FLET PROFESOR AGIM VINCA:TE REAGUARIT, DETYRE E ÇDO KRIJUESI DHE INTELEKTUALI



Në një kohë kur apatia dhe mosreagimi ndaj padrejtësive e problemeve shoqërore ka përpirë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nivelit shoqëror që përfaqësojnë; përballë këtij realiteti, ku të gjithë ulin kokën dhe pranojnë në heshtje e kapërdijnë çdo prapësi të keqqeverisjes dhe sharlatanizmit të politikanëve apo drejtuesve, thuajse në të gjitha nivelet drejtuese, pikërisht mes kësaj amullie mbizotëruese dhe njëherësh paralize të reagimit, vjen një zë kumbues, një penë e ndritur, një autoritet i mendimit dhe i shkencës shqiptare, një personalitet imponues dhe gjithnjë kërkues e hetues i së vërtetës, vjen profesori i nderuar Agim Vinca me librin e tij “Arti i reagimit”.
Ashtu siç shenjohet që në titull, kjo përmbledhje shkrimesh publicistike përçon art, si në aspektin formal ashtu edhe në atë përmbajtësor. Publicistika e profesor Agim Vincës karakterizohet nga gjuha e gjallë dhe leksiku i pasur, që gërshetohet me mjeshtërinë e letrarit, i cili me finesë, vërtetësi e qartësi sjell copëzat dhe fragmentet e jetës së mishëruar në të. Kjo cilësi e një mjeshtri të fjalës, bën që shkalla e ndikimit të shkrimeve dhe të temave të rrokura prej realitetit historik dhe aktual të jetë shumë e madhe te receptuesit. Natyrshmëria dhe qartësia e stilit të publicistikës së profesor Agim Vincës janë një sistem reference për të gjithë, por në mënyrë të veçantë ky libër shërben si një manual shumë i mirë orientimi për mënyrën se si mund të shkruajmë dhe të shprehemi mbi fenomene të ndryshme, që shqetësojnë realitetin tonë.
Për t’u ballafaquar me problemet e realitetit kërkohet guxim, largpamësi e mençuri dhe pikërisht këto cilësi shpërfaq autori, teksa ekspozon një bosht tematik, që rrok çështje të ndryshme, si: situata politike e shoqërore, opinione për çështje të rëndësisë kombëtare, përshkrimi i veprimtarisë jetësore e profesionale të heronjve dhe personaliteteve me kontribut intelektual, letrar e patriotik, krijimi i UÇK-së dhe fakte tronditëse të luftës së Kosovës e deri tek përsiatjet e thella dhe reflektimet rreth botës.
Agim Vinca kritikon dhe nxjerr në pah jo vetëm të keqen që vjen nga jashtë, konkretisht nga pushtuesit, por edhe atë që vjen nga brenda, si pasojë e anarkisë, hipokrizisë,  servilizmit, frymës së shkatërrimit etj.
“Arti i reagimit” është libri i tretë publicistik i autorit, që vjen pas librave “Populli i pandalur” (1992) dhe “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” (1997), si një vokacion i pastër dhe i hapur për çështje të jetës së përditshme dhe për çështjen kombëtare në tërësi.
Për të mësuar më shumë rreth përmbajtjes së këtij libri, ju ftojmë të lexoni një intervistë që autori ka dhënë për Radio Kontaktin, ku ai rrëfen arsyet që nxorën në dritë këtë libër publicistik.

Pse “Arti i reagimit”? Çfarë keni dashur të shenjoni me këtë titull?

