krijuesit. Në historinë e pikturës njihen tablotë dhe portretet e të dashurave të mjeshtërve të mëdhenj: Fornarina e Rafaello-s, Maja e Goya-s, Jeronima e Velasquez-it, Dora Mar, Jacqueline apo Marie Thèrese të Picasso-s, etj. Omeri, edhe pse nuk bën pjesë në familjen e tyre, këtë portret e ka lënë si një të fshehtë për ta thënë s’dihet se kur, ndoshta asnjëherë. Një tjetër ditë, kur hyra në atelier, i solla një dardhë dhe ia vura mbi tavolinë. Ai qeshi dhe e kundroi për një kohë të gjatë. Fruti kishte vërtet një pamje mjaft erotike, që të kujtonte mjaft piktura apo etyde të mjeshtërve të mëdhenj, etyde të trupit lakuriq të një gruaje, ku në plan të parë janë gjinjtë apo vithet e saj. Në mjaft “nature morte” të Kaleshit gjendet pikërisht ky lloj erotizmi, çka flet për sensibilitetin e veçantë të tij.

Kohët e fundit, në vijim të disa portreteve, në atelierin e tij filluan të shfaqeshin njëra pas tjetrës tabllo femrash, buste e portrete që shfaqeshin nga një trung i prerë peme dhe ku herë në mënyrë tepër diskrete apo në mënyrë tepër të dukshme, shfaqeshin gjinjtë e tyre. Ishin vajza adoleshente apo gra të reja me një sensualitet të veçantë. Madje njëra nga ato dukej sikur ishte pikërisht në momentin që femrat zhvishen dhe heqin në intimitetin e tyre këmishën, pikërisht ai çast kur gjoksi i tyre sapo është zbuluar… Një gjendje e ngrirë për të vlerësuar bukurinë femërore. Nga vinin këto femra. Përse tani, përse kaq vonë? Cilat ishin ato? Vallë mikesha të piktorit apo ndonjë imazh i pikasur diku dhe që e ka shoqëruar piktorin vite me rradhë? – Ti e di, mua më pëlqen detaji i nudo-s, – më thotë Omeri, – dhe jo nudo e plotë. Unë asnjëherë nuk kam pikturuar një nudo të plotë. Në atelier, i drejtohem përsëri pikërisht tablosë së fundit, ku nënkuptohet momenti i zhveshjes së femrës. – Është bukur ta zbulosh sensualitetin në një mënyrë të tillë… – Eshtë e çuditshme, por këto kohë që kam punuar këto tablo më është kujtuar shpesh imazhi i një gruaje që kam parë në lagjen tonë në Stamboll, kur isha student në Akademinë e Arteve të Bukura. Kur kthehesha në shtëpi, e shikoja që shkonte e vinte nëpër rrugë me gjinjtë përjashta. Ishte një e çmendur dhe banorët ishin mësuar me të dhe gjinjtë e saj. Por për mua ishte një pamje mjaft goditëse. Nga trupi i saj ajo kishte të zhveshur vetëm gjinjtë…

Askush nuk e ka parë Omerin duke pikturuar. Unë kam patur rastin kur ai ka shënuar emrin e tij në tabllonë e mbaruar, por asnjëherë nuk kam mundur të jem i pranishëm në një seancë të vërtetë pune, krijimi. Dhe askush tjetër… «Të pikturosh në vetmi, – shkruan Omeri, – do të thotë të jesh në liri absolute, në liri të mirëfilltë, pasi është e pamundur të pikturosh në prani të një personi tjetër. Unë fillova të pikturoj në këtë mënyrë kur isha në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit… Profesor Neset Günel vinte në atelier dy-tri herë në javë dhe bisedonte rreth punimeve që bënin studentët, por ndryshe nga të tjerët, para vetes time unë nuk kisha as letër e as laps, as telajo e as penel. Pas tre muajve, duka parë që s’kisha punuar asgjë, ai më tha: “Ndryshe nga të tjerët ju s’keni pikturuar asgjë. Nuk mund të vazhdohet kështu. Çfarë problemi ke?… – Unë vij rregullisht në atelier, – i thashë, – vëzhgoj modelin, por unë punoj i vetmuar në dhomën time. Nuk mund të punoj në prani tët ë tjerëve. Nuk e di pse. – Atëherë më sill çfarë ke punuar…. Të nesërmen i solla dy tablo, dy nudo dhe ia tregova. – Këto nudo janë si prej mjalti… Puno ku të duash, veç tablo të tilla më sill.

Për të pikturuar në këtë liri absolute dhe të fshehtë, nuk mund të mendoja rreth martesës. Miqtë e mij piktorë më kritikonin, duke thënë: “Omeri është martuar me pikturën”. Kur mendoj për këtë lloj vetmie, kujtohem gjithnjë për atë frazë të Leonardo Da Vinçit që thoshte “Nëse dikush është vetëm në atelierin e tij, ai është i plotë. Nëse ka një njeri tjetër në krah, është veçse gjysmë; nëse janë dy persona të tjerë, ai është një çereku i vetvetes dhe nëse janë katër , ai nuk ekziston më!”…

Mikja e Omerit dhe e imja, poetesha franceze Laure Cambau, ka botuar një tufë poezish kushtuar krijimtarisë së Omerit, të titulluar E Bardha pa të bardhën, meqë Omeri në vend të ngjyrës së bardhë përdor të bardhën e telajos. Para se të mblidheshim për 80 vjetorin e tij ajo më dha t’i përktheja poezinë e fundit për Omerin, Martesa e Omerit me pikturën, në të cilën shkruante:

“Martesa e Omerit me pikturën

ndodhi në Stamboll

ishte një ceremoni e bukur

dhe të gjithë e mbajnë mënd

martesa e spatulës me kavaletin

e të kuqes me të zezën

e të bardhës pa të bardhë

e të zezës pa të zezë

e dritës dhe e lirisë

e dervishit dhe bareshës së tufës së kokave

alegori memece si gjysma e tij

misterioze dhe e fshehtë

e fejuar e padukshme

pastaj erdhi çasti i takimit kokë më kokë

ikona vështrohet në pasqyrën e kavaletit

duke hequr makiazhin e bojës

duke hequr të zezën nga sytë e saj

harmoni e qiellit të tablosë

duke hequr nga lëkura e saj – pëlhurë

një rrobe lakuriqe mjalti

një grua në bojë vaji

ikonë ideale dhe e qetë

martesa e Omerit me pikturën,

i të fshehtës me vetminë,

i bojës së vajit dhe telajos,

i trupit dhe syrit,

i magjistarit dhe bareshës së tufës së kokave.”

Jo më se një herë Omeri më ka thënë se “për mua, të pikturoj është si të bëj dashuri”… Dhe kjo frazë duket se është e thellë brenda tij, jo vetëm në intimitetin e tij por dhe në vetë marrëdhënien tepër intime që ka ai me pikturën. Një ngjizje e tjetër lloji e piktorit me shëmbëlltyrën që krijon, duke harruar realitetin dhe duke hyrë në sferën e magjisë…

Google+ Followers