Ali Podrimja: Ngado të nisem, do të vij tek ti


Sadik Bejko

Ali Podrimja u nda nga kjo botë në mënyrë të tillë që do të mbahet mend gjatë. Papritur u dha lajmi që ai ka humbur, nuk është më në hotel, as në mjediset ku po mbahej një festival ndërkombëtar i poezisë, në një qytet në Jug të Francës. Për ditë të tëra u hap një hon i zi e i përmasshëm, një hon prej këndej e deri në brigjet perëndimore të Mesdheut. Honi zgjerohej nga dita në ditë, shtrihej në gjithë këtë planet, në krejt këtë galaksi: është a nuk është më Ali Podrimja?, ku mund të ketë mbërritur, në ç’tokë, në ç’ujëra, në ç’qiell, ku tjetër? Në ditën që, më së fundi, u mor vesh se ai nuk merrte më frymë, nuk ishte më ndër të gjallët, për të gjithë ne të këndejmit ishte bërë e kuptueshme se Ali Podrimja nxitimthi  kishte vrapuar për të mbërritur para kohe në vendin që i takonte, në atë vend që prej më se pesëdhjetë vjetësh kishte qenë atdheu i tij: në kullotat e blerta me barin e pavdekshëm të poezisë. Të ishte kjo lloj ndarjeje prej nesh arsyeja që më bëri ta ndiej shumë e shumë vdekjen e tij? Me javë e javë nuk mësohesha dot që ai nuk është më. Në mbrëmje, sa ndahesha nga miqtë, në ato pak hapa që të çojnë në shtëpi, papritur më kapte një vaj i heshtur, një mall i makthshëm i mungesës së tij. Tani mendoj se duhet ta kishim pritur një largim të tillë të Aliut nga kjo jetë. Ai e kishte përherë me vete thirrjen për diku gjetkë. Ajo i rrinte te thembrat e këmbëve, të cilat gjithmonë i kruheshin për udhë, për të shkuar diku ku nuk kishte qenë. Ai ishte një i thirrur për në dheun e poezisë, një i thirrur me lejen vetëm për pak kohë këtu midis nesh.  Nga të gjithë ata lëvrues të poezisë që njoh e kam njohur, Aliu ishte Poeti, me të vërtetë poeti, poeti i lindur, i ardhur në jetë vetëm për të bërë punën e poetit. Ishte i tillë në sjelljen, në mënyrë si i jetonte ngjarjet, si i kryente punët e përditshmërisë. Ai s’mund të kryente punë tjetër veç asaj që të ishte poet. Me atë trupin drejt, kokën lart, sytë me qepalla pak të rëna, ecjen e turrshme, Aliu ishte burrë një copet, burrë i prerë. Më pëlqente kjo sjellje e Aliut. Sidomos për atë kapërcimin mbi bizantinizmin meskin që shënon marrëdhënien midis shkrimtarëve në Tiranën e sotme. Grupe, tarafe, të rinj, të vjetër, shkrimtarët e përjetshëm të shtetit e të qeverive, të persekutuar e gjasme të persekutuar… takime me sytë për tokë, buzëqeshje vetëm me dhëmbë, jo me gjithë shpirt. Aliu në atë vrullin e tij të shëndetshëm kalonte me lehtësi nga një grup në tjetrin. Ta thoshte copë: do takoj X-in, apo Y-in. Dhe i takonte të gjithë ata që donte, dhe e donte miqësimin, afrimin mes shkrimtarëve. Nuk merrte e nuk çonte fjalë. Ne jetojmë në Tiranë e pothuaj nuk shihemi me njëri-tjetrin, ai vinte nga Prishtina e në dy ditë na takonte të gjithëve. Aliu vinte Shqipërinë, Shqipëritë, siç thoshte ai, mbi të gjitha të tjerat. Edhe për këtë, shqiptarësinë e tij të patundur, e desha Aliun. Këto vite në Tiranë na kanë dalë shumë qytetarë të botës. Qytetarë të botës, por me erën e ndotur të lumit të Lanës përmbi veshjet e tyre mondialiste. Në emër të asaj që të rrëzojmë mite e nacionalizma, shumë zëra në Tiranën e sotme morën statusin e njerëzve të modës, të së resë, të hapjes me botën përmbi mykun e izolimin e Shqipërisë etj, etj. Këto qarqe në njëzet vjet më shumë kanë bërë deklarata shkallmuese, sesa të kenë ndërtuar pikëpamje ndikuese në të sotmen e të nesërmen tonë. Shoqëritë shqiptare në Ballkan për mbi pesëdhjetë vjet u vunë në gjumë me frymën e internacionalizmit dhe të bashkim-vëllazërimit. Aliu, siç i donte të bashkuara mendjet e Tiranës, donte dhe që Shqipëritë e tij të merrnin frymë me një mushkëri. Po nuk qemë vetja e për veten, kush do të jetë për ne? Po nuk patëm vullnetin për të qenë bashkë ne me vetveten, si mund të jemi me botën? Aliu ishte shpirti i rilindasit ardhur në ditëve tona. Si një maratonomak do të rendte te Guri i çarë i Prevezës, te vajtocat e Rekës, te kalaja e Ulqinit, te ” Mbreti im i vdekur Dioklecian”, do t’u thërriste arbëreshëve: “A ju dëgjon harrimi?”, do ngjitej në malin e Tomorrit e në malin e kishës së Laçit… Do të rendte dhe drejt Evropës, ku më së fundi e ndali vrapin, drejt diellit që lind andej nga perëndon. Edhe