ARDHJA E VONUAR E FERIK FERRËS…


Perikli JORGONI

PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore
Viti X  2005 Nr. 3 (38)   fq. 146-150
Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë

FERIK FERRA




1.
 Pas më shumë se gjysmë shekulli heshtjeje të detyruar, në portën e poezisë shqipe trokiti dhe poeti Ferik Ferra. Kjo ishte një trokitje disi e veçantë, ishte një zjarr dhe një mall i përvëluar i mbajtur gjatë në shpirt, pa mundur të botojë nëpër faqet e shtypit as dhe një poezi, skicë, tregim apo përshtypjet nga takimet me njerëz, që e kanë joshur e zgjuar kureshtjen. Vetëm në librin e profesor Injac Zamputit për Fishtën, u botua një ese për bardin e madh të Veriut, por ajo mbeti pa u vënë re si dhe vetë monografia të cilës nuk iu bë asnjë vlerësim i dukshëm.
Ferik Ferra erdhi i vonuar, sepse nuk i kishte ardhur ora… Duhej të ndodhnin ndryshime të thella e të rrezohej muri i Berlinit, që ai të merrte guximin e të ndihej i lirë e i papenguar. Libri i tij i parë me poezi e poema “Duke kapërcyer shekullin” ( Tiranë, 2001) u prit mirë nga kritika dhe lexonjësit. Ai dëshmoi se në letërsinë shqipe kish ardhur një poet me vokacionin e tij poetik, një poet me një botë të ndjeshme, një poet që sapo kish nisur të rrëfente thellësitë e shpirtit të tij. Ai nuk vinte me një ligjërim të belbër e të ndrojtur, por me një zë të plotë e të vetin, me një zë me ngjyrime emocionale të fuqishme, duke na i dëshmuar se kishim të bënim me një poet të formuar, me platformën dhe filozofinë e vet. Përfytyrimet, skenat e tablotë që na pikturonte, mesazhet filozofike që na kumtonte ishin njerëzore dhe bashkëkohore. Nën koracën në dukje kla-sike të poezive e të poemave, merrte frymë një mendësi moderne, e cila përpiqej të sillte ndryshime dhe në formën artistike, në arsenalin e mjeteve shprehëse e në figurat poetike, duke synuar të çlirohej nga ndikimi i poezive klasike e të afrohej strukturave e përthyerjeve t'u poezisë moderne.
Vëllimet që e pasuan “Në diellin e vështirë” (Tiranë, 2002) dhe “Nata e vdekjes së dytë” (Tiranë, 2004) dëshmuan jo vetëm se vëllimi i parë nuk ishte shkrepëtima e fundit e shpirtit të poetit të ngujuar brenda mureve të vetvetes, por dhe ngulmimin për të qënë i freskët, i ri dhe joshës. Po të shihen datat kur janë shkruar këto krijime, kushdo mund të vërejë se poezia e Ferik Ferrës, kryesisht, është shkruar pas viteve 90, pas vitit të përmbysjes së regjimit autokrat dhe çlirimit të artit e të letërsisë nga kanunet e realizmit socialist, i cili në Shqipëri ishte më i ngurtë, më dogmatik e më i egër.
Një shpirt krenar dhe i lirë si shpirti i Ferik Ferrës nuk mund ta pranojë dyzimin e karakterit, nuk mund të hiqej ndryshe nga ç‘ishte në të vërtetë.
Ky është shkaku pse poeti trokiti me vonesë në portën e letërsisë sonë dhe pse fillimet e veta të hershme na dëshmojnë për talent e njohje të poezisë e të teknikave të saja.

2.
Duke krahasuar me njëra-tjetrën këto përmbledhje dhe duke u njohur dhe me cikle poezish të reja të një vëllimi ende në proces përpunimi e zgjerimi, vërejmë se poezia e Ferik Ferrës po e pasuron përmbajtjen tematike e po i drejtohet gjithmonë e më tepër trajtimit të temës aktuale, problematikës e shqetësimeve të kohës, duke thyer një lloj ngurrimi që vihej re në vjershat e para, nga ana tjetër në procedimin estetik po ngulmon në gjetje formash të reja, në një perceptim më modern të lëndës dhe në një përdorim më të guximshëm të fjalës e të figurës, të metaforës e të simbolit.
Kjo përmbledhje që botohet në gjuhën angleze me përkthimet nga një përkthyes me përvojë si Lluka Qafoku, përfshn krijimtarinë më të mirë të poetit, duke na sjellë të gjitha hapësirat tematike e me të gjitha tonacionet e regjistrit të tij emocional.
Poezia e Ferik Ferrës sa ç‘është kombëtare, aq është dhe universale. Madje dhe në trajtimin e temës kombëtare, poeti me zgjuarsi dhe elegancë ka ditur t’i shmanget kallëpeve standarte e shfaqjes së një lloj fryme patriotizmi anakronik, euforisë, mburrjeve e të rrahurit të gjoksit nëpër fushën e betejave e në kuvendet e burrave. Poeti ka ditur me forcë shprehëse, dramacitet, poezi e kthjelltësi të nxjerrë në pah vlerat e karakterit arbëror, heroizmin, vetmohimin, dramat e tiparet ballkanike e njerëzore të tij. Ato veti e filozofi, që e afrojnë me Ballkanin e me gjithë popujt e botës. Poema “Tetë gjeneralët”, poezitë “Eufrosina”, “Ali Pashë Tepelena”, “Otranto Nox”, “Nata nën xhama”, “Varri i Agamemnonit”, “Natë në Veronë”, “Lamtumirë, Çamëri”, “Tringëllimë gri”, “Në burgun e Iliadës”, “Maria Magdalena”, “Korijeve të hënës”, “Dialog në lugjet e Verdha” e të tjera si këto arrijnë nivelin e poezisë së sotme moderne shqipe, ato dëshmojnë për një talent original e të fuqishëm, i cili sjell ngjyrimet, tingujt, shkundullimet e fergëllimat e një shpirti të ndjeshëm e të thellë.
Nëpër këto krijime atmosfera e poezisë epike dhe lirike e veriut magjia e forca dramatike e eposit të kreshnikëve, bashkëjetojnë në harmoni me atmosferën mendësinë dhe përvojën e një kohe të re, me përjetimet e një poeti, i cili jeton jo vetëm me jehonën e ngjarjeve historiko-heroike, por dhe me shqetësimet e shekullit që po jetojmë. Duke na përftuar një atmosferë të tillë realiste e dramatike, poezia e Ferik Ferrës na jep të gjallë e të pavagëlluar portretin e Shqipërisë e të Ballkanit të sotëm, që dhe në kapërcyellin e një shekulli të ri, i cili sapo na shkeli në prag, vazhdojnë të vuajnë në kalvarin e mundimeve si në kohërat e hershme.