Titujt e librave janë si emrat e fëmijëve, autorët gjithnjë kanë dilema si t’i pagëzojnë ata. Unë kam menduar gjatë për titullin e këtij libri dhe kam ardhur në përfundim se ky titull, pra “Arti i reagimit”, i përshtatet përmbajtjes së tij. Shumë nga shkrimet e librit janë reagime të lindura në çaste dhe situata të ndryshme historike, nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, madje dhe të Shqipërisë, në këto 10-12 vitet e fundit. Dihet që kjo është periudhë e ngjarjeve dramatike, si: rënia e komunizmit, robëria e Kosovës, rezistenca paqësore, lufta e armatosur, bombardimet e NATO-s, çlirimi i Kosovës, vendosja e administratës së UNMIK-ut pas luftës,  një lloj protektorati ndërkombëtar në bashkëqeverisje me vendorët, që zgjati deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008; zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë etj.
Koncepti i këtij libri mbështetet në reagimin intelektual ndaj ngjarjeve, dukurive dhe situatave nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët gjatë kësaj periudhe.

Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti që dhe pse ka kaluar një periudhë kohore, duke ditur që disa nga shkrimet tuaja datojnë nga vitet 1998-99, sërish kur i lexon ato arrin ta kuptosh sfondin. Ka një lloj ekstrakti që nuk është fort i zakonshëm për publicistikën, e jo më kot gazetarët njihen si shkrues së të sotmes dhe historianët si shkrues të së djeshmes. Ndërkohë që ju i keni alternuar magjishëm këto dy kohë. Cili është çelësi për ta arritur këtë?

Këto nuk janë shkrime të një gazetari, por të një krijuesi e intelektuali, i cili vokacion të vetin e ka letërsinë, kurse profesion studimin e letërsisë dhe mbajtjen e leksioneve në fakultet. Këto shkrime kanë lindur si rezultat i shtytjeve të mia intelektuale. Intelektuali nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve të kohës. Sociologë e filozofë të shquar kanë shfaqur mendime për këtë çështje.  Kështu, fjala vjen, sociologu dhe filozofi bashkëkohor francez, Edgar Moren, thotë se intelektual nuk është njeriu që merret me çështje të profesionit të tij (shkrimtari, filozofi, mjeku, avokati etj.), por njeriu që angazhohet me problemet e kohës së vet dhe se, rrjedhimisht, jo çdo njeri i shkolluar mund të quhet intelektual, duke shtuar se misioni i tillë i intelektualit bëhet i nevojshëm sidomos në kohë krizash, kur shoqërisë i kanoset rreziku i erozionit moral, në mos edhe ndonjë katastrofë. Duke dashur ta arsyetojë këtë mendim të tij, Moreni thotë se Zola ishte shkrimtar i njohur, madje edhe themelues i një shkolle letrare – natyralizmit, edhe para vitit 1898, por intelektual u bë kur shkroi pamfletin “J’accuse” (Akuzoj), me të cilin mori në mbrojtje kapitenin Drajfus, të burgosur padrejtësisht mbi bazën e një akuze të rreme.
Ka edhe shumë shembuj të tjerë, nga Sokrati e gjer te Unamuno, por nuk dëshiroj të zgjatem me numërimin e tyre. Dëshiroj të them se edhe unë, me mundësitë e mia, i frymëzuar nga shembujt e ndritshëm, të cilët nuk mungojnë as në letërsinë dhe kulturën shqiptare (Noli, Konica etj.), kam bërë përpjekje ta marr në mbrojtje popullin tim prej sulmeve, akuzave, shpifjeve, denigrimeve dhe në përgjithësi nga fushata antishqiptare, që zhvillohej në vitet ’90, sikurse edhe më parë, nga propaganda serbe.
Shkrimet e këtij libri mbajnë qëndrim kritik ndaj fenomeneve negative në shoqëri dhe posaçërisht ndaj faktorëve që janë bartës dhe frymëzues të tyre. E këto janë në radhë të parë formacionet politike e shtetërore dhe njerëzit që janë në krye të tyre. Jam përpjekur gjithmonë të shpreh mendimin tim kritik me kohë ndaj problemeve shoqërore e politike, edhe atëherë kur ato mbështeten nga një numër i madh njerëzish, për të mos thënë nga shumica dërrmuese. Nuk jam pajtuar me të ashtuquajturën “lëvizje paqësore, pacifiste” në Kosovë, e cila ishte pozitive në fillim, kur doli në skenë, në fillim të viteve ’90, por pastaj u akomodua në “pushtet” dhe u bë si të thuash një lloj legjitimimi i dhunës dhe terrorit të përditshëm millosheviçian në Kosovë. Konsideroja se duhej një lëvizje më aktive, mosbindje qytetare, protesta, demonstrata, greva, në mos edhe diç më shumë: kryengritje e armatosur. Kam qenë ndër mbështetësit e protestës së njohur të 1 tetorit 1997 të studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit të Prishtinës, por edhe dhe organizator i saj në nivel të Fakultetit të Filologjisë dhe të Degës së Letërsisë Shqipe, protestë kjo që kundërshtohej nga kryesia e LDK-së, përfshirë edhe disa kolegë të mi profesorë, që ishin anëtarë të saj ose të afërt me të. (Dihet se kujt i dha koha të drejtë). Kam mbështetur pa rezervë, ndër të parët nga intelektualët kosovarë, daljen në skenë të UÇK-së; i jam kundërvënë propagandës kundër saj me gojë dhe me shkrim, me intervista në mediat e shkruara e elektronike, me shkrime e fjalë të mbajtura në tribuna të ndryshme, brenda e jashtë, çfarë është, fjala vjen, tribuna e rëndësishme me temë: “Dopo la Bosnia, il Kosovo” (Pas Bosnjës, Kosova), e mbajtur në Romë në tetor 1998, në organizim të Fondacionit “Moravia”, ku unë u paraqita me kumtesën “Holokausti kosovar, thirrje ndërgjegjes së Evropës”, e cila u botua në revistën e njohur “Quaderni” të Romës (nr. 1.’99), nën titullin “Kosovo, olocausto di fine secolo”.