nga ç’kam shkruar,  dhe nga sa e kam njohur, më del se Aliu ishte një malësor i bjeshkëve. Kishte një erë me ngricë në atë ecjen e tij të vrullshme, në atë ngutin e pareshtur, në atë fytyrën e ngjethur dhe në ballin e vizëllueshëm si teh shpate. Një malësor me atë topuzin e kreshnikut supeve. Kishte një luftë për të fituar, një bejleg e kishte lënë, një fjalë e një besë i kishte dhënë. Po të kishte lindur në kohën e Fishtës, do kishte shkruar rapsodi për lahutë. Po ai lindi në kohët e gjuhës moderne të poezisë dhe gjuha e stili i tij janë të së njëjtës gjedhe me poetët më të mirë të Evropës së sotme. Ngaherë më merrte në telefon, edhe pas mesnate, e më thoshte: “Qyre, a m’i ke lexu poezitë? A randë kam ranë, bre nanën, a… ?”. “Randë ke ranë, Ali”, i thosha. Por me vete mendoja: ke ranë me një topuz prej fjalësh, Ali, me një topuz prej letrash. Po këtë kurrë nuk ia kam thënë. Ai ishte poeti që beson te fjala, beson në poezinë, e merr prej së vërteti atë. Nuk doja t’ia prish këtë iluzion. Mbase fëminor. Por ai burri i bjeshkës me topuzin poetik më vijëzohej në kokë dhe prej tij burrërohesha edhe unë. Aliu ishte poeti i gjallë, poeti që e shohin të gjithë. Jo e shohin, por e prekin… në fillim me sy, pastaj i flasin  me gojë, i shtrëngojnë duart, i cekin supet. Ai e pati atë privilegj që pak të tjerë në këtë erë të mediave elektronike do ta kenë, atë që të tjerët tek ta shohin, të thonë: ja, poeti, po kalon poeti. Kjo ndoshta se Aliu, sado i gjuhës moderne, e kishte atë fibrën e rapsodit, atë që të ketë reagimin e shpejtë për ngjarjet, atë që të jetë zëdhënës poetik i një situate, i një vendi, i Kosovës në fatet e saj të lara me gjak e të ngjizura tragjikisht. Shumë ka humbur poezia nga ajo që ka dashur të jetë eterne, elitare, pa prekur në tokën e në klimën e një kohe të dhënë. Aliu dinte të ishte poeti e rapsodi modern në gjuhë e në koncepsion. Aliun e kam parë nga larg në Tiranë, në vitet ’70. Kishte trupin e një atleti helenik. Fytyrën e plotë si diell. Flokët e zeza të dendura, të dredhura si në dru mogani. Tani kur vinte në Tiranë flokët i ishin vyshkur, faqet i ishin tretur, balli  holluar. Për atë që nuk e njihte nga afër, fizionomia e tij të trandte e të largonte. Veç ai “burri i randë” kishte nevojë ta donin. Në Tiranë, në ditët e panairit të librit, atë e rrethonin njerëz të panjohur dhe i flisnin: ku je Ali shqiptaria… ku je Lum Lumi… Ali Kosova… ku je gjaku im që nuk falet… Aliu i përshëndeste me duar nga larg, i ftohtë, por thellësisht i kënaqur. Aliun e deshën dhe ia njohën statusin e poetit dhe ata që s’e kishin lexuar. Ai kishte fituar statusin e klasikut të gjallë, atë distancim nga e sotmja që për së gjalli të çon në traditë, në histori. Shumë nga të rinjtë e shkollave dhe të universiteteve tona të sotme, mbase dhe nuk e dinin se ai ende jetonte. E donin dhe ata që nuk e njihnin… Shkrimtarët e shquar e kanë këtë fat: i duan dhe ata që nuk i kanë lexuar. Dikush që është përndritur dhe fisnikëruar prej poetit ua jep valëve të ajrit shkëndijimin e tij dhe, sakaq, ato valë ndriçojnë gjithë të tjerët aty rrotull. Ashtu si në teatër ku, nga prekja në bërryla, rryma e emocionit i tejshkon të gjithë një nga një e mandej ngjeth, shkallmon e drithëron gjithë sallën. Aliu e arriti herët këtë se ishte mjeshtër i poezisë. Nga librat e parë të tij “Sampo”, “Torzo” etj, mbaj mend vargjet “fener i hedhur në një det”, “rrugën ta shtruam me kufoma deri te zemra”, “të kam pasë  thanë një ditë: nga do të  nisem do të vij tek ti”… Për të ardhur te vargu …”miq, Kosova/ është gjaku im që nuk falet”. Ky do të  mbetet një  varg i paharruar në  breza për atë kontekst historik, kur është shqiptuar. Ka shkundulluar me rropamën e tij mijëra e mijëra zemra të ndrydhura. Ka rrënqethur po aq të tjerë dhe ua ka sjellë lotët në  fyt. Mua m’i njom sytë edhe sot.  Studiuesit e tij kanë  vërejtur atë meshtëri, atë përkryerje, të poezisë së tij të shkurtër eliptike, ku merr vlerë e peshohet çdo rrokje e çdo fjalë. Prej këtyre vargjeve u mbajt gjallë në një situatë të robëruar regëtima prej luani e një populli në  ëndrrën e tij të lirisë. Poezia ia fali Aliun Kosovës që ta gjallojë këtë rremb prej luani. Koha donte burrëri: Të më duash trime… të më thuash trimi im.