3
Siç kam vënë në dukje dhe në një studim të botuar për poezinë e Ferik Ferrës, poeti ka përfituar nga përvoja dhe teknikat edhe të poezisë klasike, dhe të asaj moderne. Ndikim të fuqishëm përsëmbari ka patur në poezinë e tij veçanërisht njohja në thellësi e traditës së poezisë së poetëve të shquar të Veriut, që në zanafillën e kësaj poezie me Pjetër Zarishtin dhe Leonardo de Martinon, duke u përqëndruar më fort tek bardi i madh Fishta, tek Koliqi, Mjeda e Martin Camaj e Gaspër Pali, dhe duke u shtrirë dhe te De Rada, Serembja dhe Lasgush Pogradeci. Prej ketyre mjeshtrave të mëdhenj Ferik Ferra mësoi shumë, por nuk u gllabërua prej tyre, nuk u bë dishepull dhe epigon i asnjërit prej tyre. Ai i kushtoi dhe i kushton gjithnjë e më tepër vëmendje poezisë së sotme moderne shqipe dhe europiane, përmes njohjes së italishtes e të frëngjishtes dhe studimit të vazhdueshëm të arritjeve më të shënuara të letërsisë e të filozofisë së sotme moderne. Bashkëveprimi i këtyre dy përvojave të mëdha poetike dhe estetike ka bërë të mundur që në poezinë e Ferik Ferës të bashkëjetojnë së bashku, elementë të poezisë klasike dhe elementët dhe fryma e poezisë moderne, që po vjen gjithnjë e më tepër të marrë epërsinë dhe të krijojë përthyerje të ndjeshme dhe në strukturën kompozicionale e në formën artistike dhe në përdorimin e sintaksës poetike e të mjeteve shprehese; dukuri qe e ka përtirë poezinë e tij duke e bërë më të afërt dhe joshëse.
Ferik Ferra është nje poet me vokacionin e tij poetik, me një regjistër emocional të pasur. Një poet me frymëmarrje e me hapësira përfytyrimi dhe shkrimi të shumëllojta e të virgjëra. Ai synon gjithmonë dhe kur trajton tema të rrahura nga poezia, të gjejë këndvështrime të reja, të depërtojë në thellësi të lëndës jetësore e të mos mbetët në cakun e një vëshgonjësi apo kronikani, por të zbulojë thelbin e dramës së personazhit dhe ato fille mendimi filozofik, që do t’i kumtonin mesazhe të rendësishme dhe bashkëkohore lexonjesit të sotëm.
Duke pasur një horizont të gjërë njohjeje rreth jetës e rreth botës, formim të plotë e të gjithanshëm intelektual dhe një kuptim të saktë e të thellë për poezinë, ka mundur që krijimeve të vetë poetike t’u japë frymëmarje dhe jetë të brëndëshme, duke ia arritur që secila prej tyre të jetë një krijim më vetë me fizionominë dhe arkitekturën e vet të veçantë. Në këto krijime të ndjera, të derdhura në një formë artistike të arrirë, jeta njerëzore dhe historia e kombit tonë na shpërfaqet e plotë me tërë ngjyrat e larminë e saj, por me një theksim të anës dramatike e të ngjyrave të murrëtyera e tonaliteteve emocionale që përcjellin këtë atmosferë, plot drama, e përpjekje titanike për rilindje e përparim që përjeton i gjithë Ballkani. Në këtë ndërkallje poezia e Ferik Ferrës është brenda platformës ideoestetike të poezisë së sotme ballkanike.
Kjo poezi me arritjet e saja përbën një vlerë të çmuar të poezisë së sotme shqipe, një zë të veçantë e të frymëzuar, që pasuron përvojat e hapësirat e saj shprehëse, duke ia arritur të jetë njëkohëshisht kombëtare, aq dhe universale e mbarënjerëzore.
Poezia e Ferik Ferrës, çuditërisht falë temperamentit e shpirtit të tij dhe pse vitet i rëndojnë mbi shpatulla dhe ai nuk është më djalosh i hajthët plot vrulle të moshës, ka mbetur e freskët, jetësore, konkrete, sugjestive plot rrezëllime, vrulle, trazime, fllade lirike e ledhatare, duke mbetur po aq e vetëtishme e jetësore, si poezitë e tij më të hershme. Ai përjeton rininë që nuk njeh moshë të artistit e të poetit, që ka ende çfarë t’i tregojë e t’i zbulojë lexonjësve e botës.

Tiranë, më 16 korrik 2004

Google+ Followers