Domethënë ju jeni angazhuar përveçse me shkrime edhe me veprimtarinë tuaj të drejtpërdrejtë intelektuale?

Po. I kam dhënë përparësi të parës: reagimit përmes shkrimeve, por nuk kanë munguar as veprimtaritë e llojit të dytë, herë-herë, madje, në nivele të larta… Dy muaj pas Romës, në dhjetor 1998, kam udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të UNICEF-it, për të marrë pjesë në manifestimin e mbajtur me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, me ç’rast, në mbledhjen solemne që u mbajt më 10 dhjetor në selinë e OKB-së, kam folur për situatën në Kosovë; për represionin serb mbi shqiptarët; për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut: për vrasjet, burgosjet dhe shpërnguljet, që kishin si synim spastrimin etnik të Kosovës etj. Kam pasur nderin të qëndroj pranë funksionarëve të lartë të OKB-së, si Carol Bellamy, Mary Robinson e Federico Mayor dhe personaliteteve të shquara të artit botëror, si aktorja dhe veprimtarja e madhe e të drejtave të njeriut, Vanessa Redgrave, që kishte ardhur nga Londra; aktorja amerikane Mia Farrow, poeti i njohur rus Jevtushenko etj.

Është një fakt që pak njihet në opinion…

Po, është e vërtetë. Sepse unë më shumë jam kujdesur që ta bëja si duhet punën time, t’i dilja zot asaj, sesa t’i bëja publicitet, siç veprojnë shumë të tjerë, për të mos thënë shumica. Gjatë qëndrimit në SHBA kam pasur, natyrisht, edhe takime me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë atje; kam marrë pjesë edhe në tubimet që kishin për qëllim mbledhjen e ndihmave materiale për UÇK-në, të cilat edhe falë pranisë sime janë treguar shumë të suksesshme.

Ju njiheni si krijues letrar, posaçërisht si poet dhe si studiues i letërsisë. Çka ju shtyu që të merreni edhe me publicistikë?

