AH, SHQIPERI BIME E HI




Ah, Shqipëri
bimë e hi…
Njëqind vjet udhëtim
njëmijë vjet lundrim.
Sot dua të dal nga zjarri,
të bëhem shpendi yt
ti zgjoj ylberët e fjetur nën dhe,
për ditëlindjën tënde prej njëmijë ditësh.

Ah Shqipëri,
Vjosë e Dri…
Njëqind vjet fole
njëmijë vjet atdhe.
Sot dua te dal nga dielli
ti zgjoj oxhaqet tua
ti pjekë arat e vonuara
në tokëlindjen tënde më njëmij etje.

Ah, Shqipëri
djep – Arbëri…
Njëqind vjet lindje
Njëmijë vjet dhembje.
Sot dua të dal nga dheu
të bëhem lis i shtatit tënd,
t`i veshë pranverat tua,
për rilindjen tënde prej njëmijë zgjimesh.

Ah, Shqipëri
kuq e zi…
Njëqind vjet rritje
njëmijë vjet pritje.
Sot dua të dal nga ashti,
të bëhem krisma jote,
shtizë flamuri - mburojë e ringritjes,
në pikëlindjen tënde më njëmijë pika.

Ah, Shqipëri
e imja – djalëri…
Njëqind vjet valë
njëmijë vjet mall.
Sot dua të dal nga deti,
ti lidhë barkat e mija për Nëntorin tënd,
ta shpall - Shekullin Shqiptar,
në Vlorëlindjen tënde më njëmijë vlime.


Ah, Shqipëri
Zonjë Gri…
Njëqind vjet Shqipëri
njëmijë vjet dashuri.
Sot dua të dal nga shkëmbi,
të vishem me Alpet tua,
t`i tund muret e shprishjes,
në ditëlindjen tënde prej njëmijë lindjesh.

Ah, Shqipëri
Jug e Veri…
Njëqind vjet qiri,
njëmijë vjet shkëndi.
Sot dua të dal nga zëri,
të bëhem këmbonë çmalljesh ,
ti lidhë brigjet tua të pritjes ,
në dritëlindjën tënde prej njëmijë agimesh.

Ah, Shqiperi
vatër e gji…
Nëqind vjet ngjallje,
nëmijë vjet frymëmarrje.
Sot dua të dal nga reja,
ti mbledhë gjethet tua nëpër botë,
ti urëzoj ishujt e lënduar
në trunglindjen tënde më njëmije degë.

Ah, Shqipëri
diell e shi…
Njëqind vjet shtet
njëmijë vjet jetë.
Sot dua të dal nga vullkani,
të rrjedhë shekullit tënd
të djeg ujqit, të flakëroj netët -
për frymëlindjën tënde më njëmijë thyerje.

Ah, Shqipëri
poezi…
Njëqind vjet emër,
njëmijë vjet zemër.
Sot dua të dal nga pena,
ti mbjellë këngët e mija të thinjura,
në luginat e prusheve tua,
për yll-lindjën tënde më njëmijë yje.

Ah, Shqipëri
brengë e magji.
Njëqind vjet fortesë,
njëmijë vjet qëndresë…
Sot dua të dal nga loti,
të bëhem vërshimë - malli mërgimtar,
ta pres Ismail Qemajlin
në vendlindjen tënde , të vendimit të shenjtë…

Ah, Shqipëri…
Sot dua të zbresë nga qielli
Ilir e arbër,
skipetar e shqiptar,
arbëresh e arvanit,
arnaut e albanez,
alban e albanian,
emigrant e azilant,
refugjat e mergimtar,
në ditëlindjen tënde - plot ditë.

Ah, Shqipëri
Bimë e hi:
Bimë - gjaku
hi - ashti…
Tu bëfsha Krujë,
Rozafë e Tomorr.
Mu bëfsh - Iliri…
Pa kufi. Milenium.

ROI SHKRELI
(Nentor 2012)

Google+ Followers