Margarita Dyras në një ese për Borhesin thotë se pjesa më e rrezikuar për t’u lënë në harresë në   poezinë  e një  poeti, është  ajo me tematikën e patriotizmit. Duke folur për Aliun vetëm si poet i patriotikes, më duket se ia hamë hakun. Aliu ishte poet i tragjikes më së shumti. Për këtë do të  mjaftonte vetëm libri “Lum Lumi”. Ky është  një nga librat më unikalë në  krejt poezinë shqipe. Është  një  libër i humbjes. Vdekja, më së fundi, u bë  lëndë  e poezisë  dhe pjesë  e pashqitur e jetës së mëtejme të   një burri, të një  babai. Dhembja ashtu siç është  përjetuar e përjetësuar në këtë libër nga Aliu, cilindo do ta kishte hedhur në  tokë. Por ai kishte fuqi të  tjera. Dikur kishte qenë  kaskador, hedhës nga lartësi të mëdha mbi faqen e ujërave. Ai e dinte, e njihte shijen e rrezikut me kokë: atë hedhjen e lemeritshme në ajër, pastaj çarjen e zhytjen në errësirë dhe, së fundi, daljen përtej territ në sipërfaqen e botës. Kështu jeta njeriun e vë para fatkeqësive të pakthyeshme, para fatalitetit, të cilit duhet t’i biesh me kokë dhe t’i dalësh tej. Jeta kështu shmang shfaqjet e së bukurës, hyn në një tunel të së tejbotshmes, tunel pa fund nga mund të dalësh përmes trashendencës tragjike. Dhe çfarë mbetet, në se nuk i ndryshon dot ligjet e vdekjes e të jetës, çfarë mbetet, kur nuk e ndal dot as vdekjen para syve të tu të djalthit tënd? “Asgjë s’bëra për ty Lum…”, kur ke bërë gjithçka që mund të bëhet. Sigurisht, mbetet vetëm kuraja. Ajo është jotja, e ke në zemrën tënde. Nuk ta merr askush. Fëmijën, gjakun tënd, ta marrin, po jo kurajën. Në se njeriu nuk i dorëzohet humbjes e vdekjes, atëherë ai është i shpëtuar. “Unë nuk e nënshkruaj vdekjen“.
Aliu shliroi shumë energji e mjeshtëri poetike me këtë libër. Më mjeshtërorin e tij.
Aliu do të lexohet për vargjet e tij lapidare, por dhe për atë konkretësi e përpikmëri emocionale të detajeve që renditen në ecurinë e fikjes së ngadaltë dhe shuarjes së një fëmije para syve të prindërve të tij. Për atë gërshetim e orkestrim të planit të përditshmërisë me planin e lartë imagjinativ të “Lum Lumit”, për kalimin nga personalja, te ftoi i vendlindjes e deri te universalja. E këtu kemi arritur në truallin e sublimes. Aliu do të lexohet si poet i sublimes, i shkrepëtimave të tejbotshme të asaj lënde poetike që ndehet përherë në lartësi të papara, por edhe para syve tanë, veç që ndjehet më shumë sesa rroket.
…ngado të  nisem, do të vij tek ti… Aliu e mbajti këtë premtim të rinisë. Ai shkoi për të vdekur diku larg, për t’u kthyer e për t’u kthyer edhe më shumë… për sot dhe përgjithmonë e jetës, këtu midis nesh.
Shtator 2012





Find us on Google+

Google+ Followers