Është një traditë në letërsinë shqipe që shkrimtarët, krahas krijimtarisë letrare, të merren edhe me shkrime publicistike. Kjo dukuri lidhet me rrethanat historike në të cilat kanë jetuar shqiptarët dhe me qëndrimin aktiv të krijuesve ndaj çështjeve me karakter kombëtar, politik, shoqëror etj. Kjo traditë ka qenë shumë e përhapur në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Fillon me Naimin, Samiun, De Radën, Pashko Vasën e Jani Vreton; vazhdon me Konicën, Nolin, Çajupin, Asdrenin, Fishtën etj. dhe arrin gjer te Mihal Grameno me shokë në periudhën e pavarësisë dhe te shkrimtarët bashkëkohorë më vonë. Mendoj se përmes shkrimeve publicistike njeriu i shpreh më drejtpërdrejt shqetësimet e tij si qytetar dhe komunikon më shpejt me bashkëkohësit. Në krijimtarinë letrare ky komunikim është më i ngadalshëm, por s’do mend edhe më afatgjatë.

Te libri “Arti i reagimit”, në shkrimet e tij, ju e konfirmoni plotësisht këtë përcaktim tuajin. Çka tjetër e karakterizon qëndrimin tuaj në periudhën për të cilin flasin këto shkrime, që është ajo e para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë? 

Kam kërkuar që politika shqiptare të ketë një strategji në planin e brendshëm kombëtar, por edhe në raport me fqinjët, sepse shpeshherë kjo na ka munguar dhe pasojë e kësaj janë shumë nga ngjarjet që po ndodhin edhe sot. Fjala vjen, situata e komplikuar në Maqedoni, është pasojë e mungesës së një politike të pastudiuar nga subjektet shqiptare në Maqedoni, por edhe nga përfaqësuesit e shtetit amë, Shqipërisë, të cilët janë të obliguar edhe me kushtetutë që të interesohen për pjesët e kombit të mbetura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra, unë jam përpjekur që këto probleme t’i ngre drejt, pa ekuivoke, t’i shpreh pikëpamjet e mia, t’i argumentoj ato, pavarësisht nga fakti që ndonjëherë mund të kem edhe ngjyrime emotive. Është normale kjo gjë për një njeri të penës, aq më shumë kur qëllon të jetë poet. Pikënisje është e vërteta e jo dëshira për t’i bërë qejfin dikujt a shtytja për ta denigruar dikënd. Jo rrallë këta qëllojnë të jenë njerëz konkretë, liderë politikë si Rugova, Sejdiu, Thaçi, Ahmeti etj. andej apo edhe Nano, Berisha, Topi, Rama etj. këndej. Natyrisht, kush më pak e kush më shumë, sipas “meritave”. Por zakonisht më kritik kam qenë ndaj atyre që janë në pushtet e jo në opozitë. Një kapitull pothuajse të veçantë të librit zënë shkrimet për Lëvizjen “Vetëvendosje!” si artikuluese e vullnetit të popullit të Kosovës – kërkesës për sendërtimin e së drejtës së vetëvendosjes dhe liderin e saj, Albin Kurtin, një djalë i guximshëm e inteligjent, idealist, të cilin e stolis përkushtimi ndaj atdheut dhe interesave të tij, por që, për çudi, nuk gëzon përkrahjen e duhur.
Nuk mungojnë në këtë libër as shkrimet për probleme të kulturës, të mentalitetit, të pozitës së intelektualëve në shoqëri, në këtë tranzicion tonin të stërzgjatur. Më lejoni të citoj një paragraf nga një shkrim i këtillë, i botuar në vitin 2006: “Kriter i përzgjedhjes së kuadrove në institucionet tona shtetërore (por edhe në ato shkencore, arsimore etj.) është përkatësia partiake dhe luajaliteti ndaj ‘shefit’ e jo dija, talenti dhe përgatitja profesionale. Njerëzit e kulturës kurrë nuk kanë qenë më të shpërfillur në këtë vend, ku lufta për pushtet na është bërë ‘art’ dhe ‘shkencë’. Modeli i sjelljes, që mbizotëron në vendet e dala nga ish-Jugosllavia, sikurse edhe në vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste, është ‘kultura e gënjeshtrës’. Jo rastësisht një nga korifenjtë e mendimit njerëzor, gjeniu Niçe, ka pasë thënë: ‘Në Ballkan plehu ngrihet mbi fron, kurse froni mbi pleh’ ”.

Shkrimet e librit tuaj “Arti i reagimit” i cilëson guximi intelektual dhe fryma polemike. Këto dy veti, në fakt, spikasin në artin tuaj të të shkruarit e, madje, edhe në qëndrimin tuaj në jetën reale. A keni pasur pasoja për shkak të këtij qëndrimi dhe a jeni ndëshkuar herë pas here për rolin tuaj si polemist në lidhje me shumë çështje?

Unë jam ndëshkuar nga pushteti hegjemonist serb dhe maqedonas në të kaluarën: nuk kam pasur të drejtë të zgjidhem në vende udhëheqëse; nuk më janë dhënë çmime letrare edhe atëherë kur i kam merituar ato; nuk jam bërë anëtar i institucionit më të lartë shkencor të Kosovës, që quhet Akademi e Shkencave dhe e Arteve etj. Në periudhën e diferencimit politik, që filloi menjëherë pas demonstratave të ’81-shit, kam qenë në listën e ngushtë të të diferencuarve plot tetë vjet. Në vitin 1989 jam përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve, ku qeshë futur si të thuash me imponin, ngaqë ishte kusht për të punuar në universitet, kurse një vit më vonë, pas marrjes së autonomisë së Kosovës, jam larguar edhe nga fakulteti ku punoja, si “armik i përbetuar i politikës jugosllave”, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova, për ta vazhduar më vonë punën në sistemin tonë paralel arsimor të “shtëpive-shkolla” deri në çlirimin e Kosovës më 1999. Mund të them, madje, pa dashur të ankohem për fatin tim të keq, sepse mijëra të tjerë e kanë pësuar shumë më keq sesa unë, se e kam provuar edhe burgun. Kjo ka ndodhur në vitin 1996. Dhe e dini përse? Për shkak të ardhjes në Shqipëri pa të ashtuquajturën “vizë dalëse”, që patën aplikuar organet serbe për ta penguar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Maqedoni, në vitet ’80, është zhvilluar një fushatë e egër politike kundër meje, pikërisht për shkak të shkrimeve të asaj kohe në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në këtë Ish-Republikë Jugosllave. Edhe më vonë, pas rënies së sistemit të vjetër, kur në qeveritë e Shkupit marrin pjesë edhe partitë politike shqiptare, ka ndodhur të më mbyllen, fjala vjen, dyert e Universitetit të Tetovës si “i papërshtatshëm”!
Ka edhe gjëra të tjera të kësaj natyre, andej-këtej, por nuk vlen të përmenden, sepse në krahasim me ato që kanë vuajtur të tjerët, “vuajtjet” e mia janë një pikë uji në oqean.

Çfarë kriteri keni ndjekur për renditjen e shkrimeve në libër?

Kriteri është tematik, sipas problemeve që trajtohen, ndërsa brenda kapitujve, që janë gjithsej shtatë, është ndjekur rendi kronologjik, sepse janë shkrime publicistike që dëshmojnë për një kohë dhe që si të tilla mbajnë datën e botimit në fund. Ka ndonjë shkrim që unë nuk kam dashur ta botoj në kohën kur është shkruar, siç është shkrimi për Konferencën e Rambujesë, ku merrnin pjesë disa miq të mi, të cilët ishin pjesë e delegacionit të Kosovës. Ajo ishte një konferencë shumë e rëndësishme, por që nuk e zgjidhi drejt çështjen e Kosovës, të paktën jo në atë kohë (në vitin 1999), sepse, sipas Marrëveshjes së saj, Kosova mbeti nën sovranitetin e të ashtuquajturës Jugosllavi (Serbi dhe Mali i Zi). Pala serbe nuk e nënshkroi Marrëveshjen as si të tillë, pra si të favorshme për të dhe pastaj, siç dihet, pasoi fushata e bombardimeve të NATO-s, e cila u bë jo vetëm për shkaqe humanitare, si thuhet, por edhe për shkak se Aleanca e fuqishme ushtarake Veriatlantike do ta humbte besueshmërinë në 50-vjetorin e formimit të saj po të mos e ndërmerrte këtë hap.
Gjykimi im ndaj Konferencës së Rambujesë (nga perspektiva e kohës kur u mbajt ajo) është kritik, por zhvillimet e mëvonshme treguan se ajo konferencë qe, megjithatë, një mundësi për të ecur përpara drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në fund të disa materialeve, ju theksoni se është dërguar në këtë apo atë redaksi, por nuk është botuar. Si është e mundur që mediat shqiptare censurojnë edhe zërin e një intelektuali të përmasave tuaja?

Shqiptarët në sistemin monist kaluan nëpër një diktaturë të tmerrshme, që zbatonte censurën e  diktatin dhe ky diktat ka lënë gjurmë në mendësinë tonë intelektuale dhe veçanërisht në politikën redaktuese të disa mediave tona. Në kohën tonë, mediat, në të dy anët e kufirit, janë shpeshherë në shërbim të partive politike e të oligarkive pushtetore dhe kur ndodh të dërgohet ndonjë shkrim në të cilin “preket” sidomos “shefi i madh”, vonohet botimi i tij për arsye formale ose edhe ndodh të mos botohet fare.
Ka redaksi e redaktorë që nuk duan “të prishen” me autoritetet, prej të cilave varen edhe materialisht ose nuk duan të preken “mitet” politike të krijuara pikërisht prej tyre, por ata harrojnë, të gjorët, se jetojmë në kohën e internetit dhe se mundësia e komunikimit virtual, fatbardhësisht, nuk varet prej vullnetit të tyre, ndryshe nga ç’ndodhte në të kaluarën.

Kapitulli i fundit i librit ka një titull metaforik: “Pikëllim i mermertë”. Përse flet ai?

Kapitulli i fundit i librit flet për vdekjen e shkrimtarëve, ndonjëri prej të cilëve mik i autorit dhe për nderimet që ata meritojnë për atë që kanë bërë për të gjallë. Në ndonjërin nga shkrimet flitet për qëndrimin shpërfillës e mohues që mbahet, herë-herë, ndaj tyre pa të drejtë dhe, madje, edhe për prishjen e varrezave të shkrimtarëve, dukuri kjo e cila ndodh të jetë po ashtu e pranishme në jetën tonë të ngarkuar gati për çdo ditë me lajme për krime e ndodhi makabre. E çka nuk ndodh sot, për fat të keq, në botën shqiptare! Të gjithë njerëzit i përjetojnë rëndë këto ngjarje, por shkrimtarët kanë dhuntinë e, besa, edhe detyrimin, ta shprehim dhembjen për to në shkrimet e tyre jo vetëm letrare, por edhe publicistike.

Disa prej shkrimeve tuaja janë shkruar para shumë kohësh, a ka ndikuar kjo distancë kohore  që ju të mendoni a reflektoni ndryshe mbi ato shkrime, apo botëkuptimi juaj mbetet i njëjtë?

Unë nuk jam nisur nga interesat e mia personale e as të ndonjë grupi të caktuar, por nga ato që i kam konsideruar interesa vitale me rëndësi të përgjithshme për shoqërinë. Kam shprehur pikëpamjet e mia për zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe kam mbështetur proceset historike: përpjekjet për liri, pavarësi e demokraci, duke iu kundërvënë në vazhdimësi dhunës, gënjeshtrës dhe padrejtësisë. Prandaj, vazhdoj të qëndroj prapa shkrimeve të mia, pavarësisht nga koha kur janë shkruar ato.

Intervistoi për Radio Kontaktin
Jolanda LILA
Tetor, 2012





Google+ Followers